Speciale
Ali Sh. Berisha: Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës (VII)
E diele, 18.07.2010, 07:58 PM
Masakrat në Bashkinë e Llukarit dhe lagjet përreth të Prishtinës
VII
Nga Ali Sh. Berisha
Sipas deklaratës së Ahmet Makollit me të arritur te Shtëpia e Sabitit në Makoc Behluli, djali im thuajse ia lidhi plagën Shabanit. Paramilitrët e zbritën, Fehmiun nuk e kam parë kur e kanë marrë nga ana e prapme e traktorit, sepse ne ishim të ulur përpara, në hidraulikët e traktorit. Gjatë marrjes së tyre shanin çka u vinte në gojë, fëlliqtë.Aty therën kunatën time e pastaj një motër, të cilat i zbritën me qëllim të shihnin brenda në shtrojë se mos ishin ulur të tjerët mbi dikë. Po ashtu e therën edhe Fadil Makollin. Me atë rast morën Sahit J. Makollin. Aziz Makollin, Fehmi Makollin, Behlul Makollin dhe Sahit Makolin i futën brenda në do dyer të kuqe duke i rrahur me stupca. Kam parë ta fusnin mbrenda edhe Përparim Bajram Kosumin. Na urdhëruan të niseshim për në Prishtinë. Meqë Sheh Azizi i grahte traktorit e atë e morën, më urdhëruan mua t’i grahi traktorit. Djalin e Ibrahimit pasi e morën, e për të dhamë edhe para, e lëshuan ‘i grahë taktorit. Një paramilitarë e pyeti tjetrin: “Pse e lëshove”? Ai iu përgjegj: “E marrim më poshtë”. Këto fjalë bënë që me të arritur në Llukar, Fun Stekrevine, djali i vëllait të ikë. Po kështu edhe dy djemvë të tjerë iu thashë të iknin dhe pa arritur te Ara e Velisë edhe ata ikën.
Aziz Q. Makolli (1968) nga Bullajt e Marecit u gjet i varrosur në varret e Hoxhajve të Makocit. Trupi i tij me rastin e zhvarrosjes më 20.7.1999 u bartë në Bullaj të Marecit dhe u varros sipas traditës në tyrbe meqë ishte në vazhdimësi të shehëve.
Fehmi Q. Makolli (1957 nga Bullajt e Marecit u gjetë më 20.7.1999 në po këto varreza. Është diagnostifikuar me Gunshot ëound to leg and chest.
Behlul A. Makolli (1973) nga Bullajt e Marecit u gjetë nëpo këto varreza më 20.07.1999. Është diagnostifikuar me Gunshot ëound to head and pelvis.
Përparim B. Kosumi (1981) me banim në rruga e Bledit në Prishtinë u gjet në varrin masiv Te Mullini i Arifit në Përroin e Thellë të Grashticës. Është diagnostifikuar nga patologët austriak të Hagës, por fatkeqësisht ata nuk dorëzuan kurrfarë dokumentacioni në zyrën e Tribunalit në Prishtinë.
Sipas deklaratës së Halil Demajt nga Sfirca me banim në rrugën e Bledit edhe ky gjendej më 20.04.2999 në kolonën e gjatë të këmbësorëve e më pak të traktorëve e veturave në Grashticë. Këtu pasi e nxjerrin shtatëherë nga kolona dhe futur në lumë e shkrepur plumba automatiku rreth këmbëve e lejojnë të largohet. Në Makoc me të arritur e presin dhembje të reja “Në Makoc na nxorën 5 veta dhe na futën në një bodrum të një shtëpie dykatëshe. Aty kam parë një grumbull njerëzish të mbytur, ishin diku rreth 15-20 veta. Brenda në atë bodrum ishte një dërrasë fosne e vendosur mbi disa blloka që ishte e zhytur në gjak. Aty kishte një motosharrë, sharrë dore, një thikë e madhe dhe natyrisht pushkë. M’i kërkuan 1000 DM. Më thanë: “Nëse nuk ke, zgjidh se me çka do që të të mbysim”. Të gjithë ishin me maska e në duar kishin dorëza me gishtërinjë të prerë. Shokët m’i ndajtën, i nxorën jashtë shtëpisë. Më vonë dëgjova krismat. I kishin vrarë. Njëri që mbeti për të më ruajtur u largua për një moment. Një tjetër mu afrua dhe më foli me zë të vogël: “Demaj, qysh erdhe këtu?” E kam pyetur: “Kush je ti?” Më tha: “Unë dhe ti kemi qenë një kohë kolegë. Ik!” Kur kam dalë jashtë, një paramilitar më ka kap, por “kolega im” i tha: “Me të e kemi kryer”. Duke hyrë në kolonë i kam parë disa romë me një traktor duke bartur të vrarët. Ata romë i kam parë katër herë duke shkuar me traktorin plot e pastaj duke u kthyer për të marrë të tjerët. Përballë shtëpisë ku ishm ne ka qenë një shtëpi tjetër në të cilën i futnin vajzat dhe gratë që i zgjidhnin në kolonë. Po kështu kam parë se si gratë i zhveshnin lakuriq duke e provokuar kështu masën.
Në dëshminë e Hajrije Shaban Vitisë (1967) nga Shipitulla dhe e martuar në Viti të Marecit, me profesion amvise, intervistuar nga Fahrije Qorraj në kampin e Stankovecit II 25/B më 30.05.1999 thuhet: “Më 22 maj të vitit 1999 në orën 7.oo paramilitarët serbë filluan granatimin e fshatit (Vitisë së Marecit, shënim i A.SH.B). Kjo ishte ofensiva e dytë serbe. Qytetarët të cilët arritën ta braktisin fshatin u larguan, ndërsa ata që mbetën u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave më barbare të paramilitarëve serbë duke filluar nga keqtrajtimet psikike, morale, vrasjeve si dhe masakrave. Kjo ofensivë zgjati deri në orët e vona të datës 24 maj ku u masakruan katër civil të pafajshëm. Tahir Vitia 90 vjeç, Demir Vitia 30 vjeç, Selatin Vitia 22 vjeç dhe Sevdail Vitia 16 vjeç. Popullata që kishte marrë ikën për në Prishtinë e përbërë prej 30 femrave kidnapohen dhe dhunohen në prezencën e masës në vendin e quajtur Makoc. Pas kryerjes së veprës çnjerëzore që bënë paramilitarët e pafytyrë, të gjitha vajzat e dhunuara deshën të bëjnë vetëvrasje, sepse kishin pësuar thyerje të moralit shpirtërorë dhe të mbetura lakuriq. Duke falenderuar masën u shmang më e keqja. Falë organizimit të Halil Fazliut si dhe birit të tij, të gjitha vajzat i veshin, i marrin në traktorin e tyre”.
Sipas deklaratës së Ramadan Bunjakut me vendbanim në Kodrën e Trimave “Ditën e fundit pasi hëngrëm një sallatë me qepë, dolëm në Blerak e pastaj sosëm në Përroin që binte në Lagjen e Behramajve të Makocit” dhe aty gjejnë një tendë plasmasi ku e kalojnë natën. Pasi sigurohen të nesërmen se nuk kishte lëvizje, zbresin te Shtëpia e Sabitit dhe kah Sharra në oborrin e së cilës vrejnë rreth 100 krerë lopë të futura në rrethojë, plaku Ramadan Bunjaku merr guximin dhe ua hap derën. Vazhdojnë në lagjen Dikaj për të gjetur një kafshore bukë, por largohen edhe nga aty dhe në lagjen Hamzaj i merr nën përkujdesje Lutfi Bajram Krasniqi i cili i ushqen, i pastron. Mëngjesin e hershëm të asaj nate një nip i Emrush Krasniqit i përcjellë për në Prishtinë bashkë me shumë të tjerë.
