Shtesë » Lajme
Engjëll Koliqi: Një kosovar dëbohet nga Italia
E diele, 09.05.2010, 07:55 PM
Në krahinën veriperëndimore të Italisë – Val d’Aosta, në një fushatë kundër emigrantëve të huaj:
NJË KOSOVARI I SHQIPTOHET MASA ADMINISTRATIVE E DËBIMIT
Fushata policore në Aosta i ngjan një aksioni të rrezikshëm me ngjyra të diktaturës naciste.
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Garlate (Lecco), 9 maj 2010 - Siç shihet nga raportet e djeshme të kronikës së zezë të agjencive të lajmeve ANSA dhe ADNKRONOS, gjatë javës që e lamë pas, policia e Kuesturës së Aostës ka riaktivizuar akcionin e kontrollimit te detajuar të emigrantëve të huaj që ndodhen në krahinën veriperëndimore të Italisë Val d’Aosta.
Agjencitë bëjnë të ditur se si pasojë e këtyre kontrollimeve, është shqiptuar masa e dëbimit nga ky shtet për tre emigrantë – një shtetas marokien, një shtetas ukrain dhe një shtetas kosovar. Siç thonë agjencitë e përmendura – një marokien 39 vjeç i sapo liruar nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për tregti droge, është shoqëruar nga policët në aeroportin e Milanos Malpensa dhe është dëbuar për në Maroko, ndërkaq një ukraini i është marrë lejeqëndrimi dhe është urdhëruar ta lëshojë Italinë. Një shtetas i Kosovës dyzetedy vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, siç thuhet – për falsifikim të një çertifikate është urdhëruar ta lëshojë Italinë dhe i është marrë lejeqëndrimi. Ndërkaq tre shtetas të tjerë marokienë janë denoncuar, me të drejtë të mbrojtjes në liri – siç thuhet, për deklarata të rrejshme mbi identitetin e një zyrtari dhe për përdorimin e një dokumenti publik të falsifikuar.
Jo për të spekuluar, por duke qenë dëshmitar i jetës në Itali (sidomos në viset veriore të këtij vendi), këto kontrollime dhe këto masa të policisë janë rezultat dhe pasojë e një fushate kundër të huajve, të inicuar nga qeverisja e djathtë berluskoniane, ku të gjitha ligjet dhe lëvizjet bëhen sipas tekeve dhe ambicjeve të legistëve nacistë të Ugo Bossit. Për të gjitha lëshimet dhe dobësitë këtu, tentohet që faji t’u lëhet të huajve, prandaj edhe ndërmerren këso fushatash e gjenden ndodhi e raste delinkuente, që para italianëve përdoren si argumente e si dëshmi, për t’ua mbushur mendjen se ata po punojnë, por para morisë së të huajve “nuk po ia dalin të vëjnë çdo gjë në vijë të drejtë”.