E premte, 02.05.2025, 12:30 AM (GMT+1)

Speciale

Fritz Radovani: Cirkus ''shqiptar'' dhe... gladiatorët...!

E diele, 04.07.2010, 09:58 PM


CIRKUS  “SHQIPTAR”  DHE…  GLADIATORËT..!

BOTA PËRKUJTON VIKTIMAT E TERRORIT..!

SHQIPTARËT VAZHDOJNË… ME FSHI “ZEROT”..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Në vitin 1931, një dijetar shqiptar shkruen: “Romakët kanë pasë një cirkus. E cirkus kemi edhe na. E aty, shkon populli i etshëm me u kënaqë e me soditë me dishirë, e brohoritë kur me një grusht në zemer gladiatori “modern” e, me mizori mase pagane len shokun e vet shakull mbi ranë. Panem et circenses kje britma e mbrame e perandorisë romake para se të shembej.

Sot asht e jona.” (K. Prennushi, “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”, fq 5. 1931. Shkoder).

Veprat e artit dhe ma vonë filmat për gladiatorët ishin me të vërtetë një kënaqësi për ne si fëmijë me i pa, me i mendue, po shpesh, fantazia e jonë mbetëj deri tek pamja e synit që na sillte dishka krejt të pabesueshme sesi, njeriu “gladiator”, mundet me kenë ma i fortë se “hekuri”…

Kur filluem me kuptue ma shumë me moshën, kurioziteti i ynë filloi me u ngulitë tek një pikë tjetër veshtrimi, ishte aftësia e rregjizorit të filmit dhe e artistave që lonin në cirkus, ajo që nga ne kërkohej me kurreshtje: Si asht realizue ky kuader filmi apo kjo skenë aq e mënershme..?

Kujtoj disa filma për Romën…që janë shfaqë edhe në Shqipni! Mbushej salla e kinemas me të gjitha moshat për me pa ata filma, kur në Shqipni mbizotnonte kinematografia sovjetike…

Në një bisedë me mikun tem Don Mark Hasin, aty nga viti 1963, po bisedonim për një kuader pikture që pata gjetë në librari të Akilit, tue marrë rrëshanë mbas një karroce Hektorin… Don Marku, ishte i pregatitun mirë në letersi dhe fliste me kompetenca për te. Po, në atë çast mu duk sikur as nuk donte me e ndigjue bisedën se, jo ma, me e vazhdue e, si pa të keq…Ai më tha: “A e di se, unë, e kam provue “cirkus –in”…?” Për pak sekonda mendova qendrimin e Tij në Romë, kur ishte student i universitetit teologjik dhe, menjëherë, tue vrojtue fëtyrën e Tij, aq sa ishte e rrebtë e pozante, me nofulla pak të daluna, me sy pak të thellë, mbi ballin e madh flokët e drejta të thinjuna qyshë i ri, e gojën shpatë ndër predikime, u kujtova se “cirkus” për të cilin, Ai donte të më fliste, ishte pikërisht “cirkus shqiptar”, të cilin, Ai e kishte provue në vitin 1946…

Ishte ai vit kur në Shkoder kishte 26 “cirkus” të njohtun me ligjë…në një qytet të lashtë, ku, në gjiun e një popullsie prej 28.000 banorësh katolik e musliman, kishte fillue me zanë vend qetetnimi evropjan përendimor, ku, katër gjimnaze dhe disa shkolla ma të ulta, përveç, edhe dy seminareve fetare të larta, theatri, kinemaja, muzeu, bibliotekat e terrenet sportive ishin anë e kand qytetit për edukimin moral e fizik të Rinisë Shkodrane. Muzika dhe artet zenin vendin e vet me Ata përsonalitete që jo vetëm kanë lanë një trashigimi të përjetëshme, por edhe me brezat që Ata ua trashiguen dijen dhe thesarin e vet, e që mbesin “perlat” e artit kombëtar edhe sot.

Një nga trashigimtarët e oratorve të njohtun të Kishës ishte edhe Don Mark Hasi…Zani i fortë dhe i plotë, kumbues e aq sa i lartë e i kandshëm kur këndonte, aq i padurueshëm për terroristët që në 1944 kishin ardhë në pushtet e, që, në ditët e para të dhetorit, në Malin Kolaj ku, kishte shtëpinë e Tij, ata i kishin pushkatue axhën Kir Dulin, pa gjyq mbas mullarve të sanës …Disa herë tue këndue i kishe pa një shenjë si “vizë” horizontale në gjuhë rreth 4 – 5 cm. por, asnjëherë nuk më shkonte ndër mend sesi ishte krijue ajo “vizë” tek gjuha e një njeriu…

Kur ishte arrestue herën e parë në 1946, ishte i ri 26 vjeç. Akuzohej si të gjithë klerikët… Ishte i fortë fizikisht, volibolist i seminarit, por edhe aktor i theatrit jezutve, ku, me shokët tjerë kishte luejt një rol në dramën “Juda Makabe” dhe, kujtohej zani i Tij tue thirrë në kupë të qiellit: “Trathtarët na lanë pa Atdhe..!”…Hetuesi Nesti Kopali, kërkonte me ditë se, kush ishin ata që ju i queni trathtarë e që ju lanë ju shkodranve pa Atdhe..? – Don Marku, ngulte kambë se drama asht shkrue shumë vite para 1944…dhe, nuk ka të bajnë me ju… Hetuesi kriminel nuk bindet!

Një ditë katili Nesti Kopali, kishte thirrë edhe dy torturues tjerë, kishte sjellë një tavolinë në mes të dhomës e, sipër saj urdhnon Don Markun me u shtri përmbys… i lidhë duertë anash tavolinës dhe ndër kambë i ngarkon një kovë të randë të mbushun me gurë, për mos me lëvizë…

Ai vetë qendron tek koka dhe, mbasi e pyet të fundit herë e Ky nuk përgjigjet, katili i njohtun me një thikë në dorë po, i pangopun me krime urdhnon Don Markun, me nxjerrë gjuhën “me të cilën, ke thirrur ‘trathtarët na lanë pa Atdhe…”, dhe posa Don Marku nxjerrë gjuhën, ai ia terhjekë me gishtat e tij, dhe me dorën e djathtë i ngulë thikën në gjuhë dhe e mbërthen për tavolinë, tue i thanë, “po guxove me folë, përjetësisht do mbetësh pa gjuhë…prandaj…kur të mbushet mendja për të firmuar procesin më jep shenjë me sy…ndryshej, ashtu ke për të ngordhur…!” Mbas këtyne fjalve, Don Marku ka pa tavolinën e mbulueme me gjak që filloi me rrjedhë poshtë në dysheme dhe atëherë, ka humbë ndjenjat…Nuk dinte fare se kur hetuesi kriminel e ka dregue në spitalin e burgut, ku aty e kanë mbajtë shumë ditë, sëpse, nga t’ajtunit e gjuhës nuk kapërdinte as ujë…E, në fund shtoi: “Cilit gladiator i shkon mendja dishka të tillë?”

Kishe ndigjue se ndër torturat e mënershme që u janë ba njerzve asht ajo e “jelekut”, po, asnjëherë, nuk më kishte ra rasa me ditë se, ku, qendron “e padurueshmja” e tij nga njeriu…?

Një Burrit nga Malësia sigurimi i shtetit komunist i kërkonte me vra Priftin e fshatit… Kjo vepër terroriste në vitin 1946 asht kenë e panjohtun për fshatarin tonë që në kohën e turqisë. Nuk pranonte i shkreti malësuer me thy rregullat morale të kanunit të vet. Mbas sa torturash një ditë hetuesi Xhemal Selimi, në Koplik, i veshë “jelekun” malësorit shkretë dhe, i thotë: “Ke për të provuar çka nuk të shkon mendja…do ta vrasësh Don Nikoll Gazullin apo t’a mora shpirtin?” Malësori nuk e pranon kurrsesi këte akt të ultë..! Xhemali, mbasi i kishte veshë jelekun metalik për gjoks, e lidhë me sixhir për një tra druni dhe e vendosë mbi dy mbajtëse si vendoset kafsha me u pjekë për ferrlik…Poshtë trupit njeriut të vendosun orizontal ndezë një zjarr që posa merr flakë, tymi fillon me të marrë frymën e, dalngadalë flaka, zjarri dhe ngritja e temperaturës tue u bashkue me pamundësinë e frymëmarrjes nga shterngesa e jelekut metalik, të bajnë me pranue vdekjen si t’ ishte një “rilindje” e dhurueme nga Zoti… Nuk di a jeton njeri që e ka provue..!

Hetuesi Nevzat Haznedari asht ndër të njohtunit kriminel që shkonte me pushkatue me andje njerzit e dënuem me vdekje… kështu tregojnë, po, sa vetë ky katil ka mbytë pa shkue fare tek vendi i caktuem për vrasje as nuk ka me u ditë kurr! Ku, qendronte kjo kënaqësi e këtij që ka ende emnin “njeri” në Shtetin “demokratik” shqiptar..? Posa njeriu i dënuem nxirrej nga makina tek vendi i vrasjes, ky ecte një hap mbrapa dhe, mbasi i binte me një levë hekuri mbas koke, aty qendronte kënaqësia e këtij përbindshi…tue pa njeriun tue u shkapetë si pula kur i pret kokën…

Po, krimineli anadollak Shyqyri Qoku, ju kujton ndonjë “heroizem” të kryem në 1974… kundrejt Martirit 39 vjeçar Don Mikel Beltoja..? Mbasi e torturon për disa muej asht i pangopun me gjakun e Tij! Me datën 10 Shkurt 1974, Shyqyriu e mbajti premtimin që i kishte dhanë kohë ma parë partisë së tij…Në orët e para të atij mëngjezi, hyni në qelinë ku ishte Don Mikeli dhe, kur pau se Ai po lutej tue u pregatitë për pushkatim…u rikthye në origjinën e tij të para 1912… Ishte me shokun e vjetër të “armëve” të sigurimit Alush Bakallin…dhe, ashtu si ishte i lidhun djali i Beltojës, tue krye lutjen e Tij, e kapin dy xhullinjtë “modern” dhe e shkyejnë gjymtyrësh.

Këtu mendoni se mbyllet historia e “cirkus – it shqiptar” të nderuem lexues..?! – Jo, jo!

Unë jam i paditun për ate shka asht ba në qelitë e sigurimit të shtetit…unë jam shumë e shumë larg nga realiteti i atyne veprave terroriste me të cilat katilët e pashpirtë u rritën dhe u banë “të besuarit” e Enver Hoxhes dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë… Unë, nuk i kam pa kur këta kafshë të egra u dekoronin me medalje “trimnie” dhe, u përqafonin e rrokeshin me Haxhi Lleshin e Nexhmije Hoxhën…Unë, nuk di pothuej asgja nga “bëmat e tyre” me të cilat këta bisha të përgjakuna kalonin të “gëzuar netët e festave” të tyne, tue i tregue pasardhësve të vogjël rreth sofres së vet sësi masakronin “vëllaun shqiptar”…tue e konsiderue të huej… e shpesh “kaurr..”!!

“Askush nuk mund të marrin me mend vuejtjet e mija vetëm se kishe mësue ndër bankat e shkollës Françeskane e, për këte hetuesi më thonte se, shkove atje për t’u bërë kaurr…!”, më ka thanë me gojën e vet i Ndjeri Osman Kazazi në vitin 1996, në shtëpinë e Tij…dhe, shtonte se: “Kur ishe në hetuesi në Tiranë, nën një shkallë çimentoje të ultë dhe të rrethueme me hekura si një kafaz u mbante At Anton Harapi, ku, asnjëherë Ai Burrë aq i gjatë nuk kishte mundësi me u ngritë në kambë ose me drejtue trupin…dhe, kurr, nuk kam ndigjue një ofshamje apo fjalë fyese prej gojës së Tij, që masakrohej ma shumë se të tjerët, veç lutje dhe kurajo për të tjerët…”.

Ka shumë klerikë që kanë “ngushllue” vetën, tue thanë: “Fali o Zot, se nuk dinë shka bajnë..!” Ndoshta, kjo ishte rruga e zgjedhun prej Tyne! Por, tue analizue thanjen e hetuesit kur, ai po torturonte Dedë Gjomarkagjonin, i cili po e vrojtonte Dedën e lidhun për karrigë, mbasi e kishte masakrue si një kafshë, i tha: “E di mirë se çfarë je duke menduar, sigurisht, të shkon mendja se një ditë ka për t’ardhur dita yte…por, as mos kujto se ndonjëherë do të mundesh më bërë tek unë, ate çfarë jam duke bërë unë tek ti, sëpse, edhe me ardhur dita yte o Dedë, “ligjët e shtetin tuaj”, nuk do t’ ju lejojnë kurr më bërë ate çfarë bëjmë ne mbi juve..!”

A nuk asht kjo një thanje e “vetdishme” e një gladiatori të prëgatitun shpirtnisht nga “ajo shkollë” ku, njeriu, nuk ruente ma asgja nga ndjesitë e njeriut për njeriun..? E si, munden të na  “gënjejnë” sot, “mjekët” e veshun deri dje me “bluzat e bardha” për qindra vetë që sigurimi i ka marrë dhe i ka dergue ndër manikomjo të Shqipnisë, e aty, hetuesit kriminelë edhe ata, si mjekët “me bluza të bardha” po, me shpirtin ma të zi se qymyri…vrojtonin ashtu si kanë vrojtue në çmendi Imz. Jul Bonatin, “të çmendurit e pavetdijshëm” tue e shkye “viktimen” e pafajshme…

Mendoni, vëllazën e motra shqiptarë, për një moment një nga njerzit tuej të dashtun, të nderuem, të pafajshëm, të ditun dhe të kulturuem, të vendosun në Atdhedashuni… e marrin… janë “gladiatorët modern” të shtetit tand shqiptarë…dhe, kënaqën kur e shohin tue e shkye për së gjalli, derisa i del shpirti ndër duertë e të “pavetdishmit”…vetëm, për me u argëtue, me e shijue vdekjen e “shqiptarit”…tue u përdhosë nga “ylli i kuq” i bolshevizmit komunist…

E, si mundet sot me u thanë: “…Asnjeni nga ne nuk asht përgjegjës për krimet komuniste në Shqipëri, por të gjithë ne do të jemi përgjegjës në qoftë se lejojmë përsëritjen e krimeve komuniste në Shqiperi. Kurrë ma! Kurrë ma!” Dhe, po aty: “në emën të ma shumë se 6.000 viktimave të pafajshme, të pushkatueme , të varuna në litar ose të vdekun në torturë, të ma shumë se 26.000 të burgosunve politikë të torturuem barbarisht e të denuem me vite të gjata në burgjet komuniste, në emen të ma shumë se 15.000 familjeve të internueme në kampe të çfarosjes -shumica pleq, gra e fëmijë…”

Kjo thanje më ka shtye me shkrue këta pak rreshta…shumë e shumë pak rreshta për gati 500.000 Shqiptarë, të masakruem nga komunizmi shqiptar, në “cirkus shqiptar”e, jo, 5.000 apo 6.000 të vramë…Por, mbi 45. 000 të pushkatuem, të humbun dhe të vdekun ndër hetuesi, burgje e kampe pune e shfarosje të sistemit komunist…Atij sistemi që sot, po trashigohet nga bijtë e tyne të pashpirtë, kriminela, terrorista, katila… antinjerzor e antishqiptarë..! Këta “gladiatorë” sot…edhe tallen edhe vazhdojnë e bajnë “sehirë”…!

E, britma e mbrame asht: Shqiptarë, MOS vazhdoni… me fshi 0 “zerot”…!

Drejtësi, Drejtësi, vetëm Drejtësia, sjellë mospërsëritjen e terrorit dhe PAQEN!



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Isuf B. Bajrami: Çamëria Valon Kurtishi: 66 vjet nga gjenocidi grek ndaj shqiptarëve në Çamëri Man Poga: Viti 1389, pikënisja e një teze mitike mbi Kosovën Avzi Mustafa: Një fjalim i pabotuar i Ibrahim Themos mbi çështjen e Maqedonisë Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës (III) Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës (II) Fritz Radovani: Kur ideali triumfon mbi jetën...! Luan Rama: Skënderbeu dhe “Duka i Madh” i Përëndimit Pilo Zyba: Një udhëtim në botën shpirtërore të tyre Etleva Lala, Musa Ahmeti: Át Mate Zoriciq, një histori e pabotuar për Skënderbeun nga viti 1752 Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës (I) Etleva Lala, Musa Ahmeti: Skënderbeu në dorëshkrimet e panjohura të arkivave kroate Behxhet Dibrani: Procesi i islamizimit në Kosovë gjatë shekujve Eduard M. Dilo: U promovua në Washington DC libri i Leka Tasit ''Grabjani rrëzë kodrave'' Beqir Cikaqi: Hysen Uka, i mbijetuari i masakrës së Tivarit! Halit Bogaj: Jevrem Bërkoviq dhe miqësia e tij ndaj shqiptarëve Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës Fritz Radovani: Në Shkodër – 10 vjet nga terrori komunist, janë vepër e kriminelit Hilmi Seiti Behxhet Dibrani: Kriptokrisitianizmi (Laramania) si proces në Kosovë gjatë shekujve XVIII-XIX Saime Isufi: Kontributi i gruas në lëvizjen tone kombëtare për çlirim

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx