Udhëpërshkrim
Rozi Theohari: Amerika zemërbujare i fali një copë qiell edhe flamurit kosovar
E premte, 05.03.2010, 10:55 PM

AMERIKA ZEMËRBUJARE I FALI NJË COPË QIELL EDHE FLAMURIT KOSOVAR
Nga Rozi THEOHARI, Boston
E mërkura e 17 shkurtit 2010 u gdhi me një qetësi dimërore e me një diell rrezëllitës. Gjatë gjithë ditës së mëparshme një furtunë e zhurmshme shiu e dëbore e lau botën dhe e pastroi qiellin e Bostonit, ku sot do të valëvitet flamuri i Kosovës, shtetit më të ri të botës.
Para dite erdhi e më mori në shtëpi kosovarja Lirije, emri i së cilës sot
është kaq domethënës. Lirija fluturon me makinë e bashkë me të i fluturojnë
edhe kaçurrelat e gjata të flokëve...”-Nga zemra ne dojshim të ngrinim flamurin tonë të kuq”- psherëtin nusja kosovare.
Flamuri shqiptar i kuq me shqiponjën e zezë gjatë një shekulli është familjarizuar e miqësuar me Bostonin. E valëvitnin atë emigrantët e parë shqiptarë e më pas bostonianët e vjetër e të rinj nëpër sallat e mbledhjeve ku mbante fjalime Fan Noli i madh, parakalonin me të nëpër paradat etnike dhe i këndonin këngë nëpër piknike e festa familjare. Në ditën më solemne, me 28 Nëntor, flamuri nderohej në një mënyrë të vëçantë dhe, kur ishte e nevojshme, flamurin me shkabë e hapnin në formën e një bohçeje për të hedhur dollare me të cilet ndihmonin nënën Shqipëri. Prej viteve te para të shekullit të 21 flamuri shqiptar filloi të ngrihej në sheshin para bashkisë së Bostonit, duke i berë krenarë shqiptaro-amerikanët e Massaçusettsit, “me një dëshirë e një qëllim”, për të vazhduar t’i sherbenin më tej forcimit dhe lartesimit te kombit tone… Dhe ja, sot, më 17 shkurt 2010, kur në Kosovë dhe në mbarë diasporën shqiptare në botë festohet përvjetori i dytë i pavarësisë, në zemër të Bostonit ngrihet flamuri blu kosovar. Qysh sot e ne vitet që do të vijnë, sheshi i Bostonit më 28 Nëntor dhe më 17 Shkurt do të zbukurohet, do të kremtojë me këngë e me valle, do të lumturojë zemrat e shqiptaro-amerikanëve dhe kosovaro-amerikanëve.
Kur u afruam te sheshi i bashkisë së Bostonit, u ndodhëm papritur në një mjedis manifestimi shqiptarësh: urimet me zë të lartë për festën, përqafimet mes miqsh, vallëzimi i vajzave kosovare veshur me kostumet kombëtare. Zëri melodioz i këngëtares Shkurte Peza buçiste nga bokset:
Ti na erdhe, pavarësi,
Lot e gjak në ty janë shkri,
Sa shumë njerëz me mall kanë vdek
Edhe sytë çel ju kan’ mbet
……………………………
Oj Kosov’, për ty po këndoj,
A e din sa shumë të doj,
Plot gëzime, lot tuj derdh,
Me flamur sot të kemi mbështjellë
Sikur nuse t’kemi ba,
Tanë Shqipnia don me t’pa.
Studenti shqiptar, Petrit Alibeu, veshur me kostumin e krahinave të Jugut, fustanellë të bardhë, opinga me xhufka, jelek qëndisur me ar dhe qylafin e gjatë e të bardhë në kokë, mbante në dorën e djathtë flamurin shqiptar dhe i printe valles me valltarë kosovarë plis-bardhë.
Ndërkaq sheshi ishte mbushur me pjesëmarrës të shoqatës së shqiptarëve kosovarë, shqiptaro-amerikanë të Bostonit e rrethinat, drejtues dhe perfaqësues të shoqatës MAAS/BESA, shoqatës Mjekësore shqiptaro-amerikane, organizatës “AANO”, shoqatës” Kombi”, shoqatës “Çamëria” etj. Ceremonia e ngritjes së flamurit kosovar filloi me përshëndetjen e kryetarit të shoqatës së shqiptarëve kosovarë, z Hafiz Kabashi, i cili tha: “ …Të nderuar bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra nga të gjitha trojet shqiptare: Mirë se keni ardhë sot këtu në Bostonin historik të Fan Nolit e të Konicës. Në këtë
qendër të Bostonit, qytet i cili ka një histori mbi njëqind vjeçare shqiptare, do të nderojmë të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët sakrifikuan çdo gjë që Kosova të jetë e pavarur dhe një hap më afër drejt qëllimit tonë të përbashkët, drejt amanetit të çdo dëshmori, që kombi shqiptar të jetë i lirë, i bashkuar, i respektuar dhe të ketë të ardhme të sigurt në Evropë. Me shekuj të tërë hartat e Evropës janë ndërruar gjithmonë në dëm të kombit
shqiptar, por dy vjet më parë, pavarësimi i Kosovës shënoi për herë të parë që harta e Evropës të shndërrohej në favor të kombit shqiptar.”
Z Hafiz vlerësoi faktin se kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe është mirënjohës e falënderues ndaj kombeve të tjera, që në kohë të vështira na kanë zgjatur dorën. Prandaj një mirënjohje dhe falënderim të përzemërt kemi per Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë gjithmonë pranë kombit shqiptar, çdo herë,në çdo kthesë të madhe historike. Prandaj nga thellësia e zemrës thërrasim e brohorasim “THANK YOU, USA !” Në sheshin e bashkise gjëmuan thirrjet “U S A ! “ “U S A !”
“Edhe pse ne do të donim, që, si komb shqiptar, të kishim vetëm një flamur për ta ngritur këtu në këtë shesh,- vazhdoi z Kabashi,- historia, me dashje apo pa dashje, e deshi që t’i bëjmë dy flamurë, pra, le t’i respektojmë që të dy.”
Z Kabashi në përfundim tha se vizioni ynë nacional-shtetëror është anëtarësimi sa më i shpejtë i Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, duke e ruajtur dhe kultivuar me ndjenjë të veçantë miqësinë e ngushtë e të përhershme me Amerikën. Ai e perfundoi fjalimin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar !”
Pastaj, në emër të shoqatës MAAS/BESA, përshëndeti znj. Albana Orgocka, bashkëkryetare e shoqatës. Konsulli i Nderit z Stefan Koçi, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i Këshillit Nacional Shqiptaro-Amerikan për Massaçusettsin, u ngjit në tribunë dhe dha lajmin e gëzuar për dorëzimin e proklamatës, dokumentin e rëndësishëm të shtetit të Massaçusettsit, të cilin e kishte firmosur governatori Deval L. Patrick. Proklamata deklaronte që data 17 Shkurt e çdo viti të jetë “ Dita e Pavarësisë së Kosovës” dhe kërkonte që çdo qytetar i shtetit të njihte e të respektonte këtë ngjarje.
Pas mbarimit të leximit të proklamatës pjesëmarrësit në manifestim , me thirrma gëzimi e duartrokitje të gjata falënderuan Amerikën: “THANK YOU, USA !”
Në emër të kryetarit të bashkisë së Bostonit Thomas Menino, përshëndeti zoti Armando Silva, bashkëpunëtor në departamentin e bostonianëve të rinj në bashkinë e Bostonit. Zoti Armando lexoi proklamatën e bashkisë së Bostonit firmosur nga z Menino, ku përshkruhej kontributi i komunitetit kosovaro-amerikan në Boston për pasurimin e historisë, kulturës dhe shumëllojshmërisë etnike të qytetit të Bostonit. Zoti Menino datën 17 Shkurt 2010 e deklaronte “Dita e Komunitetit Kosovaro-Amerikan”. Edhe proklamata e bashkisë së Bostonit u duartrokit e u brohorit nga shqiptaro-amerikanët dhe kosovaro-amerikanët. Duhet theksuar këtu se një falënderim e meriton edhe z Stefan Koçi, i cili ka qenë shumë aktiv në bashkëpunimin me shtetin e Massaçusettsit dhe bashkinë e Bostonit ku ai kryen veprimtari.
U egzekutua himni i Amerikës e ai i Shqipërisë. Pasi studenti Petrit Alibeu recitoi një poezi kushtuar dëshmorëve të Kosovës, erdhi çasti i mezipritur nga të gjithë, ngritja e flamurit. Z Ramadan Calaj, mësuesi kosovar i shkollës shqipe të Lynnit, ishte nderuar me detyrën e ngritjes së flamurit kosovar. Z Calaj, pasi përshëndeti festën edhe në emër të nxënësve të tij, filloi të ngrinte flamurin. Pranë i qëndronin nxënësit e së bashku
lëviznin dorezën e mekanizmit. Zoti Calaj ka dhënë një kontribut të mirë në organizimin e shkollës dhe edukimin e fëmijëve kosovarë, duke u mësuar me durim gjuhën shqipe. Një nder të tillë e meritonte edukatori Calaj.
Flamuri po ngrihej ngadalë lart i shoqëruar nga himni i Kosovës së lirë. Ishin çaste që rrallë i perjeton njeriu në jetë. Flamuri po ngjitej ngadalë drejt shtizës dhe unë ndjeva ngashërim e u përlota. Kishte shumë dhembje në atë fushën blu te flamurit dhe tek yjet e vegjël të bardhë, si ajo nëna që i mban shtrenguar fëmijët pranë. Kur flamuri mbërriti në majë, brohoritjet e duartrokitjet vazhduan gjatë. Kosovaro-amerikanët përqafoheshin e uronin njeri-tjetrin. Fëmijët kosovarë , të gëzuar edhe ata, nuk u ndaheshin prindërve… Kur ndodhesh jashtë atdheut, ngritja e flamurit tënd të shkakton emocione të forta, që nuk i provon kur je në vendlindje. Kur sheh flamurin qe ngjitet ngadalë lart në shtyllë dhe dëgjon himnin e tij, ndjen të dridhurat e shtatit dhe përgjërim.
Sipas traditës disavjeçare të ngritjes së flamurit shqiptar, në fund të festës dha një program grupi i këngëve labe të Bostonit. Këtë radhe, teksti i këngëve u kushtohej pavaresise se Kosovës dhe dëshmorëve të saj.
U larguam nga sheshi i bashkise duke vazhduar t’i mbanim sytë përpjetë e duke soditur flamurin e shtetit më të ri në botë. Flamuri kosovar qëndronte në harmoni me flamurin e Massaçusettsit; ata kishin të njëjtat ngjyra, blu, të bardhë e të verdhë. Amerika zemërbujare i fali një copë qiell edhe flamurit kosovar.
Sot edhe oqeani, edhe qielli kanë ngjyrën blu, si fusha e flamurit kosovar. Ndërsa bardhësia e dëborës i fal mirësi dhe mbarësi, kësaj dite solemne.
GËZUAR FESTËN, KOSOVË!
Komentoni
Artikuj te tjere
Xhevat Muqaku: Portret i mësueses dhe shkollës shqipe në Diasporë
Besa Sheqiri: Në Karlshamn - Kremte me rastin 2 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Asllan Dibrani: Tubim i Lidhjes Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani
Engjëll Koliqi: Do e bëjmë lule të hijshme Dardaninë tonë
Në Heilborn 28 - Nëntori i kremtua solemnisht
Xhevat Muqaku: Kur bukuria dhe pamvarësia festohen së bashku
Sokol Demaku: Kremtimi i Ditës së pavarësisë së Kosovës në Suedi
Xhevat Muqaku: Vepra e dëshmorëve ''Parlament shpirtëror i diasporës''
Neki Lulaj: Akademi përkujtimore kushtuar Fadil Feratit
SHKSH ''Nëna Terezë'': Në Ängelholm të Suedisë u kremtua ditëlindja e dytë e Pavarësisë së Kosovës
Milazim Kadriu: Përpelalci, fshat fantazmë
Këze (Kozeta) Zylo: Kosova në vitin e Lirisë!
Në Heilbronn të Gjermanisë është festuar me madhështi një vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Arsim Halili: U mbajt përurimi i librit ''Yjet e Lirisë'' Halim Hasani
Fatos Baxhaku: Histori nanash mirditore
Pilo Zyba: Legjenda e kohëve të reja
Vlashi Fili: Përkujtohen njerëz të shquar të kombit tonë
Milazim Kadriu: Reçaku i dhimbjes, kujtesës dhe i krenarisë kombëtare
Luan Çipi: Në Rotterdam
Një orë mësimi në një shkollë të mesme amerikane, rreth krijimtarisë së shkrimtares Kozeta Zylo