E premte, 02.05.2025, 09:48 AM (GMT+1)

Speciale

Behxhet Dibrani: Procesi i islamizimit në Kosovë gjatë shekujve

E premte, 18.06.2010, 10:00 PM


PROCESI  I  ISLAMIZIMIT   NË KOSOVË   GJATË SHEKUJVE

 

Nga Behxhet Dibrani

 

Shtrirja territoriale dhe kohore e fenomenit të islamizimit tek shqiptarët fillon me personat dhe familjet, të cilëve u çelet rruga që të mund të ngritën në shoqëri dhe të arrinin te pasuria dhe pushteti më lehtë përmes pranimit të fesë islame.[1]

Deri kah mbarimi i shekullit  XVI , konvertimet në islam ishin përkufizuar në rastet e personave dhe familjeve të pasura , pra ende nuk ishte përhapur në pjesën më të madhe të popullatës, sidomos te fshatarët fare pak.[2]

Kur jemi te çështja e islamizimit të shqiptarëve, për t’u ndriçuar drejt kjo çështje , është me rëndësi të dihet fakti se në çfarë rrethanash është bërë islamizimi i shqiptarëve.[3] Mund të thuhet se islamizimi i shqiptarëve është bërë përkrye një diskriminimi të theksuar social e fiskal dhe të një presioni të madh politik të pushtetit osman.[4]

Shikuar nga një aspekt tjetër islamizimi ishte zhvilluar në kushtet e një fushate  prej fundit të shekullit XVI, e deri në fund të shekullit XVII.[5]

Është me rëndësi të potencohet fakti se gjatë kësaj fushate pushteti osman u përpoq t’u shmanget kryengritjeve të përgjithshme, andaj për këtë nuk bëri presion në të njëjtën kohë në të gjitha krahinat,  por një fakt është i pamohueshëm se pushteti i P. Osmane përmes islamizimit nuk ka mundur t’i lidhë shqiptarët për vete dhe t’i përdorte si vegël kundër popujve të tjerë të krishtere të Ballkanit.[6]

Të parët që përqafojnë islamizimin ishin feudalët dhe popullata qytetare. Me zëvendësimin e spahinjve të krishterë me spahinjtë mysliman, njëri ndër mjetet kryesore qe procesi i islamizimit.[7]

Kalimi i spahinjve të krishterë në islam nuk qe gjithnjë rezultat i bindjes së tyre të brendshme, por në të shumtën e rasteve ishte një rezultat i synimeve për ruajtjen e pozitave të tyre dhe për të pasur besimin sa më të madh te pushteti osman.[8]

Arsyet e shtrirjes së shpejt apo rritjes relativisht të shpejt të islamizimit të popullit shqiptar, në këtë rast të Kosovës mund të themi që nuk ishin të natyrave religjioze , por më tepër të natyrës juridike dhe ekonomike.[9]

Kur themi këtë duhet pasur prasysh një diskriminim shumdimensional ekonomik, juridik e politik , në këtë kuadër duhet përmendur; pagesën e haraqit, konfiskimi i pronave, kufizimet industriale, trysnia shoqërore mbi jo muslimanët etj.[10]

Të gjitha këto që u paraqitën mund ti ilustrojmë me shembuj si psh; kur përmendem konfiskimin e pronave, nëse Pashait iu tekej të bëhej pronar i një fshati, ai i detyronte pronarët e vegjël ti shitnin tokat me çmimet që ua diktonte ai,ose në rastin tjetër të krishterët ndaloheshin të ushtronin disa zeje duke i kërcënuar me vdekje, myslimanët kishin monopolin e fabrikave, regjes së lëkurave, nxjerrjes  dhe shitjes së krypes e shumë raste tjera të ngjashme.

Ligji islamik i P.Osmane u jepte tri alternativa të pafeve ose jo myslimanëve; ndrrimin e besimit, pagesën e haraqit ose luftën.[11]

Ligji islamik shprehej qartë, “Haraqpaguesve u kërkohet të dallohen prej myslimanëve nga veshja, kafshët e transportit , shala e kafshëve, kapelet e tyre, nuk duhej të përdorin kuaj e as të mbajnë armë.[12]

Mendoj se faktet e paraqitura më lartë janë një dëshmi e qartë se në çfarë rrethanash ishte zhvilluar procesi i islamizimit të shqiptarëve.

Edhe profesori Muhamet Tërrnava  potencon që faktori ekonomik ishte një nga faktorët kryesor të pranimit të fesë islame te popullata vendase shqiptare në këtë rast e Kosovës[13].

Kur themi këtë kemi  parasysh, që kalimi në islamizëm do të thoshte edhe ngritje në shtresat e larta politike dhe privilegje që mund të ofroheshin nga pushteti i P. Osmane. Ndërsa shtresa jomyslimane e quajtur “Raja” në këtë situate ishte gati krejtësisht e privuar nga të drejtat dhe e pritnin taksa të mëdha ndaj pushtetit, në këtë rast ishte taksa  Gjizja”.[14]

Dhe  nga  ky aspekt joshja e fortë për t’u islamizuar pati edhe efektet e veta dhe një fillim mjaft të shpejt pasi osmanët e kishin pushtuar vendin tone.

Islamizimi i popullsisë së qyteteve ishte realizuar përmes  dy rrugëve; e para nëpërmjet islamizimit të vetë popullsisë së qyteteve dhe e dyta përmes ardhjes në qytet të elementeve të islamizuar nga rrethina fshatare.[15]

Për elementet ardhës nga  fshati , islamizimi i tyre donte të thoshte lehtësim i hyrjes në qytet , pas së cilës ata fitonin statusin e qytetarit (sheherliut).Ky status e vendoste në një gjendje relativisht më e favorshme sesa ajo e mëparshmja.[16]

Përhapja e fesë islame në radhët e popullsisë qytetare u zhvillua shkallë-shkallë, ku mund të dalloheshin disa momente që e karakterizojnë evolucionin e këtij fenomeni.[17]

Të dhënat historike flasin edhe për procesin e islamizimit që kishte përfshirë edhe popullatën ortodokse të Kosovës, por pa marrë parasysh se çfarë konfesioni kishin qenë popullata  përpara fillimit të islamizimit , katolik apo ortodoks , një gjë është e qartë ata ishin të etnosit shqiptarë.[18]

Në pjesën e parë të shekullit XVII  në strukturën konfesionale të popullsisë shqiptare, u vërtetuan ndryshime të dukshme në dobi të fesë islame. Për këtë mësojmë nga njoftimet e arqipeshkvit të Tivarit Marin Bici, i cili në relacionin e vitit 1610 përmend që qyteti i Prizrenit nga 80 kisha ortodokse    kishte , tani kishin mbetur vetëm dy .[19]

Tregues mjaftë domethënës në përhapjen e islamizmit në shekullin XVII, duhet konsideruar rënia drastike e numrit të shtëpive të krishtera, që mund të vihen re edhe  në defterët e xhizjes së shekullit XVII për territorin e Vilajetit të Kosovës.[20]

Kurse gjatë shekullit XIX  , popullsia myslimane e Vilajetit të Kosovës përbënte 52% , duke u bazuar nga vjetarët statistikor turk të viteve 1896-1900 , sipas të cilëve popullsia e përgjithshme e Vilajetit të Kosovës ishte 1.066.891 frymë, një shifër të përafërt të numrit të përgjithshëm të banorëve të Vilajetit të Kosovës e japin edhe burimet gjermane të vitit 1891[21].

Sa i përket jetës së shqiptarëve të islamizuar , shkalla e mbajtjes së fesë islame ndryshonte nga një krahinë te tjetra si në Kosovë ashtu edhe në viset tjera shqiptare që ishin në kuadër të P. Osmane.[22]

Në këtë aspekt këto ndryshime  mund të vëreheshin edhe nga një familje në tjetrën, nga një brez në tjetrin, kishte edhe elemente të popullatës  të konfesionit islam që ishin të lidhur edhe me sektet mistike  ,por kishte edhe që nuk lidheshin me këto sekte.[23]

Kur flasim për islamizmin në Vilajetin e  Kosovës , në këtë kuadër duhet përmendur se përhapeshin edhe sekte që ishin brenda islamit .Në Kosovë p.sh; kemi si sekte më të përhapura Halvetinjve, sektin e Kadirisë, Sadie dhe Rifaije. Të gjitha këto sekte zunë të përhapeshin në Kosovë nga fundi i shekullit XVII  dhe fillimi i shekullit XVIII.[24]

Ndërsa Bektashizmi u paraqitë si një tarikat me doktrine shumë sinkretike, me një tërësi praktikash të cilat evoluan sipas periudhave dhe krahinave, dhe qe thellësisht heterodoks P.sh ; kur përmenden praktikat zakonisht bektashinjtë nuk bënin  pesë lutje si i bënin pjestarët islam të sektit sunit , nuk shkojnë në xhami, përdornin edhe alkoolin si pije , gjë të cilën nuk e bënin pjesëtarët e sunitëve mysliman. Edhe pse në disa qendra urbane hasim edhe të atillë që shkojnë në xhami.[25]

Toleranca fetare që mbretëronte në mes konfesioneve të ndryshme fetare te shqiptarët kishte krijuar truall të përshtatshëm dhe të favorshëm për përhapjen e bektashizmit.[26]

Pas reformave të vitit 1839 që bëri P.Osmane  reforma këto me të cilat u bë identifikimi i kombit me fe , në sipërfaqe doli gjatë kësaj periudhe  edhe një faktorë gjuhësor mileti  që shfaqte prirjen e identifikimit të dy cilësive thelbësisht të ndryshme asaj të besimit dhe të kombësisë.[27]

Qeveria turke i klasifikonte ata që i sundonte jo simbas kombësisë, por sipas fesë, një grup homogjen fetar quhej milet ose një komb, kështu myslimanët formuan miletin e islamit, ortodokset formuan miletin grek etj.[28] Kjo ndikoi negativisht dhe i dëmtonte shumë shqiptarët meqenëse ata i takonin tri konfesioneve fetare.

Njësimi i kombësisë me besimin i shtyri disa priftërinjë ortodoks në Shqipëri ta vinin helenizmin dhe bashkimin me Greqinë mbi interesat kombëtare pavarësinë nga P.Osmane.[29]

 



[1] Don Shan Zefi “Islamizimi I Shqiptarëve Gjatë Shekujve” ,Drita ,Prizren 2000 ,fq 62

[2] Po aty ,fq ,64

[3] Sadulla Brestovci “Marrëdhëniet shqiptare-serbeo-malazeze 1830-1878” Prishtinë, 1983, fq,23

[4] Po aty ,fq, 23

[5] Po aty ,fq 23

[6] Po aty ,fq 24

[7] Muhamet Tërrnava “Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës” Gjurmime Albanologjike, Seria e Shkencave Historike IX, Prishtinë ,1980 , fq,46.

[8] Po aty , fq 46.

[9] Don  Shan  Zefi “Islamizimi I Shqiptarëve Gjatë Shekujve “ ,Drita ,Prizren ,2000, fq 88

[10] Edwin Jacques, “Historia e popullit shqiptarë nga lashtësia deri në ditët e sotme”, Tiranë, 1995,fq,241

[11] Po aty , fq,241

[12] Po aty ,fq, 246

[13] Muhamet Tërrnava “Përhapja e Islamizmit në Territorin e Sotëm te Kosovës” ,Gjurmime Albanologjike,IX ,Prishtinë ,1979, fq 68.

[14] Don Shan Zefi “Islamizimi I Shqiptarëve Gjatë Shekujve “,Drita ,Prizren, 2000, fq 89

[15] Ferid Duka ,” Momente të kalimit në islam të popullsisë shqiptare në shek. XV-XVII” , Simpozium ndërkombëtar, “Feja, Kultura Dhe Tradita Islame Ndër Shqiptarë “  ,Prishtinë ,1995 ,fq, 119

[16] Ferid Duka ,po aty fq,121

[17]  Po aty ,fq 121

[18] Muhamet Tërrnava “Përhapja E Islamizmit Në Territorin E Sotëm Tee Kosovës” ,Gjurmime Albanologjike, Seria e Shkencave Historike ,IX, Prishtinë, 1979 fq.65

[19] Ferid Duka, “Momente Të Kalimit në Islam të popullsisë shqiptare në shek.XV-XVIII”, Simpozium Ndërkombëtar, Prishtinë,1995, fq ,122.

[20] Po aty ,fq.123

[21] Kristaq Prifti, “Popullsia muslimane Shqiptare në Ballkan në fund të shek.XIX dhe Fillim të shekullit XX “, Simpozium ndërkombëtar,”Feja ,Kultura Dhe Tradita  Islame Ndër Shqiptarë ,Prishtinë,1995 ,fq 154

[22] Nathalie Clayer “Në Fillimet e nacionalizmit shqiptarë “ Tiranë ,2009 ,fq 42

[23] Po aty fq.42

[24] Po aty ,fq 43

[25] Po aty fq.46

[26] Stefanaq Pollo , “Tipare të bektashizmit të shqiptarëve gjatë rilindjes” ,Simpozium ndërkombëtar ,Feja dhe Tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë ,1995 ,fq 217.

[27] Edwin Jaques, “ Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme “ ,Tiranë,1995 ,fq 232

[28] Jacob Gouild Schurman “Luftrat Ballkanike “ ,Tiranë ,2006 , fq, 39

[29] Edwin Jaques , “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme “ ,Tiranë 1995, fq,233



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Eduard M. Dilo: U promovua në Washington DC libri i Leka Tasit ''Grabjani rrëzë kodrave'' Beqir Cikaqi: Hysen Uka, i mbijetuari i masakrës së Tivarit! Halit Bogaj: Jevrem Bërkoviq dhe miqësia e tij ndaj shqiptarëve Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës Fritz Radovani: Në Shkodër – 10 vjet nga terrori komunist, janë vepër e kriminelit Hilmi Seiti Behxhet Dibrani: Kriptokrisitianizmi (Laramania) si proces në Kosovë gjatë shekujve XVIII-XIX Saime Isufi: Kontributi i gruas në lëvizjen tone kombëtare për çlirim Fatbardha Demi: Shkruesit e historisë duhet të jenë njerëz të lirë Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare Joan Pelushi: Kriptokrishterizmi në Shqipëri Xhemaledin Salihu: Presheva heshtazi po e humb rëndësinë e qendrës rajonale të krijuar në shekuj Besim Muhadri: Hasi - Arterje kryesore e luftës së UÇK-së Behxhet Dibrani: Gjendja e popullatës katolike shqiptare të Kosovës gjatë shekujve Agron Shabani: Kur zoti nuk harron... Baki Ymeri: Simbol i gjallë i atdhetarizmit shqiptar Ilmi Veliu: Sllavomaqedonët pohojnë se Leka i Madh, Skënderbeu, Nënë Tereza, kanë qenë me origjinë sllave Sabile Keçmezi-Basha: Omer Çerkezi dhe qëndresa e tij për çështjen kombëtare Qazim Namani: Gjurmë të shkrimit në gadishullin ilirik Ilmi Veliu: Pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë e II botërore Gjon Neçaj: Familja e Niman Sylës - Derë e njohur e fisit të Krasniqes

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx