E premte, 02.05.2025, 12:42 AM (GMT+1)

Speciale

Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (II)

E diele, 01.08.2010, 09:58 PM


NGA SKËTERRA PËRMES LUFTËS NË KRENARI

 

Nga Mejdi Asllani

                                                                     VI    

 

Vitet l945 dhe 46, ishin të ngarkuara me ngjarje të rënda psikologjike, me parashikime kontraverze dhe tërësishtë të pa baza.

Burrat kur takoheshin mesvete, prognozonin, se nuk shkon as dy javë, e ky regjim komunist ka me u mposhtë, nga forcat aleate të udhëhequra nga Amerika, pas dy javësh thoshin as gjashtë muaj, e kështu me radhë. Pa qenë të informuar se me 1 dhjetor të 1943. në Teheran ishte marë vendim nga fuqitë e mëdha, të përfaqsuara nga Ruzvellti, Çërqilli e Stalini, që të përkrahet dhe të ndihmohet lufta partizane e Titos. Kurse me 11. shkurt të 1945. në Jaltë, ishte marrë vendimi për ndarjen e sverave të interesit, ndërmjet fuqive të mëdha.

Kështu të painformuar, pleqtë i bënin qejf vetes. Kurse rinija shqiptare, e papajtuar me rirobërimin serbosllav, qe vetëorganizue në grupe, sipas lagjeve të qytetit, për të tregue sado pak rezistencë, për sa u ishte e mundur, ashtu të paarmatosur, por me gurë dhe me mjete tjera që u ndodheshin pranë dorës.                

Në atë kohë nuk emëroheshin lagjet më emra rrugësh, por me emra të lagjeve si vijon: Varoshi-etnikisht e banuar me serbë. Dere Mahalla e përzier me më pak serbë e magjupë dhe më shumë Shqiptarë. Mahalla e qendrës me gazanë, më shumë shqiptarë dhe tykëtu ndonjë familje serbe. Karadakmahalla me shumicë shqiptare dhe më pak magjupë. Muhaxhermahalla etnikisht shqiptare dhe tri apo katër shtëpi serbe. Mahalla e Balecit me shqiptarë dhe fare pak serbë.

Me qenëse në këto vite, qyteti i Gjilanit, si dhe viset tjera të Kosovës, ishin zbrazur nga forcat ushtarake, sepse pas shpartallimit të forcave të Mulla Idrizit dhe të Shyt Marecit, të gjithë burrat e aftë për luftë, prej të cilëve disa u arratisën në male, disa u mobilizuan me dhunë në aradhat partizane dhe i dërguan në vise tjera, kinse për t’i ndjekë Gjermanët. Një pjesë e tyre u drejtuan nëpër Shqipëri për në Tivar, ku e gjetën vdekjen pothuajse të gjithë, u pushkatuan nga partizanët serbomalazias, e njohur në histori si Masakra e Tivarit. Brigadat shqiptare nga Shqipërija, të komanduara nga komandant Hysni Kapos, komesar, Haxhi Lleshit, dhe sekretare e rinisë së Brigadës, Lirie Gega, u dërguan në Sanxhak për të luftue me çetnikët e Drazha Mihajlloviqit, e pastaj deri në Sarajevë. Brigada Kosovomaqedonase nën komandën e Shaban Haxhisë dhe ajo Kosovare me Fadil Hoxhën në krye,  u dërguan për në Srem e Frushka Gorë të Banatit, ku edhe u përgjysmuan duke i helmuar përmes ushqimit, më mjete biologjike. I vetmi formacion që kishte mbetur, ishte aradha e Shaban Polluzhës, e cila ishte ndarë në Prepellac të Llapit dhe ishte kthye, për të mbrojtur Drenicën dhe Kosovën, të lënë në mëshirën e çetnikëve dhe hordhive tjera serbosllave.

Në këtë Anarki, kur nuk kishte askush me vue pushtet, sepse ata që kishin mbetur në qytet ose ishin burra të vjetër, ose ishin serbë të privilegjuar, qofshin komunistë apo çetnikë të transformuar dhe disa shqiptarë të verbruar nga propaganda komuniste e që u shërbenin me besnikri këtyre të parëve. Sidoqoftë ishin pak.

Rinija e vetorganizuar dhe e ndarë në dy taborre, të atij shqiptar dhe atij serb. Për çdo ditë kacafyteshin mesvete, duke psuar lëndime të shumta nga të dy anët. Grupet ishin të mëdhaa, diku reth treqind deri pesqind djem të rinjë të moshës tetëmbdhjetë vjeç e teposhtë, në mesin e tyre kishte edhe fëmijë, të cilët ma së shumti e pësonin.

Mahallës Varoshit, serbvëe u printe njifarë Toma, të tjerëve nuk jua kisha dëgjuar emrat. Mahallës së qendres me Gazanë e Dheun e Bardhë, u printe Nebija, Vllai im, pas i shkonte edhe Jakupi, vlai im i dytë, pranë vete i kishte edhe disa shokë të dalluar për trimëri, si që ishin: Rashit Godanci, Gani Berisha, Dauti e Hasan Sali Qava, Isa e Hasan Gashi, Mehmet e Shefki Malisheva, vlëzërit Sadetin e Ibrahim Hamdi Shehu dhe Gani Magjupi; ky i fundit ishte mugjup në të vërtetë, ishte bari, i kulloste delet e Muharrem Pozharanit, por ishte njikohsisht edhe trim i madhë e besnik. Nebija edhe shoktë tjerë e donin shumë. Në vitin dyzeteshtatë, me rastin e një sulmi, që i kishin bërë, disa burra serbë të fshatit Shillovë, në livadhe të kositura, derisa ka qenë duke i kullotë dhent, i pati therë me thikë, dy burra sërbë, njënin prej tyre e kish pas mbyt në vend, prandaj e dënuan me burg të përjetshëm edhe pse ende pa i mbushur tetmbdhjetë vjet.

Karadak mahallës u printe Nazim e Hajdar Klaiqi dhe Musati i Rizah Kundraxhisë; të gjithë përmendeshin për trimëri. Më kujtohet se thoshin po na vijnë në ndihëmë mahalla e Karadakut, gëzoheshin shokët e vllait tim Nebiut. Mahallës Balecit i prinëte Mafak Sherifi, thoshin se është shumë trim. Muhaxhermahallës u prinin Haqif e Nevzad Kastrati, poashtu sypatrembur. Urrejtja ndëretnike, ishte në vlim e sipër, të gjithë këta të rinjë, ishin dëshmitarë të masakrave, të para disa muajve. Dikujt ia kishin vrarë babën, dikujt axhën, Nebiun, me rastin e rrethimit, për pak sa se kishin vrarë. Jakupi e kishte parë babën para pushkëve, të mbështetur për mur dhe kufomat e masakruara në darsokak. Sejcili prej tyre, kishte arsye për mospajtim dhe urrejtje. Çfarë kishin të bënin? Armatim lufte nuk kishin, prijës me përvojë gjithashtu jo, duke shfrytëzue vakuumin, që ishte krijuar, me largimin e forcave të armatosura, në drejtime të ndyshme. Mundoheshin me shtye murin me gjoks, të vetëdijshëm se një ditë, do të kthehet tirani dhe ndoshta edhe këta do ta përjetonin fatin e atyre sqiptarëve, që ishin persekutuar më parë. Megjithëatë nuk ndaleshin dhe s’kishin si të ndalen.

Ndoshta të shtyer nga inercioni, që serbët fitoren e Jugosllavisë së Titos, e të Serbisë e konsideronin si fitore të vetën, që ishte realitet, si dhe të trimruar, nga veprimet e prindërve të tyre, muaj më parë, po thuaj se për çdo ditë, ata sulmonin të parët, duke shpresue, se rininë shqiptare, do ta gjejnë të papregaditur, por u shkonte huq, sepse këta, shumë shpejt alarmoheshin dhe organizonin kundërsulmin,  kur arrinte t’u bashkohej edhe ndonjë grup, nga lagjet tjera, jo vetëm që i rrahnin, por edhe i ndjeknin deri në shtëpitë e tyre në lagjën e Varoshit.

Tani ata serbë që në mbarim të dyzetekatërtës dhe fillim të dyzetepestës këndonin këngë çetnike, nëpër rrugë e lagje të shqiptarëve, e që ndërhyjshin nëpër shtëpia dhe i mbështetnin pleqtë për mur. Nuk kishin guxim as me dalë në rrugë, e lene me i dalë rinisë përpara

 

                                                                 VII

 

Tani jemi në vitin 1946 shumica e brigadave që ishin nisë nga Kosova, kinse për ta ndjekur ushtrinë Gjermane, tani ishin kthye nëpër Kosovë, disa të përgjysmuara, nga vrasjet e qëllimshme, disa nga sëmundjet infektuese, si që ishte rasti me brigadat shqiptare, kur në Afërsi të Sarajevës i kishte pas kapë tifoja. Tani vendosja e institucioneve shtetërore ishin në formim e sipër. Në krye të institucioneve vendoseshin njerëz analfabetë, sipas rekomandimit të komitetit të partisë komuniste, i cili ishte kompletuar i pari. Komitetin e udhëheqnin kryesisht Serbët dhe aty këtu ndonjë shqiptar komunist, si që ishte Sinan Hasani, i cili ishte kthyer nga një kamp gjerman në Austri, si rob lufte dhe Ahmet Novoberdaliu, si korier i komitetit. Shumica dërrmuese e udhëheqësve, nuk dijshin as shkrimlexim, si p.sh. Tinko Shillova, Bllago Tatka, Abaz Ajeti (Bukoviku) etj., etj. Por që vranin e kfjellnin në Gjilan. Atëherë në Gjilan kishte fare pak intelektualë, qofshin Serbë apo Shqiptarë, edhe ata që ishin në pjesën shqiptare, ose ndodheshin nëpër male si udhëheqës të ndonjë grupi të armatosur, ose nuk i plotësonin kushtet për rekomandim nga Komiteti i PK-së, për shkaqe moralopolitike, kuptohet. Prandaj në vend të tyre punësoheshin analfabetët. Mbiemrat e atyre pak intelektualëve që punsoheshin, më së shpeshti ishin Popoviq dhe Hoxha. Njerëzt përshpëritëshin: Hoxhallarët neve na kanë thënë, se s’bën me i shkollue djemt, e aq më pak vajzat, se ecin kryeshruar, i lëshojnë floktë e jesin pa iman, e ata të vetët i paskan shkollue, tash ju ka ra shiu në kallamoq (misër).

Komiteti, kishte marrë si detyrë parësore, zgjërimin e rrjetit të antarëve të partisë komuniste, sidomos nëpër fshatra malore, qëndrimi ishte: nëse vetëm një shtëpi eshtë në ato male, aty duhet nxjerr një anëtar partie, i cili do të informonte Komitetin, për çdo gjë, e sidomos për lëvizjet e të arratisurve politikë, antarëve të Ballit Kombtar dhe LpLTSH –së, komandant i të cilëve ishte i madhi Hysen Tërpeza. Përmes komitetit do të informohej OZNA famkeqe, e cila do t’u vëhej në ndjekje. Malet ishin të stërmbushura, me të arratisur të të gjitha llojeve; kishte edhe aso që kishin bërë ndonjë krim, duke vrarë ndonjë fqinjë të vetin, por kishte edhe për krime të vogla, por që nuk kishin pasur guxim te rrininë te shtëpitë e veta, por ju kishin mveshur malit, dhe tani trajtoheshin si ballistë, të cilën etiketë jua kishte vue pushteti të gjithë të arratisurve, kështu që kur vritej ndonjëri ose arrestohej, thoshin e kemë vrarë një ballist.

