Speciale
Mejdi Asllani: Nga skëterra përmes luftës në krenari (I)
E diele, 25.07.2010, 09:59 PM
NGA SKËTERRA PËRMES LUFTËS NË KRENARI
Nga Mejdi Asllani
I
Ishte pranvera viti l945. Dita ishte me diell, unë dhe motra ime Shahdija, që ende nuk i kishte mbushur tri vjet jete, në këtë botë të trazuar, ishim duke lozur në obor, para shtëpisë. Lojën e ndërpremë, kur pamë se në oborr u futën afro dhjetë persona të armatosur. Disa me automatikë të tjerët me pushkë të gjata. Baba, që në atë moment paska qenë duke pirë një kafe thekne, në dhomën në kat të shtëpisë, me të ndie zhurmën dhe piskamën, e njerëzve të huaj në oborr, në një gjuhë që atëherë, për ne ishte e pa kuptueshme, por që më vonë u detyruam ta mësojmë; me nxitim zbriti shkallëve, për të parë e pyetur, se çfarë po ndodhte. Kjo e dyta nuk i shkoi për dore, sepse me të zbritur në fund të shkallëve, të cilat nga një divan i vogël, zbritnin në obor para shtëpisë. Ata persona të huaj, ia mbështetën disa pushkë në gjoks. Duke e shtyer e mbështetën për mur, para
shtëpisë. Disa prej tyre hynë në dhomat përdhese dhe disa tjerë u ngjitën shkallëve, me pushkë në gadishmëri. Duke bërtitur si bisha, e deturuan tërë familjen të zbresin dhe grumbullohen në oborr. Unë e mbaja për dorë motrën e vogël. Baba qëndronte i mbështetur për mur, me tyta të pushkëve në gjoks, i zbehur në fytyrë, mustakët e thinjura i ishin varur. Në atë kohë baba ynë ishte rreth gjashtëdhjet vjeçar, dukej sikur donte të pyeste diçka, por ata nuk i jepnin astin, në çdo moment pritej të plasnin pushkët, motra vogël, duke parë se diçka nuk është normale, m’u shkëput nga dora dhe me nxitim deshti me i u afrue Babës. Njëri prej të huajve e shtyri me tytë të pushkës ca fort, kështu që ajo u përplas për tokë, duke e lënduar kokën; motra qante. Nëna e mori pranë vete, kurse unë sikur rashë në njëfarë transi, u mpina i tëri, shikimin nuk mundja me largue nga këta “njerzë”, po i fusë në thojza sepse nuk i shihsha si njerëz, por si diçka ndërmjet njerëzve dhe ujqërve, për të cilët kisha dëgjue shumë herë, duke bisedue burrat, se si i sulmojnë delet dhe qengjat. Zhgënjimi në këta të huaj ishte tejet i madh edhe nga fakti se ne, familja jonë ishim një familje qytetare, nga ato të paktat që nuk kishin armiq, askush nuk na kishte inat. Babi ishte nji burrë i butë, fliste pak, kurrë nuk kishte fyer njeri, edhe kur kishte ndonjë nervozë apo mërzi, mund ta kuptonim vetëm nëse fishkëllonte, ndonjë melodi me zë të ulët, atëherë nëna na thoshte se babi ka mërzi. Prandaj, të gjithë mendonim, pse vallë të vehet para pushkëve një njeri i tillë. Më kujtohet se flisja vetëmevete: kur të rritëm do t’i vras të gjithë, thosha kur të rritëm do t’i vras të gjithë, vetëm këtë e përsëritsha, sepse asgjë tjetër nuk më vinte në mend, meqë isha i vogël, sapo i kisha mbushur pesë vite. Njeni nga ata që hynë në dhomat përdhese, doli dhe na e drejtoi pushkën, nëna më tërhoqi edhe mue në grup, tani që të gjithë ishim para pushke.
Me ne ishte edhe motra madhe, Mevludja, me dy fëmijët e vegjël, motra rrinte te ne, sepse asaj ia kishin vrarë burin në dhjetor të dyzetekatrës. Pa bërë gjë, vetëm se e kanë parë në qytet duke ecur. Pos këtij, si na e kish drejtue tytën e pushkës, të tjertë u ngjitën në dhomat e sipërme. Pasi kishin përmbysur çdo gjë nëpër dhoma, zbritën poshtë dhe filluan ta hulumtojnë Babën nëpër xhepa të rrobave, që i kishte veshur. Pasi nuk gjetën gjë, pos një orë xhepi me kapakë dhe me qystekë (zinxhir), me gjasë e markës sergisuf, e cila në asnjë mënyrë nuk i përngjante bombës, edhepse e dinin mirë që është vetëm një orë brezi; gjetën preteks për t’u egërsue edhe më tepër, duke i thëne Babës, se kjo është një bombë. Ti ke dashtë të na vrasësh neve! Baba u mundohej me jua shpjegu, se është vetem një orë brezi, hapeni dhe do ta shihni, por më kot. Të gjithëve na kishte hyrë trishtimi, vetëm pritnim kur të pëlcasin pushkët dhe ta vrasin babën, ashtu si kishin bërë në dhjetor të vitit l944, kur qenë vrarë e masakruar, gjysma e burave të qytetit, të gjithë civilë të pa fajshëm. Nuk më kujtohet se çka i detyroi të tërhiqen, por më kujtohet se u tubuan, si ujqit e pangopur në llavë dhe dolën nga dyert e oborrit, orën ia mori babës njëri prej tyre, pas shumë vitesh, Jakupi ia kishte parë orën në brez një serbi dhe e kishte njoft nga qysteku, kur i thotë, se kjo eshtë ora e babës tim, serbi iu kishte pas kërcnue me vdekje. Duke i thënë: largohu se po ta pres kokën.
Kur hyrëm nëper dhoma, pamë se kishin përmbysur çdo gjë dhe shtroja e dhomës ishte mbushur me penj te leshtë, i kishin shpalos të gjithë lëmshat e penjve, që i kishte tjerrë nëna, për të na thurë çorape apo ndonjë xhemper. Nëna tha: këta paskan kërkue pare, kanë mendue se mos e kena mshehë ndonjë monedhë ari nëper lëmsha. Vllau im, Jakupi, i cili ishte trembëdhjet vjeçar, e pyeti babën:
Babë, a ishin këta partizanë?
Partizanë e çetnikë, pasha babën, se Titoja i ka amnestue çetnikët e Drazha Mihajloviqit, e tash këta janë përzie. Mozomakeq për neve. Shyqyr zotit që nuk ndodhi Nebija në shtëpi, se sigurisht do ta kishin vrarë.
Vllau ynë i vjetri, atëherë i kishte gjashtëmdhjet vjet, por i zhvilluar si drague dhe nuk i përfillte fare okupatorët. Për fatin tonë, Nebija, po atë ditë si dhe shumë hera tjera, kishte shkuar nëpër fshatra, duke bredhur mulli më mulli, për të blerë ndonjë kilogram miell, sepse ishte vit i skamjes dhe urisë së madhe. Me qenë se okupatori Jugosllav, kishte marrë miellin dhe drithin për ta ushqyer ushtrinë, pa çarë kokën për hallin e popullatës civile. Kjo nuk kishte të bënte edhe me familjet serbe. Sepse ata ishin të privilegjuar.
II
Një pikë shprese lindi në zemrat e familjeve shqiptare, në mëngjes të njizetetre dhjetor të vitit l944. Flitej se kanë hyrë trupat e Mulla Idrizit e Shyt Marecit në qytet dhe se këta, do të na çlirojnë nga rrobërimi Serbosllav. Ka pasur shumë dëborë, trashësija e së cilës arrinte deri mbi gjunj. Thoshin se kjo është në favor të luftëtarëve Shqiptarë, sepse nuk mund t’u vie dikush në ndihmë Serbëve. Edhepse neve fëmijëve e grave, na kishin mbyllur në bodrum të shtëpisë, për të na mbrojtur nga predhat, që vinin nga gjitha anët dhe qëllonin kulmet e shtëpive. Gjatë gjithë ditës ndiheshin krismat e pushkëve dhe mitralozëve. Shtëpia jonë ishte skaj rrugës kryesore te qytetit, pikërishtë ku edhe filloi lufta mes trupave Çlirimtare të Mulla Idrizit dhe rrobrusve, që më parë kishin okupue qytetin.
Në mbramje na arriti lajmi i zi, na thanë se janë thyer forcat shqipëtare të Mulla Idrizit, nga se forcave okupatore u kishte ardhë në ndihmë brigada shqiptaro-maqedonase e komanduar nga Shaban Haxhija. Me t’u errësuar, filluan përsëri krismat e pushkëve dhe automatikut, të cilat nuk ndaluan deri në ag të mëngjesit. Tani nuk kishte luftë, por pushkatime dhe masakrime të civilëve shqiptarë, duke i nxjerrë nga shtëpitë e veta, me preteks se kinse po i ftuekan në Ozne*, për të dhënë një deklaratë. Po sa i nxjerrnin nga oborri i shtëpisë, i mbështetnin për mur dhe i pushkatonin. Gjatë natës i bartnin kufomat dhe i vendosnin, nëpër rrugica të ngushta të qytetit, në vendet e ngarjeve mbeteshin vetëm njolla gjaku. Kështu që sado pak ta maskonin, veprën më makabër kundër njerëzimit, të atij shekulli. Atëherë flitëj se janë pushkatuar 4.200 civilë të Gjilanit, për vetëm një ditë e një natë të kobshme, për të qenë më bindëse shifrat e dhënë, i referohemi të dhënave statistikore në librin e zotri Shaban Brahës –(Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa Shqiptare 1844-1990 faqja 440-444), ku shumica e viktimave, përshkruhen me emër e mbiemër e që numri i tyre është rreth- 8.000- duke i përfshirë edhe fshatrat e rrethit të Gjilanit.
Të nesërmën me 24 dhjetor të l944, na erdhi lajmi se, në mëngjes e paskan vrarë plakun Hafëz Aliun, i shkreti duke shkuar me falë namazin në Xhami, të gjithëve ju dhimbs pa masë, përshpëritshin bura e gra që e kishin njoftë, pse e paskan vra? Po ai ishte nji plak i lodhur me moshë mbi shtatdhjetë vjeçar dhe me mjekër të bardhë.
Disa orë më vonë e kuptuam, se e paskan vrarë edhe Rexhepin, dhëndrrin tonë, burrin e motrës vjetër, Mevludes. Në pikë të ditës dhe në mes të qytetit, po pse atë? Rexhepi ishte vetëm një bari, që i kulloste dhent e qytetarëve me rrogë, bile thoshin, se një kohë i ka kullotur edhe dhent e serbëve të varroshit. Nuk i kishte bërë keq njeriut të gjallë, meqë ishte skamnor, i ruante dhent e qytetarëve, për të siguruar kafshatën e bukës për familje.
Gjatë ditës, së 24 dhjetorit, vrasësit kishin groposur vareza masive; një në parkun e qytetit, tani pranë restorantit të Shoqatës së Gjuetarve. Një tjetër varrezë në vendin e quajtur atëherë Crephane (Gazane), matanë urës së lumit Stanishorka, kurse një tjetër në rrënjë të kodres Gllama, sipërfaqja e këtyre varezave masive, ishte mbi njëzet ari për secilën. Gjatë natës, i kishin bartë kufomat me qerre e mjete tjera dhe i kishin hudhur në këto gropa, pasi i kishin mbuluar, dheun mbi ta e kishin shkelur me makina të rënda, të cilat i kishin marrë nga gjermanët, pas kapitullimit. Varreza masive te parku i qytetit, pas trretjes së kufomave, gjithë sipërfaqja sharroj për afro pesëdhjetë cm., dhe kështu edhe më se dhjetë vite më pas, shërbente si memorial natyror, i cili thëriste për të bërë diçka, për gjakun dhe jetrat e tyre të pafajshëmve dhe për të mos e harruar veprën makabre, kundër njerëzimit. Të cilën, në mungesë të informimit në ato kohëra, pos Rrusisë, aleanca perendimore dhe bota demokratike, as që ka pas dëgjue, Kurse varreza masive pranë lumit në Gazane (cigllana), në të dalur nga qyteti, rruga për Bujanoc. Lumi duke ndërruar shtratin, të cilin askush nuk e pengonte, vite për vite, nga pak, nxjerte dhe i merte me vete eshtrat e njerëzve, deri në çrrënjosjen definitive të tyre.
III
Rrëfimi i Jakupit
Qyteti ishte i vdekur, më tepër i përngjante një qyteti të fantazmave, nga dritaret e dhomave me perde të lëshuara, shikonim si endeshin nëpër rrugë vetëm njerëz të armatosur, këndonin këngë çetnike, për shembull (ide zima do?e leta- nema više tungatjeta, etj.), që në përkthim do të thotë -shkoi dimri po vie vera/ nuk ka më tungjatjeta. Me sy të skuqur, të etur për t’ia pirë gjakun ndonjë shqiptari, që mund ta takonin në rrugë. bredhnin në grupe si ujqit e uritur, në kërkim të gjahut, sepse në qytet nuk kishte mbetur më kush, për t’ua ndalë hovin.
Para drekja e 24 dhjetorit l944. Familja jonë ishte në hall të madhë, sepse na kishte mbetur motra, në pamëshirën hordhive serbe, tani pa burrë vetëm me një foshnjë dhe një çun 3-vjeçar. Nuk më kujtohet kush i kishte thënë vllait Jakupit, me shkue disi dhe me marrë motren, e me prue në shtëpinë tonë, sepse ajo e kishte shtëpinë në lagjen e Balecit, sipër kësaj lagje ishte varoshi famkeq, çerdhe e çetnikëve serbë. Jeta dhe morali i motrës ishte i rezikuar së tepërmi, po ta linim atje, me vetëm ata dy fëmijë.
Kështu rrëfen Jakupi për atë ditë të kobshme: isha një fëmijë 12-vjeçar, ma mori mendja se nuk mund të më vrasin, nëse përvidhem rrugëve të ngushta të qytetit, të cilat i kisha mësuar mirë si fëmijë, e mora edhe një moshatar timin nga lagjja dhe u nisëm me shkue e me marrë Abën, si e quanim atëherë motren Mevlude. Kur aritëm te mulliri, pranë urës së Maskatarit mbi Dobrushë, pamë se e paskan vrarë mullisin plak, te dera e mullirit, vazhduam rrugën. Rrugës ngushtë që atëherë i thoshim “dar sokak” e cila i lidhë dy rrugët kryesore të qytetit, tani ambullancën me postën e qytetit. Edhe tani kur më kujtohet rrëqethem, sepse nuk kishim ku të shkelnim në tokë, pos mbi kufoma të njerëzve. Shoku që ishte me mua, nuk mundi ta përballojë këtë trishtim dhe u kthye për në shtëpi. Mua, brenga e madhe për fatin e motrës, më obligonte përtej mase. Prandaj vazhdova rrugën vetm, më mbyste kurreshtja për të parë, nëse do të njihja ndonjë njëri, por nuk kisha guxim t’i shikoja, sepse shumica prej tyre ishin qëlluar në kokë. Ishin shumë të përgjakur, kishte edhe të prerë në fyt, prandaj vendosa të mos i shikoja më, sepse mund të alivanosesha. Kur dola nga kjo rugicë, m’u duk sikur të kisha dalë nga ferri, me nguti e kalova rrugën e gjerë dhe përsëri u futa në një rrugicë të ngushtë pranë shtepisë të Ilaz Begut, pastaj nëpër oborre e “kapixhikë” dyer të ngushta, arrita te motra. Kur më pa, motra, e kapi kokën me dyja duart dhe më pyeti:
-Si ke ardhë ore vëlla nëpër këtë zjarr?. A keni dëgjue se Rexhepin e kanë vrarë?
-Po kemë dëgjua... bëhu gati se kam ardhë me të marrë, për te shtëpija jonë.
Me të shpejtë motra e veshi çarçafin, u nisëm me vrap. Unë mbaja për dore Basriun 3- vjeçar, kurse motra Rifadijen- foshnjë e bartte në grykë. Kësaj radhe nuk i ramë më kah “darsokaku” i mallkuar, por kryesisht shtëpi më shtëpi, sepse motra i njihte më mirë ato mundësi dhe arritëm disi në shtëpi. Ky rrëfim është përsëritur me qindra herë në familjen tonë, deri sa unë isha fëmijë.
Kjo strategji gjenocidiale ka vazhduar edhe pas kësaj date, nëpër fhatra të rrethinës, por jo edhe në qytet. Deri në ardhjen e trupave partizane nga Shqiprija me Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë në krye, të cilët ndërhynë dhe e ndalën vrasjen e civilëve të pafajshëm dhe djegiet e shtëpive të shqiptarëve. Rolin më të madhë në ndalimin e gjenocidit, e luante Brigada partizane Shqiptere, e komanduer nga Kom. Hysni Kapo dhe Komesat Haxhi Lleshi, duke qarkulluar, nëpër fshatra të Llapit, Gollakut e Karadakut, gjithëandej nëpër Kosovë për ku merrninë lajmet se Serboçetnikët bëninjë masakra. Ndërhyrëja e kësaj brigade i ndalonte ato, së paku përkohësisht.
IV
Shtëpia jonë ishte pranë rrugës kryesore te qytetit, rruga që lidhë Ferizajn me Bujanovcin përmes qytetit. Në anën lindore kishim fqiun axhën Raif Ibrahimi, babën e dëshmorit Muharem Ibrahimi (majori), i cili në ofanzivën e fundit të prillit 1999, ra heroikisht në krye të detyrës si oficer i UÇK-së, ZOK-ut. Në anën jugore e kishim një familje sërbe, e quanim gazda Mile, me profesion ishte plafapunues, prandaj i thoshin Mile mutafxhija. Kjo familje nuk ishte si ato të Varoshit famkeq, një djalë e kishte oficer partizan, kishte luftue diku në Sërbi kundër Gjermanëve, apo dikujt tjetër, por pas përfundimit të luftës, kishte marrë transver dhe kishte ardhë në Gjilan. Kishin edhe një vajzë të rritur me emrin Vukica dhe një djalë tjetër me emrin Boro. Në anën perendimore, ishte një hapsirë sa një fushë tenisi, ndërmjet shtëpisë tonë dhe banjos publike, atëherë i thoshim hamami. Nuk më kujtohet data e saktë, por viti ishte l945. Nga një kapixhik* që kishim me axhën Raif, erdhi ingjëja Xhemile, gruja e axhës Raif, e trishtuar pa masë, na tha se e kanë lidhë shkiet, axhën Ramadan Karaçevën, për një dardhë dhe po donë ta pushkatojnë. Me Ramadan Karaçevën, kishim ndërmjet shtëpinë e axhës Raif, me të marrë vesh, Nëna vrapoi te muri i oborrit, aty ku ishte më i ulët, dhe thëriste Vuko, Vuko, disa herë, derisa ajo doli dhe pyeti çfarë ka, teta Zymkë. Nana i tha, tregoju burave tuaj, se po donë me vra Axhën Ramadan. Për fat, oficeri që quhej Mita i gazda Milës, kishte qëllue në shtëpi dhe erdhi me vrap, nëpër oborr të shtëpisë tonë, nëpër kapixhikë, që atëherë kishte çdo shtëpi, arriti me kohë dhe e shpëtoi axhën Ramadan, duke i dëbuar vrasësit. Nga ky tmerr që përjetoi kjo familje, e humbi vullnetin për të vazhduar jetën këtu dhe pas një viti u shpërngulën për në Turqi.
Në vitet e okupimit fashist, për aq kohë sa kanë qenë ushtria Italjane në Gjilan; ushtarët italjanë, moralisht kishin qenë të shfrenur, por jo edhe për familjet shqiptare. Prandaj familjet serbe, që kishin vajza te rritura, në raste rreziku, i strehonin te fqinjët e vet Shqiptarë. Kështu ishte edhe rasti i vajzës me emrin Vukica, ajo më shumë rrinte te ne, se në shtëpi të vet. Shpeshherë e vishnin me rroba të grave shqiptare, edhe gjuhën shqipe e dinte mirë. Për këtë, familja e gazda Miles ishte mirënjohëse dhe në tri raste të pastajme e dëshmoi këtë.
Një ditë vere me diell, po të njejtit vit, unë dhe motra Shahdija ishim duke lozur në lendinë, para dyerve të oborrit, jo larg rrugës, kur papritmas, Shahdija dy vjeçare vrapoi dhe doli në rrugë, unë poashtu vrapova dhe e kapa, për ta nxjerrë nga rruga, ajo ra në gjunjë dhe ecte këmbaduar, tërhiqte kah mesi i rrugës, unë nuk kisha fuqi me e ndarë nga toka, sepse ishte e rëndë për mue. Jo larg u paraqit një kolonë kamionetash ushtarake. Nana e kishte parë nga kati, se ç’po ndodhte me ne, unë nuk e lija motrën vetëm, që të dy ishim në rrezik, kamioni sa vinte e afrohej. Nënën e kishte kapur paniku, bërtiste sa ç’mundtte, kishte ngelur peng në mes të traditës, që në atë kohë, gratë shqiptare nuk dilnin në rrugë pa ferexhe dhe dhembjes që i ndiente zemra e nënës për fëmijtë, gjë që mund të imagjinohet. Prandaj edhe sillej si e pakokë, duke shiquar herë fëmijtë në rrugë, e herë kolonën e automjeteve ushtarake, e cila sa vinte dhe afrohej, por kur nga dritarja e dhomës në kat, e pa Vukën që ka dalë nga dera e shtëpisë së saj, i thiri me zë të lartë: Vuka, nxito e shpëtomi fëmijët! Vuka arrijti me vrap dhe na kapi që të dyve ndërsqetull, dy hapa pa na hyp kamioni sipër, na tërhoqi nga rreziku, pas 100-200 metra, kamioni u ndal dhe vozitsi ushtarak ju falenderue vajzës, duke thënë se nuk ka pasur frerët në regull, në atë gjendje kishte qenë duke tërhequr edhe një kamion të lidhur me sajle, që e pamë edhe vetë.
V
Në çdo vend në botë ku ka dimra të ashpër e të gjatë, fëmija i gëzohen pranverës dhe verës, sepse dalin dhe lozin nëpër parqe e hapsira tjera jashtë shtëpisë. Por kjo nuk ndodhëte edhe në Kosovë në vitit l944-45 dhe 46. Pothuaj se edhe foshnjeve u kishte hyrë trishtimi në palcë, se me çfarë të keqe do të ballafaqoheshin prindërit e tyre sot, apo nesër. Represaljet e regjimit dhe të paramilitarëve civilë serbë, për çdo ditë binin mbi kokat e shqiptarëve, pa reshtur. Serbët, regjimin e Beogradit në krye me Titon, e konsideronin të vetin, gjë që në realitet edhe ishte ashtu, sepse serbët ishin kombi më i privilegjuar në Jugosllavinë e Titos, deri në vitin l965. Qasja në akademinë ushtarake, në milici*, intelegjenci ishinë dyert e hapura për këtë komunitet, që nuk ishte edhe për kombet dhe kombësitë tjera, sepse kishte kritere të rrepta, nëpër të cilat duhet të kalonin individët e kombeve dhe kombsive joserbe, nëse ndokush kishte dëshirë për t’u inkuardar, në këto struktura. Këtë privilegj të shprehur nga Titoja, serbët ditën edhe ta shfrytëzojnë, kështuqë për një afat të shkurtër, e mbushën Jugosllavinë: me oficerë ushtarakë, milicë, oficerë milicije dhe oficerë të OZN-ës, e cila më vonë mori emrin e ri UDBA famkeqe. Si hierarkija ushtarake që komandohej nga gjeneralë serbë ose malazezë, ashtu edhe UDB-a komandohej nga serbi Aleksandar Rankoviq, i cili e kishte komplet sigurimin e shtetit Jugosllav, nën konrollë, sepse gjithandej i kishte njerëzit e vet, të kombësisë serbe. Ky privilegj i tepruar i dhënë nga vetë Titoja, në dëm të kombeve tjera, për pak sa s’i kushtoi me kokë, vetë Titos në vitin l965. Kur Rankoviqi me UDB-ën, ia përgaditën grackën për grushtshtet, me ç’rast do ta psonte si Çaushesku më vonë. Falë shërbimeve perendimore, të cilat e iformuan me kohë, shpëtoi asaj radhe, kurse më vonë ishte më i kujdesshëm.
Megjithatë, meqë ishte ditë e nxehtë qershori, të vitit l945, dola para dyerve të oborrit, ku ishin dalë edhe dy apo tre fëmijë dhe filluam të loznim me gogla, që i mbaronim vetë nga balta e dheut. Nuk më kujtohet se ishte para, apo pasdreke, por që atëherë më ka mbetur në kujtesë ngarja, si dhe ngjarjet paraprake e të pastajme, që kanë pasur ndikim edhe në formimin e personalitetit tim, i cili më vonë do të vie në shprehje, si veprimtar dhe si luftar i Kombit në luftën çlirimtare të UÇK-së.
Kur e pashë Abejën, siç i thoshim vllait të vjetër, Nebiut, që po vinte në shtëpi, unë e lashë lojën. U ngrita në këmbë dhe u bëra gati për ta përqafuar. Por kur Nebiu ariti në mes të asaj hapsire, ndërmjet shtëpive dhe hamamit-banjos publike, dolën me vrap disa të rinjë serbë të moshes l8-20 vjeçarë, mund të kishte edhe ndonjë edhe pak më të vjetër, që të gjithë ishin të armatosur, disa me pushkë gjuetie me nga dy tyte, disa me pushkë lufte të reja, që atë vitë i kishte prodhuar Serbija në Kragujevc; disa dolën nga shtëpia e Tomë Popoviqit-ish deputet i krajlit, disa të tjerë nga oborri i hamamit, ku kishin qenë të fshefur, gjithsejt nja njëzet veta. Me vrap e futën në rreth Nebiun, duke ia drejtue pushkët nga të gjitha anët! Nebiu, meqë nuk kishte gjë pranë vete, arriti ta kapë nga toka, një gjysëm tjegulle, të cilën e mbante në dorë, sikur donte të bënte rezistencë me të. Unë u shtanga dhe sikur më humbi fuqija për të qëndruar në këmbë, u shtrina në tokë, i mbështetur në krah, shikoja ashtu i tmerruar. Me gjasë edhe sytë m’u kishin turbulluar, sepse nga serbët e armatosut, e njihja vetë djalin e Tomës, që e quanin Brana (Branimir), i cili edhe i komandonte të tjerët, Brana e kishte shtëpinë, nja njëqind metra larg nga shtëpia jonë. Shanin dhe fyenin nga më të ndryshmet, nxeheshin para se t’i shkrepnin pushkët. Nebiu qëndronte në këmbë, me atë shtat të drejtë dhe me shpatulla të gjëra, si të ndonjë atleti, i mërrolur, por edhe paksa i zbehur në fytyrë. Baba edhe nëna e kishin parë ngarjen nga shtëpia, dhe kur nëna i thotë Babës:
-Dilë se po na e vrasin djalin! Baba i përgjigjet:
-Nuk bën, se si të dalë unë, pëlcasin pushkët, por po u bëjmë zë te gazda Mile, e ndohta dikush prej tyre e shpëton.
Ashtu edhe kishin veprue dhe për fat të mirë, kishte qenë në shtëpi oficeri i gazda Miles, i cili doli, ju hyri ndirmjet serbëve të armatosur dhe i shpërndau. Ky oficer mbante uniformë, dhe me sa më kujtohet, ishte me gradë kapiten.
Ndoshta nuk do bëja mëkat, nëse zbuloj mendimin tim, të më vonshëm, se oficeri shpëtimtar, më është dukë i dyshimtë. Sikur vetë ai, i përgadiste këto skenare, sa për të na traumatizue sa më tepër familjet në lagje, me ndonjë qëllim të caktuar, p.sh. si të xha Ramadan Karaçevës, që e la shtëpinë dhe pasurinë dhe iku në Turqi. Meqë në të gjitha rastet, si ajo e vënja para pushkëve Babën tonë, si te rasti i xha Ramadanit, njashtu edhe te rasti i Nebiut, ai gjithënjë ndodhej në shtëpi të vet dhe i gatshëm për intervenim. Aq më bindës e bën dyshimin, kur po ky Oficer e rrahi mizorisht, një burrë të urtë, të lagjes tjetër, por që ne e njihnim me emrin xha Bajrushi. Xha Bajrushi kishte një puntori, ku ndërtonte qerre prej drunit, prandaj i thoshin Bajrush kollari, nga skr.- “kola”. Aq fort e kishte Rrahur, sa që u pat deformue fizikisht dhe deri në vdekje i pati bartë, pasojat e lëndimeve trupore.
Ndoshta edhe po gabohem, sepse këso raste, ku individët nga kombi Serb, paraqiteshin si shpëtimtarë, ka pasur gjithëandej nëpër Kosovë. Për një gjë jam i sigurt, se familjet serbe, që bashkëjetonin me shqiptarë në lagje të përziera, nuk ishin si ato në enklava etnike. Sikur që ishin lagje apo fshatra të tëra, pa asnjë familje shqiptare. Në familjet që kishin fqinjë shqiptarë, edhe mund të paraqitej një antar i familjes, i ngarkuar ma shovenizëm mesjetar, por antarët të tjerë ishin të arsyeshëm. Kurse, enkllavat etnike i ngjanin një kazani, ku zihej e përzihej doktrina shovene, për satanizimin e familjeve shqiptare, shpeshherë, të ligjëruara edhe nga klerikët e tyre, të cilët mbillnin farën e urrejtjes, e që vetë ata atëherë dhe sot, nuk kanë lëvizur nga mesjeta. Meqenëse aty nuk kishte kush, për t’i përgënjështrue ato trillime kobsjellëse. Për t’u thënë se edhe shqiptarët janë njerëz si ata dhe se janë fqinjë të mirë, dhe se të ndihmojnë, kurdo që të jeshë në zor.
Çkado e keqe që flitej për shqiptarë, nga kushdo, e në të shumtën e rasteve nga gjyshet plaka, rinija dhe fëmijtë e serbëve i bënin amin dhe i mernin si të vërteta, edhe pse nga gjithë ato që u ligjroheshin, vetëm një përqind, mund të ishte e vërtetë. Këtë konstatim, nuk po e bëj nga imagjinata, por kam pasë rastin vetë ta provoj dhe dëgjoj me veshë të mi, dhe ta shoh me sytë e ballit. Në vitin l965, për t’i siguruar drutë për dimër, shkova në fshatin Pasjan të komunës së Gjilanit, fshat i banuar vetëm me Serbë, në shtëpinë e pylltarit Petrush Aleksiq, për ta marrë me vete në mal, me qëllim që të m’i vuloste, disa kubë dru dhe të ma jepte lejën për transport, të cilat i pata pague më parë në seksionin e pyjeve.
Po atë ditë Petrushi, kishte qenë i zënë, duke lyer me llaç plafonin e shtëpisë të posa ndërtuar. Më ftoi të hy brenda dhe të pres sa ta përfundojë punën e pastaj do të vinte me mue. Unë u ula në një karige pranë oxhakut, që ishte i ndezur, pas pak m’u bashkangjit e jëma e Petrushit, një grua e moshuar, sepse edhe Petrushi nuk ishte aq i ri. Pasi më pyeti për shëndetin dhe familjen, dhe pasi u bind nga dialekti i gjuhes serbe, të cilën unë e flisja mirë, meqë gjimnazin e kisha kryer në gjuhën serbe, pa humbur kohë, kaloi në bisedë indoktrinuese, antishqiptare, duke menduar se unë jam një serb i ri nga qyteti. Biseda ishte aq interesante sa unë, nuk ia ndaja sytë dhe atypëraty analizoja çdo fjali të saj, me habinë më të madhe, se si është e mundur, që një plakë e pa emancipuar të ketë kaq afinitet, për këtë farë zanati! I zinte në goje të gjithë burrat të gjallë e të vdekur, të cilët kishin derdhë djersë e gjak, për shpëtimin e kombit, ca prej tyre unë i njihja, disa të tjerëve jua dija historinë. Kishte edhe të tillë, që kurrë nuk kishin kaluar andejpari. Por vetëm jua kishte dëgjuar emrin. Thoshte se filani e ka dhunue filanen, ke kojsija afër shtëpisë, tjetri e ka dhunue filanen ke ara, filani, buzë malit, tjetri gjithnjë me emra, e ka marë me vete dhe pas shumë dhunimeve e ka kthye në shtëpi, etj., etj. Ta mbushte mendjen se shqiptarët nuk kanë bërë gjë tjetër, pos kanë dhunue gratë e serbëve. Në një moment pas shumë orvajtjeve, Petrushi i a dha sinjalin se unë jam shqiptar, dhe plaka e ndërroi temën e bisedës, për njiqindetetëdhjetë shkallë.
Pasi e kreu punën dhe u pastrue Petrushi, dolëm nga shtëpija e tij. Gjatë rrugës i thashë Petrushit, që frikë paskam me të pa në bankë të zezë, para trupit gjykues. Më pyeti:
-Po pse? I thashë:
-Me këtë nënë që e paske ti, edhe unë, po ta kisha një gram gjak serbi në trup, do t’i urreja shqiptarët, e leremë, që t’i je qindëpërqind serb. Nuk u durue pa më thënë:
-Të gjitha gratë janë njësoj, edhe nënat e juaja flasin kështu.
-Pasha zotin -i thashë- nuk është ashtu, sepse nënat tona, vazhdimisht na thonë, sa jemi fëmijë të vegjël, e që na mbetet edhe kur të rritemi:
-Mos prekni kurrnjë send, që i takon kojshisë serb, sepse në atë botën tjetër, ta kërkon imanin, kështuqë, as edhe një shtalb misri në arat e sërbëve, nuk kem guxue me thye e me marrë, edhepse na i kishte ënda shumë kur ishim fëmijë.
-Pse nuk merrshi? Po na nuk jua lypim fenë, e kemë tonën.
-E di, se askush nuk është kthye prej asaj bote, me dëshmue këtë. Por e kanë imagjinue këtë metodë, për t’u mbrojtur juve- i thashë- ti e di atë thënjen e Njegoshit: “Njerëzi është ta mbrosh tjetrin nga vetja”.
-Po, e di, mirë e ka thënë.
Kështu vazhdonim rrugën, duke bisedue deri në mal, pasi e kreu punën, u ndamë. Më besoni se nuk kanë shkue as dy muaj, dhe Petrushin e prunë milicija, në gjyq për kundravajtje ku punoja unë, të lodhur e të raskapitur, e kishin pas arrestue e mbajtur tërë natën, në paraburgim, për shkak se kishte qenë dehur me raki, në koperativë të fshatit Cernicë të Gilanit dhe kishte sharë nga më të ndryshmet shqiptarët dhe Titon e tërë sistemin, sepse në po këtë vit, Titoja e kishte shkarkua Aleksandër Rankoviqin dhe shumë eprorë, në sektorin e punëve të bremdëshme në Jugosllavi.