Udhëpërshkrim
Fatos Baxhaku: Histori nanash mirditore
E diele, 24.01.2010, 08:40 PM

Nga Fatos Baxhaku
Qielli është bërë njësh me tokën. Ndonëse janë orët e para të mëngjesit, një erë e ngrohtë, që vjen nga deti, na shoqëron gjatë gjithë udhëtimit tonë. Mati duket ca si i nxirosur. Teksa rrugëtojmë bri tij, mbi udhën e re, vëmë re shtëpitë e para të mirditorëve, të ngjitura mbi skërkat e kodrave shkëmbore. Janë krejt të qullura dhe duket sikur bash e në atë moment janë larguar me frikë nga lumi i vrullshëm. Vetëm pak dhjetëra kilometra më në Veri, në Shkodër e në Lezhë, uji është duke bërë hatanë. Paska pasur edhe raste kur të jetosh disi më larg lumenjve e më afër maleve ta quash veten me fat.
Në Rrëshen arrijmë herët. Këtyre anëve u ka ikur tashmë ai nami si vende të largëta. Nga Tirana nuk kemi udhëtuar më gjatë se një orë e gjysmë, e shumta dy. Qendra e Mirditës është e përgjumur dhe kalimtarët që nxitojnë të shkojnë nëpër punë i kanë ende sytë e skuqur nga gjumi i një nate të gjatë dhjetori. Shiu, çuditërisht i ngrohtë, vazhdon të lagë qetësisht sheshin qendror me monumentin e 9 bajrakëve dhe tezgat e pazarit fare afër tij. Ne rrimë e presim një copë herë derisa qyteti të marrë ritmin e tij normal.
Kemi ardhur shumë herë në Mirditë, aq herë sa që tashmë nuk i mbajmë më mend. Në të gjitha udhëtimet jemi pritur nga miq të mirë e shokë besnikë, sikurse dinë të jenë vetëm mirditorët, porse gjithherë vetëm burra e djem. Kemi takuar nëna e gra mirditore, por në të gjitha rastet ato kanë qenë vetëm sfondi i kullave të gurta, apo i historive të vjetra. Këtë herë kemi vendosur ndryshe. Kemi ardhur në Mirditë që të bisedojmë më gjatë e më shtruar me “nana” të vërteta mirditore. Nga ato që kanë mbetur nga një kohë e hidhur e mbushur plot rrebeshe, luftëra, absurditete politike dhe varfëri.
Nana Gjelë: “Fati asht fat”
Gjela Përgega i ka mbushur 86 vjetët. Të mësuar t’i shohim gjithnjë plakat e Mirditës në sfondin e kullave apo të maleve, neve na duket disi e çuditshme prezenca e saj në një pallat normal në qendër të Rrëshenit. Në fillim na duket sikur Nana Gjelë nuk është rehat në apartamentin e djalit të saj të vogël. Por ajo, si e kupton vetë çudinë tonë të parë naive, na flet vetë e para. “Ma mirë paska qenë në këto shtëpijat e reja se sa aqe n’kullat tona. Atje ka pas ba boll ftoftë. Ktu i kam te dora të tana dhe jeta asht ma e mirë”. Nana Gjelë nuk di shkrim e këndim. Të bijtë e nuset çuditen kur e shohin të lexojë orën e madhe në mur dhe kur përdor celularin. Ajo di të dallojë numrat dhe i mban mend ato përmendësh.
Nana Gjelë ka lindur në Kryezez, bajraku ku përfshihej edhe Rubiku i sotëm. “Nana më ka lanë jetime që kur isha tre vjeçe – nis të tregojë ajo – kishte ba katër fëmijë, po dy i patën vdekë nga kulufrista (tuberkulozi), kshtu që kam metë unë dhe një vlla. Baba ma vonë asht martu prap. E maj men mirë kullën n’Kryezezë. Baheshim afër 40 vetë që jetojshim nën një çati”. Nana Gjelë nuk është nga ato që ankohet më kot. “Me hangër kishim, po jeta ishte e vshtirë. Dimrit bante shumë ftoftë dhe ne nuk kishim asa doktorra e as ilaçe. Kur kam mushë 20 vjet më ka martu baba. Burrin as që e kisha pa ndonjë herë. Edhe natën e parë që kena fjetë bashkë nuk mujta e pashë sepse në dhomën tonë ishte terr i madh. Vetëm të nesërmen e njofta burrin me të cilin krijova familjen, Nikollë Përgegën nga bajraku i Kthellës. Kshtu ishte atëherë. Do t’ju nënshtrojshe fatit që të binte. Unë pata fat, me thanë të drejtën. Mas dasmës kena ardhë në Rëshen, që atëherë ishte nji katun i vogël. Kena pas ba nji shtëpi si ksollë e pak nga pak Nikolla arriti me e ba kullë tamam. Mas tre vjetësh ka le Gjini, djali i madh e mas tij edhe gjashtë fëmijë të tjerë”.
Nana Gjelë bën ca pushim, jo se është lodhur, porse befas i kemi kujtuar histori të vjetra të cilat duhen ndarë nga njëra-tjetra. Një kupë e vogël me raki të butë, që e kthen me një frymë, sikur e ndihmon të vazhdojë rrëfimin e saj. “Nikolla punonte në fushë, por këndej nga ne toka ka pasë pak. Kshtu që shkojshim me djepin n’krah andej nga Kurbini. Na pagushin me grunë. Maj men që pagesën e kishim nji dyshek me drithë. Njaq ishte. Kur ka fillu lufta e maj mend mirë postbllokun te Ura e Matit. A jeni komunista a nacionalista na pyetshin? Na ishim vetëm disa fukarenj të shkretë e s’kishim punë me politikë, po me bukën e gojës, por gjithherë na kanë lanë me kalu e me kthye në shtëpi. Koha e luftës ka qenë boll e keqe. Maj mend se kena gjetë disa gjermanë të vramë kur kena shku n’mal për me mbledhë dru. Nuk kishte gja ma t’keqe se sa me i pa ata të shkretë qysh ishin ba ashtu. Mandej kanë ardhë partizant edhe në shtëpinë tonë. Ashtu u danë atherë ma, shpi m’shpi.
Sa i kam njoftë unë nuk ishin djem të këqinj. Ishin të urtë dhe hajshin çfarë u vejshe përpara. Nji herë njeni prej tyne, nji djalë krejt i ri, futi n’xhep nji copë bukë. Atherë, i pari i tyne i ka mbledhë të gjithë në oborrin tonë dhe i ka bërtitë fort para shokëve të tij. E bani për pesë lek. Lufta dhe vitet e para mas saj, ato po kanë qenë kohë të vështira. Çfarë s’na kanë nigju veshët. Manej ka ardhë prishja e kishave. Unë kam qenë gjithnjë besimtare. M’ka dhimtë në shpirt kure kanë mylë kishën e përzunë priftin, po na atherë s’kishim ç’ka të bajshim. Nuk mujshim as me folë”.
Nana Gjelë na ka pritur së bashku me njërën prej nuseve të saj, atë të Ndojit, djalit më të vogël. “Me ktë të renë teme – thotë me krenari – shkojmë shumë mirë. Djalin e du se atë e kam mec, po kiherë kët e du ma fort. E kam edhe si shoqe. Në këtë jetë paska qenë gjithshka punë fati”.
Mirditorja ka një teori të sajin për fatin dhe se si duhet të sillet njeriu me të. “Fat, more djem asht jeta, fat. Që t’ju them nji histori. Kur kam pas Gjinin e vogël, krejt t’vogël, hala në djep, shkosha tu punu në arë. Kur jam kthy, kam gjetë nji alamet gjarpni që po flete bashkë me djalin në djep. Isha gati tu u çmendë prej frikës. Nuk dija se ç’ka të bajsha. Ta zgjosha djalin kisha frikë se trembej gjarpni e ma pickote djalin, ta zgjosha gjarpnin po ashtu. Atherë kam tundë vetëm lehtë, krejt me frikë, djepin. Gjarpni nuk bani asnji gjatjetër veçse, si më pa, ka dalë prej djepit dhe ka ikë për dere e jashtë. Kshtu ka ndodhë. A nuk i thoni fat ju ktij. Po që më ka lanë nana jetime që tre vjeç? A nuk ishte fati i jem i keq ky? Po që edhe vllai shumë vjet ma vonë ra prej urës në Rrubik e u myt në Fan duke lanë 10 fëmijë jetima? A ka dashtu fati kshtu”. Ne mundohemi t’i mbushim mendjen se veç fatit e ka ndihmuar edhe qëndrimi dhe forca e saj shpirtërore. Po nana nuk lëshon pe. “Që ta dini prej meje – na thotë - se ndoshta kush e di a shifena ma herë tjetër. Fati duhet pranue si ç’asht.
Grueja duhet ta pranojnë burrin që i ka ra, qoftë ky i mirë apo i keq. Njashtu e ka pasë fatin. Burri, asht shtylla e shtëpisë. Kshtu ka qenë e kshtu duhet të jetë”. Për këtë punën e fatit Nana Gjelë nuk dorëzohet as para kundërshtimeve dhe “ngacmimeve” tona. “Po kur burrit i bie gruaja e keqe, a duhet edhe ky t’i nënshtrohet fatit?”, e pyet plakën njëri prej nesh. “Po edhe atëherë besa. Vetëm se unë nuk po flas për ato cuca që kanë lajfit (lajthitur) krejt kto kohët e fundit. Po flas për cuca për s’mari”. Marrim frymë të lehtësuar. Edhe fati i bëka ca përjashtime.
Krushqi në vend të gjakut
Nga pallati në qendër të Rrëshenit dalim bashkë me Nanën Gjelë. Ajo po shkon në një mort. Një grua e re ka vdekur nga një sëmundje e rëndë. Në këto anë thuajse të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe në hidhërime njerëzit shtrëngohen edhe më shumë. E lemë shpejt pazarin e vogël të mbushur me rrëmujën e përgjithshme dhe kalojmë përbri “ëndrrës” më të fundit mirditore: stacionit të trenit.
Tashmë një ndërtesë e madhe e harruar stacioni ka nisur të rripet sikurse ndodh rëndom me të gjitha gjërat e panevojshme të kësaj bote. Një pellg i madh me ujë që ka zënë sheshin ku duhej të stacionoheshin trenat e ëndërruar na kujton se edhe Fani dhe degët e tij bëhen nga një herë të frikshëm njësoj si “shokët” e tij më në Veri. Brenda pak minutash jemi në majë të një kodre të madhe, në Kodër-Rrëshen. Shtëpitë e mira, rruga e re, tokat e punuara dhe qetësia që mbretëron kudo, të lenë një shije fort të mirë. Jemi nisur të shkojmë të Albert Filopati. Nëna e tij, Tereza 84-vjeçare, është nga ato mirditoret e vjetra që ka jetuar një mal me histori.
“Baba jem, Lesh Ndue Gjoni, ishte djalë axhet me bajraktarin, Gjon Marka Gjonin – nis të flasë Nana Terezë në skaj të sobës me dru që bubullin fort – qysh se ishte vra Preng Bibë Doda, princi i Mirditës prej malësorëve të Dedë Cokut në bregun e Matës, mirditorët dhe malësorët i kishin keq punët. Kishin hy në gjak. Atherë, si janë vra shumë burra, të parët tanë kanë vendosë me u pajtu dhe si shenjë të ktij pajtimi nana jeme që ishte prej familjes së Dedë Cokut u martu me baben tem prej fisit të Bajraktarit. Kshtu, nga martesa e tyne u mbyllën gjaqet. Unë kam le në Orosh, në sarajet tona të reja që ishin në krah të atyre të Kapedanit. Kam qenë vetë e shtata motër. Nuk kishim vëlla.
Në 1942 asht ba dasma jeme. E madhe sikur i takote të dy familjeve tona. Jam martu me Zef Filopatin, djalin e Preng Pjetër Filopatit. Dasma u ba krejt simbas zakoneve tona. E mbaj mend veten ende të hipun në kalë ndërsa po vijsha prej Oroshit këtu. Në këtë kullë ku jena tesh kam kalu pjesën ma të madhe të jetës time”. Soba vazhdon të kërcasë në dhomën e kullës së Preng Pjetrit ndërsa Nana Terezë i ka ngulur sytë diku teksa mundohet të shohë më shkoqur në grumbullin e saj të madh me kujtime. “Ne luftën e kena kuptu vetëm kur na ka ardhë afër. Ma gjatë ato punë i dishin burrat. E mbaj mend si sot, kur kahë hy partizant në anët tona asht ba nji luftë e rreptë që zgjati pesë ditë e pesë net. Pastaj u hodh në erë kulla e Kapedanit dhe atëherë fillun armiqësitë e mdhaja. Në 1949 asht vra Bardhok Biba. Atherë me shumë burra të tjerë të nigjum të ktyne anëve kanë arrest edhe babën. E kan majtë në burg në fillim në Shkodër e ma vonë në Burrel. Nanën me dy motra që nuk ishin martu i kanë internu në Tepelenë ku kanë ndejtë tre vjet. Baba ka jetu vetëm nantë vjet si ka dalë prej burgut. Po fjala burg paska qenë e shkrume për njerëzit e mi. Edhe burri jem, dikur shok i ngushtë me Bardhok Bibën, bani du herë burg. Herën e parë pat ba 9 muaj hetuesi dhe tre vjet burg dhe herën e dytë 6 vjet burg. Kena pasë jetë të vështirë, por të paktën sot fëmijët jetojnë mirë”. Nana Terezë psherëtin thellë kur Berti, i biri, na tregon fotografinë ku ajo ka dalë me Zefin, të shoqin e ndjerë. Pastaj bie heshtja dhe dëgjohet vetëm zhurma e druve që digjen në sobën brenda kullës së gurtë që mësuesi Preng Pjetri pat ndërtuar në vitin tashmë të largët 1940.
Profesioni im: vajtimi
Në një lokal të ri në qendër të Rrëshenit, Bardha Pjetraj, e veshur me kostumin tipik mirditor, e porosit një “Red Bull”. Sapo jemi takuar me 72-vjeçaren. Është një ndër gratë më të njohura në Rrëshenin e sotëm. Shumë herë e kishim dëgjuar emrin e saj. Tani kemi rast ta njohim më nga afër. Shpejt, shumë shpejt do ta kuptojmë përse është e njohur Bardha. Ajo ka lindur në bajrakun e Selitës. Kanë qenë tre motra e një vëlla. Bardha ishte më e vogla e motrave. Në moshën 12-vjeçare mbetet jetime. Është rritur në Kurbin. 16 vjeçe është martuar. Ajo vetë vë buzën në gaz kur kujton mënyrën se si është martuar. “Me burrin jam njohur që kur isha një vjeçe”, bën shaka ajo. Në fakt, prindërit e të dyve kanë vendosur për martesën e tyre kur ajo ishte ende motake. “Kur jam rrit, kam pasë shumë kërkesa të tjera – vazhdon ajo gjysmë me humor – po gjithherë i ka ardhur përgjigjja se ‘isha e zanme’. Kshtu ishin ato kohë ma”. Bardha ka qenë anëtare e Partisë së Punës, kryetare e Këshillit të Bashkuar, teksa vazhdonte të punonte si punëtore “me pikë” në kooperativë. Në moshën-48 vjeçare burri i saj ndahet nga jeta. Si shumë mirditorë të tjerë, edhe ai vuante nga silikoza, sëmundja e rëndë që ngurtëson mushkëritë. Një kryq i madh, i florinjtë, varet në qafën e saj. Ne bëhemi kuriozë se si një njeri mund të jetë njëherazi edhe komunist, pra ateist fanatik, edhe besimtar i bindur katolik. “Besimtare? E si nuk paska qenë besimtare! Unë besoja fshehurazi edhe kur isha anëtare partie – thotë Bardha – kur janë prishë kishat në 1967 jam lutë gjatë që Zoti t’ja falte atë punë që po bajshin. Mbaj mend se mbas tërmetit të 1979 na u dëmtua shtëpia. Atherë na kanë pasë pru gur për me rindërtu shtëpinë. Te ne patën pru edhe guret e qsheve të kishës. Mu drodh toka nën kambë. Besimtare kam qenë gjithherë, vetëm se në atë kohë nuk mund të flitshim”.
Bardha sapo është kthyer nga ai morti, i cili ka bërë bashkë thuajse të gjithë Rrëshenin. Tani ajo ka një profesion tjetër. Ajo është vajtimore. Pra ajo qan sipas një rituali të përcaktuar mirë të vdekurin para se të varroset. “Kam përditë punë – thotë – sepse më thërrasin edhe në qytete të tjera, në Lezhë, në Shkodër, në Laç…”.
Bardha nuk duket si një njeri që “takon” vdekjen përditë, përkundrazi ka një humor të hollë dhe duket sikur e shijon jetën pikërisht ngaqë e njeh aq mirë të kundërtën e saj, vdekjen.
“Të jesh vajtimore paska qenë një dhunti e dhënë nga Zoti – na thotë Bardha – në fillim kurrë nuk më kishte shkuar mendja se vaji do të më kthehej në profesion. Njeriu i parë që kam qarë me vaj, pra me vargje të sajume aty për aty, ka qenë bash vjehrri im. Për herë të dytë kam vajtu për vajzën teme 9-vjeç. Që më vdiq krejt papritmas. Herën e tretë për një mik të shtëpisë. Kshtu nisa me e kuptu se isha e prirun për këtë punë. Vaji ka rregullat e veta. Jo kushdo mund ta bajë këtë punë. Ma përpara kanë pas qenë edhe burrat që vajtojshin. Ma i fundit prej tyne ka qenë Gjon Marka Gjini që vdiq vjet. Vetë e kam vajtu me këto vargje: Në ditë morti/ E në ditë mexhlisi/ Zani yt bash si i bilbilit/ Kur Gjon Marku lshote zanin/ Atherë toka merrte gjamën… Vajtimin unë e baj krejt si përpara. Në fillim interesohem se kush ishte i vdekuni, çfarë ka punue, vetë sati fëmijë ishte, si vdiq, çfarë ka lanë mrap dhe pastaji hartoj vargjet aty për aty”.
Buzëqeshja e Bardhës zbehet teksa ne e pyesim se në cilin mort është ndjerë më keq. Portreti i saj bëhet serioz dhe duart i shkojnë instinktivisht te kryqi i florinjtë. “Jam ndjerë shumë randë në tre raste – na thotë - po ua tregoj: Në 1997 kur kam qa për tre vëllezër të vramë. Maj mend se kam pasë përdorë edhe këtë varg: Nuk ka dorë me u hedhë dhe! Nji herë tjetër në Orosh një 30-vjeçar jetim u vra në një aksident. La pas dy vajza e një djalë. Jetimi la pas jetimë. Herën tjetër që jam ndjerë vërtet shumë keq ka qenë në Velë, kur nji nanë e re dhe nji vajzë 7 vjeçe u vranë në një aksident automobilistik”.
Ka ardhur koha të vazhdojmë më tej. Nuk e dimë as vetë sepse e zeza e shamisë së Bardhës na duket edhe më e fortë se zakonisht. “Duhet të jetë një profesion fort i rëndë ky i vajtimores”, thotë njëri prej nesh teksa jemi sërish në bulevardin e lagur të Rrëshenit.
Jeta dhe vdekja, gjysmë për gjysmë
Një apartament i vogël në katin e parë duket edhe më i errët se zakonisht. Shiu që bie pa reshtur e pengon dritën të hyjë mes dritareve jo edhe aq të mëdha. Brenda kësaj hyrjeje modeste na pret Liza Dushi dhe e bija. Nana Liza ka lindur në një fshat të Pukës në 1923. Si të gjitha shoqet e saj të asaj kohe, “fati” ia solli që të martohej në Kaçinar, një zonë mirditore, atëherë e largët. Këtu u martua me Mark Dedë Dushin. E shkoi gjithë jetën duke bërë punë të rënda. Perëndia i dha gjashtë fëmijë. Në të gjallë të saj i ka marrë tre. Nana Liza nuk ankohet. “Kshtu e kam pasë fatin”, përsërit ajo një shprehje që e kemi dëgjuar që në krye të takimeve tona me nanat mirditore.
Neve na duket sikur kjo plakë e thjeshtë dhe e heshtur e ka shkuar të gjithë jetën e saj mbi një fill të hollë që ndan jetën nga vdekja. Dy fëmijë i kanë vdekur që foshnja. Të tjerët i rriti me një barrë mundime së bashku me të shoqin, porse kur punët dukeshin sikur po shkonin më mirë, bash atëherë Perëndia i dha një goditje tjetër: njëra nga vajzat vdiq e re nga një kancer në gji. Nana Lizë nuk do të na mërzisë me historitë e saj të trishtuara, më shumë i pëlqen të flasë për Kaçinarin, fshatin ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. “Kena punu shumë, po puna asht se ça korrëm se”, na thotë duke psherëtirë”. Pastaj për një copë herë, vendoset heshtja. Nga televizori i Nanës Lizë mësojmë se në Shkodër gjendja është rënduar. Rruga nacionale porsa është bllokuar, ndërsa në ekran shikojmë vazhdimisht pamje shtëpish të përmbytura. Dy kolegë transmetojnë direkt të zhytur në ujë deri në brez. “Koha të kqija boll kanë ardhë – i del nga shpirti plakës – na budallt e vjetër e kena pas thanë me kohë: ruju ujit e zjermit. Mjer kujt t’i ndodhi kjo punë”. “Budallt e vjetër” i thotë vetes me modesti nana e mirë mirditore me një mal me përvojë mbi shpinë. Përballë nesh në ekran kanë nisur konferencat e shtypit. A thua ndonjë ia ka vënë veshin ndonjëherë ndonjë “budalli të vjetër”? Vështirë se po.
(Autori falënderon zotërinjtë Bardhok Gjikola e Ndue Dedaj për ndihmën e dhënë gjatë realizimit të këtij reportazhi)
Komentoni
Artikuj te tjere
Pilo Zyba: Legjenda e kohëve të reja
Vlashi Fili: Përkujtohen njerëz të shquar të kombit tonë
Milazim Kadriu: Reçaku i dhimbjes, kujtesës dhe i krenarisë kombëtare
Luan Çipi: Në Rotterdam
Një orë mësimi në një shkollë të mesme amerikane, rreth krijimtarisë së shkrimtares Kozeta Zylo
Luan Çipi: Në Amsterdam
Luan Çipi: Në Parkun Zoologjik të Torontos
Kozeta Zavalani: Kuvendi i 8-të i Gruas Intelektuale Mbarëkombëtare Shqiptare
Luan Çipi: Në Ontario
Presidenti Topi feston me jetimët
Sokol Demaku: ”Babadimri kosovar” në Borås
Nazmi Seitaj: Genci dhe Vilsoni - Një ditë vjeshte në Bërzeshtën e poetëve martirë
Arsim Halili: Klubi letrar ''Feniks'' mbajti kuvendin e rregullt zgjedhor
Engjëll Koliqi: Edhe nënshkrimi yt është një vepër artistike
Beqir Cikaqi: Festa e “28 Nëntorit” edhe në Itali
Gani Ismajli: Manifestimi i 28 Nëntorit ne Schwäbisch Gmünd të Gjermanisë më 05.12.2009
Ahmet Ahmeti: Në Änglholm të Suedisë u kremtua ''28 Nëntori'', Dita e Flamurit
Asllan Dibrani: Në Bietigheim - Bissigen në rrethim e Shtutgardit u manifestua dita e Flamurit
Arif Molliqi: Bashkatdhetarët tanë në Hamburg e festuan 28 Nëntorin
Vilhelme Vranari: Presidenti i Republikës dha një pritje me rastin e Ditës së Pavarësisë