Në këtë vit pushteti administrativ dhe ai legjislativ, fushveprimin e vet e shtrinte vetëm në qytet dhe fshatrat përreth, sepse në fshatrat malore ishin të arratisurit, në formacione të mëdhaa. Për të mund me rrethue ndonjë fshat ose shtëpi në viset malore, OZNA e futi në funkcion një strategji të re, kjo ishte formimi i milicisë vullnetare, e cila përmbahej kryesisht nga fshatarët shqiptarë, të cilët nuk kishin çarë shumë kokën, se kush do ta sundojë Kosovën, por mundoheshinë me mish e me shpirt, që sa ma shumë t’i hynë në hatër okupatorit, për të nxjerrë ndonjë beneficion. Kam pas rast t’i takoj disa të tillë që atëherë kishin qenë shumë të vrazhdë ndaj familjeve fshatare shqiptare, me rastin e rrethimit dhe kontrollit. Një rast ka qenë në fshatin Vërbicë të Zhegovcit; në lagjen e Hashanëve, kur një hallë plakë i dretohet gabimisht një serbi, duke i thënë:

-Në qofsh turk bre bir, thuaj atij shkau mos të na bën zullum kaq shumë, se na i tmerroi fëmijtë, se qe besa burrat janë në mal e jo në shtëpi.

Serbi ia kthen:

-Oj hallë, unë jam shka, po ai që po bën zullum është shqiptar, unë e kom emnin Radë, kurse ai Shemë.

Si për çudi po atë ditë ndeshen me kaçakë dhe Rada vritet në vend, kurse Shemës, i a kishte këput këmbën plumbi dhe ashtu zhag kishte pas shkue te Rada pas një lluge, ku pasi ka pushue pushka, i kishin pas gjetë njërin të vdekur tjetri i alivanosur kokë më kokë. Shema ka jetuar gjatë me këmbë të drunjtë. Një trjetër e kam pas takue në fshatin Pograxhë të Gjilanit, gjithashtu me këmbë të këputur, me ç’rast na pati ndërhy në bisedë, duke thënë:

-Shtatë Shqiptarë i jap për një Sërb! Kur e pyeta:

-Po pse ashtu?- më tha:

-Shihe çka m’i kanë bërë këmbës Ballistët.

Dikush prej neshë i tha:

-Çka ke lyp me i ndjekë!?

Këta të shkretë, e që nuk ishte i vogël numri i tyre, nuk ishin të vetëdijshëm, se ishin vetëm materjal harxhues dhe mish i pa dhimbshëm për OZN-ën dhe sistemin okupator. Të vetmin beneficion kishin, nëse mbeteshin gjallë e sakatë, duke u vrarë me vllëziërit e vet të gjakut, do të mernin një pension invalidor, si invalidë të luftës dhe për brenda kombit, si antikombtarë, me të cilët, pa qenë nevojtar i madhë, nuk miqësohej kush.

                                    

                                                            VIII

          

Erdhi fundviti I l946, me skame të skajshme për shqiptartë në përgjithësi, edhe ata që më parë konsideroheshin si të kamur, bile disa prej tyre quheshin agallarë, tani, meqë pushteti jua fshinte edhe miellin e fundit nga magjja, vuanin për bukë të gojes. Familja jonë gjithashtu, Jakupi që tani i kishte mbushur katërmbdhjetë vjet, çdo dy ditë, bredhte nga mulliri në mulli, nga më të afërmët e deri në më të largët, për të mundur me i blerë dy apo tre kilogram miell, qoftë të misrit apo të grunjët. Shpeshherë duke e zërë gjumi para mullinjëve në tokë të lagët dhe duke i mërdhirë vesa e mëgjesit, sepse ishte e ndaluar që mullisit të shesin miell, prandaj duhej sigurue të mos ketë lëvizje të njerëzve që mund të lajëronin pushtetin, për çka do të pësonte mullisi. Ndodhte që edhe me nga dy ditë ngelenim pa ngrënë! Më kujtohet një ditë e tillë: Jakupi për tri ditë nuk u kthye në shtëpi, unë dhe Shahdija meqë ishim të vegjël dhe nuk kishim ngrënë njëzetekatër orë e më tepër, qanim sa mundnim në oborr të shtëpisë, të ulur në tokë! Në nji çast, mbi mur u paraqit Vuka e gazda Miles, e pyeti nënën:

-Çka kanë fëmijtë si po qajnë?

Nëna i tregoi se për bukë e kanë, se Jakupi ende nuk është kthyer. Vuka u largue nga muri për t’u kthyer me disa rriska buke të grunjtë në dorë, kur ia pashë bukën në dorë ashtu mbi murë, m’u duk se buka e kishte një bardhësi shlëqyese, sa që edhe tani pas gjashtëdhjetë viteve më rri para syshë, sikur nuk kisha parë gjë më të bardhë në jetë.

Pasi u errësue, Jakupi arriti në shtëpi, ia kishte dalë me i blerë nja gjashtë kilogramë miell misri. U gëzuam shumë, Nëna doli në oborr dhe me nguti e mblodhi një sasi bari të quajtur lobod, të cilin e grini imë, dhe filloi me gatue një laknur, njëkohësisht e ndezi edhe zjarrin në oxhak, qullin e gatuar e shtrini në tepsi, në formë të një pete të trashë, mbi atë petë, shtriu lobodin nja një cm., mbi bar, hidhte trosha të brumit të mbetur, aq sa me mbulur barin lobod, pasi e poq, nëna, filluam me ngrënë vetëm pjesën e sipërme dhe gjelbrimin, sepse peta e fundme, duhej ruajtur për të gatuar një tjetër lakror mbi të. Kështu bënin gjitha familjet në Kosovë, diferenca ishte se gjithkund nuk kishte lobod, në Gjilan, në lagjen e magjupve rritej vetëm bari i quajtur Shtir, prandaj ishin të detyruar të gatuani me të, i cili u shkaktonte vdekje në numër të konsideruar. Kurse në fshatra të anamoravës, në Pozharan etj., gatuanin me tërfojë Llucerkë. Më vonë kam kuptuar, se Llucerka qenka një bimë, shumë e dobishme për organizëm dhe se në Kinë përdoret për ushqim të njerëzve, ndërsa ne kishim frikë se mos po na plasë, ashtu si ju ndudhte lopëve. 

Në vjeshtën e vonë, Nebiu që i kishte mbushur tetmbdjetë vite, u  punësua në një kooperativë bujqësore, për të bërë roje gjatë natës, në një arë të mbjellur me patate e lakra. Netët bënin të ftofta kur i lodhte gjumi, flinin me radhë me një shok të punësuar gjithashtu. Flinin në bari të lagur nga vesa e natës, kur vinte te shtëpia, mezi e merrte veten nga infllamacioni, i cili më vonë ju shëndrrue në tuberkulozë. Pa e ditur se është i smurë nga tuberkulozi, ju paraqit mundësia për ta regjistrue shkollën e mesme, e vetmja shkollë e mesme në Kosovë, ishte normalja në Gjakovë. Vitin e parë e regjistruan edhe disa shokë të Nebiut, si që ishin, Ekrem Gjinolli, Isa Gashi dhe  Rashit Gashi. Pas kryrjes së vitit të dytë, Nebiut ju përkeqësue gjendja shëndetsore, u detyru me e ndërpre shkollimin, duke vazhduar me mjekime spital pas spitali, derisa në tetor të vitit dyzetenëntë, kur tuberkulozi ia ndërpreu jetën, në moshën njizetenjëvjeçare.

Babë Asllani ishte furrtar profesionist, para okupimit Serbosllav kishte furrë të vetën bashkë me Axhën Shaqë, të atin e shkrimtarit të njohur Musa Ramadani. Tani pas okupimit baba nuk mund të punësohet askund, sepse furrat e bukës ishin pronë shoqërore, gjenin preteks se baba eshtë i vjetër në moshë etj. Për të mund të me mbijetue, baba qe detyrua, që në vitin dyzetetetë, me shitë shtëpinë. U shpërngulëm në një shtëpi të pa zot, por që ishte e madhe dhe aty banonim tri familje. Një vit pas vdekjes së Abejës (Nebiut) unë dhe Shahdija u sëmurëm rëndë nga kolli i keq, pas tre muaj dergje në shtrat, pa barna të nevojshme, vdiq edhe Shahdija. Në familje mbetëm katër antarë: Baba Asllan, Nëna Zymryte, Jakupi dhe unë. Motra e vjetër, Mevludja, u martue për një mësues të ardhur nga Luma e Shqipërisë, sepse më parë, dy fëmijtë e saj, Basriun dhe Rifadijen, i kishte marrë në përkujdesje, xhaxhai i tyre në fshatin Pasjak të Gjilanit.

Vllai im i dytë, Jakupi, në vitin dyzetetetë, me qenë se tani e kishte kryer gjimnazin e ultë (semi maturën), si i thoshin atëher, shkollës fillore shtatë klasëshe, u punësue si mësues në fshatin Uglar të Gjilanit, duke e zavendsue mësuesin Mustafë të cilin e kishin transferu në fshatin Remnik të Vitisë, e që në vitin pesdhjetenjë e vrau udba së bashku me Hasan Alinë (Remniku), Agushin dhe dy nuse të reja, të gjithë antarë të dalluar të organizatës ilegale me emrin Organizata nacional demokrate shqiptare, shkurt ONDSH.

Viti l948 për familjen tonë nuk ishte fare më i lehtë se vitet paraprake, por për popullatën në përgjithësi kishte një lehtësim të vogël ekonomik, sepse pushteti jepte ngapak bona dhe pika (taçkica), me të cilat mund të blehej ngapak bukë dhe tekstil për veshëmbathje. Axha Shaqë, i cili më parë ia kishte lënë babës tonë furren dhe vetë kishte kaluar në biznes, duke e hapur një dugojë tekstili, në periudhën para okupimit serbosllav. Tani, tregtarët konsideroheshin si armiq të sistemit, kështuqë axha u detyru me e shpërndar mallin nëpër shokë që i kishte nëpër fshatra, dhe vetë me familje, qe shpërngulur në Prizeren, me qëllim që sadopak me i humbë gjurmët. Shpejt UDB-a i ra në gjurmë dhe pas shumë torturave, që ia bënin jo vetëm për që kishte qenë tregtar, por edhe se në vitet e më hershme kishte qenë logjistika kryesore Beslidhjes Shqiptare të Prizerenit për anamoravë, i njohur me emrin Shaqë Gjakova. Pas shumë marrjeve në pytje dhe torturimeve nga më të ndryshmet, papritmas vdiq në vitin l949. tani shoqja e axhës Shaqë, Ingjja Symë, mbeti me dy jetima të mitur: Hilmijen e Musanë. Babai u detyrue me i marrë në përkujdesje disa vite derisa Hilmija e kreu gjimnazin e ultë dhe u punësu mësuse në fshat. Pas punësimit, Hilmija u martue për Nexhip Bejtën, atëherë Mësues e më vonë kryeredaktor i Rilindjes. Dolën në një shtëpi me qira, tani në Gjilan dhe kështu u krijuan sadopak kushte për shkollimin e Musasë.

Në gjithë vitet e pas luftës tragjeditë dhe dhëmbjet sikur nuk kishin të ndalur për familjen tonë. Motra Mevlude që ishte martuar për mësuesin Basri Noka, i ardhur nga Luma e Shqipërisë, dhe i vendosur në detyrë mësuesi në fshatin Pozharan, pas një viti martese mbeti shtatëzanë, gjatë shtatëzanisë ju shfaq sëmundja e tuberkulozit, ashtu e sëmurë kishte kërku të më shihte mue. Ishte ditë vere, nëna e dhëndrit, si e quanim Krushkë, e cila ishte në moshë, më mori mue dhe pasi e blemë një gastare me bozë, se për tjera gjëra nuk kishim kushte, u nisëm këmbë për Pozharan, Pozharani është larg nga Gjilani pesmbdhjetë km. Pas nja katër orë udhëtimi, të mundimshëm për mua, sepse isha vetëm nëntë vjeçar, aritëm disi te motra Mevlude. Aty në dhomën e motrës e gjetëm një vajzë të moshës rreth të njëzetave, ishte ulur në shtrojë e mbështetur për mur diçka punonte me gjilpërë dhe vetëm qante pa ndërprerë, lotët ia bënin qull bezin që e kishte ndër duarë. Vajza ishte e zhvilluar mirë, edhepse ishte e ulur, vërehej se ishte shtatëgjatë dhe me cepa të krahëve të gjërë dhe të drejtë, e jo të varur, mbi të cilët kishte hedhur dy bishtaleca të flokëve. të trashë dhe ngjyre të zezë, që i bieshin deri në prehër, ngjyrën e syve s’mund t’ia shihja, sepse i kishte të mbushur me lotë dhe e mbante kokën të kërrusur, megjithatë, munda të konstatoj se ishte një vashë shumë e bukur, gjë që nuk përkiste edhe me fatin e saj. E pyeta motrën:

-Vallë, pse qanë kaq shumë kjo vashë? Motra më tha se e ka të fejuarin të aratisur dhe tani po e kërkon të bëhet nuse në male. Pa ngurrim i thashë motrës:

-Po nëse nuk dëshiron, të mos shkojë? Motra me seriozitet ma ktheu:

-Nuk e ka çare, sepse burri i saj është me Hasan Remnikun, edhepse nuk kisha ndonjë pasqyrim se çfarë paraqet, dhe çfarë mund të jetë Hasan Remniku, megjithatë, heshta. Por pas nja një ore i pashë dy burra të rinjë në oborr duke shkue kah dyert e oborit, ishin të gjatë dhe të zhvilluar, nga pas dukeshin si të ishin binjakë, veshmbathjen e kishin kombtare, me tirq të galëm me shoka, jelekë dhe plisa të bardhë, ashtu si e kisha parë në portrete heroin kombtar Isa Boletinin. E pyeta motren:

-Kush janë këta dy vetë? Motra mu përgjigj:

-Janë vllëzërit e kësaj vajze. Prapë unë:

-Abuqe, po kjo i paska vllëzërit mjaft të mëdhenjë, pse ata nuk e ndalin? Kësaj radhe Mevludja vetëm buzqeshi dhe më tha:

-Ti nuk e di kush është Hasan Alija. Dhe me kaq e mbyllëm bisedën rreth kësaj vashe. Më vonë, pasi e kishte kryer mësimin, erdhi edhe dhëndri, u gëzue fort kur na pa, bisedonim nga më të ndryshmet, dhe për smundjen e motres, e cila ia kishte dëmtue bukurinë, duke ia shterue trupin në masë të madhe. Fjetëm atë natë, dhe të nesërmën pasi ngrënëm drekë, u nisëm në rrugë për Gjilan, për të mos e parë më për së gjalli, pas dy muaj na erdhi lajmi se motra i kishte lindur dy djem binjakë, baba dhe nëna shkuan për t’ia uruar. Pas dy jave na erdhi lajmi i keq se njëni djalë i kishte vdekur, një javë pas vdiq edhe motra Mevlude, pas dhjetë dite i vdiq edhe tjetri djalë, që te tre u varrosën në varezat e fshatit Pozharan. Në varrimin e motres mora pjesë edhe unë. Pas varrimit u kthyem në banesën e dhënrit për ta ngushëllue, më ka mbetur në kujtesë një fjalë e dhëndrit, në mesin e shumë kërkesave për të vazhduar miqësinë, edhepse motrën nuk e kishm më aty, na tha të mos ia bëjmë si thonë disa njerëz “cofi dhija u prish miqësija”. Kjo alegori nuk i përkiste një intelektuali si që ishte dhëndri ynë, por në situata kur njeriut i bien kaq shumë mërzija, për një afat të shkurtër, tolerohet, prandaj edhe ne e toleruam, por miqësinë nuk e vazhduam, sepse pas nja një viti dhëndri u martue me një tjetër grua nga Ferizaj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx