Shtesë » Lajme
Prishtina mbledh liderët fetarë islamë të rajonit
E hene, 10.05.2010, 09:38 PM
Prishtinë. Nga data 11 deri 13 maj në Prishtinë, do të mbahet takimi i liderëve fetarë islamë të rajonit, nikoqire e së cilit është Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Në këtë takim pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të bashkësive islame nga rajoni.
Sipas një kumtese lëshuar nga BIRK, në këtë takim do të marrin pjesë: Ali Bardakoglu, kryetar i DIJANET-it (Bashkësia Islame e Turqisë); Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; myftiu Shefko Omerbashiqi, kryetari i Bashkësisë Islame të Kroacisë; Seid ef. Smajkiqi, myftiu i Mostarit nga Bosnjë e Hercegovina; Sulejman Rexhepi, Bashkësia Islame e Maqedonisë; Rifat Fejziqi nga Bashkësia Islame e Mali të Zi; Nexhat Grabus, kryetar i Bashkësisë Islame të Sllovenisë,
Musatafa Haxhi Alish, kryetar i Bashkësisë Islame të Bullgarisë; Ibrahim Sherif, myfti nga Greqia, po ashtu edhe Ahmet Mete nga Greqia dhe Murat Jusuf, kryetar i Bashkësisë Islame të Rumanisë.
Të gjithë kryesuesit e delegacioneve shoqërohen nga bashkëpunëtorët e tyre. Temat, për të cilat do të bisedojnë liderët fetarë islamë gjatë qëndrimit në Kosovë janë: bashkëpunimi mes bashkësive fetareve, roli i fesë në rrethanat aktuale në rajon, bashkëpunimi me bashkësitë tjera fetare, roli i fesë në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës si dhe roli i bashkësive fetare në shoqëritë postkonfiktuoze etj.
Gjatë qëndrimit në Kosovës, liderët fetarë islamë të rajonit, të martën në mbrëmje, do të priten nga presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili për nder të mysafirëve do të shtrojë edhe darkë pune.