Llukar.- Por, ç’ndodhte në lagjen Kulla të Llukarit!? Pas bombardimeve të NATO-s në Kazermën e Llukarit, meqë aty më s’kishte vend për uniformat jugosllave, më 27.03.1999 ndalojnë një plak ushtarakët dhe e dergojnë në shtëpinë e Zymer Mramorit për ta bërë me dije që ta lironte shtëpinë për pjestarët e armatës jugosllave të mbetur aty. Plaku s’e gjen askend në shtëpi e as që kthehet për t’i lajmëruar urdhëdhënësit. Më 28.03.1999 në orën 6,45 ushtarët ia thyejnë dyertë shtëpisë së Zymer Mramuerit dhe po atë ditë pason zbrazja e pjesës së kazermës që kishte shpëtuar nga bombardimet e NATO-s. Po atë ditë 40 kamionë, pizgauerë e mjete tjera u larguan nga kazerma. Familja e Tefik Bekës nga frika largohet pjesërisht në Lugun e Mullive, por kthehen kah gjysma e natës. Në mëngjesin e hershëm të datës 29.03.1999 pjestarët e familjes Beka lënë shtëpinë dhe vendosen në disa gropa tutje në shpatin mbi shtëpi. Në shtëpi mbeten pleqtë Tefik Beka me gruan Razën dhe aty i gjejnë ushtarakët tashmë me maska, i nxjerrin pleqët dhe duke qëlluar me armë përreth tyre i dërgojnë në shtëpi të Raif Krasniqit ku i marrin në pyetje, sepse tashmë e tërë lagjja ishte kthyer në një kazermë. Nga këtu e dërgojnë Tefikun në Qafë të Berrnicës duke e kërcënuar se do ta pushkatonin po s’tregoi ku e kishte familjen. Me këtë ata donin të siguroheshin se në lagjen Kulla më s’kishte mbetur asnjë civilë. Tefikun e kthejnë në shtëpi dhe me këtë e kupton se ai iu duhej i gjall, porse e rrahin deri në alivani. Familja e fshehur në gropat e shpatit mbi shtëpi (në mesin e tyre edhe foshnje 6 muajshe shkojnë në familjen e Jakup Berishës. Nga këtu Ganiu, i biri i Tefikut kthehet ta mirrte babain dhe nënën. I gjenë të dy në shtëpi të rrahur e të dërmuar dhe që të dy i merr e i dërgon tek Jakup Berisha në lagjen e Qershijave. Nga këtu familjen e vendosë në Kodrën e Trimave, ndërsa vetë kthehet në Kolovicën e Re prej ku sheh paramilitarët e rezervistët serbë tek ia plaçkisnin shtëpinë. Siç deklaron Ganiu: “Më 30.03. 1999 rreth orës 9.oo erdhi një autobilindë Rrugës së Vjetër (pranë lumit) dhe futet në Kolovicë të Re duke shtënë nëpër shtëpitë e lagjes.” Gani largohet dhe në Butoc e takon Raif Berishën, fqinjin, i cili e fton në Radashec (vendlindjen e tij). Ganiu zgjedh të shkojë në Zllashë. Nga ajo që sheh aty vendos ta shpinte familjen në Sijarinë, nadaj pas dy ditësh shkon në lagjen e Çelajve të Keqekollës te Bejtullahu i Miftarajve ku i gjenë babain dhe nënën. Ai nuk dëgjon këshillat e prindërve, por niset për në Prishtinë dhe pasi gjenë pjesën tjetër të familjes dhe vëllain e tij. Më 18.04.1999 shtëpinë e tij në lagjen Kulla të Llukarit e gjenë tërësisht të zbrazur. Tek qëndronte aty një xhip paramilitarësh shkon në drejtim të Llukarit, por s’vonon dhe kthehet duke lëshuar tre paramilitarë para shtëpisë së tij, të cilët e vërejnë Gani Bekën dhe e pyesin: “A jeton kush në këtë lagje?” Ky u përgjigjet “Përveç meje, askush!” Mirëpo në atë moment nga shtëpia e Avdullahut (Dulles) dalin dy romë të cilët kishin hyrë për të vjedhur. Njërin nga ata paramilitarët a militarët e kapin. Siç rrëfen Ganiu: “E sollën para shtëpisë sime, ia vunë në qafë një rrip të cilin e shtrënguan e pastaj e rrahën pa mëshirë me shqelma. Më shoqëruan dy prej tyre të kontrollojnë shtëpinë. Kuptova se njëri nga shoqëruesit e mi ishte nga Berani i Malit të Zi e tjetri nga Leskofci, për tjetrin nuk e di. Ky i Beranit më thoshte: “Unë di vetëm të vrasë, vetëm e rrotulloj pushkën. Këta dy luajnë vetëm me thika, këta presin”. Vazhdimisht më drejtoheshin “Doni republikë, a?” ose “Në këso lloj shtëpie ka të drejtë të jetojë vetëm serbi” etj. Këtyre u erdhën në ndihmë edhe dy xhipa me ushtarë e paramilitarë dhe në rrugë bënin ndalime e plaçkitje të njerëzve që kalonin atypari. Këto plaçka dhe ato që bënin nëpër shtëpitë e zbrazëta. Më zbritën të qëndroj para punëtorive të shtëpisë. Ndërkohë në shtratin e fëmijëve kishin gjetur falmurin shqiptar të vizatuar nga fëmijët dhe me të erdhën poshtë duke mu kërcënuar: “Do të të fotografojmë te lumi në orën 14.oo. Më urdhëruan t’iu bëj kafe edhe pse nuk kishte, të çaj drurë për të ndezë zjarrin, t’iu fërgojë vezë. Një çast, duke njohur të fshehtat e shtëpisë, ika dhe u fsheha në ferrat sipri shtëpisë. Kam qëndruar gjatë dhe nga aty kam dëgjuar zëra që ngulfateshin, zëra ë tmerrshëm vajzash e djemësh, pastaj xhipat që ngarkoheshin dhe ngjitnin rrugën për në Berrnicë pikërisht kur një eskavator në plehërishta jipte sinjalin. Jam i bindur se në plehrat e qytetit ka varr masiv, sepse me xhipat i dërgonin të vrarët”. Të nesërmen që largohet Gani Beka nga shtëpia, serbët i vënë zjarrin shtëpisë së tij, pastaj shtëpisë së Bejtës nën rrugë, shtëpisë së Adem Osajt, Enver Berishës. Po këtë ditë u vunë zjarrin shtëpive në lagjen Berisha pasi kishin gjetur në shtëpi Sadri Berishën duke mjelur lopën, të cilin e fusin në kuzhinë dhe e detyrojnë të ndezë zjarrin e pastaj në pllakat e skuqura të shporetit ta ulnin duke i shkaktuar djegie të rënda. “
Sipas deklaratës së Valdete Isë Krasniqit nga Llukari më datën 19.04.1999 me familje hipur në traktor nga lagjja e Muslijajve të Llukarit iu kishin bashkangjitur kolonës që vinte nga Koliqi, Grashtica e Mramueri. Në Prishtinë paramilitarët bashkë me policinë serbe nuk e lejojnë familjen e saj të vendosej në Prishtinë, por si edhe gjithë kolonën i kanalizojnë për në Llap. Me të arritur në Lupç kjo familje i shmanget kolonës për të mos shkuar në kampin famëkeq të Shajkocit dhe vendosen në shtëpinë e Shefki Kikajt në të cilën gjendej vetëm Shefki Kikaj me djalë. Pas një qëndrimi 10 ditëorë vendosen në Majac pa mundur ta marrin me vete traktorin. Atje pas qëndrimit prej dy netësh (e në Majac gjendej një numër i madh njerëzish që kishin gjetur strehë) UÇK i urdhëron prerazi të largoheshin, sepse kërcënohej Serbia me ofensivë të re. Kështu në Majac formohet një kolonë e gjatë dhe me të rënë në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë këtë e përcjell policia serbe deri në Vranidoll (familjes së Valdetes nuk i jepet mundësia të kthehet në Lupç për të marrë traktorin). Aty forcat serbe kishin krijuar postbllok në të cilin pason ndarja e të rinjëve nga kolona me ç’rast krijohet një tollovi dhe shumë traktorë mbetën pa vozitës. Aty nga familja e Valdetes përbërë nga: Agimi, Arsimi, Hamides (bashkëshorte e Agimit), Sebahates (bashkëshorte e Arsimit), motrave Metijes, Mejremes (të sëmura psikofizikisht, Vjollcës, dhe fëmijëve nga mosha 9 vjeçe e deri në njëmuajshe si: Qëndresës, Vullnetit, Qëndrimit, Zgjimit, Drenushës dhe Shkëmbit, të gjithë i zbresin nga qerrja. “Na zbritën nga një qerre që tërhiqej nga një traktor. Ushtarët serbë, qofshin ata policë, paramilitarë apo ushtarë të rregullt, e kontrolluan qerren. Djemtë Agimin dhe Arsimin i morën, thjeshtë duke i kapur për krahu me “Ti!” Thuhet se i kanë futur në një shtëpi, po në të cilën nuk e di. Kisha frikë të shikoj, sepse prisja më të keqen. Gjithë ky proces u zhvillua në heshtje. Nuk e dinim pretekstin e ndarjes së të rinjëve e më së paku të vëllezërve, sepse e dinim që vëllezërit nuk ishin të kyçur në UÇK... Aty kishin ndarë edhe Mustafë S. Krasniqin.” Kjo familje fillimisht që nga largimi nga Vranidolli, u vendos në një lëndinë të Barilevës, pastaj mbijetojnë nëpër shtëpitë e barilevasve që ishin thuajse të zbrazura. Që nga ajo kohë motrat hidhen në kërkim të vëllezërve. Mësojnë se ishin dërguar në burgun e Lipjanit e prej aty i kishin transferuar në burgun e Mitrovicës së Sremit. “ Pas një muaji që NATO u fut në Kosovë, arritëm t’i vizitojmë në burg. Agim I. Krasniqin e ngarkonte aktakuza gjoja për financimin e UÇK-së, se ka qëndruar me armë, se ka bërë roje etj., ndërsa Arsim I. Krasniqi akuzohej gjoja si organizator njësiti. Mustafë Krasniqi mbahet në burgun e Lipjanit deeri më 10 qershor 1999 dhe menjëherë pas nënshkrimt të Marrëveshjes së Kumanovës lirohet nga burgu.
Sipas deklaratës së Sylejman Visokës nga Sveçla e Podujevës shohim serbët tek granatojnë Sveçlën nga Sekiraça me ç’rast Xhevrija (20) vjeçare në shtëpinë e tij plagoset dy ditë para se NATO të fillonte bombardimet. Kështu Sylejman Visoka me familjen e vet 7 anëtarëshe dhe me familjet që kishin gjetur strehë aty: Mustafë Visokën me 9 anëtarë nga Dumoshi, Adem Hasanin-Kamerollin 6 anëtarëshe nga Llapashtica dhe Ramadan Toshin 7 shtatë anëtarëshe nga Penuha u vendosëm në Podujevë te Shefki Lushaku, porse pas një nate qëndrimi u desh të largohem për në Sfeqël. Familja ime kishte shkuar për në Herticë. Një Misha Zhiviqi kishte zënë rrugën dhe kërcënohej me vrasje, andaj shkova në Herticë dhe gjeta nënën të strehuar në shkollë të Herticës me gjithë motrën Miradijen, ndërsa pjesën tjetër të familjes te familjen te Bejtush Lushtaku. Familjen sërish e ktheva në Sveçël. Aty kemi qëndruar deri më 29.03.1999 dhe pasi hëngëm sillën e bajramit si ëshë zi e më zi, erdhi lajmi se shkietë po hynin në Sveçël, andaj u zhvendosëm në Sibovc te Hamit Haliti. Më 31.03. Sibofci u sulmua nga serbët dhe ne kaluam në Dumosh e përreth aerodromit të shkretëruar nga NATO u vendosëm në Dyz te Rrahman Qerimi. Më datën 2.04.1999 u desh të largohemi për në Koliq te Avdullahajt, sepse fshati Dyz sulmohej nga ana e Gerdocit dhe Batllavës. Aty kemi qëndruar deri më 19.04.1999. Më 19.04.1999 familjen e vendosa në traktor dhe u nisëm për në Prishtinë. Me të arritur te Sekiraçët u strehuam pas traktorëve, nën rimorkio të tyre, meqë plumbat e militarëve dhe paramilitarëve serbë na rrezikonin nga çdo anë. Në pasditën e datës 19.04.1999 pasi kishin heshtur paksa armët e shtëpitë digjeshin në të djathtë të rrugës vazhduam rrugën. Deri te Trafoja i kam numëruar 30 të vrarë në të dy anët e rrugës vazhdimisht duke u përpjekur që mos t’i shkilja me traktor. Aty kam njohur të vrarë Fehmi Musollin nga Shajkoci. Ndërsa më vonë më pati treguar Osman Musolli: “Për Fehmiun dhe për Rifat Musllin i dhashë nga 300 DM dhe përsëri m’i varnë”. Te trafoja rruga ishte e bllokuar. Mbetëm në rrugë. Nënën Eminen, gruan Zarifen dhe Emine Topanicën i mbështolla me batanie në rimorkio ndërsa unë me Rifat Dërlllupin, Rifat Shajkocin, Isë Reçicën flejtëm në një “ram” (formë e rimorkios). Më herët, reja ime sadija me fëmijët nëpër Radashec e Siqevë, duke kaluar pastaj luginën e Llukarit kalojnë nëpër Spollopodinë dhe futen në Prishtinë. Ne që kaluam natën në Koliq, te Trafoja, të nesërmen, pra më 20.04.1999 vazhduam rrugën për në Prishtinë. Në Qafë të Stallovës re policë e një veturë “gollf të kuq” ndalën Isë Reçicën që ishte i pari. Isa dha para dhe e lëshuan. Mua më bëri njëri me gisht t’i afrohem. M’i kërkoi 300 DM. “Nëse nuk m’i jep 300 DM për tre minuta do të vras!” I thashë se nuk kam. U përpoq të më godasë me shqelm, por unë u largova kah traktori. Një erë e fortë e zbuloi rimorkion me ç’rast u zbulua nëna që qëndronte ratë aty. E shikova në ishte gjallë, tërhoqa najlonin dhe e mbulova. Erdhën dy policë te rimorkio. Njëri nga ata, futi dorën nën shpuzë ku qëndronte nëna e shtrirë dhe më mori tranzistorin, e mbuloi nënën dhe më urdhëroi të nisesha. Prej këtu pa pengesa arritëm te kazerma në Llukar. Aty qëndronte një “ram” traktori ndërsa pas tij kishin zënë pozitë tre ushtarë me mitraloz të rëndë në duar. Po ,ështu ishte edhe në anën e sipërme në arë dhe në anën e poshtme, ku nga tre veta qëndronin të shtrirë dhe pritnin me gisht në këmbëzat e mitralozëve të tyre. Aty e kam parë Rifat Q. Musollin nga Shajkoci dhe Isë Ali Jahën nga Ballofci të vrarë buzë rrugës. Ushtarakët në rrugë më ndalën dhe urdhëruan të kthehesha nga kisha ardhur. Me të arritur në lagjen Rexhaj të Llukarit e ktheva shpejt traktorin një rrugice të shtruar me rërë dhe kam ndaluar te një pleme. Aty i kam lënë të tri plakat duke u thënë “ushqim keni, futuni në ndonjë shtëpi se neve po na hetuan do të na vrasin përnjëherë”. U ngjitëm në malin pranë shtëpive ku qëndruam 3 ditë e tri netë, ulur cucërr pa hëngër e pa futur gjumë në sy, në shi e të ftohtë nën krismat që dëgjoheshin në lagjen e Rexhajve. Shihnim duke shtënë nga një pizgauer i ushtrisë serbe që godaste shtëpitë. Në marrëveshje me Rifat Dobërllupin-Mustafën (babain e Xhemail Mustafës nga Gllamniku), atë e lash në mal ndërsa unë u përpoqa t’i afrohem traktorit. Nuk arrita se pengohesha nga të shtënat. U tërhoqa te Rifati dhe vendosëm të niseshim për në Vranidoll. Atë natë, pa plakat në traktor, depërtuam në Vranidoll dhe me ndihmën e një ushtari të UÇK depërtuam në Lupç. Për nënë Emine Visokën(1886) më s’kam ditur gjë, sepse me familjen që e gjeta në Prishtinë përfundova në Maqedoni. Pas 5 muajsh qëndrimi në Çegran u ktheva dhe u njoftova se nëna ime kishte vdekur dhe se disa djem të lagjes e kishin varrosur afër shtëpisë së Asllan Krasniqit. Ata djem e kishin pas varrosur aty edhe Ali Reçicën që qe vrarë nga forcat serbe te Rexhajt kur ky po kërkonte strehim me traktorin e tij aty.
Pas luftës trupat e Isa A. Jahës (1951) nga Ballofci, Rifat Q. Musollit (1949) nga Shajkoci dhe Ali Reçicës u bartën në varrezat familjare në fshatrat e lindjes, ndërsa në këtë anë kërkohej Qamile Blakçori, me të afërmit e saj e hapëm varrin te shtëpia e Asllan Krasniqit në lagjen Rexhaj. Ata panë që nuk ishte Qamilja, ndërsa unë mora shënim për kufomën e gjetur dhe përmes këtyre shënimeve më datën 27.10.2000 në kontakt me Sylejman Visokën konstatova se ishte nëna e tij. Kufomën e saj e kisha rivarrosur në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit dhe për këtë u njoftua i biri. Ajo është diagnostifikuar nga patologët e Tribunalit, por lidhur me këtë nuk kam njohuri.
Njëditazi përshëndeta një plak tek i humbur vazhdonte rrugën nga qendra e qytetit të Prishtinës në drejtim të komunës. Plaku me pyeti se nga ishte Xhamia e Llapit. E pyeta se nga ishte, ndërsa ai u përgjegj se quhej Rifat Mustafa. Mu kujtua deklarata e Sylejman Visokës andaj e pyeta nëse e njihte. Më tha se me të ishte nga Koliqi e deri në Lupç, se në Makoc, te Shtëpia e Sabit Krasniqit e kishin futur serbët brenda, se një maxhupi i ishte urdhëruar të më rrihte, ndërsa ai më njohu siç e njoha edhe unë të ishte nga lagja e romëve me shtëpi te tjegullorja e Podujevës, i cili iu tha eprorëve të tij se “nga ky njeri kam hangër bukë, andaj nuk mund ta qëlloj”, se kjo bëri që të më përcjellin jashtë dhe vazhdova rrugën për në Prishtinë sërish me Sylejman Visokën... Në vazhdim të bisedës më tha: “Bre djalë, biri im Xhemaili nuk e ka perituar të vritet”. I tregova rrugën për kah Xhamia e Llapit, ndërsa ai u largua me dhembje të thellë.
Sipas deklaratës së Jahir Deliut nga Bicajt e Koliqit më 18.04.1999 nga ushtria, paramilitarët dhe policët serbë që ishin të veshur me rroba të kamufluara ushtrakësh, policësh, rroba të vjetra ushtarësh u sulmua Koliqi. Një pjesë e tyre ishte me maska në fytyrë, një pjesë përdornin xhipa e pizgauerë dhe praga. Ne, popullata e Koliqit u desh t’ia mësyejmë Prishtinës meqë rrugë tjetër nuk mbeti, sepse ata filluan me masakrime e diegie të shtëpive. Me familjen time ishte edhe Mustafë A. Deliu nga Koliqi i cili gruan Sherifen e kishte në këtë kohë në Dyz te çika. Edhe e bija e Mustafës e shkuar në Dyz me nënën e saj kishin mësyer Koliqin, në Bicaj Sherife Deliu (1934) ishte ndarë (Nga ky moment më nuk dihet gjë për të. Sherifja konsiderohet e humbur), ndërsa e bija me kolonën ishte nisur për në Prishtinë. Në rrugë për në Prishtinë një natë kemi buajtur nën qiell të haptë në Stallovë, ndërsa më 19.04.1999 kemi kaluar nëpër Grashticë, Makoc e Llukar dhe asgjë s’na ka ndodhur derisa kemi arritur te Shtëpia e Nezirit në periferi të Prishtinës. Aty ushtarët kanë ndarë nga kolona shumë djemë të rinj dhe i kanë futur në bodrumin e shtëpisë së Nezirit. Se çka ka ndodhur pastaj me ta nuk e di. Mustafë A. Deliu ka zbritur te Ura e Zatriqit ku takohet me çikën e vet, e cila i tregon për nënë Sherifen se kishte mbetur në Bicaj me rastin e krijimit të një rrëmuje kur kishte sulmuar ushtria serbe.
Më 20.04.1999 Mustafë Deliu duke shkuar për në Koliq për të gjetur gruan Sherifen, te shtëpia e Tefik Bekës pengohet nga ushtria serbe. Ky s’heq dorë nga synimi i tij dhe tek Ura e Ibishit këputë arat dhe lumin e vazhdon malit për në Koliq, por meqë e sheh vetën vonë kthehet sërish në Prishtinë. Më 21.04.1999 Imeri i Sharbanit e sheh te Shtëpia e Nezirit duke këputur lumin dhe arat. Më 23.04.1999 tek shkoja nga Koliqi për në Llukar te Rrahmani i Rexhajve për të rregulluar një pjesë traktori e takova në Makoc. Me këtë rast ma kërkoi një cigare dhe më tregoi se me të dalë nga shtëpia e djalit të tij Isufit në Dragodan ushtarët serbë e kishin ndalë, ia kishin marrë qelibarin, një orë, tri kuti cigare, barërat që i përdorte meqë ishte i sëmurë nga paraliza si dhe 50 DM dhe e kishin rrahë. Më 24.04.1999 Mustafë Deliu pasi nuk e gjenë gruan Sherifen në Koliq kthehet për në Prishtinë duke rrokur Lugut të qurshisë në Makoc, nëpër Spollopodinë zbret te Guri i Verdhë në Arën e Sylejmanit të Berishëve të Llukarit ku edhe qëllohet me snajper nga shtëpia e Tefik Bekës në lagjen Kulla. Sahit Krasniqi, duke depërtuar në Makoc nëpër Arat në Kodër e gjenë Mustafën të vrarë dhe për këtë informon banorët e paktë të lagjes Berisha të Llukarit, të cilët natën e varrosin në lajthishtë afër Arës së Sylejmanit Krye Lugut të Mullive.
Unë autori i këtij teksti mora pjesë në zhvarrimin e trupit të Mustafë Deliut në vjeshtë të vitit 1999. Me këtë rast ishin prezent të afërtit dhe djali i tij me punë në Suedi. Kufoma e tij u rivarros në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit.
Deklaratë e Rexhep B. Krasniqit për vrasjen e Nysret dhe Fehmi Krasniqit.
Fehmi Krasniqi (35) dhe Nysret Krasniqi (22), më 19 prill 1999, pas ikjes Lugut të Gurit të Balajve dalin në rreze. Edhe Maliq Krasniqi ishte me ta. Thotë se “kur jemi ra në Përrue t’Grashticës, nuk munda ta bartja xhupin, desha ta humbas. Nusreti ma mori.” Nga aty maleve dalin mbi varre të Hoxhajve dhe shpejtojnë të zënë kolonën. Te Nelajt e Makocit e takojnë një grua me tre fëmijë të vegjël. Këta i ndihmojnë në torbën dhe fëmijët. Fehmiu e Nysreti me të ardhur te Ura e Muslijajve ku ndahet përroi i Gojëbarit me fëmijët në krahëror dhe duke e shoqëruar gruan, i ndalin paramilitarët. Nysretin dhe Fehmiun i dërgojnë nja 50 metra larg urës në Gojëbari dhe pas ca ferrave i vrasin që të dy, ndërsa gruan e kishin lënë të lirë. Pasoi kërkimi i tyre, sepse ne nuk dinim gjë. Faik Halit Krasniqi i Llukarit dhe një tjetër na njoftuan se i kishin gjetur të vrarë pas ca ferrave dhe se i kishin varrosur njërin duke e identifikuar si Maliq Krasniqin sipas letërnjoftimit të gjetur në xhup. Faik Halit Krasniqi na i përshkroi rrobat me të cilat ishin të veshur të vrarit. Kfori na lejoi t’i zhvarrosim dhe ne bëmë rivarrimin e tyre në varret familjare te Guri i Balajve, duke i lëshuar të dy në një varr, sepse ishin si vëllezër të pandarë. Që të dy u diagnostifikuan nga patologët: Fehmi Rexhep Krasniqi me Gunshot ëounds to chest dhe Nysret S. Krasniqi me Violent death dhe u rivarrosën pas kësaj në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit.
Sipas deklaratës së Faik Maqastenës, nëna e tij Zylfije Maqastena (1919) nga Dumoshi i Podujevës me familjen në Dumosh largohet për në Turiqicë nën presionin e forcave serbe e nga aty në drejtim të Kushevicës. Ajo si e sëmurë dhe plakë ishte vendosur në një veturë. Kjo veturë mbetet në të ashtuquajturën Rekën e Vesekofcit e në të edhe Zylfije Maqastena. Me rastisjen e një traktori e shohin të ngujuar plakën në veturë, e nxjerrin nga aty, e vendosin në traktor dhe Zylfija arrinë deri te Shelnjet e Mëdha të Keqekollës. Këtu e kalon natën e vetme pranë një zjarri. Të nesërmen një tjetër e merr dhe e sjell deri në Llukar dhe e vendosë në lokalet e zyrës së Bashkisë lokale. Më 19.04.1999 në mbrëmje vonë e gjenë Faik H. Krasniqi, i cili i sjell ushqim dhe ujë. Më 10.04.1999 Faik H. Krasniqi sërish e viziton, porse e gjenë të vdekur. Po atë mbrëmje e varrosë rrëzë themeleve të ambulancës që ishte nën një qati me atë të bashkisë. Tek pas dy muajsh identifikohet, zhvarroset dhe bartet e varroset në varrezat familjare në Dumosh nga të afërmit.
Sipas deklaratës së Nazmi Bajram Metollit në Llukar një pjesë e paramilitarëve qëndronin në gatishmëri me tërë armatimin, një pjesë tjetër plaçkitnin automobila, traktorë. I detyronin njerëzit të vazhdonin rrugën këmbë.
Sipas deklaratës së Feride Hajdinit nga Prapashtica. Policët e kanë ndalë kolonën te Lugu i Jazit afër lagjes Berisha të Llukarit më datën 21.04.1999, pas dhembjes mbetur në Shtëpinë e Sabit Krasniqit në Makoc. Në rimorkio ia behu një polic, i cili kur e pa të përgjakur Ali Sejdiun e pyeti: Je plagosur duke luftuar kundër nesh?!” Aliu iu përgjegj: “Jo, këto thika m’i kanë dhënë te Guri i Keq ushtarët serbë”. Polici më ofroi lidhësa për t’ia lidhur plagët Aliut. Unë e trishtuar nga gjaku mbeta e hutuar ndërsa polici më piskati: “Ju ushtarët tuaj në mal po dini me i mjekue, e këtë s’po di!?” Polici vetë ia lidhi plagën dhe e zbriti në stam të rrugës. Neve na urdhëroi të ecim. Aliu mbeti aty. Siç tregonte Ali Sejdiu, pasi u kthye në shtëpi në rrugën e “Kasolleve” nr. 121 ku na gjeti të gjithëve përveç atyre që i patën ndalur në Makoc, se i njejti polic ia kishte mbyllur sytë me shami, e kishte futur në një shtëpi, e kishte rrahur rënd dhe pastaj e kishte liruar.
Sipas deklaratës së Shaqir Sylës nga Prapashtica, të cilit ia ndalin vëllain Remziun në Shtëpi të Sabit Krasniqit në Makoc, “ Kam vazhduar rrugën deri te mëhalla e Berishve të Llukarit, në mes të Lugut të Jazit dhe rrugës që kthen në lagjen Berisha. Na kanë ndalë dhe na kanë zbritur të gjithëve nga traktorët. Të gjithë i detyruan të uleshin në anën e epërme të rrugës bri një gardhi. Aty, më kujtohet, dy policë të uniformuar me maska dhe dy pa maska i nxirrnin djemtë dhe i radhisnin në anën e poshtme të rrugës me fytyrë prej maleve të lagjes Berisha. Aty të parin e kanë nxjerrë Ali Sejdiun gjë që e vërtetova se nuk e kishin ndalur në Grashticë. Vazhduan kështu deri nja 15 metra pa ardhur te traktori ku gjendesha unë. Erdhi një xhip dhe e ndërpreu atë akt. Urdhëruan që ata që ishin me traktorë të hipnin nëpër traktorë e ata që ishin këmbë të vazhdonin rrugën këmbë. Edhe aty kam parë disa duke dhënë para për të mundur që të kalojnë, disa të tjerë i kanë njohur policët dhe pikërisht kjo ka bërë që të vazhdojnë rrugën pa u gjobitur. Aty të rinjëve të ndarë ua zhvishnin rrobat në brez e lart, ua kontrollonin shpinën, duart, i detyronin të përvileshin deri te gjunjët dhe ua kontrollonin këmbët. Disa i mbanin e disa i kthenin në kolonë. Aty e mora vesh për vëllain Remziun, për Salihun dhe për dy djemtë e tij që nuk ishin.
Deklarata e Kimete H. Haxhollit për peripecitë në lagjen Berisha të Llukarit dhe te Shtëpia e Nezirit afër Mullinit të Xhaxhes është konformë deklaratës së Shaqir Sylës.
Sipas deklaratës së Shukrije Gërbeshit, pas asaj që kishte parë në Makoc, vazhdon rrugën për në Llukar. Pikërisht nën lagjen e Rexhajve ndalohet kolona nga forcat serbe. Para nesh gjendej një kopësht me kumbulla. (Sipas kësaj konstatojmë se ky vend gjendet afër Mullinit të Rrahmanit, A.SH.B.) serbët kishin maska. Aty e kanë ndarë Halil dhe Brahim gërbeshin, Naserin nga Livoçi, Enverin e Koznicëve të cilin e rrahën shumë. Na kanë detyruar të ulemi dhe këtë kohë e shfrytëzova t’ia lidhi plagën e shkaktuar me thikë Mejdi Gërbeshit. Siç deklaronte Enveri i Koznicëve, atë e kishin futur në një shtëpi aty dhe nga torturat më të rënda i ishte dukur zënja e kokës me derë.
Sipas deklaratë së Ahmet Makollit, te lagjja e Berishve të Llukarit nga forcat policore serbe është ndarë nga kolona Shabani, baxhanaku i tij, nga Gadimja e Lipjanit. (Për mëtutje më mungojnë të dhënat. A.SH.B.)
Sipas deklaratës së Jusuf Avdullah Krasniqit nga lagjja e Rrustemajve të Ugrijave të Grashticës nën lagjen e Rexhajve, te Mullini i Rrahmanit ishte ndalur kolona. “Aty e kam takuar masën dhe e gjeta familjen me traktor. Aty sërish e mora në vozitje traktorin. Nga Lugu i Jazit e deri te rruga hyrëse në lagjen Berisha të Llukarit kam parë përplot të rinjë të nxjerrë nga kolona, të rreshtuar në çdo
Sipas të dhënave që ofron familja Shala nga fshati Trudë, Shefki Shala (1958) i vendosur në lagjen e Emshirit në Prishtinë detyrohet bashkë me popullatën shqiptare të largohej nën presion e forcave serbe. Ky vendoset në Koliq. Më 18 .04.1999, si edhe të gjithë të tjerët, dëbohet nga Koliqi më 18.04.1999 dhe vendoset në prishtinë. Gjatë një bastisje që kryen policia asokohe Shefkiun e rrahin deri në vdekje. Pasi largohet policia serbe Shefkiu mësyen Llukarin, përkatësisht lagjen Berisha në shtëpi të Shefqet Berishës deri në më 16.05.1999 kur forcat serbe po merrnin ofensivën e dytë. Atë natë Faton Behxhet Berisha e kishte kaluar bashkë me Shefki Shalën në shtëpi të Shefqet Berishës. Në orën 7.oo ë mëngjesit të kësaj date Faton B. Berisha ngritet dhe afrohet deri afër shtëpisë së Mehmet H. Berishës. Vërehet nga ushtarët serbë që gjendeshin në automjetin “pizgauer” dhe qëllohet. Plagoset në këmbë. Në pamundësi të ikë ushtarët serbë i afrohen dhe e qëllojnë në kokë. Këto krisma alarmojnë njerëzit në shtëpi të Shefqet Berishës. Ngritet Shefkiu Shala dhe me qëllim të largimit nga lagjja, duke menduar se forcat serbe kishin hyrë në lagje, shpejtonë përgjatë lumit në anën e djathtë. Forcat serbe e vërejnë dhe nga pizgaueri shtijnë në të pa arritë t e Lugut i Jazit kur Shefkiu kishte kthyer arave për t’u futur në pyll. Ushtarët pas kësaj zbresin dhe shkojnë pranë Shefkiut të plagosur dhe e qëllojnë në kokë. Konformë me të dhënat që jep familja janë edhe deklaratat e Daut r. Berishës dhe Nazif Q. Berishës. Këta shtojnë se me të rënë muzgu Blerim S. Berisha, Përparim Berisha dhe Shefqet Berisha kanë shkuar dhe kanë vërtetuar vdekjen e tyre pastaj i kanë tërhequr dhe i kanë varrosur në varret e reja të lagjes Berisha. Në varrim ishn Nazif Berisha, Daut Berisha, përparim Berisha, rashit Berisha, Ilmi Berisha dhe Faton Krasniqi nga lagjja e Rexhajve të Llukarit. Faton B. Berisha ëshë diagonostifikuar me gunshot ëound to head si dhe Shefki Shala me Gunshot ëounds to ches and abdomën. Që të dy janë rivarrosur në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit.
Sipas deklaratës së Idriz Musliut nga Sharbani më 15.05.1999 shumë familje t’ia mësyenin rrugës për në Llukar e pastaj fshatrave si Llukar, Makoc, Grashticë, Siqevë, Sharban, Halabak etj., sepse policia serbe në Prishtinë kishin marrë fushatë që familjet të cilat ishin vendosur nga këto fshatra në Prishtinë të kthehen në fshatrat nga kishin ardhur. Këto familje te kazerma e Llukarit i priti postblloku policorë e paramilitarë dhe u keqtrajtuan rëndë si me rrahje, burgosje e vrasje. Familja e Idriz Rexhep Musliut dhe e Eshref Rexhep Musliut detyrohen të kalojnë atypari, porse ndalen nga rezervistët, të cilët i kthejnë, por një numër të të rinjëve i ndajnë pastaj i rrahin dhe i burgosin. Një fat të këtilë gjeti edhe Musli Idriz Musliu nga Sharbani. Fshatarët shpejt u bindën në këtë lojë, andaj preferonin më tepër që të ndërronin vendbanimin brenda Prishtinës.
Sipas deklaratës së Kadri Halil Svarçes nga Bellopoja më 19.05.1999 me rastin e ofensivës së dytë serbe po e linin Koliqin dhe po e mësyenin Prishtinën. Ishte krijuar një kolonë prej thuajse 200 vetash. Me të arritur te kazerma në Llukar, ku më nuk kishte ushtarë por paramlitarë dhe rezervistë të fshatrave përreth, përkatësisht plaçkitës, vrasës dhe masakrues nga Berrnica, Sofalia, Truda, Jugoviqi, Graçanica, Lebana etj. ndalohet. Të rinjët i ndajnë dhe i shtrijnë për asfalti dhe i rrahin pa mëshirë. Marrin shënime për identitetin e tyre duke i mbajtur vazhdimisht me kokë për asfalti. Ai që mirrte guximin të shikonte se çfarë ndodhte me të tjerët ia shtypnin kokën me kundak pushke. Siç deklaron Naim Sejdiu nga lagjja e Perajve të Koliqit “e kam parë kur e kanë ndarë Ali Svarçën (nga Bellopoja) dhe disa të tjerë dhe i kanë nisë në drejtim të lumit Prishtinkë. Pas 15 minutash kemi dëgjuar një rafal automatiku nga andej. “ Ndërsa Naman Osmani deklaron se me të ndarë të rinjët, katër syresh i nisën kah lumi. Në rrugë e sipër e kanë vrarë njërin. Nuk e di se cilit ia ngarkuan të vrarin, sa duket Xhevatit. Me të arritur te lumi i kanë pushkatuar të gjithë, sepse ne ashtu siç ishim të shtrirë me faqe të puthitur për asfalti kemi dëgjuar krismat se kah vinin”. Ndërsa Naim Sejdiu shton: “Nuk kemi ditur gjë për Aliun e as për të tjerët. Kemi menduar se i kanë futur në bodrumin e shtëpisë së Tefik Bekës. Përpiqeshim të gënjenim vetën. Aty, para kazermës kemi qëndruar 9 orë ku i patën ndarë burrat nga gratë për 6 orë. Pas kësaj lejohen të marrin rrugën për në Prishtinë. Tërë këtë kasaphanë e vërejne fshatarët e lagjes Berisha si Daut Berisha, Ilmi Berisha, Nazif Berisha, të cilët me t’u errur nën mbrojtjen e dy ushtarëve të UÇK, njëri nga ata me nofkën “Tabuti” i varrosin ata që kishin arritur të dalin në livadh dhe kishin vdekur. Dy kufomat tjera përtej lumit nuk i shohin.
Unë, Ali Sh. Berisha, menjëherë pas luftës gjatë rrugës për në lagjen Kulla për të parë dëmet në shtëpin e vëllait Enverit, kalova nga anë e lumit. U tmerrova nga kufomat që i gjeta bri lumit, te kopshti i Sylës së Iljazit. Ata ishin dy djem të ri, të dy me koka të prera. Trupat e tyre ishin të paprekur dhe kokat ishin më poshtë, krejt buzë lumit. Traktorët, me të cilët kanë udhëtuar refugjatët për në Prishtinë, kishin shpuza dhe gjëra ushqimore. Kur shkova herën e dytë, i gjeta kufomat që I hanin qentë (i fotografova kufomat). Informova disa ekipe gazetarësh nga Holanda, Turqia, nga Brazili dhe Spanja, dhe i dërgova te kufomat, duke i shoqëruar dhe duke ua tërhequr vëmendjen që mos të shkelnin në ndonjë minë.
Më 26.VI.1999 mësuam për fatin e tyre. Siç deklaron Kadri Halil Svarça nga Bellopoja Ali Svarça dhe Remzi Kosumi ishin të varrosur në një cep të Livadhit të Manit, ndërsa kufomat e copëtuara nga paramilitarët dhe qentë ishin të Mujë Osmanit (1960) nga Sharbani dhe Xhevat Rizah Kosumit nga Halabaku. Po më këtë datë u bë varrimi i Mujë Osmanit në varret e Sharbanit, të Remzi e Xhevat Rizah Kosumit në Halabak, ndërsa më datën 27 qershor u bë varrimi i Ali Svarçës në Bellopojë.
Sipas dëshmitarëve thuhet se Haki Alshiqi (1974) nga Sharbani thuhet se ishte i plagosur në Grashticë dhe me një këmbë të thyer kishte arritur deri në lagjen Berisha me ndihmën e një shoku anonim duke iu ikur postblloqeve, mirëpo forcat serbe të stacionuara afër kazermës në Llukar, më 20.05.1999 e vrasin derisa ky me përcjellësin e tij përpiqej të futej në Prishtinë. Kufoma e Haki Alshiqit gjendet nga fshatarët e lagjes Berisha, të cilët e varrosin në varret e reja të kësaj lagje. Haki Q. Alshiqi rivarroset në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit.
Në shtëpinë e Afrim Berishës përballë kazermës së Llukarit u gjet një kufomë gjysmë e djegur. E fotografova. Këtë kufomë të paidentifikuar e nxjerr nga shtëpia pronari i shtëpisë dhe e varrosë në mes Xhades së Poshtme dhe Lumit Prishtinkë Te Bashqja e Manit. Në bazë të fotografisë që kisha bërë të kësaj kufome, u zbulua nga dhendri në bazë të qizmeve të ishte Ismail Nezir Krasniqi. Kjo kufomë u identifikua tërësisht nga motra pas zbulimit të kufomës që bëra duke njohur trikon që ia kishte bërë, pastaj në bazë të cigareve dhe kutisë së duhanit. Ismail Nezir Krasniqi nga Grashtica (47 vjeç) u zhvarros më 4.03.2000 dhe u rivarros në varret memoriale në Hoxhaj të Makocit. Është diagonostifikuar me Gunshot ëound to chest.
Kasapët serbë dogjën edhe shtëpi. Grashticë-Ugria: 19 shtëpi; Grashticë-Balaj, 6 shtëpi; Grashticë-Tahiraj, 7 shtëpi; Makoc-Hoxhaj: 2 shtëpi; Makoc-Behramaj, 1 shtëpi. Zyra e Bashkisë së Llukarit; Siqevë: tërë Lagja e Epërme; Llukar-Rexhaj, 2 shtëpi; Llukar-Berisha 5 shtëpi; Llukar-Kulla, 6 shtëpi; të gjitha shtëpitë shqiptare në Kolovicën e Vjetër, dhjetra shtëpi në Kolovicën e Re dhe të gjitha shtëpitë në Butocin e Epërm.
Nga gjurmat deri te memoriali
Më 17.07.1999 u bë zbulimi i varrit masiv të të 15 varrosurve brenda varreve të Krasniqve të Llukarit dhe kjo përmes një dore të një kufome mbetur jashtë dheut, sepse kufomat ishin varrosur cektë. Në këtë dorë gjendej një orë e cila ende punonte shuplaka mungonte, sepse sa duket e kishin hangë qentë. Zhvarrimi u bë nga pjestarë të popullit që kishin ardhur aty atë ditë. Unë nisa me zhvarrimin, por mu kujtua që kisha aparat fotografik të tipit “smena” dhe u mora pastaj me fotografimin e tyre. Në këtë më ndihmoi edhe Bahrie Veliu. Ky zhvarrim bëhej në prezencë të KFOR-it anglez. Nga këta të varrosur aty tri kufoma gjenden në varrezat memoriale në Hoxhaj të Makocit, ndërsa të tjerët u bartën në varrezat familjare. Këtu kërkova nga të afërmit e viktimave që mos t’i bartnin kufomat, por të krijonim një memorial, gjë që nuk u realizua edhe pse pronari i arës pranë më lejoi një gjë të këtillë.
Më 20.07.1999 u zbulua varri masiv brenda varreve në Hoxhaj të Makocit. Zhvarrimi filloi në orën 9.oo nën sigurinë e KFOR-it anglez. Këtu mblodha veprimtarët Ejup Xh. Krasniqin nga lagjja Dikaj e Makocit dhe Musli R. Krasniqin nga lagjja Hoxhaj e Makocit dhe nga ata mësova se ara prej 11 ari pranë varrezave të ishte e nënë Mihrije Krasniqit. Ua zbulova idenë për memorial dhe bashkarisht ia mësyem nënë Mihrijes, e cila në oborrin e saj tha: Këtë copë tokë, bri varreve dhe bri rrugës, që ka 11 ari ma la grashigim bashkëshorti im për tre djemtë. E di se djemtë e mi nuk ma prishn. Ajo tokë le t’ju shërbej atyre djemëve të përjetshëm” që te vazhdojë “Shkoni, bijtë e mi tash, puna ju pret. Ata duhet të përcillen me nderë!” Ne u kthyem me lotë për faqe për bujarin e saj. Me këtë e informuam popullatën dhe të gjithë e pritën me miradi dhe nuk mbeti njeri të mos e falenderojë Nënëmadhen Mihrije Krasniqin.Këshilllit të varrimit iu bashkangjitën pastaj edhe Ramush Haxholli nga Mareci, Sheqir Syla nga Prapashtica, Faik Krasniqi nga Grashtica, Shyqeri F. Krasniqi nga Makoci dhe Ramiz Sh. Krasniqi nga Llukari. Në zhvarrimin e kufomave merrnin pjesë qyetarë e fshatarë. Me zhvarrimin e njërit fillimisht bëhej fotografimi e pastaj identifikimi në bazë të rrobave apo gjësendeve që kishin. Këtu u zhvarrosën 16 kufoma nga 17 sa kishin qenë, sepse të 17-tin e kishin identifikuar të afërmit e tij më herët dhe e kishin marrë nga aty dhe rivarrosur në Dragodan. Nga ky varr masiv u veçua kufoma e Aziz Q. Makollit, sheh në Bullaj të Marecit dhe sipas traditës u bartë në teqe atje dhe u varros. Derisa ndodhte kjo në Hoxhaj të Makocit, familjarë të të varrosurve Te Guri i Keq në Ugria (7) sish, i zhvarrosën të vetët dhe i rivarrosën në varrezat familjare si në Koliq e gjetiu.
Më 22.07.1999, po nën sigurinë e trupave të KFOR-it anglez u bë zhvarrimi edhe i 17 kufomave nga varri masiv mbrenda varreve të lagjes Dikaj dhe Hamzaj të Makocit. Këtu, brenda varrezave pranë rrethojës u gjetën dy koka të dy trupave në varre. Këto dy koka vendosëm t’i fusnim në një arkivol gjë e bëmë, kështu tani mund të llogaritnim në 18 kufoma, sepse nuk kishim mundësi të përcaktonim cila kokë i përkiste cilit trup. Kufomat u dërguan në Morg të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë të futur në thasët që siguroi KFOR. Tërë kohën isha me kokë në këto kufoma pa pasur dorëza, veshmbathje dhe mbrojtje të hundës e gojës. Një nga ushtarët anglez më tërhoqi vërejtjen, ndërsa ia ktheva: “Ky është mishi im, andaj s’kam frikë”. Për këto kufoma dhe të tjerat që u mblodhën përmes Jak Mitës u siguruan edhe 40 arkivole. Më 25 korrik 1999 kufomat që ishin vendosur në frigorifer pranë Kapellës të QKUK u desh riidentifikuar dhe vendosur nëpër arkivole. Kortezhi funeral me trupat e viktimave civile të terrorit serb ngarkuar në kamionë të hapur, të prirë nga ushtarë të kazermës “Zahir Pajaziti” në Llukar e që pasohej me mijra njerëz të afërm dhe të tjerë që donin të ndanin dhembjen e madhe qanin rrugën për në Hoxhaj të Makocit. Bashkia e Llukarit asnjëherë në historinë e vet nuk kishte parë kaq njerëz, nuk kishte përjetuar kurrënjëherë një dhembje kaq të thellë, nuk kishte ndier kurrënjëherë një urrejtje kaq të madhe kundër farës së ligë gjakatare serbe.
Më 23 gusht të vitit 1999 u zbulua varri masiv Te Mullini i Arifit në Përroin e Thellë të Grashticës. U desh mësyer Këshillin Ekzekutiv ku e kishte selinë sektori për hulumtimin e krimeve të luftës nga Tribunali i Hagës. Kontaktova me kryeshefin e Tribunalit Vladimir Gjuro me përkatësi nacionale çek. Nga ai kërkova që në eskumimin e këtij varri masiv të mirrnin pjesë edhe patologët e Fakultetit të Mjekësisë nga Prishtina. Personalitetet e mjekësisë gjyqësore të Fakuletit të Mjekësisë treguan ngathtësi e mospërgjegjësi bashkë me ata nga Shqipëria që gjendeshin asokohe në Prishtinë të cilët kërkonin kushte ambientale për ta bërë këtë gjë që ishte e pamundur. Patologët e Tribunalit të Hagës tashmë kishin marrë qëndrim dhe kishin angazhuar patologë austriakë. Zhvarrimi nisi më 17.10.1999. Në zhvarrim ishin angazhuar Shyqëri Krasniqi, Salih Tupalla nga lagjja Behramaj e Makocit si dhe Faton Krasniqi nga lagjja Nelaj. Ky eskumim zgjati një javë dhe u nxorën e u diagnostifikuan 12 viktima civile. Fatkeqësisht patologët austriak, me të kryer punën u larguan pa lënë kurrfarë të dhënash. Këtij kontigjenti të kufomave iu bashkuan edhe të tjera nga varrezat e krijuara nga vetë shqiptarët të Ujësjellësi i Vjetër, disa nga Keqekolla, disa nga lagjja Berisha dhe rivarrimi i tyre u bë tashmë në memorialin në Hoxhaj të Makocit më 25 tetor të vitit 1999. Pasuan edhe sjellje të tjera të kufomave. Kështu në varrezat memoriale u varrosën 93 viktima, një nga të cilat ishte marrë te shtëpia e Nezirit afër Bunarit të Hajratit përtej lumit (Ai shenjë identifikimi kishte vetëm një kapucë. Nuk e ka njërën këmbë dhe të dy krahët, që nuk dihet se me çka i janë prerë) i paidentifikuar dhe një te Guri i Keq në Ugria poashtu i paidentifikuar, po kështu llogaritej i paidentifikuar edhe një varr në të cilin gjendeshin dy koka siç e përmendëm më herët.
Lidhur me këtë udhëzoj të interesuarit që më gjërësisht mund të informohen në librin monografik Ali Sh. Berisha “Bashkia e Llukarit II – Masakrat serbe në Bashkinë e Llukarit” Prishtinë, prill 2000 dhe Ali Sh. Berisha “Flijimet për tokën e lirë në Gallapin e Prishtinës” Prishtinë, nëntor 2002.