Udhëpërshkrim
Namik Selmani: Reportazh nga Kumanova
E diele, 21.03.2010, 10:37 PM
REPORTAZH NGA KUMANOVA
Nga NAMIK SELMANI
…Një natë më parë se të nisnim udhën e borëruar drejt Kumanovës së Maqedonisë ku na prisnin poetët e të gjithë trojeve shqiptare në takimin e përvitshëm poetik që organizon Klubi Letrar ”Jehona e Karadakut” i drejtuar nga poeti Burhanedin Xhemali, në sallën e Teatrit të Operës e Baletit në Tiranë, shikonim filmin dokumentar “Ëndrra e Çamërisë” me regjisor Kujtim Gjonaj e skenarist Enver Kushin. Në atë natë binte një shi i gjymosur. Një shi që nuk kishte ndalur plakat e pleqtë e mbetur çamë të Tiranës e të rretheve të tjera për të riprekur në një ekran filmi ËNDRRËN e Çamërisë.
Në heshtjen e jashtëzakonshme që kishte në sallë, shumë njerëz qanin mbyturazi. Një film që vinte pas gati 20 vitesh. Kishin harruar se një vepër e bukur arti kërkon edhe duartrokitje që ata i shprehnin me një frymë të ndalur për rreth 2 orë. Kishin harruar se një shi po kaq i dendur do t’i shoqëronte në shtëpitë e tyre për të nisur një kuvendi tjetër me ata që nuk e kishin parë këtë film. Çamëria edhe pse e bukur, e madhërishme , po mbetej e po mbetet akoma ëndërr….
Me këtë ëndërr të dhimbshme mbi supe, me këta lotë të dukshëm e të fshehur në gjoksin e nënave, të motrave e të baballarëve çamë, rruga drejt Kumanovës, po na bëhej edhe më e dashur. Edhe pse bora kishte mbushur udhët e majat e maleve. Ëndrra jonë për të marrë pjesë në këtë takim kaq të bukur poetik po realizohej. Për mua dhe për të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij Tubimi. Po shkelnim të lirë trojet shqifpfolëse, për t’ua treguar vëllezërve të Kosovës, të Preshevës e Kumanovës, Shkupit, të Tetovës e Gostivarit ëndrrën e realizuar të Bashkimit të FJALËS SHQIPE që shumë shpejt do të sjellë dhe një frymë edhe më të shëndetëshme në jetën e kombit shqiptar. Jo më kot bëmë një ndalim në kthesën që të dërgonte në qytetin e Alfabetit shqip të Manastirit për të nderuar në heshtje ata që punuan për gjuhën tonë.
***
Aktivitetet letrare i fillojnë nga viti 1991 me Tubimin Përkujtimor kushtuar poetit dhe patriotit të dëshmuar Jusuf Gërvalla, pastaj me manifestimin letrar me një emër shumë simbolik “Takimet Poetike të Karadakut” që zënë fill që më 1992. 17 vjet pa u ndalur nga të gjithë pengesat që nuk kanë qenë të pakta (më 2001 nuk u mbajtën për shkaqe të njohura). U caktua data 11 Mars për të përkujtuar demonstratat studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në luftra të suksesshme të UÇK-së. Ky Klub formoi edhe organin e tij revistën “Doruntina”(më 1992 del në dritë numri i parë) që ka shkuar deri në numrin 40. Atëherë kjo rrugë do të niste në drejtimin e një poeti të dashur, të talentuar e të ndjerë që quhej Fadil Bekteshi. Në bisedë me Burhanedin Xhemailin që është kryetari aktual i Klubit Letrar “Jehona e Karadakut” mësojmë për atë jetë tërë pasion poetik e shqiptarizëm të atij tribuni të vërtetë. Na tregon një detaj që lidhej me të. Para disa vitesh kur pushteti maqedonas kërkonte të pengonte aktivitetin letrar, në kufirin me Kosovën poetët kosovarë Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Flora Brovina, Agim Vinca etj. u penguan... Prisnin që t’u jepej leje.Nuk i futnin. Kërkonin që t’i lejonin vetëm kur aktiviteti të përfundonte. U gjet mundësia që fshehurazi takimi të bëhej në shkollën “Naim Frashëri” apo në oborrin e Komunës së Likovës. Megjithatë Takimet Poetike të Karadakut, të tretat me radhë, u mbajtën në hapësirë të hapur pranë godinës së komunës në Likovë, e pastaj u zhvillua edhe një orë letrare me të gjithë poetët në restoranin KULLA në fshatin Çerkez në një atmosferë të këndshme triumfuese...
-Edhe zbathur do të shkoj në Kumanovë “ – kishte pasë thanë poeti Gjerqeku.
Dhe u bë. U bë para një sheshi që të dëgjonin të gjithë . Rreth kishte policë maqedonas . O zot, policë për të ruajtur fjalën e bukur! Policë për të ndalur vërshimin e shpirtit njerëzor që kërkonte paqen dashurinë, të ardhmen më të mirë për fëmijët. Edhe atë ditë binte shi, por që nuk ndalte asnjë për të parë, për të recituar. Në të vërtetë edhe ne, që zyrtarisht vinim për herë të parë në këtë Takim, e kishim prekur Kumanovën shumë më herët me sytë e zemrës e me sytë e shpirtit. Kohë më parë kur takoja një nga personalitetet më të spikatur kulturorë të Maqedonisë e të mbarë kombit shqiptar, studiuesin, virtuozin në instrument, autorin e teksteve muzikore për fëmijët shqiptarë, publicistin, poetin, etnografin, veprimtarin e palodhur të kulturës sonë kombëtare zotin Zejadin Ismaili, në qytetin Muze të Beratit mes një Kurorë hyjnore si ishte Isopolifonia shqiptare, e kisha aq pranë Kumanovën e poetët e saj të shumtë e modestë, Karadakun, betejat, këngët e saj, njerëzit e saj mentarë.
Në ditëtakimet e tyre të të gjithë shekujve, popujt si fqinjë të mirë kanë shkëmbyer mes veti grurin e arave, stanet e bagëtive, fjalën e mençur, majat e maleve, këngët e vallet, urimet e mallkimet. Sado të sofistikuara të kenë qenë piramidat e shenjat e ndarjes së kufinjve, ato kurrsesi nuk kanë mundur që të ndalin fluturimin e zogjve, të ndalin dasmat e gëzimet që janë gërshetuar aq shumë me njëri-tjetrin bash si pjergullat përqafohen me drurët e lisave për t’u ngjitur edhe më lart. Të ndalin diellin e hënën që ndriçojnë njëlloj të dy pjesët e kufirit. Nuk kanë mundur që të prangosin dëshirën për bashkëpunim, dëshirën për t’i bërë brezat sa më të ditur …
Ky Takim poetësh kishte si emblemë Karadakun plot histori e begati, ku akoma nuk është shuar era e barotit, por që kërkohet shumë më tepër paqja. Kishte këtë vend po kaq të bukur sa vetë poezia. Tek i shikoja plot emocion, por edhe i përlotur vëllezërit e Llogores Poetike Shqiptare më dukej se ai gjerdan poetik i ngjante shumë më tepër se asaj përcjelljeje të thjeshtë fjalësh e frutash. I ngjan atyre fqinjëve të mirë që shkojnë deri në kufinjtë e vëllazërisë. Në ditët e jetës së tyre të përbashkët ata shkëmbejnë mbrëmjeve e agimeve kur të gjithë dalin nga pragu me sa e sa ëndrra të larmishme, pjatën e gjellës së zgjedhur me njëri-tjetrin. Jo, poezitë që lexoheshin aty ishin shumë më tepër se ato pjatat me gjellë apo një kafe e çaj të pirë në gjunjët në hije e një arre apo në gurgullimën e një kroi ujëkristaltë. Kalonin para njëri-tjetrit poetët nga Shqipëria Agim Bajrami, Namik Selmani, Sami Velçani, Kujtim Morina, Anila Xhekaliu. Kosova përfaqësohej nga Fehmi Ajvazi, Sarë Gjergji, Ismail Baftjari, Shefqete Gosalci, Salie Ismaili, Radije Hoxha, Gani Xhafolli etj., nga Presheva Demush Berisha, Bilall Maliqi e Arsim Halili, nga poetët shqiptarë të Maqedonisë Kalosh Çeliku, Nazmi Beqiri, Bejtush Mehmeti, Arben Ibrahimi, Kujtime Kica, Ekrem Ajruli, Sevdail Demiri, Rahim Ganiu, Selajdin Shabani, etj. Disa nga poetët kanë qenë edhe ushtarë të UÇK-së. Poezitë e tyre janë të sinqerta. Disa kërkonin edhe të përshëndesnin me ca fjalë të ngrohta si dinë të flasin vetëm poetët. Të duket se donin të bëheshin “trarë të rinj për të mbajtur në supe vendlindjen“ si thotë një varg i poezisë. Merituan vende nderi Kalosh Çeliku, Agim Bajrami, Sarë Gjergji. Ishin rreth 30 poetë. Në këtë garë të bukur pata fatin që të merrja Çmimin e nderit të tij. Me një poezi që dukej si Urë apo si Kala e re qëndrese mes zemrave të kombit…Ishte një emocion që rrallë provohet në jetë. Më rritej ky emocion kur prisja urimet vëllazërore që më jepnin miqtë e poezisë e të ftuarit e Takimit Poetik.
…Duket se prej disa vitesh ne po na shuhet paksa uria e kuvendimit të përbashkët, uria e të dëgjuarit e të qarkulluarit të vlerave që krijojmë në qytete të tjera, në fshatra, por që kudo e kurdoherë mbajnë frymën e shqipes së bukur, të kësaj “gjuhëzonje” si e ka quajtur poeti ynë i shquar Naim Frashëri. Këtë urim mbase duhet ta fillojmë nga Nazmi Beqiri dhe Burhanedin Xhemali, nga këta lavërtarë fisnikë të fjalës, që vazhdojnë të përcjellin natë e ditë atë traditë të bukur të krijuar tash sa vite në këto troje ku ka aq shumë poezi. Ju rritë ndera e kombi ua ditë për nder vëllezër! Ju rritë ndera e iu mençuroftë edhe më shumë vargu i shqipes sonë, vëllezër Nazmi e Burhanedin! Ky aktivitet është bërë emblema kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë e të mbarë kombit shqiptar ku frymon dhe flet shqip. Duket se krahas traditave të kaluara po krijojmë edhe tradita të reja që na e kanë shtuar jo vetëm dashurinë për artin, por edhe atë të gjuhës amtare dhe të kombit tonë. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe.!
Duke besuar se edhe ju jeni të një mendje me mua, doja të thoja se kombet që presin e përcjellin mes njëri-tjetër Ne jemi sot fytyrëskuqur që nuk i kemi në bibliotekat tona vetjake librat e vëllezërve poetë të Kumanovës, të mbarë poetëve shqiptarë të Maqedonisë. Apo edhe të Kosovës e të Malit të Zi..Më tej këto libra të kalojnë dorë më dorë tek nxënësit tanë, tek bijtë tanë për të plotësuar atë hapësirë të boshtë që na kanë krijuar kohërat e kaluara në drejtim të qarkullimit të kulturës sonë kombëtare. Ashtu si edhe libri ynë nuk ka mundur të gjejë shumë porta të hapura drejt lexuesve shqiptarë të trevave tuaja. Po , po, jemi e do të jemi edhe për pak kohë fytyrëskuqur, sepse do të kishim bërë më shumë për këtë integrim kombëtar të librit shqip. Atë që në shumë raste nuk po e bëjnë në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur politikanët tanë në Tiranë, Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin, po e bëjnë njerëzit e kulturës së kombit tonë. Vetë ata, politikanët, nuk po e bëjnë ashtu si duhet punën e tyre për një bashkim shpirtëror. Këtë po e bën bukur mirë poezia, po e bën kënga, filmi, sporti, turizmi, po e bën proza, teatri. Po e bëjnë aq mirë edhe ne me veprimtari të tilla që kanë një protokoll të thjeshtë një ose dyditor, por që mbeten në kujtesë shumë gjatë se tribunat e zbukuruara të politikës. Këto takime hapin jo thjesht ca vija në rërë, por hulli të thella, hapin brazda që mbillen në çdo stinë.
***
Të nesërmen e takimit poetik, ishim vizitorë në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin heroik të Sllupçanit. Varre ku datojnë njerëz me mosha të ndryshme. Bora që i ka mbuluar dhe një diell i qartë që e dritëzon edhe më shumë fushën e gjërë të borëruar dukshëm që shpaloste në Komunën e Likovës na e bën edhe më madhështore pamjen, më heroike, më drithëruese. Poezi të reja gëlojnë brenda shpirtit tonë njerëzor. Cicëron i tyre është poeti dhe drejtuesi i veprimtarisë poetike Nazmi Beqiri. I njeh të gjithë emrat e tyre. Ua di të gjithëve pozicionin e varrit dhe se ku janë vrarë. Disa varre janë të hapur se familjarët ende nuk i kanë sjellë aty. Sa e dhimbshme është të jesh cicëron i heronjve të kombit tënd. I atyre që i ke njohur nga afër. Në këtë varrezë që është simboli i ëndrrës për të qenë të barabartë në të drejtat më themelore që ka një komb në vitet e demokracisë evropiane që po jetojnë kombet e qytetëruar. E ndjen këtë edhe më shumë shqiptarizmin të të derdhet brenda qënies tënde.
Një vizitë tek familja e Idriz Sinanit na bëri të mësojmë se shqiptarizmi në këto troje të lashta e të begata nuk shuhet lehtë.
Këtë simbolikë qëndrese që e pamë në secilën poezi të asaj ODE të bukur, e pamë edhe te njerëzit që takuam. Doktori Fatmir Hasani quhet ndryshe në Sllupçan edhe “Komandant Fatmiri”. Me duart e tij i ka varrosur gati të gjithë të rënët. Në drejtimin e tij të gjithë banorët e Komunës kanë kontribuar për të asfaltuar rrugën drejt varrezave. Po atje duhet një Lapidar i madh. Duhet një libër ku të shkruhen të gjithë mbresat e vizitorëve. Duhet që të punohet për gjuhën shqipe. Duhet punë për shqiptarët. Duhet…
Tymos Doktor Fatmiri parreshtur cigare, si për të mbytur sadopak trishtimin njerëzor për humbjen e djemve të rënë. Që tani kërkon të përgatitet për përvjetorin e 2 Majit kur do të bëhet përkujtimi i Ditës së Dëshmorëve të Sllupçanit. Dikur ka ftuar Artistin e Popullit Reshat Arbanën, për të cilin thotë se e ka mik. Na thotë se duhet bërë më shumë për të realizuar ëndrrat e dëshmorëve. Duhet një Status dëshmori për ata dhe për invalidët . Në një shkrim për miqtë e tij dëshmorë Afrim Kalanica, Tigrin, Beqirin ai shkruan se duhet punuar më tepër për gjuhën shqipe, për një përkushtim më të madh të politikanëve shqiptarë në Maqedoni. Madje thotë se kërkon që të botojë edhe një libër me shkrimet e tij në këto vite. Edhe ai ka qenë 4 vjet deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Dikush në Sllupçan thotë se “Doktori është njeri i rrallë dhe shumë patriot”. Vazhdon të shërojë çdo ditë Doktor Fatmir Hasani shqiptarët e këtyre trojeve me atë shpirt të madh atdhetar që ua kalon shumë ilaçeve mjeksorë që mund të prodhohen në botë. . Beni dhe Dani na e aprovojnë edhe më shumë këtë gjë.
***
Dikur, në vitin 2005, në kuadrin e Javës së Kulturës në Tetovë, hapja ekspozitën e parë fotografike për Çamërinë në Maqedoni. Aty e ndjeva se Çamëria kishte ardhur e gjallë në çdo prag të shqiptarëve të këtushëm, në çdo sy të përlotur, në çdo shtrëngim dore vëllazërore...Atëherë thashë me zë të lumturuar: “Ah, të kisha sytë e Tetovës për të parë Çamërinë time!” Tani pas kaq vitesh, duke u ndodhur në një Odë të madhe poetike me poetë të të gjithë trojeve shqiptare, m’u duk vetja sërish si në shtëpinë time. Me zë të lartë dhe me poezinë “Hapma derën, Kumanovë!” që recitova para të pranishmëve, thoja sërish me zë të ngrohtë që sfidon të gjithë dimrat që kalojnë mes nesh: “Oh, të kisha sytë e vëllezërve të mi poetë shqiptarë kumanovarë, preshevarë, kosovarë, shkupjanë, gostivaras, kërçovarë, tetovarë… për të parë Çamërinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.”
…Vazhdoj edhe sot të përsëris këtë monolog miqësie, por edhe pak të dhimbshëm, kur mendoj se ka akoma shumë ëndrra të parealizuara në trojet tona të lashta epirote.