E premte, 02.05.2025, 10:14 AM (GMT+1)

Speciale

Eduard M. Dilo: U promovua në Washington DC libri i Leka Tasit ''Grabjani rrëzë kodrave''

E diele, 13.06.2010, 07:00 PM


U PROMOVUA NE WASHINGTON DC LIBRI I LEKA TASIT: "GRABJANI RREZE KODRAVE"

 

Nga Eduard M. Dilo

 

Gjate muajit Maj, Zotnia Leka Tasi, ne viziten qe beri i ftuar nga "Vatra"ne USA, mbriti  ne Washington DC ku beri dhe promovimin e librit "Grabjeni Rreze Kodrave".

Ne nje abjent te mrekullueshem, ne "Capitol Room "te hotelit Hilton, fale kjo kujdesit te Zotnise Muci Xhepa dhe Zonjes Merita Bajraktari  McCormack, u be promovimi .

Pjesmarresit e ftuar ishin kryesisht nga shtresa e persekutuar , kish dhe nga ata personazhe te gjalle qe i shpetuan ferrit komunist dhe sot jetojne dhe jane ingranuar ne jeten amerikane.

Nje kopje  e zmadhuar e kopertines se librit qendronte ne krah te foltores. Ne  te dy anet ishin te vendosur hijshem flamujt kombetare te USA dhe Shqiperise.Vete prania e flamujve aq te dashur per shqipetaret te bente krenar ne abjentin ku zhvillohej aktiviteti.

Himnet kombetare te USA dhe Shqiperise e hapen aktivitetin dhe me von nga moderatorja e aktivitetit Z. Merita Bajraktari McCormack u kerkua nje minute heshtje ne nderim dhe kujtim te heroizmit te shqipetareve qe nuk i mposhti diktatura, por i rezistuan dhe vdiqen me dinjitet.

 Pershendetjen dhe mirseardhjen ne emer te "Vatres", Z. Leka Tasi ja uroi Dr. Gjon L. Bucaj, Kryetari i saj.

Pershendetje mbreselenese  beri gjithashtu dhe Ministri Fuqiplote i Republikes se Shqiperise ne Washington Z.Kreshnik Collaku.

Ndersa Z. Mustafa Xhepa mbajti referatin :"Leke Tasi hedh drite mbi te verteten".

Vazhdoi me pas, Eduard M. Dilo me analizen e pergjitheshme te librit, per t'ja lene fjalen Z. Muhamet Omari qe pershendeti te pranishmit me mbresa nga libri.

Shume prekese ishte kur ne tribune doli e foli nje nga personazhet reale te librit, ish i persekutuari Z. Fejzi Kulla.

 

Ai me sy te perlotur solli ne kujtese ato dite ferr qe sebashku me Z.Leka dhe shume bashkevuajtes te tjere kishin kaluar ate kohe ku perdite u kanosej vdekja.

Zonja Merita B.McCormack foli per figuren e femres ne pergjithesi te pasqyruar ne kete liber. Kjo gjithashtu lexoi dhe poezine kushtuar motres se autorit  Tefta Tasi, qe  poeti

Ylli M. Dilo kish derguar nga Greqia.

Zotnia Jadigjar Luzaj pershendeti dhe lexoi pershendetjen qe Kryetari i Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane Z. Dalan Luzaj kish derguar per aktivitetin.

Zotnia Dr. Grigor Nosi , mbajti ligjeraten "shkelja e te drejtave te individit....", ndersa Z. Hasn Kostreci foli per mbresat qe i ka lene leximi i librit.

Ne fund Autori, Z. Leka Tasi falnderoi per mundesine qe ju krijua nepermjet "Vatres"qe te preke e te jete i pranishem ne endrren e tij te perhereshme, njekohesisht te pronovoje dhe librin.

 

Po japim me poshte pershendetjen e Z. Leka Tasi, nderkohe qe ne ditet pasuse do japim dhe referatet e tjera qe u mbajten aty.

