Udhëpërshkrim
Milazim Kadriu: Përpelalci, fshat fantazmë
E enjte, 18.02.2010, 10:33 PM

PËRPELALCI FSHAT FANTAZMË
Nga Milazim KADRIU
Në pjesën verilindore të Kosovës në një gjatësi kufitare rreth 100 km me Serbinë shtrihen disa fshatra të komunës së Podujevës. Në këtë zonë të Llapit në disa nga këto fshatra tanimë nuk jeton asnjë njeri. Fshatra të tilla që kanë mbetur të boshatisura janë fshatrat Reqicë, Uglar, Marincë, Bollosicë, Përpellac, Muhazob, Bllatë, Rakinicë, Metergofc etj.na thanë zyrtarët për koordinimin e fshtarave.
Gjatë kohës së administrimit të dhunshëm serb në Kosovë dhe gjatë luftës së fundit shumë familje nga fshatrat e brezit kufitar duke ndjerë rrezikun që u kanosej kanë braktisur shtëpitë e tyre njëherë përkohësisht por që më pas nuk janë kthyer më. Shtëpitë dhe pasuria tjetër e këtyre familjeve gjatë luftës ishin shkatërruar nga barbaria serbe. Shumë banor të këtyre fshatrave nuk u kthyen në fshatin e tyre ngase shumica nga ta tashmë janë bërë banor të qytetit apo të fshatrave më afër qytetit. Kështu një numër i njerëzve ende kanë mendimin se në qytet jetohet më mirë dhe se më lehtë mund të vijnë deri tek punësimi.
Njëri nga këto fshatra ku nuk frymon më njeri është fshati Përpellac që shtrihet rreth 10 km në veri të Podujevës me një lartësi mbidetare rreth 700 m dhe me një vendbanim kodrinor-malor i tipit të dendur. Ndërsa sipërfaqja e tij është mbi 583 ha. Përpellaci dikur fshat i qëndresës dhe nyje e qarkullimit, tani është shndërruar në një dhembje e mall për të gjithë ata njerëz që e kanë kaluar pjesën më të mirë të jetës së tyre aty, e më pas i kanë lënë shtëpitë dhe gjithë pasurinë.
Këtu janë zhvilluar shumë luftëra të ndritshme të shqiptarëve në mbrojtje të Kosovës kundër forcave pushtuese
Në këtë fshat gjithmonë ka qenë pika kufitare ku shqiptarët në këtë vend kanë ndalur forcat e okupatorit që kanë mësyrë Llapin. Historia e Përpellacit lidhet me zhvillimin e shumë luftëtarëve të ndritshme të shqiptarëve në mbrojtje të Kosovës kundër forcave pushtuese, si të atyre turke e sllave, në vitet 1912 dhe 1944. Madje edhe në luftën e fundit në këtë vend kanë rënë edhe dy dëshmor të kombit derisa ishin në detyrë ushtarake në vëzhgim të kufirit. Tani pika kufitare e Përpellacit ( quhej Kapia e Përpellacit) ka mbetur vetëm pa përkujdesje të shqiptarëve. Nga këtu kanë ikur për në fshatra të tjera dhe në qytete të gjithë banorët e përpellacit.
Ky fshat që dikur ruante krenarinë shqiptare, sot ka mbetur fshat fantazmë, me vetëm muret e shtëpive, që reflektojnë jetën e dikurshme.
Koordinatori i fshatrave të komunë së Podujevës Latif Mehmeti që edhe ai dikur ka jetuar në këto anë thotë se shumë fshatra të brezit kufitar me Serbinë kanë mbetur pa asnjë banor siç është fshati Përpellaci që deri para 20 vitesh numëronte mbi 40 familje . Ai thotë se banorët e fshatit Përpellac patën filluar edhe shumë vite para lufte të largohen nga këtu ndonëse ata kaherë kanë pasur infrastrukturën rrugore të rregulluar (të asfaltuar),shkollën dhe kushte të mira për zhvillim të bujqësisë dhe blegtorisë.
Banorët e fshatrave kufitare nuk ndjenë siguri të mjaftueshme
Duke mos ndjerë siguri pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, përpellacasit nuk u kthyen në vatrat e veta. Edhe pse më vonë u krijua siguria dhe qetësia nga paqeruajtësit e KFOR – it, por edhe ato 6-7 familje që jetuan deri në kohën e luftës këtu u shpërngulën dhe u vendosen në vende tjera për të vazhduar jetën ngase siç kanë pohuar ata në Përpellac nuk krijuan kushtet dhe perspektiva për të jetuar më tutje. Pronat e shqiptarëve në këtë fshat por edhe në fshatrat tjera që shtrihen përgjatë kufirit me Serbinë shumë nga to kanë mbetur djerrina dhe nuk punohen nga pronarët për shkak të pasigurisë. Pronarët nuk kanë siguri të mjaftueshme që të punojnë lirshëm atje ngase jo pak herë në këto anë janë kidnapuar shqiptarët në pronat e tyre nga policia dhe ushtria serbe dhe më pas familjarët e tyre janë detyruar të paguajnë shuma të majme për lirimin e tyre nga burgjet serbe. Vlen të ceket se në dhjetor të vitit të kaluar në këtë lokalitet janë kidnapuar 8 shqiptarë me pretekst se kishin kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Serbi e që në fakt ata kishin qenë në pronat e tyre (në pyll) që gjenden në afërsi të kufirit.
Nëse viziton fshatin Përpellac gjatë verës sheh shumë ara e fusha të papunuara dhe rrallë aty-këtu gjatë verës ndonjëri nga ish banorët e këtushëm punojnë në pronat e tyre(kryesisht luadhet). Ndërsa nëse shkon tani (në kohë dimri)në fshatin Përpellac nuk takon askënd por sheh shtëpitë e braktisura, gërmadhat e mbetura nga lufta dhe dëgjon vetëm ndonjë zë të shpendëve që fluturojnë apo ndonjë lepur ose shtazë tjetër duke ikur kur ua prishë rehatin dhe vetëm ata thyejnë këtë qetësi monotone. Mirëpo kurdo që ta vizitosh Përpellacin sheh bukuritë natyrore të këtij fshati por edhe të fshatrave tjera anekënd Llapit, por qe do kur ato bukuri pak shijohen nga vizitorët dhe nuk bëhet asgjë për zhvillimin e turizmit malor për të cilin në shumë fshatra ka kushte mjaftë të volitshme.

Komentoni
Artikuj te tjere
Këze (Kozeta) Zylo: Kosova në vitin e Lirisë!
Në Heilbronn të Gjermanisë është festuar me madhështi një vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Arsim Halili: U mbajt përurimi i librit ''Yjet e Lirisë'' Halim Hasani
Fatos Baxhaku: Histori nanash mirditore
Pilo Zyba: Legjenda e kohëve të reja
Vlashi Fili: Përkujtohen njerëz të shquar të kombit tonë
Milazim Kadriu: Reçaku i dhimbjes, kujtesës dhe i krenarisë kombëtare
Luan Çipi: Në Rotterdam
Një orë mësimi në një shkollë të mesme amerikane, rreth krijimtarisë së shkrimtares Kozeta Zylo
Luan Çipi: Në Amsterdam
Luan Çipi: Në Parkun Zoologjik të Torontos
Kozeta Zavalani: Kuvendi i 8-të i Gruas Intelektuale Mbarëkombëtare Shqiptare
Luan Çipi: Në Ontario
Presidenti Topi feston me jetimët
Sokol Demaku: ”Babadimri kosovar” në Borås
Nazmi Seitaj: Genci dhe Vilsoni - Një ditë vjeshte në Bërzeshtën e poetëve martirë
Arsim Halili: Klubi letrar ''Feniks'' mbajti kuvendin e rregullt zgjedhor
Engjëll Koliqi: Edhe nënshkrimi yt është një vepër artistike
Beqir Cikaqi: Festa e “28 Nëntorit” edhe në Itali
Gani Ismajli: Manifestimi i 28 Nëntorit ne Schwäbisch Gmünd të Gjermanisë më 05.12.2009