Shtesë » Lajme
Në Prizren arrestohen 5 vehabistë
E shtune, 22.05.2010, 09:59 PM
Nga Express
Pesë persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sektin fetar Vehabi, janë arrestuar, ndërsa një sasi armatimi, llojesh të ndryshme, është konfiskuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar njëkohësisht në tetë lokacione në Prizren dhe rrethinë.
Aksioni është zhvilluar në orët e vonat të mbrëmjes të premten, ka konfirmuar policia në Prizren.
Drejtori i policisë rajonale, Nexhmi Krasniqi, ka thënë për KosovaLive se aksioni ishte planifikuar prej disa muajsh, për shkak të dyshimeve ndaj disa personave që mund të kenë lidhje me veprimet e kundërligjshme. “Dyshohet se ata mund të kenë lidhje me sektin fetar Vehabi”.
Krasniqi tha se me këtë rast janë arrestuar pesë persona, të cilët ndodhen në paraburgim.
Bastisja është kryer në gjashtë lokacione brenda Prizrenit dhe në dy të tjera në fshatin Lubizhdë, ndërsa është bastisur edhe selia e shoqatës humanitare “Sinqeriteti”, ku është marrë një sasi materiali kompjuterik, përfshirë CD, DVD etj, përderisa një person ka tentuar të rezistojë me revole.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha sqaroi se në këtë operacion janë angazhuar rreth 120 policë dhe eprorë të tyre, nga njësitet e ndryshme.
“Gjatë operacionit të koduar ‘Renea’, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar armë të ndryshme, pastaj telefona celularë, dhjetë palë uniforma ushtarake, disa jelekë anti-plumb, dylbi, pranga etj..”, tha ai.
Togeri Berisha tha se në këtë operacion janë konfiskuar armë të tipit Kallashnikov, disa pushkë gjysmë-automatike, pistoleta si dhe disa lloj thikash.
Sipas policisë pas këtyre arrestimeve do të hetohet edhe për rastin e sulmit fizik të një personi, punonjës i administratës tatimore, që ishte rrahur tri ditë më parë, në Prizren. Dyshohet se sulmi mund të ketë ardhur nga persona të sektit Vehabi, pasi viktima nuk ishte në marrëdhënie armiqësore me askënd, porse herë pas here shpërndante vullnetarisht Biblën.