 

Të dashur miq,

 

Duke ardhur në Amerikë, në këtë vend që ne antikomunistët shqiptarë e kemi dashur me dekada të tëra, gjëja e parë që më shkoi në mend ishte t`ju bëj një rrëfim të shkurtër të procesit nëpër të cilin kaloi kjo dashuri sipas fazave politike që përjetonim, ngritje-uljet e saj, shpresat dhe zhgënjimet e saj. Thashë  sipas fazave politike, por duhet thënë që admirimi dhe dashuria jonë për Shtetet e Bashkuara, si për cilindo që bëjmë mik, karakterizohet gjithmonë nga një ndjenjë që e tejkalon të menduarit politik. Ideja se bota e lirë duhet të na shpëtojë një ditë në atë breg Adriatiku – duhet ta pranojmë- na vjen nga një konceptim apolitik, ideal, i  marrëdhënieve, konceptim që ne shqiptarët e kemi ushqyer me shekuj. Sipas nesh bota  na ndihmon për miqësi, si miku mikun, jo për konjukturë o interes.  Ky formim i yni nuk është dhe aq dobësi o naivitet, por një mënyrë pikërisht apolitike, nje shtrirje e marrëdhënieve njerzore në sferën mes shteteve, dhe kam gjetur konfermë për këtë  edhe ndër historianë me autoritet. Sigurisht sot ai është krejt i tejkaluar, dhe madje përbën gabimin tonë të parë që dua të vë në dukje. Kur pashë James Bakerin në Sheshin Skenderbej ne Mars të l99l, u përqëndrova te shprehja e fytyrës së tij dhe mund të them  se pata ndijimin më të qartë të këtij gabimit tone.  Shefi i Departmentit të Shtetit ndodhej aty për punë. Dhe si politikan, plus anglo-sakson, reagonte gjakftohtë, pa ndonjë emocion të veçantë ndaj ndjenjës oqeanike që përshkonte turmën dyqindmijëshe. Edhe më tepër thellohet ky gabim i ynë, kur ne i bashkojmë shpresës tek tjetri, mungesën tonë totale të kohezionit. Historia jonë karakterizohet nga një alternancë e këtyre dy momenteve që posa thashë: shpresë tek shpëtimtari i jashtëm, dhe në mungesë të tij, nënshtrim aktiv dhe shërbim i zellshëm tek i forti i momentit, po i jashtëm. Nuk po ndalemi ta analizojmë këtë ndërtim psikohistorik  tonin, dhe aq më pak me ndjenjë inferioriteti. Historia jonë   ka gjithashtu shembuj ku solidaritetin që presim nga tjetri, e kemi ofruar bujarisht vetë, natyrisht brenda një vizioni që s`ka të bëjë fare me pjekurinë politike që formon kombet.

 

Kjo sekuencë fatkeqe ka shpjegime edhe objektive, kryesisht gjeografike, por në radhë të parë përcaktohet nga individualizmi ynë i natyrshëm dhe centrifugal që thellohet nga grindjet e përhershme brenda , për pasojë nga rëniet tona të shpeshta në kurthe përçarëse që  kanceleritë  shumë më    pjekura      përreth nesh  na thurin  neve të papjekurve  me lehtësinë më të madhe. Për këtë arsye, sa herë më merr edhe mua rryma e mendësisë së rëndomtë të kafeneve  (por edhe të shumë intelektualëve) që ua hedh fajin të huajve për të këqiat e vendit tonë, më kujtohet një devizë e babait tim që e përdorte   për këto çeshtje: “Mos të themi kanë faj fqinjtë, ata bëjnë punën e tyre. Puna është   ne çfarë bëjmë? ”Prandaj, s`pushoj së vrojtuari panoramën shqiptare me këtë preokupacion kryesor, dhe arrij tek uniteti si gjëja më e nevojshme . Kësisoj  detyrohem  t`i quaj edhe ata të krahut ish-komunist si përfaqësues nëmos të vlefshëm ,  të pakën  realë  të momentit meqë u erdhi karta në dorë,  dhe  pres që ata  t`i shërbejnë  në një farë mënyre  vendit, qoftë duke i  dhenë përparësi në një farë mase dhe lezeti  interesave të klasës tyre. Mjerisht 50vjetshi komunist   ka sjellë  ndryshime     të pakthyeshme, dhe megjithse  e kemi të hidhur ta pranojmë , nuk shoh mundësi si të kthehet mbrapsh koha kur bijt e tyre shkolloheshin kurse tanët punonin në kazmë. Kjo s’do të thotë që na mungojnë kapacitetet. Kur  BS humbi garën e armatimeve dhe u step, por nuk u përgjunj, Amerika   bëri një  pakt   të tillë me të,  që reformat drejt  ekonomisë së  tregut dhe pluralizmit    Lindje   do ta zbatonin po  ata pushtetarë në fuqi.  Ky  kompromis erdhi e hyri në ndërgjegjen tonë gradualisht  mbas 91-shit dhe e ftohu   entusiazmin tonë  fillestar tek prisnim një revansh sëpaku ideologjik. Por një mendim më i thelluar na çoi  të kuptojmë arsyet  strategjike    të Shteteve të Bashkuara dhe  u detyruam ta kthenim shpresën  tonë të deriateherëshme në   një hamendje se kur  dhe si do të kërkonin ato ( SHBA – Evropë- NATO), ndreqjen e paligjësive  të vjetra  gjatë procesit të demokratizimit  . Dhe  shohim  sot që këtë po  e  kryejnë  me njëfarë butësie.   Ndërkohë  ajo që prisnim më fort me të drejtë , dhe   me një  shpresë të ligjshme e kujtonim të realizueshme, ishte  rivendosja e së vërtetës historike,  e tillë  siç ka qënë.  A mund     të ketë demokraci, transparencë, progres, pa të vërtetën?   Eshtë fjala para  së gjithash,  për  reabilitimin  e personaliteteve  që ishin   ekzekutuar e përndjekur për  shkak të përpjekjeve    tyre për  pluralizëm dhe demokraci, sidhe të atyre  që po ashtu ishin përndjekur e njollosur nga komunizmi  për zgjidhjen që i kishin ofruar vendit  duke  hyrë në bisedime  me  pushtuesit gjermanë në mënyrë që  vendi të mos qeverisej ushtarakisht  . Ata të  gjithë u gjykuan dhe u dënuan egër, me varje, me plumb, me burg të gjatë, pse kërkonin opozitë brenda në parlament, ose pse  biseduan me misionet aleatë ose pse ushtronin fenë , ose siç thashë formuan të vetmen qeveri  gati sovrane në tërë Evropën e pushtuar nga Gjermania. duke arritur përveç shmangies së masakrave masive, edhe  shpëtimin e  qindra jetëve hebrejsh. Parlamenti pluralist i shpalli të gjithë të pafajshëm në 91 dhe paskëtaj i harroi.  Sepse pa u shkallmuar tërësisht gënjeshtra e diktaturës, e bazuar  sot nga ithtarët e saj në teorinë se e përgjithëshmja e pasluftës ishte positive (çlirim, reforma etj)  dhe vetëm disa shtrëmbërime të mëvonshme burokratike  e paskëshin cënuar atë, pra, pa u bërë ky pastrim, nuk ka si të dalin të pafajm dhe patriotë ata që e kundërshtuan në luftë dhe pastaj. U  gjet  pra një mënyrë komode që të ndërtohet demokracia mbi një background  komunist, kjo është e vërteta e përmbledhur, dhe do ta shpjegoj më poshtë pse dhe si.

 

(Por a mund t`i ankohemi Amerikes  për këto gjëra? E marr me mend përgjigjen e saj: “Muri   i Berlinit ka rënë edhe për ju, përpiquni, luftoni, e kini tashmë hapësirën e duhur”, një përgjigje kjo që pasqyron tërësisht mendësinë e një demokracie dyqindvjeçare,  dhe për këtë arsye gati e papërshtatëshme për ne… Megjithatë unë po mundohem këtu dhe tani të mbështetem tek ajo.) 

 

Më pezmaton veçanërisht fakti që shtresa  e inteligjencës  zyrtare dje e afërt me pushtetin por njëherazi edhe mjaft disidente në dialog të fshehtë me veten, aktualisht zëri i parë dhe gati i vetëm në shoqërinë tonë, pavarësisht se edhe ajo vetë ka qënë e terrorizuar  nga diktatori , sot me lirinë e fituar tregohet aq e vogël  dhe përjashtuese me fuqinë  që i është  dhuruar, sa të mos pranojë të vërteta si drita e diellit,   sikur të mos ketë ndodhur asgjë.  Ku  është ajo transparencë që e dëshëronim edhe ne edhe ata dikur? 

 

 Prandaj kemi të drejtë të themi se difekti  kyç i   postkomunizmit siç u shpalos    Shqipëri, ndryshe nga gjetkë ,  nuk është pushteti që i ka mbetur  establishmentit komunist- pasojë e konjukturës  ndërkombëtare që   s`kemi ç i  bëjmë-, por mosshpallja e së   vërtetës  historike elementare dhe zbatimi i drejtësisë në përputhje me të . Kush mund të  dyshojë- historian ose jo- mbasi ka shfletuar dokumenta, por sidomos për faktin që ka jetuar vetë në Shqipëri,  dhe aq më shumë jeton  edhe sot  aty në kushtet e antarësimit në NATO, që Hamit Matjani është antikomunisti më heroik , dhe për këtë meriton të shpallet hero zyrtarisht?  Dhe bashkë me të Preng Cali, Llesh Marashi, Alush Lleshanaku, Aziz Biçaku, Jup Kazazi, Mark Gjon Markaj, Xhevdet Blloshmi e plot  të tjerë?   A nuk kemi të drejtë ta pranojmë këtë të vërtetë si pasojë të vetvetishme të versionit shqiptar të rënies së Komunizmit?  Kryengritjet e Malsisë së Madhe, të Postribës , çetat në male, janë karta  jonë e fortë që na bën pjesëtarë në hartën e antikomunizmit më kombativ lindor, pranë Hungarisë, Polonisë. Megjithatë  shteti ynë nuk e luan këtë kartë !  Pse?  Sepse  në shoqërinë tonë të vogël, mediokre –s`mund ta quaj ndryshe – inteligjencia zyrtare,  ata që  ishin ngarkuar të merreshin me historinë – lexo: me manipulimin e saj, janë ende  ndikues  në skenë, ose  kanë  shumë pak rivalë  për shkak të genocidit të ushtruar veçanërisht mbi shokët e tyre intelektualë ,dhe kështu  e këshillojnë pushtetin në këtë drejtim, i  japin konsulencë  që uji i ndenjur të konservohet . Ndryshe, kariera e tyre e bazuar në shërbime servile gënjeshtrës 50vjeçare do të venitej në çast. .  Historia që ka botuar  jo larg  po dy vjet më pare  një grup historianësh   të ish Akademisë se Shkencave, i cilëson këta luftëtarë  dhe kryengritjen që udhëhoqën si  “të frymëzuar nga  pakënaqësia   ndaj  reformave”  dhe ndonjërin si ish kolaboracionist. Çfare mënyrë qesharake për të përligjur represionin më çnjerëzor me terma historike (progres-reaksion). Për cilat reforma bëhet fjalë në 45-46?  Mos për  pushkatimet e burrave  në shtëpitë e tyre në Veri dhe dhunimet e grave ?  Mos për futjen e pushkëve në kishë dhe ekzekutimin e atyre që i futën dhe i  klerikëve  që i mbanin pa  e ditur?  Mos për gjyqet e deputetëve që kërkonin të ushtronin të drejtat e tyre kushtetuese?  Mos për  vrasjet pa gjyq?  për ekzekutimet pa varr?  Për  këto shkelje  barbare të  çdo norme njerëzore, historia e tyre  gjoja për objektivitet i  përmend  me gjysëm zëri, por pastaj zgjatet me faqe të tëra tek” përparimet “e regjimit. Vetëm Abas Kupit, vllezërve Kryeziu dhe Muharrem Bajraktarit, luftëtarë të padiskutueshëm antifashistë,  u jepet njëfarë vendi në historinë e tyre, por menjëherë ata   eklipsohen për faktin që u prishën me komunistët .

 

Cili njeri i arësyeshëm, dhe aq më shumë historian, mund të quajë  pozitiv rolin e  Enver Hoxhës në histori, kur  deklaron njëkohësisht se i është dashur atij vetë të mbajë gojën mbyllur tërë jetën,  dhe kur  e di që  në Evropën Lindore kolegët e tij historianë, i kanë larë hesapet prej kohe me diktatorët dhe ndjekësit e tyre shumë më të butë? Ku mund të gjejmë, edhe pas 20 vjetësh demokraci, diku në Shqipëri qoftë një monument kushtuar shumë e shumë inxhinjerve e teknikëve shqiptarë e të huaj që humbën karierën, nderin e madje dhe jetën, me familje të persekutuara, si p.sh. figura e jashtzakonshme e inxh. Kujtim Beqirit, i cili u var i akuzuar se kishte marrdhënie sekrete me me ish profesorin e tij Harry Fultz. Kandili i mugët i komunizmit ndriçon akoma. tek ne, mbetemi peng i ndërgjegjes së keqe të inteligjencës  së djeshme zyrtare, që vazhdon të rezistojë edhe sot…

 

Rasti i Shqipërisë është me të vërtetë i veçantë., nuk duhet të dëshpërohemi përfundimisht. Ajo  mbyllje  ndaj botës, ajo ligësi  provinciale  në kushte  ngushtice të gjithanshme që solli lufta e klasave, ai servilizëm rezistent edhe në kushte hapjeje, që   na e  hap namin  e  keq në botë sot më shumë se kurrë, konkurron në një moment të caktuar me një sjellje të habitshme kuraje civile  që mund të shërbejë madje si shembull   më gjerë. Nga e kaluara na vijnë edhe gjëra të tilla. :.Kryetari i një shteti           të vogël e pa ushtri, Mehdi Frashëri, i vë kushte një   ushtrie pushtuese  naziste për paprekshmërinë e Hebrejve në territorin e tij,  dhe arrin që këto kushte t`i respektohen!. Rallë  populli ynë të ketë pasur një qeveri  kaq në sintoni me virtutet e tij më të larta.  Ai regjim i nacionalistëve tanë të   1943-44ës i  rrezikuar nga të gjitha anët (‘ Qytetarët e Calais’  me litar në fyt” i ka cilësuar Elsa Zallari-Poga ata qeveritarë)  është  krenaria jonë, karta jonë e fortë, që na barazon në qytetërim me Europën, por medet,  për ta  tek ne mbretëron heshtja, përkundrazi ka një fushatë  në shtypin shqiptar për të humanizuar  kuadrot e diktaturës, madje për të publikuar kujtimet e  tyre (!)

 

Nga burime të afërta me Akademinë e Shkencave  (konkretisht nga drejtori i ri i Institutit të Historisë)  kam  marrë vesh kohët e fundit  se analistë amerikanë të Departmentit të Shtetit i kanë cilësuar qeveritarët tanë të kapërcyellit  43-44 si patriotë të vërtetë që i kanë shërbyer vendit në kushte tejet të vështira.   Dhe  bëhet fjalë  për figurat më të “komprometuara” sipas komunistëve : Mehdi Frashëri, Ernest Koliqi, Xhafer Deva ! Një lajm i tillë, qoftë për sensacion duhej të shpërthente në opinionin tonë publik. Megjithatë, asgjë!   Ose më mire,  ai vonohet pa afat. A nuk kemi të drejtë atëhere të mendojmë së po ndërtohet post-komunizmi duke i hedhur vetëm një vello  të hollë përsipër  të kaluarës?

 

Ne ish  të përndjekurit  shqiptarë , të vuajtur dhe të fyer një jetë të tërë nga komunizmi, nuk do të rreshtim kurrë së nguluri këmbë që edhe Shqipëria të ketë  transparencën e saj, Panteonin e saj të vërtetë, modest por autentik. E pra, ata që morën përsipër pëgjegjësinë e qeverisjes në kushtet  tragjike të okupacionit gjerman , me ndërgjegje të plotë se po shkonin drejt disfatës së sigurtë personale, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Mihal Zallari, Et`hem Cara, Sokrat Dodbiba, Xhafer Deva, Ibrahim Biçaku, Akile Tasi e shumë të tjerë, ishin patriotë të shquar , të vetmit perëndimorë në  formim dhe në aspirata, por që Shqipëria  ishte herët t`i meritonte.. Disa prej tyre kanë dishka prej rilindasi, të gjithë intelektualë të mirëfilltë, gjuhëtarë, historianë, ekonomistë, studiues me vepra,  me një jetë të  vështirë, në emigracion, të përndjekur, gati gjithmonë në opozitë, disa edhe kanë gabuar, veçanërisht ata antizogistë që lojtën me naivitet politikën e miqësisë me Italinë, por gjithmonë  dhe pa dyshim, duke menduar të mirën e atdheut, dhe sëfundi asnjë krahasim s`mund të ketë, në asnjë plan, moral, intelektual, politik, mes tyre dhe moçalit që i pasoi dhe  i vrau,  i burgosi,  i përndoqi së bashku me familjet e tyre dhe me pjesën më të mirë të popullit, ku bëjnë pjesë edhe ata komunistë, Z.Mala, S.Premte, A.Lulo, A.Qendro e shumë  tjerë, që patën iluzione se me atë ideologji,  të bukur jashtë dhe murtajë brenda,   mund të  bënin dishka të mirë për shqiptarët.. I përfshiu të gjithë dhe i vuri në dhé marrëveshja   e  fshehtë  e një të përdaluri me armiqtë  më të rrezikshëm të Shqipërisë. Ishte  shkurt një katastrofë epokale   ajo që  ndodhi ,dhe  ka të bëjë me vonimin tonë  të lindur në gjetjen e rrugës së duhur.  Ajo theksoi jo tiparet progresiste  tek njerzit,  siç mund të pritej , por ato më  retrograde, feudale dhe servile.. Kërkesa jonë pra, mbetet kjo : të rivendoset nderi i vendit  (sepaku në planin historik dhe juridik), të reabilitohet me zë të plotë  elita e vrarë dhe e njollosur nga komunizmi. , me shpresë që  kjo të ndikojë për  hapjen tonë drejt vlerave. Amerika ka  formuar një pjesë të madhe të kësaj elite, në shkollat e saj, me punën e saj, me jetën e saj shoqërore. Ata kanë qënë miq të Amerikës, të Perëndimit, dhe mund të themi se ata kanë dëshmuar për vlerat e Amerikës dhe të Perëndimit. Ndaj, kërkojmë që Amerika të na ndihmojë në këtë përpjekjen tonë. Me rivendosjen e  këtyre figurave në vendin që u takon, faqja e Shqipërisë do të ndërronte  disi, duke  rivendosur me anë të tyre si shëmbull normativ në opinion kriterin e duhur, real, se si i shërbehet atdheut  në kushte vështirësish ekstreme, që është ai sipas rrethanave  dhe me ofertë totale të vetes, dhe jo  ai  demagogjik dhe fals, që  “vesh” prioritete të fitimtarëve  për tu shërbyer në fakt vetes, por jo atdheut.  Analistët    amerikanë që përmenda më lart, me siguri, i kanë gjykuar politikanët tanë të kohës së pushtimit, mbi  këto kritere, sepse  për çdo intelektual serioz kudo në botë,   përparësi për qeveritarin  ka  interesi i vendit të vet, përmbi atë të çdo aleance, sado  e rëndësishme  qoftë ajo.. Ata politikanë nacionalistë patën kohë  t`i kalojnë  çfarëdo lloj   tundimesh dhe gabimesh në provat e jetës së  tyre dhe arritën  të japin  shembullin e unitetit për të parën herë, jo në pritje të të mirave që i  vinin vendit  në konjukturat kur shpresohej për mirë si psh në 1878 dhe në 1912, por kur ai ishte  në buzë të greminës, në 1943 dhe kërkonte ndihmë dëshpërimisht. Demokratizim pra dhe dekomunistizim i vërtetë i Shqiperisë  do të thotë : njohja e brezave të rinj me vlerat e vërteta të vendit të tyre,  dhënia e meritave atyre që u takojnë, dhe fundja edhe falja e fajtorëve, por mbasi të kenë pranuar dhe të jenë penduar plotësisht, dhe të kenë treguar me fakte një vullnet real për të kompensuar dëmin.    Vetëdija e vërtetë historike përbën themelin mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e shëndoshë.  Pa  atë do të kemi  përjetësisht probleme, papjekuri, falsitet. Ky është mësimi  që na vjen nga  demokracitë e mëdha.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Halit Bogaj: Jevrem Bërkoviq dhe miqësia e tij ndaj shqiptarëve Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës Fritz Radovani: Në Shkodër – 10 vjet nga terrori komunist, janë vepër e kriminelit Hilmi Seiti Behxhet Dibrani: Kriptokrisitianizmi (Laramania) si proces në Kosovë gjatë shekujve XVIII-XIX Saime Isufi: Kontributi i gruas në lëvizjen tone kombëtare për çlirim Fatbardha Demi: Shkruesit e historisë duhet të jenë njerëz të lirë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Joan Pelushi: Kriptokrishterizmi në Shqipëri Xhemaledin Salihu: Presheva heshtazi po e humb rëndësinë e qendrës rajonale të krijuar në shekuj Besim Muhadri: Hasi - Arterje kryesore e luftës së UÇK-së Behxhet Dibrani: Gjendja e popullatës katolike shqiptare të Kosovës gjatë shekujve Agron Shabani: Kur zoti nuk harron... Baki Ymeri: Simbol i gjallë i atdhetarizmit shqiptar Ilmi Veliu: Sllavomaqedonët pohojnë se Leka i Madh, Skënderbeu, Nënë Tereza, kanë qenë me origjinë sllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Qazim Namani: Gjurmë të shkrimit në gadishullin ilirik Ilmi Veliu: Pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë e II botërore Gjon Neçaj: Familja e Niman Sylës - Derë e njohur e fisit të Krasniqes Sylë Muja: Nisma, organizimi i ngjarjeve të vititi 1981 dhe enigmat pseudopatriotike të fshehura gjatë periudhave të ndryshme Daniel Gàzulli: Atyne askush nuk u çoi një kunorë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx