E premte, 02.05.2025, 08:17 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Athina: Do përfundojmë si Shqipëria

E merkure, 19.05.2010, 08:38 PM


Nga Gazeta Shqiptare

 

Në shtratin e vdekjes, Greqia fyen Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithçka ka ndodhur gjatë një reportazhi të realizuar në vendin helen për emisionin "Ballaro", të stacionit televiziv italian "Rai Tre". "Do të përfundojmë si Shqipëria, nuk kemi asnjë shpëtim tjetër…". Kështu kanë deklaruar disa të rinj grekë gjatë intervistave për dokumentarin, që kishte në qendër situatën kritike në të cilën ndodhet vendi i tyre, në prag të falimentimit. Krahasimet negativiste dhe fyerjet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve janë transmetuar në emisionin e televizionit italian, por kanë shkaktuar reagime të ashpra në opinionin në Itali. Media italiane kritikoi ashpër dje qëndrimin e mbajtur nga autorët e reportazhit të zhvilluar në Greqi lidhur me krizën ekonomike. Koordinatori italian për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe editori i "Osservatorio Balcanico", deklaroi dje se është për të ardhur keq sesi 'Rai Tre' nuk ishte në gjendje të thoshte asnjë fjalë për racizmin e grekëve ndaj Shqipërisë. Zyrtari vuri në dukje se, ndjen keqardhje për ata të rinj grekë që kanë të injektuar, fatkeqësisht në AND-në e tyre, mentalitetin e keq për fqinjët. "Ata fyejnë Shqipërinë, një vend që meriton respektin e plotë, një vend i cili po kërkon anëtarësimin në BE para vitit 2014. Deklarata të tilla janë një keqinformim", - ka thënë zyrtari, i cili është i angazhuar në drejtimin e marrëdhënieve të biznesit mes Shqipërisë dhe Italisë. "Nëse qëndrimet raciste të grekëve janë të njohura, tashmë unë jam i tronditur nga qëndrimi i redaksisë së 'Rai Tre', e cila në fund nuk ishte në gjendje të thotë asnjë fjalë në mbrojtje të Shqipërisë pas atyre krahasimeve të grekëve", - ka thënë më tej zyrtari. "Ky ishte një spektakël i shëmtuar", - tha ai, duke shtuar se tashmë ka ardhur momenti për të thënë mjaft më. Ndërkohë, edhe në bloget e ndryshme kanë nisur menjëherë reagimet e ashpra ndaj qëndrimit të mbajtur si nga ana e të rinjve grekë, ashtu edhe nga ana e medias italiane.

Shumë shkruajnë në blogjet në internet apo në faqet e gazetave italiane se, mentaliteti në Greqi nuk ka ndryshuar aspak. Sipas tyre, të rinjtë grekë janë të infektuar nga ksenofobia dhe racizmi, dhe kjo është vërtet e dëmshme në një kohë krize financiare në të cilën ndodhet vendi i tyre. Sipas tyre, Shqipëria nuk e meriton të ofendohet në këtë mënyrë dhe njerëzit e saj meritojnë respekt. Asnjë reagim nuk ka mbërritur nga media shqiptare apo opinioni publik në vend lidhur me këtë zemëratë të të rinjve grekë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, që më shumë se e nxitur nga kriza dhe situata e errët ekonomike, duket e ngulitur gjatë viteve të historisë. Greqia po përballet prej javësh me një krizë të jashtëzakonshme financiare që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës. Plani antikrizë i cili është koordinuar mirë mes BE-së e FMN-së, në këmbim të 110 miliardë eurove ndihmë në tre vjet, parashikon një reduktim të shpenzimeve në 30 miliardë euro, shkurtim të pagesave të punonjësve të administratës, pensioneve, reforma fiskale si dhe rritje të akcizës për karburantet, alkoolin, cigaret dhe çdo gjë të luksit. Protestat greke kundër masave të qeverisë Papandreu për të përballuar krizën, u bënë të përgjakshme javën e kaluar. Të paktën tre persona gjetën vdekjen në një incident të dhunshëm që shpërtheu në qendër të Athinës në premten. Greqia është tashmë e paralizuar nga greva e përgjithshme që kur qeveria deklaroi masat antikrizë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx