E marte, 06.05.2025, 06:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Skedari Garampi, Në arkivin e Vatikanit aty ku zbërthehet historia e Shqipërisë

E diele, 06.06.2010, 07:01 PM


Nga Dr. Etleva Lala, Dr. Musa Ahmeti

 

Arkivi Sekret i Vatikanit ka një lëndë burimore aq të vëllimshme saqë deri më sot, edhe pse është një ndër arkivat më të hershëm në botë, ka qenë i pamundur katalogizimi, sistemimi dhe skedimi i gjithë atij materiali dokumentar e arkivor. Që nga krijimi i këtij arkivi, punonjësit e tij dhe studiuesit janë përballur me problemin e renditjes, sistemimit dhe katalogizimin e materialit që ai përmban. Nuk kanë munguar përpjekjet shumëvjeçare të grupeve të arkivistëve dhe specialistëve për ta bërë një gjë të tillë. Megjithatë, jetët e punët e këtyre grupeve të arkivistëve dhe studiuesve, nuk kanë mjaftuar për të bërë një katalogizim të plotë e përfundimtar të dorëshkrimeve, dokumenteve dhe materialit të shumtë të këtij arkivi. Duke qenë se këto përpjekje janë bërë në periudha të ndryshme dhe nga grupe arkivistësh e specialistësh që gjithmonë përballeshin me probleme të ndryshme e të paimagjinueshme më parë për shkak të prurjes së jashtëzakonshme të dokumentacionit që hynte e dilte nga Selia e Shenjtë, rezultatet e punës kanë qenë katalogje të ndryshme për fonde të ndryshme, secili me sistem të veçantë deshifrimi të vendndodhjeve të dokumenteve. Ndër më kryesorët, që vazhdojnë të ruajnë funksionin e tyre origjinal mund të përmendim Skedarin Garampi, Martini, Montroy e shumë të tjerë 
Skedari Garampi është përpjekja më e madhe e bërë ndonjëherë për katalogizimin e materjalit arkivor të Arkivit Sekret të Vatikanit. Ky skedar u hartua nga Giuseppe Garampi, me bashkëpunëtorë arkivistë dhe specialistë me përvojë ndërkombëtare. Skedat të cilat Garampi me bashkëpunëtorët e tij i hartoi sipas lëndës arkivore dhe asaj të botuar, gjatë periudhës 20 vjeçare të shërbimit si prefekt i Arkivit Sekret të Vatikanit, shërbejnë si inventar orientues në ASV që nga fillimi i shekullit të kaluar [XX-të], kur monsg. Pietro Ëenzel dhe don Gregorio Palimeri, bënë renditjen tematike të tyre, duke i ngjitur skedat në faqe formati folio, për të formuar kështu serinë prej 125 vëllimesh, me madhësi folio (pak më e madhe se A3) të njohura sot, për studiuesit, historianët dhe të tjerët me emrin Schedario Garampi. 
Duke qenë këmbëngulës, me një kureshtje të fortë dhe i duruar në punë, Garampi, fillimisht përcaktoi temat kryesore të punës së tij nëpër fonde, për të vazhduar pastaj me imtësirat e shumta, të cilat me lehtësi të veçantë i sistemonte në fondet përkatëse. Një veprim i tillë, është shumë i arsyeshëm, kur kemi parasysh rrëmujën dhe gjendjen e keqe që mbretëronte në arkiv, morinë e dokumenteve, dorëshkrimeve dhe gjërave të tjera të cilat janë pasuri me vlera të rralla botërore. 

Fondet të cilat janë futur dhe sot gjenden në skedar 
Nga dokumenti i vitit 1756, kemi të dhëna të sakta për fondet të cilat Garampi zotëronte në atë kohë në Arkivin Sekeret të Vatikanit: 
a) Të gjitha regjistrat e papëve avinjonezë, të cilët kanë shërbyer si themel për rregullat e kancelarisë. Me fjalë të tjera ky fond quhet Registri Vaticani. Ai përmbledh dokumente nga vitet 1305 deri në vitin 1423, që është koha e pontifikimit e papës Klementi V e deri te papa Gërguri XI. 
b) Rreth dy mijë vëllime me bula nga Bonifaci IX deri te Shën Piu V, dhe të gjitha me përmbajtje të vëllimshme e të rëndësishme. Kjo pjesë është vazhdim i Registri Vaticani nga pontifikati i papës Bonifaci IX deri te papa Piu V (1572). 
c) Të gjitha brevet e papëve, të cilat përmbajnë marrëveshje dhe komunikime me princët dhe të tjerët në lidhje me provizionet apostolike të beneficeve. Të gjitha këto vëllime ruhen në fondin: Arm. XXXIX-XLV; Epistulae ad principes. 
d) Të gjithë Librat Kameralë, në të cilat janë të regjistruara provizionet dhe proceset për vlerën e beneficeve dhe të dënimeve për këto procese. Kjo seri ka më shumë se 1.300 vëllime dhe ndahet në tri nënseri: Introitus et exitus; Collectorie dhe Obligationes et solutiones. 
e) Të gjithë regjistrat e Sekretarisë së Shtetit sipas nunciaturave përkatëse, në të cilat gjenden madje edhe të gjitha marrëveshjet me përmbajtje të ngjashme. Nga kjo seri, në skedarë kemi dokumente nga nunciatura të ndryshme nga e gjithë bota, ndër të tjera edhe nga Shqipëria. 
Në skedarë nuk janë përfshirë fonde të shumta dhe tepër të rëndësishme, të cilat në atë kohë nuk ishin pronë e Arkivit Sekret të Vatikanit, p.sh. Registri Avinionesi, që në ASV kanë arritur në vitin 1783; ndërsa më vonë edhe fonde të tjera si: Brevi Lateranensi, Registri delle Suppliche, Fondo Borghese, Segreteria dei Brevi, etj; por edhe shumë fonde të tjera, të cilat ishin pronë e ASV kanë mbetur pa u futur në skedar, edhe pse Garampi i dispononte ato, sepse nuk inkorporoheshin në konceptin e punës së tij. Në skedarë, gjithashtu nuk gjenden të dhëna me rëndësi të jashtëzakonshme për gjendjen e ipeshkëvive (famullive, kishave, kaptoleve etj.) të cilat kanë të bëjnë me vizitat apostolike nga seria e njohur: Sacra Congregazione del Concilio e ashtuquajtur edhe: “Relationes ad limina”; [Janë të shumta relatat për vizitat e shpeshta që janë bërë në Shqipëri. Numri i tyre është tepër i madh dhe në to ka të dhëna me vlerë tepër të çmuar për të gjitha segmentet e jetës së popullit shqiptar gjatë shekujve. Pothuajse të gjitha relatat e vizitave apostolike, nga seria Sacra Congregazione del Concilio, janë bartur në serinë “Sacra Congregazione Vescovi e Regolari, Visite Apostoliche,” ku ndodhen edhe sot]; pastaj mungojnë shënimet edhe për serinë Processus Datariae, mbi bisedat dhe konsultimet informative që bëhen në Vatikan, me rastin e emërimit të kryeipeshkëve, ipeshkëve dhe prelatëve të tjerë krishtarë; po ashtu nuk gjendet të dhëna as nga seria: Sacra Congregazione dei Riti, që ka të bëjë me shenjtërimin dhe kanonizimin e shenjtorëve; pastaj mungojnë të dhënat për urdhërat e ndryshme, si për augustinët, celestinët, domenikanët, françeskanët, benediktinët, jezuitët, etj. të cilët kanë vepruar gjatë shekujve në territoret shqiptare. 

Gjendja e sotme e skedarit 
Nën drejtimin e Garampit, disa nga skedat janë grupëzuar, sistemuar dhe vendosur në kuti të veçanta. Nuk është shumë e vështirë të ndiqet sistematizimi dhe grupëzimi i bërë, ngase është ndjekur sistemi kronologjik i renditjes, p.sh. Kurinë Romane, grupet e vogla përbëjnë tërësinë e përgjithëshme prej më shumë se 120.000 skedash, duke përshfirë këtu renditjen kronologjike: papët, kardinalët, ipeshkvët, famullitë dhe zyrtarët, etj. Për pjesën tjetër prej 700.000 skedash, si duket Garampi ka përdorur të njëjtin kriter, duke vendosur, p.sh. skedat e ipeshkëve të ipeshkvisë së Durrësit, [Prizrenit, Ohrit, et], me materjalet e tjera të kësaj ipeshkvie, duke pasur për qëllim të paraqesë një pasqyrë sa më të saktë dhe shumë të hollësishme të jetës, zhvillimit dhe funksionimit të kësaj ipeshkvie. 
Pas shumë zhvendosjeve, në vitin 1810 me urdhërin e Napoleonit, lënda arkivore nga ASV është bartur në
Paris. Pas rënies së Napoleonit, aty në mes të viteve 1815-1817, lënda arkivore prapë është kthyer në Vatikan, duke pësuar kështu dëmtime shumë të mëdha. Krejtësisht e harruar, vetëm aty nga fillimi i viteve tetëdhjetë të shekullit XIX, është marrë vendim që dokumentet me shënime të ndryshme, të cilët nuk kanë qenë në vendin e duhur, përfundimisht të sistemohen dhe të renditen në fondet përkatëse, sipas propozimit që më parë kishte bërë Pistolesi. Skedat e shpërndara nëpër kuti dhe vende të ndryshme u sistemuan dhe u vendosën nëpër fletë të formatit folio, që më vonë u lidhën në vëllime përkatëse, që në këtë mënyrë të mund të ruheshin këto shënime me vlera të jashtëzakonshme, për t’ju lehtësuar punën arkivistëve, studiuesve dhe historianëve të shumtë që vijnë çdo vit në ASV. Dy arkivistët: Pietro Ëenzel dhe Gregorio Palmieri kanë punuar në këtë projekt me punë të pandërprerë për vite të tëra. Meqenëse nuk kishte asnjë mundësi që të realizohej projekti i parë që kishte menduar Garampi, Ëenzel dhe Palmieri vendosën që lëndën e mbledhur dhe të skeduar ta sistemojnë sipas renditjes alfabetike, gjithnjë duke ruajtur kategoritë: Ipeshkvët, priftërinjtë, favorizimet dhe miscellaneae, brenda një njësie territoriale. 

Gjendja aktuale e Schedario Garampi 
Nr. rendor i vëllimeve Kategoria Regjistri indeksor i serive Nr. i vëllimeve në një kategori 
1-30 Benefici 445-474 30 
31-67 Vecovi 475-511 37 
68-91 Misecllanea – I.A 512-534.A 24 92-94 Abbates 535-537 3 
95-106 Cronologico 538-549 12 
107 Papi 550 1 
108 Cardinali 551 1 
109-111 Offici 552-554 3 
112-113 Chiese di Roma 555-556 
2 
114-125 Miscellanea - II.A 670-681 12 

Është shumë evidente se ndarja në këto kategori, është mundësuar, ngaqë autorët kishin parasysh gjendjen e përgjithëshme të kishës dhe atë në katër kategori: “Papi, Cardinali, Chiese di Roma dhe Offici”; ndërsa 6 kategoritë tjera, përfshinin të gjithë botën e krishterë. Brenda çdo kategorie kemi një renditje alfabetike; ndërsa brenda një ipeshkvie, kemi renditjen kronologjike. 
Meqenëse puna me skedarin është mjaft e komplikuar dhe kërkon një kujdes të veçantë, do të zbërthejmë kategoritë kryesore, d.m.th. ato më të rëndësishmet, por gjithnjë duke pasur parasysh lidhjen e tyre direkte me Shqipërinë etnike dhe popullin shqiptar në përgjithësi. 

1. Benefici 
Vëllimet 1-30, [përkatësisht 30 vëllime], të skedarit me rreth 93.000 skeda. Të dhënat për këtë kategori janë kryesisht për shekullin e XVI-të dhe kanë fare pak skeda [disa dhjetra], për shekujt XIII-të, XIV-të dhe XV-të. Të dhënat janë marrë kryesisht nga: Registri Vaticani, Registri Laterani, Diversa Cameralia dhe Armadio XXIX-XXX. Të gjitha skedat i ka shkruar një dorë. Kanë të bëjnë kryesisht me beneficet kishtare; ndarjen e indulgjencave famullive dhe kishave, etj. 
2. Vescovi 
Vëllimet 31-67, [përkatësisht 37 vëllime], të skedarit Garampi me rreth 325.000 skeda, ruajnë të dhëna për ipeshkvët e ipeshkvive të të gjithë botës së krishterë; të renditur sipas renditjes alfabetike, gjithnjë sipas emrit e mbiemrit në formën e latinizuar. Për secilin ipeshkëv ka të dhëna të sakta për emërimin e tij; funksionet që kishte në Kurinë Romane; ka të dhëna për leterkëmbimin, etj. 
3. Miscellanea I. A dhe Miscellanea II. A 
Në këtë kategori janë vënë të dy këto seri, Miscellania I. A, vëllimet: 68-91 [përkatësisht 12 vëllime], të skedarit me rreth 238.000 skeda dhe Miscellanea II. A, vëllimet: 114-125 [përkatësisht 12 vëllime], të skedarit me rreth 46.000 skeda. Sipas madhësisë, kjo kategori është e dyta, menjëherë pas asaj Vescovi. Është njëra prej kategorive më të rëndisishme. Në të gjejmë të dhëna nga më të ndryshmet për institucionet lokale kishtare: famullitë, kishat, kaptolet, spitalet, sunduesit, mbretërit, pricërit, urdhërat, konfesionet e ndryshme... etj. Psh. ka të dhëna për Dukagjinin, Hasin, Himarën; pastaj për familjet e shumta fisnike feudale shqiptare, Kastritotët, Balshët, Muzakët, Topiajt, Matrangët... etj. 
4. Abbates 
Vëllimet 92-94 [3 vëllime] të skedarit me rreth 18.000 skeda. Skedat janë të renditura sipas rendit alfabetik të famullive përkatëse, numri i të cilave ishte rreth 1.500, nga viti 1295 e deri te pontifikati i papës Palit III-të [1534]. E veçanta e këtyre vëllimeve është se këtu janë të regjistruar emrat e të gjithë famullitarëve dhe diakonëve nga e gjithë bota. 
5. Cronologico 
Vëllimet 95-106 të skedarit [përkatësisht 12 vëllime] me rreth 54.000 skeda. Skedat janë të renditura kronologjikisht deri në vitin 1766. Në këto skeda ka të dhëna nga të gjitha kategoritë e mëparshme dhe janë të pjesësshme. Nuk janë të përfunduara, ngase nuk janë të renditura në kategoritë përkatëse, shkak ishte se nuk janë të kompletuara ose ka mbetur që të verifikohen edhe njëherë të dhënat përkatëse. 
6. Papi 
Vëllimi i 107 i skedarit. Përmban rreth 8.500 skeda, me emrat e papëve, të renditur sipas rendit alfabetik. Të dhënat kryesore janë nxjerrë nga fondet: Registri Vaticani dhe Registri Laterani. 
7. Cardinali 
Vëllimi i 108 i skedarit, përmban rreth 7.200 skeda, me emrat e të gjithë kardinalëve, të renditur sipas rendit alfabeti. Të dhënat janë nxjerrë nga fonde dhe seri të ndryshme. 
8. Offici 
Vëllimet 109-111 [3 vëllime] të skedarit Garampi, përmbajnë rreth 24.200 skeda, me emrat e shërbimeve, urdhërave... etj., të Kurisë Romane fillon me Abbreviator... dhe përfundon me zeça. 
9. Chiese di Roma 
Vëllimet 112-114 [3 vëllime] të skedarit me rreth 18.000 skeda, me të dhëna kryesisht për historinë kishtare të Romës, duke përfshirë edhe kardinalët, prelatët e ndryshëm, vendet e shenjta, kishat e famullitë e vogla, shumica e të cilave sot nuk ekzistojnë më. Këtu ka mjaft shënime për familjen Albani [papën Klementi i XI-të, kardinalët Albani, etj.] 

Formati dhe 
kategoritë e skedave në Schedario 
Garampi
 
Formati i skedave është i ndyshëm, më të voglat janë ato nga
6 cm, ndërsa më të mëdhatë, zënë pothuajse tre të katërtat e faqes folio të një vëllimi. Skedat për kategoritë: Vescovi, Abbates, Offici, Cardinali, Miscellanea I, janë më të vogla për nga dimensionet, dhe formojnë dy shtylla në një faqe. Secila skedë ka të dhënat e saj të veçanta dhe tepër të rëndësishme për orientim si psh. datimi: është i shënuar në dy forma, me numra romakë dhe me numra arabë, e para: 10. kal. Apr. An VI; ndërsa e dyta: 1430, 5. qershor, anno IX, etj. Ka raste të shumta, kur janë të shënuara të gjitha të dhënat për datën, duke shënuar, ditën, muajin dhe vitin, si dhe vitin e pontifikatit, por ka edhe të atilla që kanë vetëm vitin, pra mungojnë muaji dhe dita. Datimi i është i saktë dhe sjell lehtësira të mëdha për studiuesit. 
Secila skedë përmban të dhëna kryesore për dokumentin që përfaqëson. P.sh. emrin, vendin dhe shënime të tjera për personat të cilët përmenden aty. Skedat që janë më të gjata dhe më të detajuara, sjellin hollësi më të shumta rreth dokumentit përkatës. 
Shumë e rëndësishme është edhe signatura e shënuar në fund të çdo skede në anën e djathtë poshtë, ndërsa data shënohet në fillim majtas, kurse objekti kryesor, shënohet në fillim fare. Signatura sjell të dhëna të sakta për vendndodhjen e dokumentit përkatës brenda vëllimit, fondit ose serisë së fondeve. Është e domosdoshme që për secilën signaturë të dhënë te skedari Garampi, të bëhet konkordanca me inventarët e rinj, për të mos u ngatërruar në gjetjen e dokumentit përkatës. Libri më i sigurt për një gjë të tillë është: “Sussidi per la consultazione dell’Archivio Vaticano”, Vatikan, 1989. 

Kryeipeshkvitë dhe ipeshkvitë e shënuara në Schedario Garampi që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe me shtrirjen etnike e territoriale të tyre: 

Ac(h)riden [Ochrida] 
Agathopolitana [Ahathopolis] 
Alexien [Alessio-Ljes-Lixien] 
Antibaren 
Apren [Apors] 
Arbanen [Albanese] 
Avelonen [Aulonen-Avlona] 
Balle(a)cen [Balezo] 
Buduen [Biduanen-Budua] 
Catharen [Cattaro] 
Cervicen 
Citren [Cytrum] 
Crayen 
Crojen [Croja] 
Cron(i)en 
Cunavien [Co(g)navien] 
Dagnen [Daynen-Dagne-Danj] 
Drivasten [Drivasto-Drivost] 
Dulcinen [Dulcigno-Olcini, Olgun] 
Duracen [Dyrachien-Durazzo] 
Lixien [Lissanen] – Albania 
Maditen [Maditus-Matio] 
Missien 
Polaten major [Pulati, Pilot] 
Polaten minor 
Priscensis 
Sappaten [Sappae-Zappaten-Nensiati] 
Scopien [Üsküp-Skoplje] 
Scutaren [Scutari] 
Suacen [Soazzo, Svac, Sas] 
Ëregensis 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx