E diele, 28.04.2024, 06:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Ku e kam unë e ku je ti

E diele, 06.06.2010, 11:06 AM


KU E KAM UNË E KU JE TI

 

Nga Luan Çipi

 

Po përshkruaj këtu më poshtë një ndodhi që e kam dëgjuar nga babai im, në një natë dimri, rreth vatrës familjare, ndërsa nga zjarri me dru lisi në oxhak dilte ngrohtësi e shkëlqenin shkëndija prushi.

Do t’jua tregoj tani, na tha “Abeu”, siç i thërrisnim babait, një ngjarje të moçme, po fare të saktë, ashtu siç e kam parë me sytë e mi dhe siç ma kanë dëgjuar veshët.

...Ishin mbledhur në kishën e Shën Todrit shumë besimtarë dhe dëgjonin me vëmendje ligjërimin e papa Kristos, një teologu të shquar e pasionant, të dërguar, me porosi të vetë kryepeshkopit, imzot Nolit. me rastin e përgatitjeve për të festuar Krishtlindjet.

 Të gjithë ishim të përqendruar dhe sikur i përpinim fjalët e tij të urta, të thurura me misticizëm të thellë dhe me një gojëtari që të bënte për vete... Shprehja e fytyrës dhe sidomos e syve të tij kishte një tërheqje magnetike, aq sa të gjithë po e shihnin në kokërdhok të syrit, si të hipnotizuar. Nuk mungonin ahet, psherëtimat dhe lotët, çka e bënin atë më entuziast dhe qiellor... Edhe vetë urata sa s’qante, si një aktor i lindur, duke i përjetuar thellësisht ato ngjarje e bëma të pazakonta, thuajse hyjnore të Jezu Krishtit, që vinin nga thellësitë e shekujve, si ngushëllim për mëkatarët, shpresë për të mjerët dhe besim për gjithë tokësorët.

Uratës së ditur, gjatë ligjëratës, në ndeshje imagjinare me djajtë dhe satananë, i dridhej i gjithë trupi dhe në mënyrë më të dukshme mjekra e tij e gjatë dhe e bardhë, e pleksur keqas gjatë viteve. Vetë urata, drejt pasionit, nxitej nga gjindja e besimtarëve pjesëmarrës, fort të devotshëm, entuziastë dhe të vëmendshëm, si në asnjë vend tjetër.

Atij, megjithëse sytë i shkreptinin nga misticizmi, nuk i shpëtoi reagimi i tyre i pazakontë. Më shumë nga të gjithë e miratonte, duke tundur kokën me gjithë shpatulla dhe duke qarë me dënesë e me lotët çurg një plak i rrudhur e kruspull nga vitet.

Edhe kur mesha kishte mbaruar, plaku vazhdonte ta shikonte uratën dhe nuk reshttë së qari, sa herë i ngrinte sytë nga ai.

Kjo la mbresa të forta te të gjithë, ndaj ligjëruesi e thirri faqe të gjithëve dhe e pyeti me respekt plakun e shqetësuar:

- Si shpjegohet, o plak i urtë, që u hidhërove tej mase nga fjala ime?  Kaq shumë vragë të lanë ngjarjet e shenjta?

    - Ç’gjarje, hirësi? Fjalët e tua? Unë ato as që i dëgjova fare, se jam dhe ca si shurdh. Mua më përloti mjekra e zotërisë sate, teksa lëkundej e dridhej aq përmallshëm e me madhështi, sa më kujtoi, si ndo Zoti, cjapin tim përçor, që i printe krenar me trimëri për shumë vjet kopesë, derisa, në një natë të egër dimri, ma preu ujku dhe tani, për fatin tim të keq, nuk e kam më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora