Shtesë » Lajme
“Republika e Tanushës”, rizgjohen hijet e konfliktit në Maqedoni
E hene, 10.05.2010, 09:55 PM
Në fshatrat që qeverisen nga ish-deputeti Shaqiri, ose “komandant Hoxha”
Ka më shumë se tre vjet që Xhezair Shaqiri është ngjitur në fshatin Tanushë të Maqedonisë. Shkupi për të duket i largët, ndonëse nuk ka shumë kilometra nga atje. Ish-komandant Hoxha, që kur e ka përfunduar mandatin e deputetit të Kuvendit të Maqedonisë, jeton në një kasolle të vogël, i rrethuar nga shumë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të armatosur deri në dhëmbë. Ky ish-komandant ka lënë jetën dhe luksin e Shkupit për të jetuar në një fshat kufitar me Kosovën nëpër shtigjet e të cilit më së lehti udhëtohet me kalë shale apo samari. Në këtë fshat, ku tash e sa vjet jeton ky ish-komandant që vazhdon të quhet komandant, jeta vështirësohet edhe më shumë gjatë muajve të dimrit, kur bora arrin kulmet e shtëpive. Hoxha ka autoritet jo vetëm mbi Tanushën. Ai kontrollon edhe fshatrat Llukar, Goshicë, Brese që shtrihen nëpër male në mbi 1300 metra lartësi mbidetare. Në këto anë, autoriteti i vetëm është ai.
“Prej herës së fundit kur policia sllavo-maqedonase më 2007 pati ndërmarrë një ofensivë kundër fshatit, me mbi 600 forca elite, ne u organizuam dhe për gjysmë ore i nxorëm nga fshati. Prej atëherë nuk ka hyrë më këmbë polici në këtë fshat”, tregon Hoxha, për të shtuar se pas asaj zmbrapsjeje të forcave policore, i kishte vënë kushte qeverisë që të kërkonte falje. “Nuk jemi kundër arrestimit të një personi, i cili e ka shkelur ligjin, sepse kemi nevojë për polici profesionale, e cila do ta luftojë krimin e organizuar dhe jo në atë mënyrë. Ashtu jemi marrë vesh edhe në 2001-shin, që të mos përdoret forca. Ka qenë e patolerueshme që mbi 600 forca elite të njësisë ‘Tigrat’, të sulmojnë fshatin Tanushë me pretekst të kërkimit të armëve”, thotë ai. Rruga rreth 10 kilometra nga fshati Dëbelldeh i Kosovës deri në Tanushë të Maqedonisë është vështirë e kalueshme. Veturat nuk shkojnë dot, përveç ndonjë xhipi të madh. E traktorët bartin udhëtarë dhe mallra andej e këndej kufirit. Ecja më këmbë e kësaj rruge plot gropa e gurë nuk është aq e lehtë. Pluhuri mbulon këpucët e bajgat e kuajve janë të shumta, si dëshmi se kjo formë transporti është më e përshtatshmja. Diku nga mesi i rrugës, në një luginë, rrjedh vrullshëm një krua nga rrënjët e ahut, uji i ftoftë i të cilit të bie në ballë. Pakkush mund të kalojë andej e të mos pijë ujin e këtij kroi. Ujin e tij e pi edhe Valoni, 15 vjeç, nga fshati Dëbelldeh, i cili pa përtesë i prin në këmbë ekipit të gazetës deri në kufij. Përtej kufirit nuk qet asnjë hap më shumë për t’u kthyer prapa me një traktor që në atë moment shkon në drejtim të Kosovës.
Kufiri i padukshëm
Në atë pjesë që “qeveris” komandant Hoxha nuk ka asnjë shenjë treguese që ke hyrë në territorin maqedonas. Në anën e majtë mbi një kodër ndodhet një karakoll maqedonas, në një kodër tjetër ndodhet një pikë e shqiptarëve të armatosur. Në ajër fluturon një aeroplan që nuk shihet. “Na ka ba zhurmë qiki ballan sot. S’pe dimë a është i KFOR-it a i maqedonasve, se me ditë që është i maqedonasve e kishim qitë në tokë”, thotë një i ri, i dërguar nga komandant Hoxha për t’i pritur gazetarët. Ai duket se është familjarizuar me një “kallashnikov”, të cilin e bart lehtë. “Kallashnikovi” i tij, që duket se është i përdorur, gjatë kohës i janë vendosur tre karikatorë me nga 30 fishekë të gatshëm për breshëri. I dërguari i komandant Hoxhës nuk flet shumë. Nuk e tregon as emrin, por herë pas here tregon se si janë përleshur me armë me ushtarë maqedonas. “Kemi shku ni ditë i kemi gjetur të shtrirë në tokë do ushtarë. I kemi gjuajt po nuk kemi dashtë t’i vrasim. Vetëm i kemi plagos”, tregon duke shpalosur karakterin e “armiqve” të tyre, duke i quajtur të ligë e frikacakë. “Shumë janë të flliqtë. Në di mijë e nitën deri në Shkup kemi hirë”. Shtëpia në të cilën ndodhet baza e këtyre njerëzve të armatosur është e vogël, e palyer nga jashtë dhe e tymosur nga brenda. Pas derës është një grumbull armësh kalibrash të ndryshëm. Oda është plot burra, të cilët dëgjojnë se çka flet Hoxha. “Sllavo-maqedonasit po shihet se me paramendim të mirëfilltë kanë marrë ofensiva të njëpasnjëshme kundër shqiptarëve dhe prej atëherë nuk e kanë parë të udhës që të kërkojnë falje për ato humnera që i kanë krijuar me shqiptarët dhe Tanusha është ku është sot jashtë kontrollit të Policisë. Veç shkolla funksionon këtu, asgjë tjetër”, thotë Xhezair Shaqiri - Hoxha. Ai thotë se vendi është shumë i prapambetur dhe se investimet e shtetit nuk kanë ndodhur me dekada. Hoxha thotë se në “republikën e tij” ka shumë probleme, të cilat janë injoruar nga pushteti maqedonas. “Asnjë qeveri nuk ka dashur t’i marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve të fshatrave Tanushë, Lukar, Morinë, Goshicë, Bresë, fshatra rreth kufirit që kanë lidhje farefisi me fshatrat e Kosovës, të cilët janë nip e dajë”, thotë ai duke shpjeguar krushqitë në këto fshatra: “Një vajzë prej Prishtinës a prej Shkupit nuk vjen të martohet këtu”.
Shkaku i përplasjes
Komandat Hoxha, për situatën e krijuar në disa rajone të Maqedonisë të banuara me shqiptarë, fajëson Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, dhe dy liderët shqiptarë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi. “Shteti i Maqedonisë nuk ka bërë asgjë që të tejkalohet kjo situatë, nuk i ka interesuar apo i ka interesuar që situata të jetë kështu. Më e keqja është se as ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë që ta normalizojnë situatën”, thotë Shaqiri dhe shton se nuk lejon që të keqtrajtohet popullata shqiptare.
“Prej se kur është VMRO-DPMN-ja në pushtet shumë ofensiva janë bërë kundër shqiptarëve. Një ndër to janë edhe Brodeci, Sopoti, shumë prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ka mbi 300 ushtarë që gjinden nëpër burgje pa asnjë dëshmi, edhe pse ekziston marrëveshja për amnisti”, thotë ai duke rikujtuar projektet antishqiptare, sipas tij, të Gruevskit, siç ishin Enciklopedia dhe projekti “Shkupi 2014”. “Shihet qartë që Marrëveshja e Ohrit është cunguar dhe ka hasur pengesa të mëdha. Kemi shumë ligje të kësaj marrëveshjeje që nuk kanë kaluar në Parlament, ndërsa afati i fundit ka qenë 2004-a. Kemi ende problem me shumë djem të luftës që ndiqen dhe nuk janë rehabilituar në shoqëri”, shprehet komandant Hoxha. “Marrin rrugën për në kurbet dhe kur kthehen arrestohen sepse kanë fletarrestime”, shton ai, duke u çuditur me mosreagimin e ndërkombëtarëve si nënshkrues dhe garantues të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni.