E marte, 30.04.2024, 12:20 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

41 intelektualë, letër Ramës

E hene, 10.05.2010, 09:58 PM


Nga Erald Kapri

 

Një grup artistësh, njerëz të letrave dhe skenës, i kanë dërguar një letër të hapur kreut të opozitës, Edi Rama, që të ndalë grevën e urisë. Në letrën e hapur, 41 artistët kërkojnë që të mos preket liberalizimi i vizave dhe në mënyrë simbolike kërkojnë “heqjen e pritës” nga kreu i opozitës. “Zoti Rama, hiqeni pritën! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në shtëpiI!”, kështu nis letra e hapur e personaliteteve të artit, e firmosur nga artistë të njohur si Mirush Kabashi, shkrimtari Fatos Kongoli, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Myfarete Laze, Amik Kasaruho etj., që nga organizuesit e letrës së hapur cilësohen si elita e kombit. Ata shprehen në letrën e tyre se “ne të gjithë arritëm këtu, duke ecur nëpër kalldrëmin e këtij tranzicioni kaq të gjatë. Ne kemi ecur dalëngadalë, duke e tronditur herë pas here besimin e të gjithë atyre që na mbështetën. Por… më në fund… ne tani jemi në prag, (duke iu referuar liberalizimi të vizave). Na duhet t’ua rikujtojmë të gjithëve se tamam në ditën kur 12 ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën publikisht heqjen e vizave për Shqipërinë, një grusht figurash politike dhe militantësh të partisë suaj u ndrynë në një grevë urie në zemër të Tiranës. Për fat të keq, ky izolim i ngjashëm me ngujimin absurd dhe aspak ekzistencial, çdo ditë e më shumë po humbet kuptimin e dimensionit të lirisë, po humbet perspektivën, kthjelltësinë dhe po kthehet në përhumbje, amulli dhe dëshpërim. Kjo është arsyeja, e cila na shtyn t’ju bëjmë këtë thirrje publike, që të rigjeni Kuvendin, politikën, dialogun”, thuhet më tej në letrën e artistëve drejtuar Edi Ramës. Më tej ata shprehen se rruga e ndjekur me anë të grevës së urisë nuk është e hirshme. “Vetëflijimet nuk janë kurrë të hirshme. Zoti ynë i përbashkët na e ka falur jetën që ta përdorim sipas hirit të tij. Ai nuk e ka eksperiencën e së keqes. Ndaj edhe u rri larg gjithë përvojave vetëflijuese. Besojeni se ne nuk mund të vazhdojmë të bëhemi gazi i botës për asnjë arsye. Dinjiteti ynë kombëtar nuk mund të përdhoset për asnjë shkak. Ne e meritojmë lirinë dhe të ardhmen e qytetëruese”, shkruhet në letër. Ata thonë më tej se “në këtë rrjedhë historie, ky komb ka pasur edhe antiheronj, njerëz që i kanë pirë gjakun e i kanë shuar lirinë, njerëz që i kanë cenuar dinjitetin e i kanë vrarë shpresën”. Në fund të letrës, kreut të opozitës i bëhet apel të ndërpresë grevën e urisë, duke i thënë që të mos bëhet antiheroi i radhës i historisë shqiptare. “Zoti Rama, hiqeni pritën! Lërini shqiptarët të mbërrijnë në shtëpi! Mos u bëni antiheroi i radhës, i kohëve moderne! As ju nuk e vrisni dot destinin tonë!”, mbyllet letra e artistëve.

 

Intelektualët që kanë firmosur letrën

 

Mirush Kabashi                 Artist i Popullit

Agim Krajka                Mjeshtër i madh

Irini Qiriako                     Këngëtare, Mjeshtre e Madhe

Skender Kamberi               Piktor, Artist i Popullit

Fatos Kongoli              Shkrimtar

Agron Aliaj                        Koreograf, Artist i Popullit

Drita Pelingu                      Aktore, Mjeshtre e Madhe

Nestor Jonuzi              Piktor, Artist i Popullit

Tinka Kurti                        Artiste e Popullit

Luiza Papa                         Artiste e Merituar

Edmond Tupja           Përkthyes, Profesor

Dhimitraq Orgocka            Regjisor, Artist i Merituar

Margarita Xhepa     Artiste e Popullit

Guljem Radoja            Artist

Ali Oseku           Piktor i Popullit

Armaldo Kllogjeri      Tenor i njohur në skenat botërore

Marjana Leka            Soprano

Etleva Golemi              Soprano

Gerti Vaso                 Solist i TOB

Lili Cingu               Mjeshtre e Madhe

Anila Zajmi            Piktore

Genc Shkodrani         Piktor

Buron Kaceli           Piktor

Rexhep Çeliku             Mjeshtër i Madh

Orjon Shima                Piktor

Zerina Kuke                Artiste

Zhani Ciko                         Mjeshtër i Madh

Elvira Diamanti               Aktore  

Xhelal Tafaj                       Artist, Urdhri "Naim Frashëri i Artë"

Lajla Agolli                      Kompozitore

Ylber Gjini                        Bariton

Myfarete Laze                    Këngëtare

Suela Konjari              Aktore

Perikë Gjezi                       Aktor     

Helga Saraçi               Valltare

Genc Përmeti                      Piktor

Sabahet Vishnja               Këngëtare

Donika Çili                        Pianiste

Manjola Konjari              Mezo soprano

Ardian Isufi                       Piktor

Amik  Kasaruho              Shkrimtar, përkthyes

 

Rama: Keqardhje për intelektualët e Berishës

Kreu socialist iu përgjigj dje letrës që intelektualët i dërguan dje Edi Ramës për të ndërprerë grevën e urisë.  “Fjalën e parë e kam sot për ca intelektualë siç e quajnë ata vetën, por edhe siç i quajnë të tjerët ata. Intelektualë që shkruajnë se kjo grevë u duket e ekzagjeruar, u duket e tepërt madje se kjo grevë u dukej e rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe politik për vendin sipas njërit prej tyre. Fjala ime për ta është vetëm një: keqardhje! Keqardhje për kapardisjen e tyre në

haremin mediatik ku vallëzojnë çingijet e oborrit të mbretërisë të pashpallur.

Dhe neveri për këtë harem sazexhinjsh të ushqyer me fondet e oborrit për të mbytur me zhurmën e shpifjeve dhe fyerve jehonën e përpjekjes tonë në zemrat e shqiptarëve. Dhe sot dëshiroj ta përsëris për të gjithë ata daullexhinj të haremit mediatik të Sali Berishës. Ata janë fytyra e pushtet të korrupsionit dhe gënjeshtrës që nuk e la dje popullin të zgjedhë”, u përgjigj Rama.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora