E merkure, 30.04.2025, 02:21 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Athina, qyteti ku flitet shqip

E diele, 07.03.2010, 11:43 AM


Në Athinë gati-gati të gjitha muret janë të vizatuara me grafitë. Mes ngjyrave të forta nuk mungojnë posterat që përsëri flasin shqip… Koncert live, Eli Fara, Bujar Qamili, por edhe aktorë humori si parodistët e Vlorës, Cekja apo edhe të rinjtë e “Portokallisë”

Nga Gazeta Shqiptare

Ndërsa salla e tejmbushur vibronte nga të qeshurat, ato të dyja rrinin kokëvarur. Që s’i kish pëlqyer hiç ajo që kishin parë, as që vihej në dyshim, por dukej që ndjeheshin keq, ndjeheshin të fyera. Në rrugën “Aleksandras”, në një prej teatrove të mëdhenj të zonës, prej një viti qëndron e reklamuar afishja e komedisë “Simpetheri ap ta Tirana” (Krushqit nga Tirana). Ka rezultuar pjesë e suksesshme dhe salla mbushet tejet plot sa herë që ka shfaqje. Të veshur keq, me sjellje gjoja franceze nën petkun e një katundarie totale, familja shqiptare do të vinte në shtetin helen për t’i kërkuar dorën vajzës me të cilën ishte dashuruar djali i tyre. Ironizimi dhe tallja me të dyja familjet, por më shumë me familjen shqiptare që ishte në epiqendrën e batutave, i bëri ato të ndjeheshin keq. “Edhe në viset e humbura të Shqipërisë, po të kërkosh nuk gjen familje të tilla e jo më në Tiranë. Ajo që na vjen keq është se kush nuk e ka vizituar vendin tonë do mendojë se jemi po kaq të rëndomtë”, - thonë zonjat. Dikur, ato të dyja kishin qenë mësuese dhe përkthyese të gjuhës ruse. Jemi në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.

Në metro, autobusë, rrugë, dyqane, kafene, shkolla, spitale, lokale nate… kudo dëgjohet shqip, madje në tregjet e fruta-perimeve tregtarët nuk ngurrojnë të të ofrojnë në gjuhën e tyre produktet që shesin. Nga ora 7 deri në 8 pasdite, Radio “Athina” ka program shqip, ndërsa të shtunë e të diel, fëmijët kanë mundësi të dëgjojnë programe enkas për ta. Nga të gjitha udhëtimet që kemi bërë në kryeqytetet evropiane, duket se në Athinë dëgjohet më shumë shqip se kudo. “Eh, po tani nuk kemi më frikë nga fshesa e policisë. Thuajse të gjithë ne jemi pajisur me letra. Por nuk është vetëm kjo. Tani edhe nuk na ngasin më”. Kjo është përgjigjja e zakonshme që marrim sa herë pyesim shqiptarët që jetojnë në Greqi. Të ulur në një stol të sheshit në lagjen Kipseli, policët grekë na anashkalojnë dhe u kërkojnë dokumentet grupeve të ndryshme njerëzish që i përkasin popullsisë arabe dhe indiane. Thuajse çdo ditë në ekranet greke shfaqen pamje të skafeve, ku rrinë cip mbi cip egjiptianë, sirianë, palestinezë…

Një prej tenorëve të njohur në Greqi që ka bërë karrierë në Austri, Niko Parisi, i bashkohet grupit që po luan muzikë e të shoqëruar nga ato interpreton një pjesë nga “Notre Dame de Paris”. Pas tij dy violinat vazhdojnë të luajnë si një e vetme, programin e mbrëmjes. E teksa klientët janë mbështjellë me zërin e ngrohtë të këngëtares, mornicat na përshkojnë trupin; Vajta kalova gjith Kalabrinë, askund nuk gjeta si Shqipërinë… Po, po, ajo po këndon shqip. Lindita Maria Laro. Kështu quhet violinistja shqiptare që bashkë me pedagogun e violinës Zeqir Sulkuqi (Xheku), kanë fituar statusin; Violinat e zjarrta. Lindita është nga Vlora, mbesë e kompozitorit të njohur Kujtim Laro, ishte një ndër talentet e rrallë që kanë hyrë në Akademinë e Arteve. Zeqir Sulkuqi është nga Elbasani, pedagog violine dhe fitues i çmimit të dytë në konkursin e instrumenteve në Shqipërinë e para viteve ‘90. Pesë vjet bashkë, si një violinë e vetme, një ngjyrë, një tingull, një pasion, shokë shumë të mirë. Mbase ky është çelësi i suksesit të çiftit, i cili ka interpretuar në skena prestigjioze të Athinës, mes të cilave në Akademinë Ateneum që organizon dhe konkursin evropian të Maria Kalas. Punën e parë e fitoi shumë vjet më parë në orkestrën e Operas Lirike, ndërsa më pas punoi si pedagoge në disa shkolla të mesme të muzikës. Genet i ka trashëguar dhe e bija, Evi, e cila sipas mjeshtreve të muzikës, është një soprano me shumë perspektivë. Edhe Lindita ka dashur të këndojë që fëmijë, por këtë gërshetim mundi ta realizojë vetëm këtu. “Jam e lumtur që bëj punën që kam dashur gjithnjë të bëj. Për këtë kam pasur në krah dhe Xhekin, sepse bashkë arrijmë që emocionet që përjetojmë në skenë t’ia transmetojmë lehtësisht publikut”, - thotë Lindita Maria Laro. Edhe pse ka rreth 20 vjet në Athinë, ka pasaportë greke, ka një vajzë me baba grek, nuk harron që në mes të repertorit të shumëllojshëm t’i lërë vend këngës qytetare shqiptare. “Zemra ime i përket Shqipërisë”, - thotë violinistja shqiptare.

Shumëkush e kujton qartazi atë që ndodhi këtu e pesë vjet më parë në qendër të Tiranës dhe në çdo cep të saj, ku mllefi i akumuluar nga 1100 arsye tek disa dhe, kush e di pse, te shumë të tjerë, u përkthye në thyerjen e makinave me targa greke dhe djegien e flamurit bardhë e blu. Atëherë, kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 2 me 0 me atë greke. Nga shqiptarët që jetojnë në Greqi është e vështirë të përcaktohet nëse grekët janë racistë apo jo. “Për mua më shumë janë ziliqarë. Xhelozohen pse shqiptari ka një makinë të re, apo shtëpinë ku rri e ka të tijën”, - thotë Dritani, një emigrant nga Saranda. “Unë kur kam pasur nevojë grekët më kanë ndihmuar, shoqet më të afërta i kam greke, fqinjët i kam po grekë dhe kam marrëdhënie shumë të mira”, - thotë Sui, e cila prej dy vjetësh ka fituar të drejtën e përhershme të qëndrimit në Greqi. Taksisti nga Vlora që hasëm gjatë një udhëtimi të shkurtër brenda për brenda Athinës, mendon se shqiptari për shqiptarin është më ziliqar se ç’janë grekët për ne. Sipas tij, emigrantët tanë në Greqi asnjëherë nuk do munden të kenë një përfaqësues të tyre në parlamentin grek, pasi të gjithë do të duan të jenë Ai. “Eh, i kanë harruar këta kohërat kur nuk flisnim shqip se kishim frikë se na merrnin prej leckash e na kthenin në Shqipëri, kur sapo thoshe se je nga Shqipëria, të shihnin si vrasës serial; kur fëmijët nëpër shkolla i përçmonin pse kishin origjinë shqiptare, kur refuzonin haptas të na përgjigjeshin e ndihmonin sapo merrnin vesh që jemi shqiptarë… Kemi vuajtur është pak të thuash”, - na thotë Agimi një 60-vjeçar nga Berati. Shoqëruesi ynë sapo e merr vesh nga jemi, bën një hyrje që ka shumë miq shqiptarë e më pas nuk ngurron të tregojë se si një i ri nga Shqipëria e kishte grabitur me armë, apo ngjarjen më të fundit të përleshjes së policisë greke me dy shqiptarë, si pasojë e së cilës mbeti i vrarë një kalimtar i rastësishëm, që për fat të keq ishte sërish i yni. Hasim njerëz dashamirës, që kur marrin vesh se jemi shqiptarë, na thonë disa fjalë në gjuhën tonë, por ende edhe shumë nga ata që kthejnë kokën mënjanë apo murmurisin kunja në gjuhën e tyre.

Në Athinë gati-gati të gjitha muret janë të vizatuara me grafitë. Mes ngjyrave të forta nuk mungojnë posterat që përsëri flasin shqip… Koncert live, Eli Fara, Bujar Qamili, por edhe aktorë humori si parodistët e Vlorës, Cekja apo edhe të rinjtë e “Portokallisë”. Menduam se pronarët e lokaleve apo organizatorët shfrytëzonin festat e Krishtlindjes e Vitit të Ri për të sjellë artistë nga Shqipëria, por jo. Thuajse çdo javë, në rrugët e Athinës, lokale të ndryshme, mes posterave, njoftojnë ardhjen e tyre. E reklamat më të shumta të këtij lloji vendosen në lagjet ku ka shumë shqiptarë, Ambelokipus, Pire, Kipseli, Nea Filadelfia… Sigurisht që para fotografisë provokuese të Zajminës ndalojnë jo vetëm shqiptarë...
Java e Pashkës, e shtuna e madhe. Fishekzjarrët për festën e rilindjes së Krishtit do jenë shkaku i shpërthimit të një urrejtjeje të vjetër ndërmjet Luanit dhe Thimios, ndërmjet të huajit dhe vendasit, ndërmjet ateistit dhe fetarit. Historia shkon drejt një drame ku ai që e pëson është Harris, një djalë i ri me baba shqiptar. Kështu ka menduar t’i risjellë marrëdhëniet greko-shqiptare regjisori vendas, Vasilis Duros, në filmin “To vuno brosta” (Mali përpara), regjisor i cili punon njëkohësisht edhe në serialin “Karma” që shfaqet në televizionin “Antena”. Stavro Rada s’i ka mbushur ende 10 vjeç, por duket se që tani e ka përcaktuar të ardhmen e tij, aktor filmash e teatrosh. I vogli është djali i një çifti shqiptarësh, Sonilës e Beniaminit, të cilët duke parë prirjen e tij dhe bukurinë natyrale menduan t’ia propozonin një zyre që merrej me gjetjen e aktorëve për filma e reklama. Në sallën e madhe të kinemasë ku po shfaqet premiera e filmit “Mali Përpara”, dominojnë artistët grekë. Stavro nuk është ulur me familjen e tij, por me regjisorin, i cili e ka shumë për zemër e thotë për ne se 10-vjeçari është talent. Para shfaqjes, një grup polifonik grek dhe një shqiptar “Lotët e kurbetit”, këndojnë këngë gëzimi e dhimbjeje.

Kriza ekonomike që ka pushtuar Greqinë ndjehet kudo. Në rrugët e mbjella me neranxi, shumë dyqane dhe lokale janë mbyllur ndërsa të tjera njoftojnë boshatisjen me të shitur mallin. Shumë ndërmarrje të vogla janë në prag falimentimi, ndërsa të tjera bëjnë shkurtime punonjësish. E vështirë është bërë edhe për shqiptarët, të cilët së fundmi po vuajnë papunësinë. “Dikur kishim punë për të pastruar shtëpi gjatë gjithë javës, ndërsa tani na marrin apo nuk na marrin një herë në dy javë. Ne, verën e kaluam në Shqipëri, se burrë e grua nuk kishim punë e s’kishim ç’të hanim”, - thotë Katerina një mesogrua nga Lezha. Tani ajo pastron një shtëpi, ndërsa i shoqi ende është i papunë. Me gjithë këtë krizë ekonomike, çmimet në Greqi janë në stratosferë. 

Athina është një kryeqytet evropian i pasigurt, ku sapo arrin në aeroport të këshillojnë që çantën ta shtrëngosh mirë se rumunët të grijnë dhe fëmijës të mos ia heqësh asnjë moment sytë se ta rrëmbyen për t’i marrë çnjerëzisht organet. Në pikat kufitare sheh vetëm fotografi fëmijësh të vegjël me stampën “i zhdukur”. Të këshillojnë të mos kalosh natën në një listë të gjatë rrugësh sepse janë të rrezikshme. Vihen bomba në institucionet shtetërore dhe vidhen shpesh banka e kompani sigurimesh. Athina ka një zbehtësi arkitektonike, me ndërtime të vonshme që kanë ngjyrë gri të shpëlarë, rrugica që mbajnë po aq erë shurrë sa poshtë urave të Lanës, kaos e trafik, mungesë parkimi, rrugë të ngushta në formë shisheje që bllokohen për dhjetëra minuta, ka taksistë që ta ‘fusin’ sapo të dëgjojnë që je e huaj, ka lypës, shitës të vogëlsirave dhe disqeve, që me gjuhën e tyre greke me theks afrikan të bezdisin pafundësisht për të të detyruar që të blesh diçka tek to. Ka policë me papaq, ka vrasës të çmendur që dalin rrugëve e marrin nishan kalimtarë, ka lajme televizionesh për vëllanë që vrau vëllanë, ka thashetheme televizive që vazhdojnë javë me radhë se si Eleni Menegaqi, prezantuese e emisionit të mëngjesit në televizionin “Alfa”, u nda me të shoqin, apo një modele e famshme që u ndalua në aeroport se ish i dashuri kishte bërë padi për të… Ka prostituta të rëndomta rrugicave të errëta në qendër, ka drogaxhinj dhe shiringa të hedhura sa andej-këtej… Por Athina, në çdo cep të saj ka teatro dhe jo lojëra fati si në Tiranë, ka rrugë të mbjella me neranxi që të krijojnë idenë e shëtitjes në kopshte agrumesh, ka shumë zona pedonale e miniparqe ku shpëton nga era e rëndë e benzinës së djegur që lëshojnë makinat, takon njerëz të edukuar e miqësorë që sapo të shohin, derdhin një lumë fjalësh të ëmbla e përkëdheljesh për fëmijën që ke në krahë… Athina është kryeqyteti evropian ku ke pafundësisht mundësi argëtimi, ku shijon ushqime fantastike në uzeritë e këndshme poshtë Akropolit, metropoli ku jetë nate bëhet çdo ditë të javës. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx