E diele, 28.04.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (VIII)

E diele, 06.06.2010, 06:54 PM


SHUMËSI DHE  SHQUARSIA

E  EMRAVE

NË SHQIPEN STANDARDE

(konstatime, diskutime, propozime)

 

Nga DR. NUHI VESELAJ

nuhiveselaj@hotmail.com

 

V. SHUMËSI  I EMRAVE  MASHKULLORË

ME FormantE TË pathjeshta

 

Në gjininë mashkullore për shumësin e emrave  përdoren edhe këto formante të pathjeshta: 1. me origjinë vendëse  –NA/ –RA ,–ËN/- ËR, -RË/-NA  dhe 2. të huazuara nga turqishtja: –LLARË  e –LERË.

 

a. Shumësat me –RA/-NA, -ËR/-ËN dhe –RË/-NA

 

Po i trajtojmë radhazi:

 

1) Formanti –ra /-na

 

Formantin –ra/-na e ndeshim zakonisht tek emrat jofrymorë. Siç dihet në studimet historike si trajtë kohësisht më të vjetër, përparësi i jepet trajtës –na, ndërsa në standardin e sotëm sipas burimeve së sotme letrare trajta –ra  del, pothuajse, si trajtë e vetme e favorizuar. Ja disa shembuj që i volëm nga FShS (2002):

brumë–i brumra-t, byk–u bykra -t, dhe–u dhera-t dhjamë-i dhjamëra-t, gaz –i gazra-t, fshat -i fshatra-t, gjak-u gjakra-t, lesh –i leshra-t,  llum-i lumra-t, mall-i mallra-t, mish –i mishra-t, mut-i mutra-t, pleh-u plehra-t, qind –i qindra-t,  tym-i tymra-t -

gjithsej15 shembuj të gjinisë mashkullore dhe

copë-a copra-t,  dhjetë-a dhjetëra-t, lojë-a lojra-t, luftë-a luftra-t, mijë-a mijëra-t – gjithsej  6 raste të gjinisë  femërore.

Po shtojmë konstatimin se trajtat e ish shqipes letrare mbi bazë të gegnishtes me –na  në rivalitet me trajtat me –RA të letrarishtes së sotme, në përdorim dalin gjithnjë e më shumë si të pasivizuara, madje as që po dëgjohen më nga brezi i shkolluar, b.f. shembujt me –na  shina për shira,  ujna për ujra, plehna për plehra, gjakna për gjakra etj., por në raste përftimesh të jashtëzakonshme sipas situatave kontekstore, megjithatë mund të dalin edhe trajtat e tilla, por të lejueshme normativisht nga ky grupim dalin pothuajse normalisht vetëm  ato trajta që zbusin kakafoninë si:

barna, (barëra) reçelna (reçelëra), ndërlumna (ndërlumra!), dryna (dryra!) e ndonjë tjetër, ashtu si emrat  i gjinisë femërore erë, lojë, yndyrë: erna (erëra) lojna, yndyrna,. P.sh. shumësi yndyrnat e ndeshim të përdorur edhe në dy versionet e Emërtimit të njerëzve sipas profesionit (të Tiranës e të Prishtinës).

 

U tha se ka raste që në gegërishte sot për sot nuk ka paralelelizëm -na kundrejt -ra, si p.sh. gjakra (gjakna!). fshatra (fshatna!) shira (shina !) etj., prandaj, për mendimin tonë, edhe as që ka nevojë që në stilin neutral të përtërihen ose të përftohen me zor në ligjërimin gegë shembuj të tillë, vetëm  sa për të krijuar, si me thënë, inatçe paraleleizma të tillë. Themi kështu, sepse nuk del aspak e mbëhishme as e hijshme me iu kthye përftimeve të tilla pa nevojë.

Sidoqoftë, le të krahasohet si rast që zgjon interes shprehja: Le të zbuten gjakrat për mos me ndodhë gjaqet. Pra, në gjuhën e sotme, s’ka nevojë me thënë gjaknat në vend gjakrat, madje edhe gjaqet s’ka nevojë të zëvendësohet me sinonimin joadekuat gjakderdhjet, vrasjet  e ku ta dimë.

Megjithatë, siç u tha, edhe për shqipen letrare, në stilin neutral dalin disa raste të nevojshme, ku del domosdo e përdorur mbaresa -NA, siç u tha më sipër, si p.sh barna (barnatore), dryna, erna,  reçelna,  lojna, yndyrna,  e ndonjë tjetër.

 

2) Formanti –ër /-ën.

 

Formanti –ër/-ën  shfaqet te një numër i kufizuar i emrave frymorësh të shumësit të gjinisë mashkullore si p.sh.:

dom-i domër-it, dreq-i dreqër-it (dreqën dreqnit), kec-i kecër-it, gjysh-i gjyshër-it, kunat-i kunetër-it, lugat-i lugetr-it, malukat-i malukatër-it, mbret-i mbretër-it, nip-i nipër-it, prift-i  priftër-it, prind-i prindër-it, qyq--i qyqër-it, skllav-i skllevër-it, shtrat-i shtretër-it, ujk –u ujqër-it, ungj-i ungjër-it.

 

Pothuajse të gjithë këta shembuj përveç rastit dreq dreqën a dreqër  në gjendjen e sotme dalin të zëvendësuar më mbaresën –a në të folmet e gegërishtes si: nipa, prifta, mbreta, ose me -ë prindë, ungjë, skllevë. Ndërsa për rastet kunet-ët, maluket-ët, pajtohemi me ata ortologë që konsiderojnë se mjafton vetëm dukuria e metafonisë për të treguar shumësin: a/e kunet kunetët, maluket maluketët, prandaj shembujt e tillë s’kanë nevojë me marrë mbaresë-prapashtesën –ËR.

Përveç sa u tha, mund të ketë edhe ndonjë çështje të diskutueshme nga pikëpamja e normës standarde, por po të rikthehen në përdorim me forcë në stilin normal gegizmat me –ën, si priftën, domën!, gjyshën! kecën etj., na duket, si një kërkesë inatçe, fort pa vend.

 

Ç’është e drejta, formantin –ër si fundor dhe mbaresë zero e kemi përmendur më përpara tek emrat mashkullorë nga fusha e frymorëve, zakonisht të emërtimeve të njerëzve sipas veprimtarisë a përkatësisë, Kujto  tipin e emrave: arbër, mjeshtër etj., dukuri kjo që për t’u cilësuar si model mbetet ende çështje e hapur, e cila pritet të ndiqet dhe të sqarohet më me kompetencë dhe domosdo duhet ta gjejë  përgjigjen e merituar. Ne shohim prirje të fortë në këtë drejtim.

 

3) Formanti –rë/*në/na

 

Në përdorim është edhe formanti –RË, i cili, sot për sot, korrespondon jo më me atë të gegërishtes –NË, po me atë –NA. Krahaso

 

krye krerë /krena, bri brirë / brina gjethbri-ri gjethbrirë-t (gjethurina-t!), hundbri-ri hundbrirë-t (hundbrina-t!), fre frerë / frena-t, tra trarë / trana-t,  dru drurë / druna-t dhe dry  dryna-t (dryrë-t!).

 

Trajta e fundit dryna-t është trajtë e normëzuar që sipas kësaj shëmbëllese në toskërisht mund të dilte dryrë-t, prandaj e shënuam me pikëçuditje. Në të vërtetë, siç dihet,  trajta me rotacizim (e krijuar me analogji prej nesh si dhe kompozitat me -na, sipas normës në fuqi të shqipes së sotme, nuk dalin normativisht të pranueshme, por një mundësi të tillë normëzimi duhet shikuar, Së këtejmi,  mendojmë se formanti –NA domosdo duhet pranuar e shënuar si mbaresë jo e thjeshtë në burimet tona gramatikore, fjalëformuese e trajtëformuese.

Të gjithë shembujt e mësipërm që janë emra mashkullorë (veç atyre me pikëpyetje dhe rastit lojna, që është femëror)  i japin të drejtë kërkesës tonë rreth shumësit të emrave të gjë-sendeve konkrete me mbaresën -A. Krahaso si shembulli  këta  dryna  mund të  përligjen edhe këta trana, këta brina, këta krena, toskërisht (këta) trarë, brirë, krerë. Në shqipen letrare del e pranishme edhe trajta kren(ë) krentë e fiseve tosk. krerët e fiseve që do të thotë se në letrarishte, sipas kontekstit përkatës, mund të përdoren të dyja versionet, sidomos kur kemi të bëjmë me ekzotizma pa diskutim, por në stilin neutral trajta krerë-t, duket se e ka të fituar konkurrencën.

 

Gjithsesi edhe rreth përdorimit të formanteve jo të thjeshta mbaresore –RA-NA, -ËR/-ËN dhe -RË/-NA a –NË, ka nevojë të jepen sqarime e plotësime, në mënyrë që standardi i sotëm edhe në këtë pikë të jetë më i plotë dhe gjithpërfshirës.

 

 

b. Rreth formanteve  –llarë  e  –lerë

 

Edhe formantet e huazuara -llarë, -lerë (me –Ë fundore të shtuar në shqipe) mund të thuhet se dalin si mbaresa të pavarura, ndonëse në mjaft raste, kur zëvendësohen dalin të panevojshme me u përdorë në shqipen e sotme. Është fjala për stilin neutral, ngase formantet e tilla mund të zëvendësohen, siç janë zëvendësuar edhe më përpara me formantet gjegjëse të shqipes  Kështu të zëvendësuara i ndeshim  edhe  në disa burime tona të caktuara, jo vetëm nga e kaluara, por edhe në ditët tona. Po e argumentojmë atë që sapo e thamë, me këto të dhëna:.

1. Përveç si historizma dhe në stilin e posaçëm, prapashtesat e emërtimeve, si agallarë-t, baballarë-t, dajallarë--t, hoxhallarë-t, pashallarë-t etj. dalin të zëvendësueshme me formantin përkatëse të gjuhës shqipe, p.sh. konkretisht me formantin zero si p.sh. hoxhë-a  shumësi: hoxhë hoxhët  (jo hoxhallarë-t), dajë-a dajë-t, (jo dajallarët),  pashë-a pashë-t (jo pashallarët). Pra lypset përkrahur prirja që për emrat e tillë me dalë me formantin –Ë, ashtu siç i ndeshim trajtat e tilla  të regjistruara, siç u tha, edhe në burime të caktuara nga tradita jonë, si b.f. në Fjalorin e Bashkimit etj.

2. Po kjo vërejtje vlen edhe për shembujt me prapashtesën –lerë si, bejlerë, sangjakbejlerë haxhilerë, myftilerë,  ashtu si edhe bej –u/ bejte ose beg-u begë-t  haxhi-u haxhitë (jo haxhilerë-t) kadi kaditë (jo kadilerët), mufti myftitë (jo myftilerë) sheh-u shehë-t (jo shehlerë-t) e kështu me radhë.

 

Të përfundojmë me konstatimin se, siç dihet, trajtat me –llarë e -lerë si historizma mbesin si trajta të normëzuara, por kërkesa jonë është që të rishikohet norma në fuqi për këtë pikë në stilin neutral, ngase prapashtesat turke –llarë e –lerë edhe më përpara, siç e argumentuam me shembuj konkretë, kanë qenë të zëvendësuara me mbaresa vendëse më të përkapshme të gjuhës sonë,  trajta këto, të cilat mund të ripërdoren në stilin përkatës edhe sot, pa lënë gjë keq në fushën semantike, përkundrazi me një zëvendësim të tillë, me mbaresa anase, gjuha jonë tash e në të ardhmen do ta sforcojë identitetin e vet edhe më shumë.

 

Konstatime përmbyllëse të pjesës së dytë

 

Në përmbyllje do të japim disa nga konstatimet më të veçanta, nga lënda e analizuar në katër krerët përkatës të kësaj pjese:

 

I.

Lidhur me formimin e shumësit të emrave mashkullorë me mbaresë zero u identifikuan 18 grupe a nëntipa emrash, të cilët:

së pari sipas katër nyjë-mbaresave të shumësit të shquar u grupuan po ashtu në katër grupime, të cilat po ilustrojmë me nga një shembull, sipas nëntipave përkatës:

a) me mbaresën –T, pesë nëntipa: vëllaçko-t, fjalëshumë-t hafije-t(!), axhë-t, duaj-t;

b) me mbaresën  -ËT:dy nëngrupe:  lot-ët, nipash-ët:

c) me mbaresën –TË, pesë nëntipa: tru-të, hyj-të, turne-të, gjeni-të, hirësi-të;

ç) me mbaresën –IT:, shtatë nëntipa: nxënës-it, prishtinas-it, arbër-it, të hekurt-it, njëemërsh-it, të zgjuet-it; të prekur-it dhe gjashtë nëngrupe prejpjesorësh të paranyjëzuar pa zanore fundore në temë.

së dyti,  janë tri fundore të njëjësit të pashquar që në shumës kanë zhvillim të ngjashëm me përgjegjësit e gjinisë femërore me zanore-fundoret përkatëse: –o: vëllaçko-t, : agë-t, -i zotëri –të, andaj për të identifikuar gjininë natyrore mashkullore duhet drejtuar semantikës, por jepet si zgjidhje edhe ndonjë alternativë tjetër;

së treti, vihet re se në njëjësin e shquar dalin dy versionet e mbaresës së njëjtë: -ri dhe -ni : tru-ri trutë dhe hu-ni hutë dhe

së katërti, vihet re një mospërputhje e mbaresës së shumësit të shquar: këmishkuq-i këmishëkuq-të, në njërën anë dhe cipëkuq-i cipekuqë-t, në anën tjetër, dukuri kjo që mund të thjeshtëzohet me fuzionim,  prirja  e njëjësimit na shpie në alternativën e parë.

 

II.

Pothuajse tërë ky krye iu kushtuar ide-propozimit rreth specifikimit të tri mbaresave të thjeshta: Ë, -E dhe -A, të cilat sipas analizës dalin të specifikuara si vijon:

1. mbaresa del e specifikuar për emrat mashkullorë për emërtimin e frymorëve, sidomos për emërtimin e  njerëzve sipas veprimtarisë së tyre;

2. mbaresa -E deel e specifikuar për emërtimin e emrave mashkullorë të nocioneve abstrakte dhe disa emërvendeve a lokaleve, por karakteristikë e këtij formanti është se njëjësin mashkullor në shumës  e femërorëzon.

3. mbaresa –A (karakteristikë e gjinisë femërore), tek e specifikuar edhe te emrat mashkullorë më tepër për emërtimin e gjësendeve konkrete.

Kjo metodë pune i kundërvihet metodës fundore/mbaresë, e cila për shkak të numrit enorm të mbaresave, të cilat e rëndojnë tej mase mbamendjen quhet metodë pothuajse si e dështuar

Për të dëshmuar se metoda rreth specifikimit të tri mbaresave në fjalë për të cilën hartuesit e drejtshkrimit të shqipes nuk kishin ide, në vijim krahasohen shembujt alternativë nga FGJSH 1954 ndaj atij 2006 dhe  kështu dëshmohet se ide-propozimi rreth specifikimit të mbaresa sipas fushave semantike del shumë më funksional se metoda e mëparshme fundore / mbaresë.  Madje  kjo dëshmi del edhe më transparente nga  krahasimi i numrit të fundoreve, sipas shembujve ilustrues të regjistruar në katër doracakët përkatës normativë, nga të cilët numri i shembujve të korrigjuar sipas ide-propozimit në fjalë nuk del aq i madh. Me fjalë të tjera, gjithsesi, specifikimi i mbaresave sipas nënfushave semantike del shumë më funksional dhe më i lehtëpërvetësueshëm se metoda fundore/mbaresë.

Përveç kësaj po në këtë krye ngjashëm si në gjininë femërore u trajtuan edhe fundoret e përbëra: -ër, -ël, -ën, -ëll., -ëm si dhe –ëv, ku ë-ja del e paqëndrueshme me rastin e shquarjes, në njëjës e në shumës.

 

III.

Përveç ndërrimeve metafonike u trajtua mjaft hollësishëm edhe shndërrimi i tingujve fundorë në raportin njëjës / shumës: -k/-q,-qe,. -g/-gj/-gje; ll /-j/je , pastaj l – j, r- j  dhe n –j, .ku veç tjerash u cek prirja që disa shembuj me -E fundore dalin alternativisht edhe me prapashtesa të mirëfillta, duke respektuar sadopak specifikimin e mbaresave të thjeshta sipas nënfushave semantike.

 

IV.

Në të vërtetë palatalizimi i n-së në –j u trajtua mjaft gjerësisht në këtë kraye dhe gjatë analizës dolën në pah disa risime që zgjojnë interes, ngase, me sa dimë, kjo çështje nuk del e trajtuar mjaftueshëm në punimet e deritashme. Në punim në vend të mbaresës -NJ  të shpifur  parapëlqehet  mbaresa -J ose ajo zero. Krahaso: kalama(n) kalamani kalamajt ose kalamanË/T, caran  carani caranjtë në vend carana- ose caranët ose carajtë; kushuri kushëriri kushërinjtë në vend kushurir-ët ose kushuri-të ose kushurij-të e kështu me radhë

 

V

Gjatë trajtimit të mbaresave jo të thjeshta: -na/ra, -ën/ër, -rë/na  dhe –llarë e -lerë u bë edhe ndonjë përplotësim e sqarim i nevojshëm rasti. Kështu veç tjerash u konstatua se prapashtesat -llarë dhe -lerë të emrave të huazuar nga turqishtja priren të zëvendësohen fare natyrshëm me formante të gjuhës vendëse si p.sh. hoxhallarët, baballarët me mbaresën zero Ë, hoxhë hoxhët, babë babët etj. si dhe formanti –lerë, tipi haxhilerët, po ashtu me mbaresë zero: haxhi haxhitë, ndërsa shehlerët me mbaresën Ë sheh shehët, e kështu me radhë.

 

Gjithsesi, të gjithë krerët përshkohen me risime, të cilat duhen vlerësuar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora