| E diele, 13.06.2010, 07:00 PM |
U PROMOVUA
Nga Eduard M. Dilo
Gjate muajit Maj, Zotnia Leka Tasi, ne viziten qe beri i ftuar nga "Vatra"ne
Ne nje abjent te mrekullueshem, ne "Capitol Room "te hotelit Hilton, fale kjo kujdesit te Zotnise Muci Xhepa dhe Zonjes Merita Bajraktari McCormack, u be promovimi .
Pjesmarresit e ftuar ishin kryesisht nga shtresa e persekutuar ,
Nje kopje e zmadhuar e kopertines se librit qendronte ne krah te foltores. Ne te dy anet ishin te vendosur hijshem flamujt kombetare te
Himnet kombetare te
Pershendetjen dhe mirseardhjen ne emer te "Vatres", Z. Leka Tasi ja uroi Dr. Gjon L. Bucaj, Kryetari i saj.
Pershendetje mbreselenese beri gjithashtu dhe Ministri Fuqiplote i Republikes se Shqiperise ne Washington Z.Kreshnik Collaku.
Ndersa Z. Mustafa Xhepa mbajti referatin :"Leke Tasi hedh drite mbi te verteten".
Vazhdoi me pas, Eduard M. Dilo me analizen e pergjitheshme te librit, per t'ja lene fjalen Z. Muhamet Omari qe pershendeti te pranishmit me mbresa nga libri.
Shume prekese ishte kur ne tribune doli e foli nje nga personazhet reale te librit, ish i persekutuari Z. Fejzi Kulla.
Ai me sy te perlotur solli ne kujtese ato dite ferr qe sebashku me Z.Leka dhe shume bashkevuajtes te tjere kishin kaluar ate kohe ku perdite u kanosej vdekja.
Zonja Merita B.McCormack foli per figuren e femres ne pergjithesi te pasqyruar ne kete liber. Kjo gjithashtu lexoi dhe poezine kushtuar motres se autorit Tefta Tasi, qe poeti
Ylli M. Dilo
Zotnia Jadigjar Luzaj pershendeti dhe lexoi pershendetjen qe Kryetari i Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane Z. Dalan Luzaj
Zotnia Dr. Grigor Nosi , mbajti ligjeraten "shkelja e te drejtave te individit....", ndersa Z. Hasn Kostreci foli per mbresat qe i ka lene leximi i librit.
Ne fund Autori, Z. Leka Tasi falnderoi per mundesine qe ju krijua nepermjet "Vatres"qe te preke e te jete i pranishem ne endrren e tij te perhereshme, njekohesisht te pronovoje dhe librin.
Po japim me poshte pershendetjen e Z. Leka Tasi, nderkohe qe ne ditet pasuse do japim dhe referatet e tjera qe u mbajten aty.
Të dashur miq,
Duke ardhur në Amerikë, në këtë vend që ne antikomunistët shqiptarë e kemi dashur me dekada të tëra, gjëja e parë që më shkoi në mend ishte t`ju bëj një rrëfim të shkurtër të procesit nëpër të cilin kaloi kjo dashuri sipas fazave politike që përjetonim, ngritje-uljet e saj, shpresat dhe zhgënjimet e saj. Thashë sipas fazave politike, por duhet thënë që admirimi dhe dashuria jonë për Shtetet e Bashkuara, si për cilindo që bëjmë mik, karakterizohet gjithmonë nga një ndjenjë që e tejkalon të menduarit politik. Ideja se bota e lirë duhet të na shpëtojë një ditë në atë breg Adriatiku – duhet ta pranojmë- na vjen nga një konceptim apolitik, ideal, i marrëdhënieve, konceptim që ne shqiptarët e kemi ushqyer me shekuj. Sipas nesh bota na ndihmon për miqësi, si miku mikun, jo për konjukturë o interes. Ky formim i yni nuk është dhe aq dobësi o naivitet, por një mënyrë pikërisht apolitike, nje shtrirje e marrëdhënieve njerzore në sferën mes shteteve, dhe kam gjetur konfermë për këtë edhe ndër historianë me autoritet. Sigurisht sot ai është krejt i tejkaluar, dhe madje përbën gabimin tonë të parë që dua të vë në dukje. Kur pashë James Bakerin në Sheshin Skenderbej ne Mars të l99l, u përqëndrova te shprehja e fytyrës së tij dhe mund të them se pata ndijimin më të qartë të këtij gabimit tone. Shefi i Departmentit të Shtetit ndodhej aty për punë. Dhe si politikan, plus anglo-sakson, reagonte gjakftohtë, pa ndonjë emocion të veçantë ndaj ndjenjës oqeanike që përshkonte turmën dyqindmijëshe. Edhe më tepër thellohet ky gabim i ynë, kur ne i bashkojmë shpresës tek tjetri, mungesën tonë totale të kohezionit. Historia jonë karakterizohet nga një alternancë e këtyre dy momenteve që posa thashë: shpresë tek shpëtimtari i jashtëm, dhe në mungesë të tij, nënshtrim aktiv dhe shërbim i zellshëm tek i forti i momentit, po i jashtëm. Nuk po ndalemi ta analizojmë këtë ndërtim psikohistorik tonin, dhe aq më pak me ndjenjë inferioriteti. Historia jonë ka gjithashtu shembuj ku solidaritetin që presim nga tjetri, e kemi ofruar bujarisht vetë, natyrisht brenda një vizioni që s`ka të bëjë fare me pjekurinë politike që formon kombet.
Kjo sekuencë fatkeqe ka shpjegime edhe objektive, kryesisht gjeografike, por në radhë të parë përcaktohet nga individualizmi ynë i natyrshëm dhe centrifugal që thellohet nga grindjet e përhershme brenda , për pasojë nga rëniet tona të shpeshta në kurthe përçarëse që kanceleritë shumë më të pjekura përreth nesh na thurin neve të papjekurve me lehtësinë më të madhe. Për këtë arsye, sa herë më merr edhe mua rryma e mendësisë së rëndomtë të kafeneve (por edhe të shumë intelektualëve) që ua hedh fajin të huajve për të këqiat e vendit tonë, më kujtohet një devizë e babait tim që e përdorte për këto çeshtje: “Mos të themi kanë faj fqinjtë, ata bëjnë punën e tyre. Puna është ne çfarë bëjmë? ”Prandaj, s`pushoj së vrojtuari panoramën shqiptare me këtë preokupacion kryesor, dhe arrij tek uniteti si gjëja më e nevojshme . Kësisoj detyrohem t`i quaj edhe ata të krahut ish-komunist si përfaqësues nëmos të vlefshëm , të pakën realë të momentit meqë u erdhi karta në dorë, dhe pres që ata t`i shërbejnë në një farë mënyre vendit, qoftë duke i dhenë përparësi në një farë mase dhe lezeti interesave të klasës tyre. Mjerisht 50vjetshi komunist ka sjellë ndryshime të pakthyeshme, dhe megjithse e kemi të hidhur ta pranojmë , nuk shoh mundësi si të kthehet mbrapsh koha kur bijt e tyre shkolloheshin kurse tanët punonin në kazmë. Kjo s’do të thotë që na mungojnë kapacitetet. Kur BS humbi garën e armatimeve dhe u step, por nuk u përgjunj, Amerika bëri një pakt të tillë me të, që reformat drejt ekonomisë së tregut dhe pluralizmit në Lindje do ta zbatonin po ata pushtetarë në fuqi. Ky kompromis erdhi e hyri në ndërgjegjen tonë gradualisht mbas 91-shit dhe e ftohu entusiazmin tonë fillestar tek prisnim një revansh sëpaku ideologjik. Por një mendim më i thelluar na çoi të kuptojmë arsyet strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe u detyruam ta kthenim shpresën tonë të deriateherëshme në një hamendje se kur dhe si do të kërkonin ato ( SHBA – Evropë- NATO), ndreqjen e paligjësive të vjetra gjatë procesit të demokratizimit . Dhe shohim sot që këtë po e kryejnë me njëfarë butësie. Ndërkohë ajo që prisnim më fort me të drejtë , dhe me një shpresë të ligjshme e kujtonim të realizueshme, ishte rivendosja e së vërtetës historike, e tillë siç ka qënë. A mund të ketë demokraci, transparencë, progres, pa të vërtetën? Eshtë fjala para së gjithash, për reabilitimin e personaliteteve që ishin ekzekutuar e përndjekur për shkak të përpjekjeve të tyre për pluralizëm dhe demokraci, sidhe të atyre që po ashtu ishin përndjekur e njollosur nga komunizmi për zgjidhjen që i kishin ofruar vendit duke hyrë në bisedime me pushtuesit gjermanë në mënyrë që vendi të mos qeverisej ushtarakisht . Ata të gjithë u gjykuan dhe u dënuan egër, me varje, me plumb, me burg të gjatë, pse kërkonin opozitë brenda në parlament, ose pse biseduan me misionet aleatë ose pse ushtronin fenë , ose siç thashë formuan të vetmen qeveri gati sovrane në tërë Evropën e pushtuar nga Gjermania. duke arritur përveç shmangies së masakrave masive, edhe shpëtimin e qindra jetëve hebrejsh. Parlamenti pluralist i shpalli të gjithë të pafajshëm në 91 dhe paskëtaj i harroi. Sepse pa u shkallmuar tërësisht gënjeshtra e diktaturës, e bazuar sot nga ithtarët e saj në teorinë se e përgjithëshmja e pasluftës ishte positive (çlirim, reforma etj) dhe vetëm disa shtrëmbërime të mëvonshme burokratike e paskëshin cënuar atë, pra, pa u bërë ky pastrim, nuk ka si të dalin të pafajm dhe patriotë ata që e kundërshtuan në luftë dhe pastaj. U gjet pra një mënyrë komode që të ndërtohet demokracia mbi një background komunist, kjo është e vërteta e përmbledhur, dhe do ta shpjegoj më poshtë pse dhe si.
(Por a mund t`i ankohemi Amerikes për këto gjëra? E marr me mend përgjigjen e saj: “Muri i Berlinit ka rënë edhe për ju, përpiquni, luftoni, e kini tashmë hapësirën e duhur”, një përgjigje kjo që pasqyron tërësisht mendësinë e një demokracie dyqindvjeçare, dhe për këtë arsye gati e papërshtatëshme për ne… Megjithatë unë po mundohem këtu dhe tani të mbështetem tek ajo.)
Më pezmaton veçanërisht fakti që shtresa e inteligjencës zyrtare dje e afërt me pushtetin por njëherazi edhe mjaft disidente në dialog të fshehtë me veten, aktualisht zëri i parë dhe gati i vetëm në shoqërinë tonë, pavarësisht se edhe ajo vetë ka qënë e terrorizuar nga diktatori , sot me lirinë e fituar tregohet aq e vogël dhe përjashtuese me fuqinë që i është dhuruar, sa të mos pranojë të vërteta si drita e diellit, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ku është ajo transparencë që e dëshëronim edhe ne edhe ata dikur?
Prandaj kemi të drejtë të themi se difekti kyç i postkomunizmit siç u shpalos në Shqipëri, ndryshe nga gjetkë , nuk është pushteti që i ka mbetur establishmentit komunist- pasojë e konjukturës ndërkombëtare që s`kemi ç i bëjmë-, por mosshpallja e së vërtetës historike elementare dhe zbatimi i drejtësisë në përputhje me të . Kush mund të dyshojë- historian ose jo- mbasi ka shfletuar dokumenta, por sidomos për faktin që ka jetuar vetë në Shqipëri, dhe aq më shumë jeton edhe sot aty në kushtet e antarësimit në NATO, që Hamit Matjani është antikomunisti më heroik , dhe për këtë meriton të shpallet hero zyrtarisht? Dhe bashkë me të Preng Cali, Llesh Marashi, Alush Lleshanaku, Aziz Biçaku, Jup Kazazi, Mark Gjon Markaj, Xhevdet Blloshmi e plot të tjerë? A nuk kemi të drejtë ta pranojmë këtë të vërtetë si pasojë të vetvetishme të versionit shqiptar të rënies së Komunizmit? Kryengritjet e Malsisë së Madhe, të Postribës , çetat në male, janë karta jonë e fortë që na bën pjesëtarë në hartën e antikomunizmit më kombativ lindor, pranë Hungarisë, Polonisë. Megjithatë shteti ynë nuk e luan këtë kartë ! Pse? Sepse në shoqërinë tonë të vogël, mediokre –s`mund ta quaj ndryshe – inteligjencia zyrtare, ata që ishin ngarkuar të merreshin me historinë – lexo: me manipulimin e saj, janë ende ndikues në skenë, ose kanë shumë pak rivalë për shkak të genocidit të ushtruar veçanërisht mbi shokët e tyre intelektualë ,dhe kështu e këshillojnë pushtetin në këtë drejtim, i japin konsulencë që uji i ndenjur të konservohet . Ndryshe, kariera e tyre e bazuar në shërbime servile gënjeshtrës 50vjeçare do të venitej në çast. . Historia që ka botuar jo larg po dy vjet më pare një grup historianësh të ish Akademisë se Shkencave, i cilëson këta luftëtarë dhe kryengritjen që udhëhoqën si “të frymëzuar nga pakënaqësia ndaj reformave” dhe ndonjërin si ish kolaboracionist. Çfare mënyrë qesharake për të përligjur represionin më çnjerëzor me terma historike (progres-reaksion). Për cilat reforma bëhet fjalë në 45-46? Mos për pushkatimet e burrave në shtëpitë e tyre në Veri dhe dhunimet e grave ? Mos për futjen e pushkëve në kishë dhe ekzekutimin e atyre që i futën dhe i klerikëve që i mbanin pa e ditur? Mos për gjyqet e deputetëve që kërkonin të ushtronin të drejtat e tyre kushtetuese? Mos për vrasjet pa gjyq? për ekzekutimet pa varr? Për këto shkelje barbare të çdo norme njerëzore, historia e tyre gjoja për objektivitet i përmend me gjysëm zëri, por pastaj zgjatet me faqe të tëra tek” përparimet “e regjimit. Vetëm Abas Kupit, vllezërve Kryeziu dhe Muharrem Bajraktarit, luftëtarë të padiskutueshëm antifashistë, u jepet njëfarë vendi në historinë e tyre, por menjëherë ata eklipsohen për faktin që u prishën me komunistët .
Cili njeri i arësyeshëm, dhe aq më shumë historian, mund të quajë pozitiv rolin e Enver Hoxhës në histori, kur deklaron njëkohësisht se i është dashur atij vetë të mbajë gojën mbyllur tërë jetën, dhe kur e di që në Evropën Lindore kolegët e tij historianë, i kanë larë hesapet prej kohe me diktatorët dhe ndjekësit e tyre shumë më të butë? Ku mund të gjejmë, edhe pas 20 vjetësh demokraci, diku në Shqipëri qoftë një monument kushtuar shumë e shumë inxhinjerve e teknikëve shqiptarë e të huaj që humbën karierën, nderin e madje dhe jetën, me familje të persekutuara, si p.sh. figura e jashtzakonshme e inxh. Kujtim Beqirit, i cili u var i akuzuar se kishte marrdhënie sekrete me me ish profesorin e tij Harry Fultz. Kandili i mugët i komunizmit ndriçon akoma. tek ne, mbetemi peng i ndërgjegjes së keqe të inteligjencës së djeshme zyrtare, që vazhdon të rezistojë edhe sot…
Rasti i Shqipërisë është me të vërtetë i veçantë., nuk duhet të dëshpërohemi përfundimisht. Ajo mbyllje ndaj botës, ajo ligësi provinciale në kushte ngushtice të gjithanshme që solli lufta e klasave, ai servilizëm rezistent edhe në kushte hapjeje, që na e hap namin e keq në botë sot më shumë se kurrë, konkurron në një moment të caktuar me një sjellje të habitshme kuraje civile që mund të shërbejë madje si shembull më gjerë. Nga e kaluara na vijnë edhe gjëra të tilla. :.Kryetari i një shteti të vogël e pa ushtri, Mehdi Frashëri, i vë kushte një ushtrie pushtuese naziste për paprekshmërinë e Hebrejve në territorin e tij, dhe arrin që këto kushte t`i respektohen!. Rallë populli ynë të ketë pasur një qeveri kaq në sintoni me virtutet e tij më të larta. Ai regjim i nacionalistëve tanë të 1943-44ës i rrezikuar nga të gjitha anët (‘ Qytetarët e Calais’ me litar në fyt” i ka cilësuar Elsa Zallari-Poga ata qeveritarë) është krenaria jonë, karta jonë e fortë, që na barazon në qytetërim me Europën, por medet, për ta tek ne mbretëron heshtja, përkundrazi ka një fushatë në shtypin shqiptar për të humanizuar kuadrot e diktaturës, madje për të publikuar kujtimet e tyre (!)
Nga burime të afërta me Akademinë e Shkencave (konkretisht nga drejtori i ri i Institutit të Historisë) kam marrë vesh kohët e fundit se analistë amerikanë të Departmentit të Shtetit i kanë cilësuar qeveritarët tanë të kapërcyellit 43-44 si patriotë të vërtetë që i kanë shërbyer vendit në kushte tejet të vështira. Dhe bëhet fjalë për figurat më të “komprometuara” sipas komunistëve : Mehdi Frashëri, Ernest Koliqi, Xhafer Deva ! Një lajm i tillë, qoftë për sensacion duhej të shpërthente në opinionin tonë publik. Megjithatë, asgjë! Ose më mire, ai vonohet pa afat. A nuk kemi të drejtë atëhere të mendojmë së po ndërtohet post-komunizmi duke i hedhur vetëm një vello të hollë përsipër të kaluarës?
Ne ish të përndjekurit shqiptarë , të vuajtur dhe të fyer një jetë të tërë nga komunizmi, nuk do të rreshtim kurrë së nguluri këmbë që edhe Shqipëria të ketë transparencën e saj, Panteonin e saj të vërtetë, modest por autentik. E pra, ata që morën përsipër pëgjegjësinë e qeverisjes në kushtet tragjike të okupacionit gjerman , me ndërgjegje të plotë se po shkonin drejt disfatës së sigurtë personale, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi, Lef Nosi, Mihal Zallari, Et`hem Cara, Sokrat Dodbiba, Xhafer Deva, Ibrahim Biçaku, Akile Tasi e shumë të tjerë, ishin patriotë të shquar , të vetmit perëndimorë në formim dhe në aspirata, por që Shqipëria ishte herët t`i meritonte.. Disa prej tyre kanë dishka prej rilindasi, të gjithë intelektualë të mirëfilltë, gjuhëtarë, historianë, ekonomistë, studiues me vepra, me një jetë të vështirë, në emigracion, të përndjekur, gati gjithmonë në opozitë, disa edhe kanë gabuar, veçanërisht ata antizogistë që lojtën me naivitet politikën e miqësisë me Italinë, por gjithmonë dhe pa dyshim, duke menduar të mirën e atdheut, dhe sëfundi asnjë krahasim s`mund të ketë, në asnjë plan, moral, intelektual, politik, mes tyre dhe moçalit që i pasoi dhe i vrau, i burgosi, i përndoqi së bashku me familjet e tyre dhe me pjesën më të mirë të popullit, ku bëjnë pjesë edhe ata komunistë, Z.Mala, S.Premte, A.Lulo, A.Qendro e shumë tjerë, që patën iluzione se me atë ideologji, të bukur jashtë dhe murtajë brenda, mund të bënin dishka të mirë për shqiptarët.. I përfshiu të gjithë dhe i vuri në dhé marrëveshja e fshehtë e një të përdaluri me armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë. Ishte shkurt një katastrofë epokale ajo që ndodhi ,dhe ka të bëjë me vonimin tonë të lindur në gjetjen e rrugës së duhur. Ajo theksoi jo tiparet progresiste tek njerzit, siç mund të pritej , por ato më retrograde, feudale dhe servile.. Kërkesa jonë pra, mbetet kjo : të rivendoset nderi i vendit (sepaku në planin historik dhe juridik), të reabilitohet me zë të plotë elita e vrarë dhe e njollosur nga komunizmi. , me shpresë që kjo të ndikojë për hapjen tonë drejt vlerave. Amerika ka formuar një pjesë të madhe të kësaj elite, në shkollat e saj, me punën e saj, me jetën e saj shoqërore. Ata kanë qënë miq të Amerikës, të Perëndimit, dhe mund të themi se ata kanë dëshmuar për vlerat e Amerikës dhe të Perëndimit. Ndaj, kërkojmë që Amerika të na ndihmojë në këtë përpjekjen tonë. Me rivendosjen e këtyre figurave në vendin që u takon, faqja e Shqipërisë do të ndërronte disi, duke rivendosur me anë të tyre si shëmbull normativ në opinion kriterin e duhur, real, se si i shërbehet atdheut në kushte vështirësish ekstreme, që është ai sipas rrethanave dhe me ofertë totale të vetes, dhe jo ai demagogjik dhe fals, që “vesh” prioritete të fitimtarëve për tu shërbyer në fakt vetes, por jo atdheut. Analistët amerikanë që përmenda më lart, me siguri, i kanë gjykuar politikanët tanë të kohës së pushtimit, mbi këto kritere, sepse për çdo intelektual serioz kudo në botë, përparësi për qeveritarin ka interesi i vendit të vet, përmbi atë të çdo aleance, sado e rëndësishme qoftë ajo.. Ata politikanë nacionalistë patën kohë t`i kalojnë çfarëdo lloj tundimesh dhe gabimesh në provat e jetës së tyre dhe arritën të japin shembullin e unitetit për të parën herë, jo në pritje të të mirave që i vinin vendit në konjukturat kur shpresohej për mirë si psh në 1878 dhe në 1912, por kur ai ishte në buzë të greminës, në 1943 dhe kërkonte ndihmë dëshpërimisht. Demokratizim pra dhe dekomunistizim i vërtetë i Shqiperisë do të thotë : njohja e brezave të rinj me vlerat e vërteta të vendit të tyre, dhënia e meritave atyre që u takojnë, dhe fundja edhe falja e fajtorëve, por mbasi të kenë pranuar dhe të jenë penduar plotësisht, dhe të kenë treguar me fakte një vullnet real për të kompensuar dëmin. Vetëdija e vërtetë historike përbën themelin mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e shëndoshë. Pa atë do të kemi përjetësisht probleme, papjekuri, falsitet. Ky është mësimi që na vjen nga demokracitë e mëdha.