E diele, 28.04.2024, 02:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Avni Azizi: Komandanti

E diele, 06.06.2010, 11:11 AM


Avni Azizi

 

Komandanti

 

  Hëna e plotë sikur lozte me retë e dendura të asaj nate të ftohtë. Sa herë ajo humbte nëpër re ata sikur ndjenin lehtësim në shpirt.

Errësira, sikur ua ngrohte rrugën e asaj pjerrine malore nëpër të cilën kalonin. Asnjëherë në jetë nuk u kishte pëlqyer errësira, mirëpo atë natë secili në vete ndizte zjarrin e dëshirës, ajo të ishte shoqëruesja besnike për udhëtimin e tyre të pa vërejtshëm.

Qyteza prej nga ishin nisur tashmë po mbyllte qepallat. Dritat po humbnin nuancat ndriçuese në largësi. Ato po shuheshin ngadalë ashtu siç shuhen shkëndijat e fundit të një zjarri të madh. Mes tyre e qytezës shtrihej bregorja e cila sikur numëronte gjurmët e kolonës tek ecte në heshtje.

 

Në qytezë njerëzit tek bënin gjumin e rëndë nga lodhjet e ditës, as që mund ta merrnin me mend se qyteza e tyre, katër muaj më vonë do të bëhej e njohur çdo skaj të globit. Kur rrjete të ndryshme televizive do ta filmonin për t’i shfaqur botës dy anë të skajshme njerëzore: Bujarinë, mikpritjen e bashkimin shpirtëror nga njëra anë e fytyrat e lodhura e të nemitura nga dhuna e tmerri në anën tjetër. Në rrugën gjarpërore mbuluar nga orteku dëgjohej vetëm frymëmarrja dhe hapat e tyre të rënduar. Fishkëllima e erës godiste mbi fytyrat e tyre të fishkura dhe sikur plumbi dëshironte t’ua shponte rrobet. Edhe suferina më të egra posa ndesheshin me barrën e rëndë sa historia që po e bartnin mbi supe ato humbasin betejën. Nga ato mbetej vetëm fishkëllima e tyre mbytëse.

 

Trembëdhjetë shokët kaluan edhe kodrën e vështirë. Pas pak u ndodhën tek vendi ku nga çantat nxjerrin ndonjë kafshatë buke. Aty ku njëri-tjetrit ia fshinin pikturat e gjakut nëpër fytyrë që u dhuronin therrat e shkurret e shumta të dhiareve të shkelura. Kushedi, ndoshta nuk ishte uria e lodhja që të ndaleshin aty?. Ndoshta ishte pikërisht misteri ogurzi që fshehte vazhdimi i tutjeshëm i rrugës, ku asnjëri nga ata nuk e linte rrjedhën e lumit të parandjenjave të rrjedhke gjer në fund.

Nisja nga ai vend, erën e ftohtësinë tashmë i kthente në diçka krejtësisht të parëndësishme, por të mos thënë në hiçgjë. Barra e rëndë mbi supet e tyre tashmë merrte peshë të dyfishtë. Bëhej e shenjtë dhe e shtrenjtë sa liria.

Në zonën e rrezikut të paralajmëruar nga prijatarët, të gjithë shokët nëpër mendje bluanin të vetmen dëshirë, të vetmen shpresë se diku pas atyre bjeshkëve i prisnin përqafimet e buzëqeshjet e shokëve.

Diku larg tyre, përditshmëria rrokullisej në dritëterrin e hekurt. Në kryeqytet makinat në rrugë ishin rralluar ashtu si parashikimet e nostradamusve nëpër ndeja e argëtime të ndryshme.

Trembëdhjetë shokët ashtu të kujdesshëm u ofruan tek vendi ku kërkohej të mblidhnin forcat e fundit për të kaluar atë pengesë vrastare. Atë rrëzimë humneruese të thellë si plaga e atdheut. Atë përrua dikush me një vijë lapsi në sallonet e ngrohta e kishte ndarë në dysh, por ai prapë kishte mbetur ashtu siç ishte, i thepisur siç ishte krijuar nga erupsionet.

Për Shpëtimin i cili vinte nga një qytet i bukur ishte hera e parë në jetë që shkelte mbi tokën e kësaj bjeshke, ku qetësinë shpesh ia kishin prishur lehjet e qenve bastard të ardhur kushedi nga ç’vend. Ai ndjehej krenar e i lumtur, se ëndrrat e tija kishin filluar të realizoheshin. Në tokën që shkelte sikur ndjente erën e mallit, dashurisë e shihte ëndrrat e Konstandinit. Në atë ecejake të heshtur Shpëtimit gjithçka i bëhej si nëpër ëndërr. Kot mbyllte sytë shtrëngueshëm përpara i shfaqej herë djali e herë nëna të cilën kishte shtatë vite që nuk e kishte parë “Ajo e përqafonte, e puthte në ballë e i thoshte: Sa hije bir…”

Grrrr, Grrrr. Bam. Bam. – shpërthyen rafalët si të lehura qenesh endacak.

- Ndal!

- Zjarr! Zjarr!...

Cahani, Kodrat me dëborë, stanet, shkurret, gjurmët, dëbora, krismat, rafalët, dhembja në kraharorë, errësirë, errësirë, djersitja e qafës së kalit, Cahani, shokët, lëkundjet e makinës, Kruma e Hasit, dëbora, bardhësia...

Ishte ulur mbi një lis të prerë e tërë natën kishte kaluar duke pirë duhan e duke u menduar. Vaji i foshnjës në tendën prej najloni e therte në zemër më shumë se sa plumbi që e kishte kapur dy javë më parë.

Kishte filluar të gdhinte mëngjesi. Në anën tjetër të malit dëgjoheshin të shtëna automatiku e një gjëmim topi. Vaji i fëmijës nuk pushonte. Qepallat iu kishin rënduar, freskia mëngjesore e lodhja sikur e përkundnin mbi atë lis. Pas pak ndjeu ftohtësi në faqe, mirëpo shpejt kuptoj se ishte mbështetur mbi automatikun që mbante në dorë.

Në atë kllapi të përgjumur, përnjëherë e mbuluan ëndrrat apo ndoshta edhe nuk ishin ëndrra, por përfytyrime. “Përbri vetës kishte komandantin i cili pandërprerë thërriste: Zjarr! Zjarr!

Djersët e kishin mbuluar të tërin, shtrëngonte dhëmbët dhe tyta e automatikut nxirrte shkëndija flake. Shtëpia njëkatëshe e Tolit e lyer me fasadë të bardhë, ku brenda saj ishin vendosur kriminelët afër dritareve prej nga vinin të shtënat, tashmë po gërvishtej me vrima nga plumbat e rafalëve të tyre. Një cijatje zëri që u dëgjua nga brenda ia rriti forcën e thirrjes komandantit. Brenda në shtëpi ishin trazuar si minj kriminelët, shtinin nga të gjitha anët pandërprerë. Dukej se edhe qiellin e gjuanin.

Komandanti u ngrit në gjunjë. Zbrazi një rafal duke vrapuar drejt shtëpisë!

- Mos komandant! Mos kthehu…! thirrjet u përzien me refale në kohën kur bomba e tij dridhi themelet e shtëpisë dhe tokën.

Ai dhe shokët shpejtueshëm vrapuan tek komandanti, i cili ngadalë ishte rrëzuar në tokë. Komandant! Komandant ia ledhatuan ballin. Djersët iu kishin përzier me gjak. Flaka që dilte nga shtëpia, nurit të tij i jepnin një buzëqeshje të ëmbël.

Zjaaaarr! lëshoj një zë të thekshëm e nga kjo sikur gjethet u shkundën nga lisat”

- Shpëtim! Ai u zgjua vrullshëm. Kapi armën në dorë, por, në vend të komandantit po shihte siluetën e nënës.

-Eja biri nënës se fëmija po vdes!

Vazhdimisht fyente erë e qielli kishte marrë ngjyrë të hirtë. Ata posa mbuluan varrin e vogël e i vunë disa thera mbi të, rigat e shiut filluan.

Ishte një shi i qetë e i prajshëm, si shiu i Tiranës që binte ditën kur ai u njoh me Verlindin...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora