Udhëpërshkrim
Engjëll Koliqi: Do e bëjmë lule të hijshme Dardaninë tonë
E enjte, 25.02.2010, 10:58 PM

SHQIPTARËT NË LOMBARDI KREMTUAN 2 VJETORIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS:
DO E BËJMË LULE TË HIJESHME DARDANINË TONË

Shkruan: Engjëll KOLIQI
Si të gjithë të tjerët – në viset tona dhe kudo në botë, poashtu edhe shqiptarët që jetojnë e veprojnë në krahinën e Lombardisë në Itali, të dielën e 22 shkurtit janë tubuar dhe kanë kremtuar bashkërisht, me një hare që shkëlqente në fytyrat e tyre, në dy pika të kësaj krahine – në S. Stefano Ticino të Milanos dhe në Lecco. Shqiptarët e të gjitha trojeve tona etnike, bashkërish kremtuar 2 Vjetorin e vulosjes së shtetësisë së Kosovës – pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror mbi trojet e veta.
Në S.Stefano Ticino, në një lokal bukur të dekoruar me flamujt tanë – atë kombëtar dhe atë shtetëror të Kosovës, si dhe me fotografi të figurave tona kombëtare – të Skënderbeut, Ismajl Qemalit, të Adem Jasharit, të Nënë Terezes etj, ishin tubuar qindëra bashkatdhetarë tanë (nga shumë vise të Kosovës dhe të Shqipërisë), që jetojnë në Magenta të Milanos dhe në kryeqendrën e Lombardisë, në Lecco e në vende të tjera përrreth, për të shënuar një përvjetor të vogël por shumë të rëndësishëm të çështjes sonë kombëtare – atë të vulosjes së shtetësisë së Kosovës – të rishpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Këshilli organizativ i Shoqatës Kulturore Humanitare “Kosova e Lirë” në Magenta të Milanos (Arben Zajci, Nuhi Qadraku, Enver Maliqi, Ali Drenica, Mehmet Spahiu e Ajshe Sopjani) kishin përgatitur çdo gjë që kremtja të jetë madhështorre dhe e këndshme për të gjithë. Së pari u bë intonimi i hymnit të Kosovës, me ç’rast moderatori Xhevdet Drenica i ftoi të gjithë të ngriten në këmbë e ta nderojnë shtetin tonë të ri. Mandej kryetari i shoqatës – Xhavit Mahmuti i përshëndeti mysafirët dhe të gjithë të pranishmit, duke ua uruar realizimin e ëndërrës sonë shekullore për ta ribërë shtet Dardaninë Antike – Kosovën e Re. Mbas urimit patriotik, Z. Mahmuti bëri edhe përshkrimin e veprimtarisë njëvjeçare të Shoqatës “Kosova e Lirë”, e cila u themelua në përvjetorin e parë të Shtetit të Kosovës. Mbresa shumë të këndshme patriotiko-artistike ka lënë vallja tradicionale e Rugovës, e cila u luajt nga grupi i të rinjëve të kësaj shoqate, natyrisht veshur e stolisur me kostume të bukura kombëtare.
Ishte shumë prekës çasti kur çifti Arsim e Mirjam Mulliqaj dhuruan shumë kopje të librit “Il mio diario” (Ditari im), ditar lufte i vogëlushit 7 vjeçar Lum Dyla, përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën italiane. Me këtë rast kremten e përshëndeti Zonja Mirjam, e cila i emocionoi të gjithë të pranishmit me fjalët e saj si dhe me urimet shumë të sinqerta e të përzemërta për Shtetin e ri të Kosovës. Programi artistik u realizua bukur nga vëllezërit Geëzim e Agim Demaj, që në kuadër të AVI “Fortuna” që kishin ardhur enkas për këtë kremte. Të pranishmit i kanë përshëndetur edhe mysafirët nga Shqipëria – Adnan Kopliku, kryetar i Shoqatës Italo-Shqiptare “Miqësi e bashkëpunim” me seli në Milano, si dhe Fatos Faslliu – kryetar i Shoqatës Kulturore Italo-Shqiptare të Milanos. Aty ishte edhe një përfaqësi e Shoqatës Integruese Kulturore e Humanitare “Stublla” me seli në Lecco. Njëri nga ata – Luz Koliqi u inkorporua në programin artistik dhe i emocionoi të pranishmit me këngën “Marshi i UÇK-së”. Me moton të bëhen tradicionale, më të dalluarit në veprimtarinë njëvjeçare të Shoqatës “Kosova e Lirë” u shpërblyen me mirënjohje speciale. Duhet veçuar mirënjohja e merituar që iu dha ndërmarrjes “Drenica”, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për sponzorizimin gjithëpërfshirës të veprimtarisë së kësaj shoqate. Me emocione speciale dhe me kushtrimin që të gjithë të veprojnë maksimalisht, falënderuan e përshëndetën përfaqësuesit legalë të kësaj ndërmarrjeje – Musli Drenica e Mehmet Spahiu. Sallën e kishin zbukurur edhe pikturat shumë të bukura të artistit prizrenas - Gafurr Buduri, i cili jeton e vepron në Milano. Ai në falënderimin e tij i emocionoi te gjithë, duke folur për kryeveprat e kryemjeshtrit tonë të artit – Ibrahim Kodra, i cili poashtu kishte jetuar e vepruar në Milano. Në pasditën e vonë kremtja në S. Stefano Ticino të Milanos mbaroi dhe një delegacion i gjerë i shoqatave të këtij rrethi ia mësynë Lecco-s, ku kremtja do të fillonte rreth orës 20.
Edhe Këshilli organizativ i Shoqatës Integruese Kulturore Humanitare “Stublla” në Lecco, udhëhequr nga veterani i shumëfrytshëm e koordinator i të gjitha veprimtarive këtu – Pashk Ballabani, kishte marrë me kohë të gjitha masat përgatitore dhe gjithçka ishte bërë gati që kremtja të zhvillohej me vlera të mëdha patriotike e artistike. Salla e bukur ishte stolisur bukur me flamurin kombëtar, me atë të shtetit të Kosovës, me logon e shoqatës dhe me mbishkrimin special, që e kishin punuar në vendlindje, ku shkruante “Urime pavarësia Kosovë”, me ngjyrat e flamurit shtetëror – kaltër e verdh. Atje ishin ftuar dhe kishin ardhur delegacione të shoqatave simotra nga rrethet e Milanos të Bergamos dhe të Breshës. Mbase hetohej edhe eksperienca më e madhe e kësaj shoqate, sidomos në programin kulturo-artistik, që përveç AVI “Fortuna” ishin inkorporuar edhe këngëtarja e mirënjohur Leonora Muçaj, e cila vazhdon shkallën e tretë në akademinë e arteve të aktrimit, në Zürich, këngëtarët amatorë stubllasë – Luz Koliqi e Gjergj Munishi, si dhe grupi shumë simpatik i vajzave valltare “Fluturat”, të cilat joshën të pranishmit sidomos me vallen e pavarësisë. Vlerat artisike vallëzimit të bukur ia shtonin edhe kostumet shumë të bukura kombëtare që këshilli organizativ kësaj radhe i kishte huazuar nga Zvicra – nga Ansambli “Arbëresha”, me të cilin kjo shoqatë ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të rregullt.
Mbas intonimit të Hymnit shtetëror të Kosovës, fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës – Zef Krista, i cili mbas një historiku të shkurtër të vuajtjeve shekullore të popullit tonë, të pranishmëve ua uroi këtë ngjarje të madhe dhe uroi që në kudër të integrimeve europiane populli ynë të jetë i bashkuar e që në parlamentin europian të gjithë të flasim vetëm me një zë – me zërin arbëror. Kur kryetari foli për bashkimin kombëtar, që me shumë veprimtari veç ka filluar, në sallë shpërthyen duartrokitje frenetike të disa qindëra të të pranishmëve. Edhe këtu, sikurse në S. Stefano të Milanos, veprimtari shkodran tashmë i dëshmuar – Asrtrit Borshi xhiroi me videokamerë kremten dhe e futi në internet në dritaret e www.Albaniaonline.tv, ku të interesuarit mund ta përcjellin. Me nismën e Astritit, moderatori stubllas – Adrion Andreja, i cili para pak ditësh u diplomua në Universitetin e Milanos në shkencat politike, realizoi një tribunë festive – me vendësit dhe me mysafirët nga Milano e nga Bergamo, në stilin e emisioneve televizive “Maurizio Costanzo Show”, ku të ftuarit në skenë – Pashk Ballabani, Xhavit Mahmuti, Fatos Faslliu, Marjan Gjergji, Xhevdet Drenica, Zef Krista, Gafurr Buduri e Engjëll Koliqi dhanë përgjigje mjaft interesante në pyetjet e parashtruara nga ai dhe shprehën urime e kushtrime për një bashkim të mirëfilltë shpirtëror të të gjithë shqiptarëve në ndërtimin e lulëzimin e të gjitha trojeve arbërore dhe për kthimin e të gjithëve, sa më parë atje në trojet tona. Të pranishmit në këtë tribunë, që mund ta ndiqni në linkun e mësipërm, por edhe të gjithë të pranishmit në sallë u zotuan se do të bëjnë çmos ta ndërtojnë e ta përparojnë Shqipërinë tonë – siç thanë – jo të madhe por etnike. Të gjithë thanë – do e bëjmë lule të hijeshme Dardaninë tonë dhe mbarë Ilirinë tonë.
Mbasi u krye tribuna festive, fjalimet, përshëndetjet, recitime e vallëzimet artistike, ahengu vazhdoi deri në mesnatë, me ç’rast të larpërmendurit kënduan këngë të larmishme shqipe të muzikës popullore e të lehtë, ndërkaq të pranishmit në sallë vallëzuan kolektivisht. Në fytyrat e të gjithëve vërehej një gëzim karakteristik dhe një hare e këndshme.
Do të ishte mëkat të mos e ceknim edhe një fakt shumë të rëndësishëm. Në të dy kremtimet e përshkruara më lartë organizatorët kishin vënë një çmim modest për hyrjen e pjesëmarrësve, sepse ofertat financiare të mbledhura do i përdornin në misione humanitare, për t’u ndihmuar bashkatdhetarëve në atdhe – nevojtarëve të sëmuet e skamnorëve. Këtë nismë të këtyre shoqatave duhet përshëndetur dhe duhet zbatuar të gjitha shoqatat tona në mërgim, sepse kështu u ndihmohet mjaft njerëzve tanë nevojtarë.


Komentoni
Artikuj te tjere
Në Heilborn 28 - Nëntori i kremtua solemnisht
Xhevat Muqaku: Kur bukuria dhe pamvarësia festohen së bashku
Sokol Demaku: Kremtimi i Ditës së pavarësisë së Kosovës në Suedi
Xhevat Muqaku: Vepra e dëshmorëve ''Parlament shpirtëror i diasporës''
Neki Lulaj: Akademi përkujtimore kushtuar Fadil Feratit
SHKSH ''Nëna Terezë'': Në Ängelholm të Suedisë u kremtua ditëlindja e dytë e Pavarësisë së Kosovës
Milazim Kadriu: Përpelalci, fshat fantazmë
Këze (Kozeta) Zylo: Kosova në vitin e Lirisë!
Në Heilbronn të Gjermanisë është festuar me madhështi një vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Arsim Halili: U mbajt përurimi i librit ''Yjet e Lirisë'' Halim Hasani
Fatos Baxhaku: Histori nanash mirditore
Pilo Zyba: Legjenda e kohëve të reja
Vlashi Fili: Përkujtohen njerëz të shquar të kombit tonë
Milazim Kadriu: Reçaku i dhimbjes, kujtesës dhe i krenarisë kombëtare
Luan Çipi: Në Rotterdam
Një orë mësimi në një shkollë të mesme amerikane, rreth krijimtarisë së shkrimtares Kozeta Zylo
Luan Çipi: Në Amsterdam
Luan Çipi: Në Parkun Zoologjik të Torontos
Kozeta Zavalani: Kuvendi i 8-të i Gruas Intelektuale Mbarëkombëtare Shqiptare
Luan Çipi: Në Ontario