E enjte, 01.05.2025, 01:50 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Vlashi Fili: Përkujtohen njerëz të shquar të kombit tonë

E merkure, 20.01.2010, 10:55 PM


Pamje e pjeseshme e pjesemarresve
Pamje e pjeseshme e pjesemarresve
PERKUJTOHEN NJEREZ TE SHQUAR TE KOMBIT TONE

Nga Vlashi Fili

Në Shoqatën Kulturore “Bijtë e shqipes” në Filadelfia ka vite që ka zënë vend veprimtaria e përvitëshme “Fjala e gjuhës së zjarrtë” ku përkujtohen njerëz të shquar të letrave dhe kulturës tonë që kanë përvjetor të plotë.

Të përkujtosh këta njerëz është nder dhe krenari. Eshtë nder se ata e meritojnë një gjë të tillë me jetën e veprën e tyre, me mundin e sakrificat që kanë bërë dhe me gjurmët që kanë lënë në kulturën e kombit tonë. Eshtë krenari se ata bëjnë pjesë në elitën e kombit tonë dhe duke përkujtuar ata ne ndjehemi krenarë për vendin që ata zënë në sfondin e kulturës tonë dhe që ne jemi bashkëkombas të tyre, dhe kemi të drejtë për këtë.

Të tillë njerëz kanë dalë shumë nga gjiri i kombit tone, jo vetëm në kulturë por edhe në fusha të tjera të jetës. Pikërisht për një pjesë të këtyre njerëzve të shquar, ata në fushën e kultures, letrave dhe arteve, bëhet fjalë në veprimtarinë mbyllëse të vitit “Fjala e gjuhës së zjarrtë, që organizon Shoqata “Bijtë e shqipes”.

Për vitin që kaloi kjo veprimtari ishte parashikuar të zhvillohej më 20 Dhjetor 2009, por  moti shumë i keq, me dëborë të madhe bëri që ajo të shtyhej disa ditë më vonë.

Më 17 Janar 2010 anëtarë dhe simpatizantë të shoqatës u mblodhën në qendrën kulturore të tyre.

Mbas fjalës hapëse dhe përshëndetjes së rastit nga z. Petrit Zani, kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes”, fjalën e mori z. Sadik Elshani, nën kryetar i pare i shoqatës, nismëtar i kësaj veprimtarie, i cili referoi materialin “Fjala e gjuhës së zjarrtë ndër shekuj – 2009”. Në këtë matërial bëhej fjalë, me një përshkrim të shkurtër të jetës dhe veprës së tyre, njerëzit tanë të shquar të letrave dhe kulturës tonë që kishin përvjetor të plotë në vitin 2009, duke filluar me Jul Varibobën (285 vjetori i lindjes), dhe Françesk Anton Santori (190 vjetori i lindjes dhe 115 vjetori i vdekjes). Më poshtë vazhdohej në vite me Koto Hoxhi, Zef Serembe, Filip Shiroka, Dom Ndoc Nikaj, Shtjefën Deçovi, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Milto Sotir Gura, Fuqion Postoli, Viktor Eftimiu, Branko Merxhani, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Gjergji Bubani, Xhevat Kallajnxhi, Selman Riza, Shefqet Musaraj, Sulejman Pitarka, Rexhai Suroi, Rexhep Hoxha, Dhimitër Xhuvani, Nebil Duraku, Rahman Dedaj, Mirko Gashi, dhe përfundonte me Sabri Godo, Petro Zheji, Adelina Mamaqi, Nasi Lera, Koço Kosta, Fatos Kongoli, Ndoc Gjetja, Moikom Zeqo e Nexhat Halili. Po ashtu në material përkujtohej edhe 100 vjetori i Shkollës Normale të Elbasanit dhe 60 vjetori i revistës letrare “Jeta e re” të cilën e krijoi poeti kosovar Esat Mekuli në vitin 1949.

Mbas këtij pasqyrimi të gjerë të z. Sadik Elshani u fol më gjerësisht për Vaçe Zela, Jeronim De Rada, Sterio Spase dhe Neço Muka. Për poetin tonë të madh Lasgush Poradeci është folur në një veprimtari të veçantë në muajin tetor të vitit që kaloi.

Referatin “Vaçe Zela, këngëtarja e madhe shqiptare”, ku bëhej fjalë për jetën e Vaçe Zelës, fillimin e veprimtarisë si këngëtare, festivalet ku ka marrë pjesë,dhe çmimet që ka fituar, karierën e saj si këngëtare, etj, e mbajti znj. Suzana Vangjeli, anëtare e këshillit drejtues të shoqatës. Midis të tjerash në material thuhej:

            “…..Vaçe Zela, “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, “Mjeshtre e Madhe e Punës”, ‘Qytetare Nderi e Lushnjes” dhe “NderiiI Kombit” është përfshirë në librin e 500 personaliteteve më me influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe Mina. Ajo është nderuar me çmime edhe jashtë atdheut. “Disku i artë” në Amerikë – 1997, “Gruaja e Vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës, pasurojnë gamën e madhe të çmimeve të fituara nga kjo këngëtare….”

            Zëri i ëmbël i Vaçe Zelës në këngët e saj shpërndaheshin në sallë si në fillim të veprimtarisë ashtu dhe në përfundim të saj.

            Pastaj ishte radha e z. Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës që referoi materialin me temë “De Rada jonë i madh dhe hyjnor, 1814- 1903” ku flitej për jetën dhe veprën e De Radës. Në fillim të materialit z. Llazar Vero përmëndi një fakt interesant.

            “Kur vdiq De Rada, shumë bashkëfshatarë të tij po përcillnin arkivolin  me trupin e tij për në varreza. Ishte një ditë e bukur pranvere, gjithë diell dhe e qetë. Kur arkivoli kaloi pranë një bliri, një erë e madhe nisi papritur dhe shkundi mbi arkivolin e poetit shumë lule. Njerëzit shtangën për një moment nga kjo shenjë hyjnore, lëshuan një britmë dhe pothuajse njëzëri thanë: De Rada ynë I madh dhe hyjnor po ikën në krahët e zotit.”

            Më poshtë thuhej.

            “… Ai ishte poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues i shquar. Në të gjitha këto, si një yll i kuq shquhej atdhedashuria e tij e pashuar….. Ai është themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe…… Ishte ndër të parët rilindas që vihet në mbrojtje të çështjes kombëtare si dhe propagandimin e kulturës dhe lashtësisë së Kombit Shqiptar, ndër të parët që luftoi për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, fushë në të cilën dha ndihmesën konkrete….”

            Në vazhdim autori I këtij shkrimi, paraqiti materialin me temë: “Sterio Spase shkrimtari që nuk pushoi së shkruari gjithë jetën”, ku bëhej fjalë për jetën dhe veprën e Sterio Spases ku midis të tjerave theksohej:

            “Sterio Spase, autor i romanit me titull “Pse”, njeriu që aq shumë është përfolur për pyetjen “Pse”, ka krijuar një vepër me përmas të gjera si në sasi ashtu edhe në cilësi. Vepra e tij përmbledh punime pedagogjike, tekste shkollore, përkëthime, artikuj të ndryshëm, përshkrime, çështje letrare, gjuhësore dhe folklorike, monografi, tregime, romane dhe kritike. Ajo fillon në vitet ’30 të shekullit të kaluar, qysh kur ishte në moshë të re dhe dallohet në fushën e tregimit dhe romanit. Në periudhën ’30-’40 bëhet një nga shkrimtarët më të njohur shqiptar, nivel në të cilin qëndron edhe pas luftës. Romani “Pse” u bë mjaft i njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni. Aq popullor u bë ky roman saqë hyri në frazollogjinë popullore. Shprehja “Pse-në nuk e ka gjetur Sterio Spaes do ta gjejmë unë e ti” i qëndroi dhe vazhdon t’i qëndroi kohës.

            Për madhështinë e veprës së tij hedh dritë dhe fakti që ajo ka mbi 1.000 personazhe të shtresave e kombësive të ndryshme, kur vepra e Tolstoit ka 600 të tilla”

            Më pas u lexua përshëndetja që kishte dërguar z. Arian Spase, konsulli ynë në Amerikë si dhe nip i shkrimtarit Sterio Spase ku midis të tjerave thuhej:

            “…… Jam thellësisht i prekur, njëkohësisht shumë i nedruar që Shoqata “Bijtë e shqipes”  po kujton veprën e gjyshit tim Sterio Spase bashkë me ata të disa figurave të tjera të ndritura…….Ju siguroj se teksa shkruaj këto rreshta ndjej vërtetë krenari dhe mallëngjim. Jam krenar që i përkas një populli dhe jam mik i një komuniteti, si ai i juaji në Filadelfia, që nuk i harron rënjët e tyre. Jam mallëngjyr sepse përfytyroj emocionet që do të ndjente gjyshi im sikur të ishte ende mes nesh…..”

            Ndërkohë edhe z. Sadik Elshani trasmetoi përshëndetjen e aktorit Shaban Lajçi me banim në Nju Jork, të dërguar me telefon pak para fillimit të veprimtarisë.

Ligjëratat i mbylli z. Petrit Zani, i cili bëri një përmbledhje të materialit për Neço Muka të dërguar nga z. Petraq Pali, nga Virxhinia, në pamundësi të ardhjes. Midis të tjerave në material thuhej:

            Neço Mukaqe një tip i urtë, jo i rrëmbyer, fjalë pakë, i ndershëm, altruist dhe i lidhur me zemër me miqtë që bëri. I pëlqente të thurte këngë dhe vjershërime dhe ua dedikonte miqve dhe dashamirësve të tij….. Ai pati thurur shumë këngë kurbetit, ku shfaqet me forcë gjithë urrejtja dhe ankthi që ndjente ai në kurbet…..Sidomos kur ishte në Francë u muar me përkthime dhe adoptime këngësh të lehta të bulevardeve, pa u shkëputur prej tyre deri sa i përfundonte……..Neçua qe romantik nga natyra dhe i shtyrë prej talentit të tij në rimë, e shtynte fantazinë e tij prej poeti të mendojë, të krijijë, të dedikojë, të përfytyrojë subjekte dhe objekte në këngët që shkruante…”

            Me fjalën që morën më pas për të diskutuar Sadik Elshani, Petrit Zani, dhe Viktor Furxhi pasuruan ato që u thanë në materialet e referuara në këtë veprimtari.

            Në vazhdim z. Petrit Zani lexoi thirrjen që Shoqata “Bijtë e shqipes” i drejton gjithë shqiptarëve për të ndihmuar Shkodrën, Lezhën dhe gjithë zonat e përmbytura.

            Veprimtaria u mbyll me koktejlin e zakonshëm që shoqata shtron mbas çdo organizimi të tillë.

Z. Petrit Zani ne fjalen e hapjes
Z. Petrit Zani ne fjalen e hapjes
Z. Sadik Elshani duke referuar
Z. Sadik Elshani duke referuar
Znj. Suzana Vangjeli
Znj. Suzana Vangjeli
Z. Llazar Vero
Z. Llazar Vero
Z. Viktor Furxhi duke diskutuar
Z. Viktor Furxhi duke diskutuar



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx