Mendime
Ekrem Ajruli: Pauzë parlamentare
E diele, 04.07.2010, 09:58 PM
PAUZË PARLAMENTARE
Nga Ekrem Ajruli
Në çdo shtet demo(n)kratik shtresa e “përvuajtur” e shoqërisë që mbanë hallet dhe dertet e popullit mbi supe, është ajo politike.
Ngase lodhen shumë nga këto halle, të mjerët kanë nevojë për relaksim, gjatë mandatit që vuajnë.
Si duket, për relaksim dhe ç’tendosje të nervave politike në këtë periudhë, më të preferuara janë dashnoret.
Andaj të mos habitemi fare, pse gati çdo politikan i ynë ka një dashnore përveç gruas, e dyta për çdo shtëpi është e shenjtë, ajo ruan gjirin familjar dhe është tejet e preokupuar, kurse dashnorja është për argëtim.
Por është një hall tjetër me politikanët, të cilët kanë një ves shumë interesant, ngase në fillim punën e dashnores e marrin si me shaka, por dikur duke u zgjatur vjen e trashet puna, aq shumë sa që ka pasur raste kur janë shkrehur edhe armët për dashnoret.
Të mos largohemi shumë nga dashnoret më falni nga tema, do të kthehemi te pauza parlamentare.
Një ditë gjatë një seance maratonike, në Parlamentin e Republikës KUKULELE, kryeparlametari vërejti se deputetët, bijë të zgjedhur të popullit ishin të rraskapitur nga ajo seancë e gjatë, sa që disa ia kishin këputur gjumit, ca të tjerëve u cingëronin telefonat pa ndërpre, andaj në moment vendosi të japë një pushim.
Deputetët posa dëgjuan zilen, instinktivisht si dhentë pas kripës; u sulën kah dera, ngase u ishte çarë hunda për një cigare.
Katër shokë të pandarë, deputet të grupit parlamentar të partisë ”PUSH-t”, shpejt ndezën cigaret, akoma pa dalë nga stalla më falni salla. Duke thithur cigaren njëri nga ta, hapi bisedën për hallet e popullit të rrethit nga vinte, duke dashur të tregojë sa është i preokupuar me hallet e tyre.
Eh! Populli i ngratë, kushedi si i a bën tani, pa ujë e dritë pas restrikcioneve që janë ndërmarrë këto ditë të ftohta dimri.
Tjetri me një buzëqeshje cinike ia priti; rrasja popullit, kush e di ç’bëjnë dashnoret tona, tani që ne jemi tërë ditën këtu.
I treti duke shikuar larg nëpër dritare, ia këputi si pa të keq; qëndisin ose bëjnë dashuri!
Tjetri si duket sapo kishte gjetur dashnore dhe akoma nuk e njihte mirë u vërsul drejtë shkallëve me hapa të shpejtë, sikur ta kishte kafshuar gjarpri.
Shokët e shikuan një copë herë me habi.
Po ky ç’pati, pse kaq me nxitim?
Pyeti njëri.
Ej, pse kaq me ngut, çka t’u kujtua tani mos të kapi dizenteria apo siç i thonë kah ne, të kapi zemra?
Jo, jo, si t’u them!
E imja nuk din të qëndisë...