E diele, 28.04.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Kosumi: Shkrim për librin Adem Demaçi/biografi të autorit Shkëlzen Gashi

E shtune, 05.06.2010, 09:14 PM


Shkrim për librin Adem Demaçi/biografi të autorit Shkëlzen Gashi

 

Nga Bajram Kosumi

 

1.

Libri është biografi publicistike e Adem Demaçi. Është tregim për pikat referenciale të jetës së tij, se çka ka bërë dhe si e ka bërë dhe, nga ky aspekt, biografia është mirë e realizuar.

Gjuha e librit është e qartë, e rrjedhshme dhe tërheqëse në lexim.

Libri është biografi e veprimit politik të Demaçit. Pra, libri nuk është biografi edhe e jetës tjetër të tij, jetës kulturore, personale etj., por biografi politike për Adem Demaçin.

Libri është biografi e veprimit të Demaçit. Pra, nuk është libër i botës së brendshme te personazhit të saj, biografi e subjektit Adem Demaçi, nuk është biografi e mendjes dhe e shpirtit Adem Demaçi. Kështu, libri rri më afër një kronologjie të gjatë jetësore, se sa një biografie të vërtetë.

 

[Përjashtim nga kjo bën kapitulli i fundit "UÇK-ja 1998-1999". Ky fakt nuk ka të bëjë me përcaktimin e autorit, mirëpo ka rezultuar me vështirësi:

-    periudhat kur Demaçi nuk ka pasur veprime të shumta [apo nuk ka mundur të ketë], janë më të shkurtëra dhe kalohen shpejt në tekst. Kështu ndodhë me periudhën e fëmijërisë deri në moshën 17 vjeçare: trajtohet me vetëm një faqe e gjysmë;

-    kjo mungesë e shtyn autorin edhe të komentojë vetë botën e brendshme të Demaçit ["Demaçi ndjenë lehtësim psikik", fq. 27].

 

2.

Libri i përngjanë një historie, por nuk ka referenca, të cilat i ka çdo histori. Përjashtim bëhet vetëm në rastet kur autori citon deklarata të drejtpërdrejta. Ai ka zgjedhur stilin rrëfimtar të ligjërimit, sipas gjedhës "është thënë për Demaçin...", por nuk përmend kush ka thënë, kur ka thënë, në cilin rast apo në cilin libër a gazetë ka thënë? Kjo lënie anash e metodës shkencore [metoda historike] të krijimit të tekstit [stili shkencor], e bën biografinë të llojit publicistik.

Shembuj të tjerë:

-    "Kundërshtarët e Demaçit ndajnë mendimin se... [cilët? Kur? Ku?], fq. 72;

-    "Për Demaçin, sipas kundërshtarëve, është i rëndësishëm... [po aty];

-    "Ata pohojnë se Demaçit i mungon sensi elementar... [po aty];

-    "Kundërshtarët e Demaçit këmbëngulin se... [po aty];

-    "Ithtarët e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë nisen nga "analiza e raportit të forcave"...[po aty].

Kjo mungesë e referencialitetit [e përputhshme me stilin publicistik por jo edhe me stilin shkencor] e dëmton tekstin, e nganjëherë e luhatë besimin në tekst, si në rastin  kur Enver Tali thotë se Demaçi fliste në burg kundër Enver Hoxhës etj. [fq. 24]. Autori nuk e hulumton më tej këtë të dhënë të z. Tali.

 

3.

Sugjerime rreth saktësisë së disa pjesëve në tekst:

-    kur flitet për grevën e urisë në Pallatin ë Rilindjes shkruhet: "...disa nga grevistët e lëshojnë grevën. Disa të tjerë veç shtiren se po i bëjnë ballë urisë dhe hanë tinëz." [fq. 47] Nga kjo fjali del se: grevistët ose janë dorëzuar ose shtiren se nuk janë dorëzuar. E vërteta është ndryshe: ka pasur edhe disa të tjerë që nuk janë dorëzuar dhe as nuk janë shtirur se po i bëjnë ballë urisë, por me të vërtetë kanë bërë grevë.

 

-    Kur shkruhet për PPK, krijohet përshtypja që autori nuk e ka konsultuar gjendjen e PPK para ardhjes së Demaçit në parti. Ai thotë: "PPK kësaj kohe radhitet e dyta pas LDK..." [fq. 54] dhe është duke folur për PPK e periudhës së Demaçit. E vërteta është se PPK ka qenë e dyta, pas LDK, edhe para ardhjes së Demaçit në parti. Qysh në zgjedhjet e vitit 1992 PPK del e dyta, me 13 deputetë, prej të cilëve Bajram Kosumi e mund kandidatin e LDK në zonën e Kamenicës [i vetmi rast kur një kandidat i një partie tjetër e mund kandidatin e LDK. Ka edhe dy raste kur kandidatë të pavarur i mundin kandidatët e LDK: Merxhan Avdyli në zonën e Vitisë dhe Bajrush Xhemajli në zonën e Ferizajt]. Deri në luftë, në Kosovë ka pasur dy koncepte politike: koncepti i LDK [rezistenca paqësore] dhe koncepti i PPK [rezistenca aktive paqësore]. Mu ky koncept i PPK, i mirënjohur edhe në opinionin publik, ka qenë baza që PPK ka ftuar Demaçin ta udhëheq partinë, në mënyrë që përmes tij, përmes autoritetit të tij, të zgjerohen rrethet e njerëzve që do të përkrahnin këtë koncept, dhe kështu të përgatitej aktivizimi i rezistencës paqësore. Me ardhjen e Demaçit partia është forcuar shumë, por në asnjëherë ajo nuk ka qenë në krizë dhe Demaçi ka ardhë ta shpëtojë atë ["Ani pse Demaçi e gjenë PPK në pikë kritike nga çdo pikëpamje...", fq. 54]. Ky është thjeshtë një keqkuptim dhe keqinterpretim i rolit të Demaçit në PPK.

 

4.

Sugjerime për shprehësi ndryshe:

Është mirë të zëvendësohen me fjalë shqipe ose me fjalë më shprehëse:

-    "... i çon selam kësaj konsullate..." [fq. 20]; është fjalë e autorit dhe jo e personazhit;

-    "...po përzhitesh..." [fq. 66]- po digjesh;

-    "...llaskuc i keq"...[fq. 67] -qen i keq;

 

 

Përfundim:

 

Libri i Shkëlzen Gashit është biografi politike që rikonstrukton veprimin politik e humanist të Demaçit në tërësinë e vet. Autori nuk ka baritur në detajet e jetës së personazhit të tij, nuk ka hyrë në botën e tij të brendshme, është mjaftuar vetëm me prekjen e majave të jetës së tij. Me këtë fakt e sfidon secilin lexues: rreth dyqind faqe tekst janë një kronologji sinoptike e jetës së Demaçit! Athua çka fshihet prapa majeve?

Vërtetë, a do të ishte mirë që edhe vetë Demaçi të shkruajë memoaret e plota, jo vetëm të romanizuara, si është duke bërë, por memoare historike, të cilat mund të jenë kryetrari i botës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX?

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora