E enjte, 01.05.2025, 05:06 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Një udhëtim në bregdet

E shtune, 17.04.2010, 09:58 PM


NJE UDHETIM NE BREGDET

 

(Reportazh i nxjerrë nga Ditari i Luan Çipit)

 

Në muajin prill të vitit 1971, me trupën mësimore të “Teknikumit Ekonomik”, të qytetit të Vlorës, ku une isha mesues i  statistikes, bashkë me Hanëmen, gruan, me mësuesit Viktor Rapi, Ilia Guma, Agathokli Adhami, Bajram Hajrullai, Abedin Elmazi, Lili Dodi, Petrit Osmani, Vasil Zani dhe gratë e tyre, me një mikrobus, organizuam një

vizitë turistike për në  qytetin antik të Butrintit.

 

Vlora

 

Pushimin e parë e bëmë në pishat e Llogorait, në lartësinë njëmijë metro, mbi nivelin e detit. Qëndruam në një bar-restorant midis pishave, pimë nga ujët e ftohtë të burimit dhe hëngrëm me shije mëngjesin e parapërgatitur. Pamja para nesh, kur mijëra metro larg, dukej deti i pa fund, ishte mahnitëse. Dallgët përplaseshin, në ndjekje të njëra tjetrës dhe shkumëzimet e tyre të dukeshin si qindra anije te vogla, që garonin me shpejtësi. Dhe mëndja më shkoi në lashtësi: A thua se, përsëri, pas mijëra vjetësh, Cezari i famshëm romak, po e çonte flotën e tij të madhe të imbarkuar, te lugina poshtë, që mban ende emrin e perandorit legjendar, për të zbarkuar aty e për t’u ndeshur, keqas, me rivalin e tij të vjetër, rebel, Pompeun? Po pse kështu? Për një kasaphanë të tillë njerëzore senatorëve romakë nuk u mjaftonte vendi i tyre, gjithë ai gadishull i madh Apenin? E, moj Shqipëria ime e vogël,

 gjithnjë e pa zot, arenë ndeshjesh e pushtimesh!     

Rruga gjarpërore e ngushtë, e asfaltuar dhe e mbajtur mirë, po me kthesa shumë të rrezikshme. Në lindje vargmalet e pafundme të Çikës, të mbushura me gjelbërim dhe që zbardhonin nga bagëtitë e imta, të shpërndara gjithandej në kullotat malore dhe që formonin, me ato këmborët dhe zilet e tyre, një simfoni madhështore. Edhe barinjtë, me ato krabat e gjata, ishin të veshur në të bardha. Thellë dëgjohet ndonjë melodi baritore me fyell, shoqëruar nga këngët e bilbilave, kanarinave, kryeartëzave dhe zogjve të tjerë të shumtë gjithëngjyrësh. Më tej shtëpi të grumbulluara, në fshatra kala, me ledhe e mure midis ullinjve e agrumeve: Palasa, Dhërmiu Vunoi me Iliasin, Himara, Kullsi, Piluri dhe Qeparoi. Njeri me i bukur se tjetri, të përjetuar në këngët e bukura himarjote: kush është lule vilajetit, Himara në mes të detit, shtatë fshatra që janë…

 

Dhermiu

 

Drekën e hëngrëm në Kampin e Pushimit të Punëtorëve Dhërmi, duke devijuar nga rruga kryesore për rreth dy kilometra, në mes të ullinjve shekullorë dhe plantacioneve me portokalle e qitro. Atje edhe fjetëm, në dhomat e Kampit, që gjatë dimrit shfrytëzoheshin edhe për hotel, duke e ndier aq afër erën e detit dhe gjëmimin

nanuritës e gjumëdhënës të dallgëve të tij.

 

Jala

 

Ditën e nesërme, sa kaluam Spilenë, lagjen bregdetare të qytetit të Himarës, morrëm në të djathtë, buzë detit Jon, në një rrugë të ndaluar, si zonë ushtarake, por ku u lejuam, ngaqë kishim marrë autorizim qysh në Vlorë, nga organet përkatëse kufitare. Sa e pamë detin, të fshehur nga kodrat me ullinj e valanidh, u befasuam nga panorama mahnitëse e mrekullueshme, e pa parë në asnjë vend tjetër: Gjiri i vogël i bukur i Porto Palermos, Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës dhe Kisha e Vasiliqise

 

Palermo

 

Nuk mund të përshkruhet në letër një bukuri natyrore kaq e rrallë: Ai det aq i kthjellët, që përqafon nga të gjitha anët ishullin e vogël shkëmbor, shpella e madhe e thelluar me aq mund, ku strehohen njëherazi disa anije, kalaja mesjetare dhe kisha, nga ana tjetër, kodrat e gjelbëruara me ullinj, valanidh e shqope dhe më tej. malet e lart me kësulë bore. Vetë bukuria e natyrës të bën poet. Atje është zanafilla e vargjeve, që më lindën:  

Ne Palermo, poshtë, kur zbret

te Kish’ e Vasiliqisë:

valanidh, shqope dhe det,

vendqëndrim i Perëndisë.

Atëherë menduam, pa guxuar ta themi: Sa keq që kjo perlë e rivierës shqiptare, padyshim më e bukura në vend dhe ndofta nga më të bukurat në botë, nuk kënaq kërkesat e turistëve të mbarë botës, por përdoret si bazë ushtarake për raketa e nëndetëse, të destinuara për të vrarë njerëz? Pse kështu, “të bukurën e dheut” e kishin rrethuar me tela me gjemba, e kishin ç’tjetërsuar e izoluar?

 

Qeparoi

 

Si e lamë në krahun e majtë fshatin Qeparo, të vendosur në mal, kodër dhe fushë, qëndruam në Borsh, në një tjetër bukuri të rrallë të rivierës shqiptare. Ujëra të shumtë, ardhur nga mali, aty, ndenë kollonatat e një lokali tregtie, përplaseshin me njeri tjetrin dhe me muret e një rezervuari dhe shpërndaheshin në qindra stërkale, që, po t’u afroheshe, të jepnin një freski, sikur të depërtonin lehtësisht në trup, të futeshin në mushkëri, në gjak e të shtonin jetën.

Pastaj, ujërat vareshin fushës së mbjellë me agrume dhe sikur, shuheshin të derdhura të qeta, në detin e pa fund.

O, se ç’kënd i qetë ndenje e pushimi, i mrekullueshëme  i paparë, mund të bëhej atje poshtë: plazh nën agrume, pikturë natyrore me përzierje ngjyrash: e kaltërta e detit, grija e rërës së detit, e gjelbërta e fletëve të agrumeve dhe ullinjve, e verdha e kokrrave të protokalleve, limonëve dhe qitrove, e zeza e kokrrave të ullinjve të pjekur.

 

Por, jo! Edhe kjo bukuri ishte “zonë e ndalueme“ ushtarake, kufitare. Atje kishin vendosur një kamp përqendrimi të burgosurish ordinerë, që vuanin dënimin dhe bënin punë të detyruar në agrumishtet.  Po, pse nuk mund të gjendej një vend tjetër për kamp pune e përqendrimi? Ata, që thyenin normat e moralit aktual të shoqërisë, në se i kishin thyer vërtetë, pse duhet të izoloheshin e të ruheshin këtu, pse duhet pikërisht ata ta gëzonin këtë bukuri të rrallë? Nga ana tjetër, si mund të shijohej kjo mrekulli e natyrës dhe të merrje kënaqësi shpirtërore, në shoqërinë e meshkujve të dënuar, të lidhur me pranga dhe që hanë vetëm çorbë kazani?

 

Megjithatë, kam dëgjuar nga protagonisti kryesor i ndodhisë së më poshtme, vite më vonë, se dhe të burgosurit inspiroheshin nga ky mjedis i perëndishëm. Ata, hera herës, i harronin dhe u dukej se çliroheshin nga vuajtjet dhe prangat.

 Aty përpiqej të mbijetonte dhe një dervish i dënuar, i miri Bajram Çerçizi, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës, ish shoferi i Ahmet Myftar Dedejt, Kryegjyshit Botëror të Bekatshijve. Pikërisht ky, Barjam Çerçizi ishte një burrë shumë interesant, trupëmadh e i mençur, i dënuar për shkak të mbrojtjes së vendosur të pronës së Teqesë së tij. Krimi i tij ishte se, në territorin e Teqesë, kishte kapur dhe rrahur një vjedhës. Pra ky soj burri, që peshonte mbi 120 kile, veç të tjerave, këndonte shumë bukur. Dervish Barjami shpesh herë, aty në kamp, i printe kolonës së të burgosurve. Ata, në njësh kolonë, dilnin nga fjetoret për në punë, duke kënduar, këngën melodioze të kolonës zanore të filmit “Stjenka Razini”. Në fillim këndonte solo, me atë zërin e bukur bas, dervish Bajrami, veshur me dollomanë e gjelbër të uniformës fetare bektashiane. Ai besnik i sektit të vetë, për të cilin ish

 sakrifikuar, nuk pranonte ta hiqte uniformën, megjithëse e pengonte, se i zgjatej deri të fundi këmbëve. Më pas, për shumë kohë, ushtonte i kombinuar kori i improvizuar, disa zërash, i të burgosurve të tjerë, për deri sa mbërrinin te fronti i punës së detyruar.

Rruga e asfaltuar, e ngushtë dhe me shumë kthesa, thuajse, nuk i ndahet bregut të detit dhe ne, me Hanëmen, patëm fatin të shihnim fshatrat e tjerë piktoresk të rivierës si: Shënvasinë, majtas, lart në kodër fshatin Sasaj; më tej Lukovën deri sa arritëm te Qafa e Gjashtës, ku na u çfaq pamja mahnitëse e qytetit të vogël të Sarandës; me tej deti Jon dhe në thellësi ishujt e bukur grek, me Korfuzin e famshëm, si kryeishull.

Atë natë ne fjetëm në Hotelin Turistik të Sarandës, që shquhej, në shkallë vendi, për gatimin dhe pritjen e mirë. Me Hanëmen e dashur rikujtuam “muajin e mjaltit”, dhe na u duk vetja si në atë kohë, kur në këtë hotel, bujtëm disa netë.

 

Të nesërmen u nisem, si grup, për në qytetin e lashtë historik të Butrintit. Kaluam lumin e vogël të Kalasës, nëpërmjet një trapi me argano. Një pllakë e vogël ku shkruhej BUTHROS na bëri të mendonim se po hynim në qytetin antik, ish pronë kalimtare e Romakëve, Grekëve dhe Ilirëve, i dëgjuar për gërmimet dhe për zbulimet interesante të amfiteatrit të madh dhe të kollonatave, statujave dhe prerjeve të shumta monetare. Unë me Hanëmen vizituam Muzeun, ku nuk rruheshin më zbulimet e famshme, që kishim dëgjuar, nga që ato ishin grabitur dhe shpërndarë nëpër botë, por pamë disa shtatore të dëmtuara, kokën e famshme të Deas së bukur, ndofta kopje dhe mozaikë, basoreliev e shtylla prej mermeri të latuar. Të dy u ulëm në shkallët e amfiteatrit të lashtë, ku bëmë dhe disa fotografi, duke menduar se sa mirë do ishte që ky amfiteatër i madh e i bukur antik të rehabilitohej, të gjallërohej e të përdorej

 për festivale kombëtare, e pse jo, botërore teatrore.

Kur ia shfaqa mendimin, ashtu me zë të ulët, Hanëmja, që studionte për gjuhë letërsi më tha:

        -Këtë po mendoja dhe unë, por ne jemi thjeshtë endrimëtarë romantikë. --   “Ti, nuk të qasin në fshat e vete më kërkon vajzën e priftit për grua!? “

       --Ule zërin se, po të dëgjuan, rrezik të na mbysin në ato ujërat e pista, nën këmbët tona, për t’u bërë pre gjërpinjësh.

Po atë ditë, pa u ndalur gjatë në vend tjetër, u kthyem në Vlorë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx