E diele, 28.04.2024, 05:25 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Fatos Baxhaku: Jetë në Tarabosh

E marte, 04.05.2010, 09:11 PM


Jetë në Tarabosh

 

AFER & LARG

 

Nga Fatos Baxhaku

 

Oblika është qendra e Komunës Ana e Malit. Ajo është veçse pak kilometra në drejtim të pikës kufitare të Murriqanit. Fshatrat e saj shtrihen mes dy emrave të njohur: Bunës dhe Taraboshit. Është një vend i begatë, i njohur jetë e mot për banorët e saj të urtë e punëtorë. E pimë një kafe të shpejtë në qendër të Oblikës. Disa djem të rinj bëjnë potere me një gazetë bastesh në dorë. Një natë më parë ka qenë një ndeshje e rëndësishme e Ligës së Kampioneve. Me siguri disa prej tyre i kanë lënë në baste paratë që prindërit i fitojnë me punë të vështirë. Fshati ndahet mes për mes nga një përrua që zbret nga Taraboshi. Në të dy brigjet e tij janë krijuar male plehrash. Disa derrkucë të qetë lozin mes tyre, duke iu gëzuar diellit pranveror. Ngjyrën e dikurshme bojë rozë e kanë humbur prej kohësh, duke u zhgërryer në togjet e pështira.

Ndër libra kemi lexuar se shumë prej fshatrave të vjetër të Anës së Malit dikur shtriheshin lart në shpatet e Taraboshit. Me kalimin e kohës, një pjesë u shkretuan nga luftimet e egra që janë zhvilluar këtu kohë më parë, një pjesë tjetër e banorëve pak nga pak nisi të ulej në fushë, ku jeta është më e përballueshme dhe Shkodra më afër. Rrimë e vrasim mendjen a ka mbetur më gjë ndër fshatrat e braktisur. Një grua na sqaron me durim se si e nga duhet t’i biem për t’u ngjitur lart në mal. “Vetëm se nuk keni me pa gja – na thotë - vetëm ullinj e mandej ferra, shegë e kurgja tjetër nuk ka mbetë. Rrënoja të shtëpive të vjetra ka disa, po atje nalt tashti kanë mbetur vetëm dy-tri shtëpija. Ata që nuk kanë mundur të rregullohen këtu poshtë”. Rrimë e vrasim mendjen a ia vlen të ecim katër amë shumë orë të mira në këmbë për të jetuar disa çaste në mes të braktisjes? Emrat duken fort interesantë (Krebej, Vidhgarë, Babot), por megjithatë vendosim që të flasim me njerëz e të ecim sa të mundim me makinën tonë fare të papërshtatshme për një udhëtim mes shkrepash.

 

Po me asistencën ç’patën xhanëm?!

 

Oblika është fshat i lakmuar nga banorë të zonave të tjera. Që në vitet ‘70, banorë nga malësitë e largëta, Kopliku, Dukagjini u vendosën në anë të Bunës, në disa pallate të bëra shpejt e shpejt. Si kudo, edhe këtu, kemi rastin ta dëgjojmë shpesh atë fjalinë që është identike thuajse në të gjitha fshatrat e përzier: Nuk kemi asnjë problem me njëri-tjetrin. Shkojmë si vëllezër.

Njëri nga të ardhurit është Xhevat Duda, 68-vjeçar. Ai ka ardhur 36 vjet më parë nga një fshat tjetër matanë Bunës, nga Shirgji i njohur për rrënojat e kishës së vjetër të Shën Sergjit e Shën Bakut. Profesioni i tij i dikurshëm ka qenë furrxhi. Me Xhevatin është edhe këndshëm, edhe vështirë të bisedosh, sepse sapo nis të tregojë diçka menjëherë i kujtohet një halli i tij i madh. “Po asistencën e vajzës pse ma hoqën?! A dini gja?”. Megjithatë, me durim arrijmë të mësojmë se i jati i tij ka qenë i shkolluar jashtë vendit dhe ka shërbyer në ushtrinë e Zogut. Pa disa vuajtjeve, që me sa duket kanë vazhduar gjatë, ai ka pësuar një depresion të rëndë, më pas është përmirësuar dhe ka punuar si bujk deri sa ka vdekur para 31 vjetësh. Jo vetëm jeta e të atit, por edhe historia e një daje të pushkatuar i ka prishur punë Xhevatit. “Kufirin e kishim afër, edhe rrugët e shtigjet i dinim me sy mbyllur, por nuk ika. Do t’i prishja punë familjes. Një vëllai im, pat punuar në klubin ‘Vllaznia’, iku në Jugosllavi bashkë me një shok nja gjashtë muaj para se të vinte demokracia. Nuk patëm pasoja, sigurisht. Këtij vëllait nuk i eci, u kthye vetë pas disa muajsh që qëndroi në Jugosllavi e Itali”, tregon Xhevati, duke e ndërprerë shpeshherë bisedën me atë lajtmotivin e pashmangshëm: “Po asistencën e vajzës pse ma hoqën?! A dini gja?”.

 

Xhovalini nga Bajza

 

Në tavolinën tonë tashmë janë mbledhur miq të shumtë. Sikur ngushëllohemi kur na thonë që është e kotë të shkojmë në fshatrat e vjetër. Të gjithë janë dakord se është rrugë e gjatë dhe një mund pavlerë. Kështu që vendosim të bëjmë një xhiro në lagjet e jashtme të Oblikës, ato që ende mbahen atje ku nisin shpatet e Taraboshit. Një burrë i gjatë tregohet i gatshëm të na shoqërojë. Ai është Xhovalini që banon në ato pallatet e bardhë të të ardhurve, të cilat i përmendëm pak më parë. Ky na tregon se në moshën 18-vjeçare ka bërë dhjetë vjet burg në Spaç për “tentativë arratisjeje”, por nuk e hap gojën për asnjë hollësi tjetër të asaj historie. Sido që të jetë, tregohet mik i pakursyer në tregimin e vendeve dhe rrugëve.

Lagjja e parë që hasim është Garuci. Më shumë se lagje ky është një grumbull i madh shtëpish, që fare mirë mund të cilësohej fshat. Garuc quhej edhe një lagje në Shkodër, ku njihet shumë edhe si mbiemër. Tani jemi duke depërtuar me të vërtetë në Anën e Malit të vërtetë, me kopshtet e mbajtura me kujdes, me rrjeshtat e drejtë të zarzavateve, me gratë e moshuara që nuk e heqin napën e bardhë nga koka. Tek-tuk shohim edhe ndonjë shtëpi tipike prej guri dhe me ballkonin prej druri, por shumë prej tyre janë të mbyllura. Më vonë do të mësojmë se një pjesë e mirë e shtëpive të vjetra u rindërtuan nga e para pas tërmetit që goditi krejt krahinën në prillin e 1979.

Përballë Garucit, një tjetër lagje e madhe na bën që të ndalojmë një copë herë. Jemi në Velinaj. Këtu na bën përshtypje një xhami e madhe, e porsandërtuar. Banorët e vjetër janë besimtarë të mirë myslimanë. Të ardhurit nga Malësia, më së shumti katolikë. Në qendër të Oblikës xhamia dhe kisha janë fare pranë njëra-tjetrës, krejt në anë të Bunës. Në Alimetaj, mbërrijmë si kemi ecur për afër dy kilometra nga rruga kryesore. Tashti, malin e kemi fare pranë. Rruga e makinës përfundon këtu. Një shteg i përbaltur bagëtish i lë vendin xhadesë.

 

Kujtime me luftë

 

Qamil Murri, edhe pak muaj, mbush 90 vjet. Sapo ka lënë punën e tij të përditshme, prashitjen e kopshtit, sikurse ka bërë më para tij i ati dhe gjyshërit. Qamilin të gjithë e thërrasin “Axha”. “Veç unë kam mbetë nga tanë shokët e mi. Të tanë kanë dekë me kohë”, thotë duke vënë buzën në gaz, si të gjithë ata që tashmë nuk i frigohen vdekjes. Me Axhën bisedojmë një copë herë për traditën e vjetër të anamalasve, kultivimin e perimeve dhe frutave, për të cilën ishin aq të njohur në Shkodër. “Ah, i mbjellim ne edhe tash i mbjellim – na thotë - por nuk po ka leverdi. Në kohë të para ne mashim tanë Shkodrën me speca, bamje, patlixhana, mollatarta, bostan. Tashti kena leverdi me mbjellë veç për vedi. Me shitë në qytet nuk na len çmimi. I bijnë gjanat prej jashtë dhe na kanë eleminu ne krejt”.

Axha e ka njohur mirë Luftën. “Në 1940 kam qenë ushtar në luftën italo-greke, në krahinën e Korçës. Atje jam plagosë dy herë – na thotë – pastaj kam qenë partizan. Kam luftuar edhe matanë kufirit, në Jugosllavi. Po nuk mjaftoi me kaq. Në 1949 isha në Shëngjin. Më kanë marrë e më kanë çu andej nga Devolli. Bahej luftë me Greqinë. ‘Provokacionet gushtit’, po t’i keni ndëgju”. E pyesim Axhën nëse di diçka për luftën me malazezët në 1912-1913. “Po vetëm me të digjume nga pleqtë e parë e di atë punë”, përgjigjet plaku. Bashkë me të nisim të shfletojmë shënimet tona.

Pikërisht këtu ku jemi, në Tarabosh, janë zhvilluar disa nga luftimet më të ashpra në krejt historinë tonë. Më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpall luftë Turqisë. Më 11 tetor 1912, ushtria malazeze nisi të bombardojë Taraboshin. Në mal ishte një nga shtatë fortifikimet më të mëdha rreth Shkodrës që Valiu dhe komandanti i ushtrisë turke në Shkodër, Hasan Riza Pasha, kishte ndërtuar që një vit më parë. Malazezët kishin mobilizuar 25 ushtarë. Përballë tyre qëndronin 5 mijë ushtarë turq dhe 10 mijë rezervistë shqiptarë të ardhur nga krahina të ndryshme. Në Tarabosh kishte rezervistë nga Durrësi, Librazhdi dhe Gramshi. Në krah të tyre luftonin edhe shumë anamalas, shkodranë e malësorë. Fortifikata e Taraboshit drejtohej nga një nënkolonel turk, Mahmud Qamil. Beteja e parë trup me trup duhet të ketë qenë shumë e përgjakshme. Dokumentet turke raportojnë për 800 malazezë e 87 turq e shqiptarë të vrarë. Që në betejën e parë u vranë disa anamalas, të cilët, veç të tjerave, kishin edhe detyrën e rrezikshme të udhërrëfyesit. Krahina u shpopullua thuajse krejtësisht. Ata që mbetën nisën të vdesin jo vetëm nga lufta, por edhe nga uria. Luftime të ngjashme janë zhvilluar për gjashtë muaj me radhë, deri në prillin e 1913. Në fundin e prillit të këtij viti, ushtritë malazeze hynë në Shkodër, pas marrëveshjes që kishte bërë më parë më Knjazin, Esat Pasha. Ky kishte zëvendësuar Hasan Riza Pashën e vrarë tradhtisht pas shpine. Pushtimi i Shkodrës shumë shpejt u shndërrua në një “mollë sherri” për fuqitë e mëdha të kohës. Austro-Hungaria shumë shpejt kërcënoi se do t’i shpallte luftë Malit të Zi nëse ky nuk tërhiqej, sa më shpejt, përfundimisht dhe fare pa kushte nga Shkodra. Pushtimi malazez nuk zgjati shumë. Në maj, në Shkodër, u vendosën trupat ndërkombëtare. Ata gjetën një Shkodër të mjeruar. “Në Shkodër konstatohen zyrtarisht 37 katolikë e ortodoksë të vrarë nga gjylet e 73 të vdekur nga uria; ndërmjet myslimanëve llogaritet që numri i të vdekurve nga bombardimet e uria të jetë katërfishi”, shkruhet në një relacion të jezuitëve dërguar eprorëve të tyre në Itali. Për gjashtë muaj me radhë përrenjtë e shumtë, që zbresin nga Taraboshi, ishin të kuq nga gjaku i të vrarëve.

Tani transhetë e dikurshme që u mbushën me të vrarë, sot janë mbuluar nga ferrat. Ka mbetur vetëm kujtimi i asaj përgjakjeje të rëndë e të kotë. Miqtë tanë na thonë se atje lart, në majë të malit, në vendin që quhej “Fesad Tepe”, deri vonë shiheshin kocka njerëzore, mbeturina të kufomave që nuk u varrosën kurrë.

“Rruga e Asqerit” (Rruga e Ushtarit) e quanin të moçmit e këtyre anëve rrugën që të çon nga bregu i Liqenit të Shkodrës deri lart në majë të Taraboshit. Në fakt, rruga e sotme është paraprirë nga një shteg i ndërtuar nga turqit në kohën kur po fortifikohej maja e malit. Bëjmë edhe ne përpjetë me shpresën se këtë herë do të na “nderojë” makina jonë e ulët. Në këmbë të malit janë ndërtuar disa lokale, fort të këndshme me atë panoramën me liqenin dhe me Shkodrën e Cukalin tej në horizont. Deri këtu jemi në rregull, ecim për pak minuta në faqen e malit të mbjellë me pisha, porse nuk vazhdojmë gjatë. Ca më lart rruga vështirësohet goxha dhe ne e kemi të pamundur të vazhdojmë më tej. Duket sheshit se mali, dikur skenë përgjakjesh të rënda, për fat të mirë ka ndryshuar funksion. Me dhjetëra çifte të rinjsh kërkojnë intimitetin në pyllin e pishave. Një goxha “Mercedes” me kokën e zhytur në një tufë shegësh të egra tundet apo nuk tundet. Fare pranë saj një grua e moshuar kullot dhitë e saj, teksa thur triko pa u trazuar fare. “Lufta” vazhdon, por në kuptim krejt tjetër sigurisht.

 

Irakiani dhe një zinxhir vrasjesh

 

Personazhi më i njohur i rrethimit të Shkodrës, në 1912-1913, ka qenë dhe mbetet Valiu dhe komandanti ushtarak i qytetit, Hasan Riza Pasha. Ky kishte lindur në Bagdad në 1871, në kohën kur Iraku ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. I ati ishte vali i Bagdadit. U shkollua në Stamboll, mori pjesë në luftën turko-greke të 1897 dhe më pas studioi sërish në Gjermani. Në Shkodër mbërriti në vitin 1911. Këtu banoi në një shtëpi diku ku është sot xhamia e madhe në qendër të qytetit. Fare pranë tij banonte zëvendësi i tij, i njohuri Esat Pashë Toptani.

Hasan Riza Pasha ishte i bindur në mbrojtjen e Shkodrës prej malazezëve. Burime të shumta vërtetojnë se ai nuk i zbatoi urdhrat që vinin nga Stambolli për të lëshuar qytetin. Në Shkodër kishte namin e një njeriu të qetë, të hapur dhe të komunikueshëm. Kishte marrëdhënie shumë të mira me popullsinë katolike, klerin dhe me malësorët. Fillimi i luftës i bëri bashkë në një llogore shqiptarët që mbronin trojet e tyre nga copëtimi dhe Hasan Riza Pashën. Me sa duket e kishte kuptuar se në kohën e tij, sundimit të Turqisë në Ballkan, i kishte ardhur fundi. Ishte në bisedime të fshehta me Austro-Hungarinë në mënyrë që sapo të ulej flamuri turk në kalanë e Shkodrës, të ngrihej menjëherë ai shqiptar. Pak ditë pas këtyre bisedimeve, ai u vra në rrethana ende të pashpjeguara plotësisht. Pasditen e vonë të 30 janarit 1913, tri krisma e prishën qetësinë e lagjes së vjetër “Fushë Çelë”. Kur njerëzia arriti të orientohej në errësirë gjetën Hasan Riza Pashën të shtrirë në kurriz, duke dhënë shpirt. Sapo kishte dalë nga shtëpia e Esat Pashë Toptanit. Me tre plumba mbaroi pesë orë më vonë, teksa adjutanti i tij arab po i këndonte disa syre të Kuranit. U varros në xhaminë e Parrucës, një ditë më pas. Ishte “e xhuma” (e premte) ditë e bekuar për myslimanët. Në opinionin shkodran, që asokohe ka qenë e ngulitur bindja se valiu i Shkodrës u vra me urdhër të Esat Pashë Toptanit. Madje janë përmendur edhe emrat e vrasësve: Osman Bali, krahu i djathtë i Esatit, një Mahmut nga Kavaja dhe një Tefik po nga Shqipëria e Mesme diku. Në fakt, asokohe Esati i kishte të gjitha motivet që të eliminonte Hasan Rizanë. Ishte ai që do ta zëvendësonte, ishte ai që vetëm dy muaj më pas nisi tratativat për t’ua dorëzuar Shkodrën malazezëve. Si për ironi të fatit ishte vetë Esati që mori nga i ndjeri amanetin e fundit: “Mos i thoni djalit që jam vrarë kështu. I thoni se u vrava në luftë”.

Shtatë vjet më pas, vetë Esat Pasha do të mbetej viktimë e një atentati në Paris. Vrasësi i tij vetë, Avni Rustemi, u vra nga Osman Bali në 1924, i cili nga ana e vet u vra nga Myslim Peza në 1942. A nuk është një histori e mirëfilltë “me të fortë”?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora