E shtune, 27.04.2024, 08:24 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Fatos Baxhaku: Ditë pazari në anë të Shkumbinit

E diele, 21.03.2010, 10:52 AM


Ditë pazari në anë të Shkumbinit

 

Nga Fatos Baxhaku

 

Bie shi në luginën e Shkumbinit. Një erë e ftohtë që vjen nga malet në thellësi të vendit bën që njerëzit të kërrusen të mbështjellë ende me veshjet e tyre të trasha. Pranvera nuk ka gjasa të vijë shpejt. Duket sikur këtë përshtypje e mbajnë të gjithë në kurriz, kalimtarët, kopetë e lagura të deleve, makinat e përbaltura, vetë lumi, që ka marrë një ngjyrë kafe të thellë. Jemi nisur për në Qukës, një fshat i madh i Librazhdit, i vendosur në anë të Shkumbinit. Çdo të enjte këtu zhvillohet pazari, më i madhi në krejt krahinën. Një rast më shumë për t’i njohur më mirë këto anë.

 

Mullixhiu dhe mushkat e lagura

Në fillim “zhytemi” mes turmës që lëviz nga të gjitha anët. Këtu, si pa e kuptuar, janë krijuar vetë “repartet” e specializuara të shitjes. Në fillim vijnë mallrat shtëpiake, furra, magnetofona, priza, televizorë, gjithçka që i duhet një familjeje në fshat. Më pas vjen pjesa e kinkalerive: biçakë lloj-lloj, tespihesh ngjyra-ngjyra, kuti duhani… Pastaj në të dyja anët e urës, vijnë mallrat ushqimore dhe krejt në fund thuajse në të dalë të sheshit të madh të pazarit, ndodhet një ndërtesë që duket sikur vjen nga kohët e qëmoçme. Ai është një mulli i vjetër e ujë. Vazhdon të punojë me ujërat që derdhen në Shkumbin njësoj si në kohët e motmotit, me mokrat e gurta dhe me mekanizmin prej druri. Jashtë, në shi presin kokulur dy mushka. Të zotët, si kanë lënë thasët e tyre të stërmbushur me misër, janë strukur kush e di se në cilin lokal. Mullixhiu nuk është i bardhë nga mielli, as plak i kërrusur, sikurse jemi mësuar të shohim ndër filma. Është një mesoburrë i fortë, i cili, në fillim nuk e vë re fare praninë tonë. Guri i mullirit bën një zhurmë të mbytur, por të pareshtur, teksa kokrrat e verdha të misrit bien një nga një. Vetëm kur i duhet të ndryshojë diçka na vë re dhe atëherë miqësohemi shpejt, shumë shpejt me mullixhiun e Qukësit. “Kam nisur ta hap vetëm në ditë pazari - na thotë – ose kur më lajmërojnë klientët. Nuk ia vlen më të rrish këtu e të presësh me shpresë së mbase do të kujtohet ndokush që të bluajë misër. Ju po e shihni vetë se si është tani puna”. Mullixhiu ka bërë me kokë nga dy mushkat e lagura që vazhdojnë të presin me durim në oborrin e mullirit. Përshëndoshemi edhe një herë me mullixhiun dhe përzihemi sakaq me turmën e pazarit.

 

Duhanxhiu dhe tespihet

Krejt në anë të Shkumbinit na bëjnë përshtypje disa togje të vegjël të verdhemtë. Na shkon mendja se këtu jemi në një sektor që ndokush prej nesh e njeh fare mirë. Me siguri atje tej shitet duhan. Dhe kështu, brenda pak çastesh, ndodhemi përpara repartit të duhanpirësve. Duhanxhiu duket se është mërzitur fort, i strukur në tendën e tij prej plastmasi. “Sa mirë bëtë që erdhët – na thotë – edhe po të mos bleni gjë, të paktën e ndërrojmë ndonjë cigare-duhan”. Ai është nga Stravaj, një fshat i largët i ngulur thellë mes maleve. Një copë herë të mirë flasim për fshatin e tij malor. A janë izoluar këtë vit nga dëbora? Po sharrat e famshme a janë ende në punë? Si është rruga këtë vit që ra shumë dëborë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i marrim brenda kohës që do një cigare për t’u djegur. Për të mos dalë klientë llafazanë e bezdisës vendosim që të blejmë diçka te shitësi nga Stravaj. Njërit prej nesh i ka pëlqyer fort një kuti duhani që vezullonte që larg. Kutia, e prodhimit kinez sigurisht, paketohet shpejt e shpejt e stërmbushur me një duhan të verdhë, të grirë hollë. “Kurse këto i keni dhuratë nga unë - në thotë duhanxhiu duke na zgjatur një palë tespihe – kam respekt për miqtë që vijnë nga larg deri në këto shkrepat tona”. Bëmë vetëm një blerje, por ama me shumë leverdi.

 

Lumja “ambulante”

Ca nga balta, ca nga një erë e ftohtë që na rrethon nga të katër anët, vendosim të pushojmë disa çaste. Në breg të lumit është sajuar një lokal, ose më mirë me thënë një grumbull tavolinash dhe karrigesh plastike ku qëndrojnë ulur ndonja njëzet vetë. Këtu shërben Lumja. Ajo dhe njerëzit e saj merren me këtë punë. Meqë pazaret ndër fshatra të ndryshëm qëllojnë në ditë të ndryshme, ata udhëtojnë sa në një fshat në tjetrin në kërkim të pazareve. Ku ka treg do të ketë me siguri edhe njerëz që u duhet të kuvendojnë, duke pirë ndonjë kafe a ndonjë raki. Një ditë më parë Lumja dhe njerëzit e saj kanë qenë në Hotolisht. Atje pazari zhvillohet të mërkurave.

Karriget plastike kanë nisur të zhyten pak nga pak në tokën e butë, por njerëzia nuk e vret edhe aq mendjen. Bëjmë edhe ne si shumica. Me një gotë raki erëfortë kumbulle përpara rrimë e kundrojmë një copë herë rreth e rrotull. Bisedat më së shumti zhvillohen për shtëpitë e reja, për materialet e ndërtimit, për çmimin dhe cilësinë e çimentos. Në këto anë vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi të reja, nganjëherë edhe më të mëdha se sa janë kërkesat. Duket se, të mësuar jetë e mot me shtëpitë e vogla dhe të ngushta, njerëzit kanë vendosur “të hakmerren” ndaj ngushticës. E kanë ndarë mendjen të ngrenë shtëpi të mëdha e hijerënda, edhe atëherë kur shumë ambiente u mbesin bosh. Dhe pastaj në ditët e pazarit shkëmbehen eksperiencat te lokali i lëvizshëm i Lumes. Një traditë që ka nisur të bëhet më e fortë edhe se sa vetë pazari. “Mos e vrisni mendjen. Ditë më të bukura do të vijnë!”, vazhdon të thërrasë për të disatën herë një djalë i ri, i zeshkët, që ka parakaluar me dhjetëra herë para stendave të mbushura me rroba.

 

Çdo gjë firmato”

Në Qukës mund të gjesh markat më të njohura të botës së veshjeve. Cilindo prej shitësve që do të pyesësh do të përgjigjet se xhinset e tij “D&G” janë krejt origjinale, madje mund të bëjë edhe ndonjë be të rëndë për këtë. Në fakt, sektori i veshjeve ndahet në dy reparte të mëdha: sektori “i gabit”, pra veshjet e përdorura dhe sektori “firmato”. Për hir të së vërtetës duhet thënë se më shumë gjallëri vumë re te veshjet e përdorura. Por edhe këtu njerëzit filluan të largohen shpejt. Më fatlumët, kishin qëlluar në kohën që e quajnë “hapja e thesit”. Andej nga mesdita nuk ka mbetur më asgjë e hajrit dhe njerëzit vetëm sa zhysin duart në grumbullin shumëngjyrësh më shumë nga kërshëria se sa nga shpresa që të gjejnë ndonjë gjë që ia vlen. E kuptojmë se këtij sektori i ka ardhur koha të mbyllet, kur një rome e shëndoshë rehatohet mirë e mirë në mes të grumbullit me tesha dhe nis të hajë me një barrë lezet bukën që ka marrë me vete. Duket krejt e kënaqur. Nuk e çan aspak kokën as për rrëmujën që mbretëron rreth saj dhe as për baltën që ka nisur t’i afrohet togut të saj plot ngjyra. Me sa duket, dita i ka vajtur fare mirë.

Krejt ndryshe duket një “kolege” e saj e sektorit firmato. E trishtuar, ajo sillet vërdallë para manekinëve të saj me ato qëndrimet e ngrira, të cilëve vetëm rrallë e tek u afrohet njeri. Edhe kur kjo ndodh klientët shpejtojnë të ikin, duke tundur kokën me mërzi: “Shtrenjtë, shumë shtrenjtë”. Kjo është fjalia që dëgjohet në vend të përshëndetjes së zakonshme.

 

Në Hotolisht

Hotolishtin e kemi parë gjithnjë nga rruga kryesore. I parë që andej ai nuk është veçse një grumbull lokalesh që mbaron shpejt. Ndaj çuditemi kur pas një kthese të fortë na shfaqet përpara një rrugë e asfaltuar mirë dhe një qendër fshati fort e këndshme. Këtu është edhe shkolla 9-vjeçare dhe qendra administrative e komunës. Në fakt, Hotolishti, sikurse do të mësojmë më vonë, ai i vjetri, i vërteti, është diku më lart, mbi kodrat që rrethojnë qendrën e komunës. Njerëzit e parë që takojmë në Hotolisht janë dy mësues: Arbeni, drejtori i shkollës, dhe Besniku, mësuesi i fizkulturës. Bashkë me ta qëndrojmë për pak çaste në shkollë. Është një godinë e mbajtur mirë, me dritaret që shohin nga lugina e Shkumbinit. Kush e di se përse lumi këtu na duket më pak i turbullt se sa ai që kemi lënë pas në Qukës. Arbeni dhe Besniku na tregojnë pa e fshehur krenarinë për punët jashtëshkollore të nxënësve. Mësuesit na njohin edhe me Sokolin, nxënësi që do të na shoqërojë për në lagjet e sipërme. Bashkë me të ndalojmë pranë një shtëpie të madhe. Dy plaka janë duke rregulluar hardhitë. Në fillim Sokoli dhe më pas ne përshëndetemi me plakat me napat e bardha. Janë dy motra. Më e vogla ka ardhur të ndihmojë më të madhen në punët e stinës. Janë plaka të mira dhe të qeshura, por nuk preferojnë të flasin, madje nuk e thonë as emrin. “Nuk flasim ne, nuk flasim”, përsërisin plakat e shkreta vazhdimisht. U kërkojmë ndjesë për shqetësimin, përshëndoshemi shpejt e shpejt me plakat e ngrata dhe vazhdojmë rrugën. Papritur u kemi prishur qetësinë e tyre të kahershme. Në bllok dikush prej nesh ka shënuar tashmë: “Vizitë te motrat e heshtura të cilave u kërkojmë ndjesë”.

Ca më lart prezantohemi me një tjetër vendas. Ai quhet Fatos dhe ka disa kohë që ka mbetur pa punë. “Gjej nganjëherë punë në ndërtim – na thotë – por më shumë i harxhoj ditët këtu në fshat. Është bërë keq për punë”. Ka nisur të bierë një shi i hollë dhe i ftohtë. Ne kthejmë në një shtëpi që e kemi më afër. Është shtëpia e Myftar Alliut, një i afërt i Fatosit.

 

Filozofia e Dajë Myftarit

Dajë Myftari është 82 vjeç. I mban mend mirë historitë e vjetra. I kujtohen se si italianët e më pas gjermanët ngritën çadrat poshtë në luginë. “Italianët ishin të butë – thotë – po gjermanët i kishim frikë. Kishin një hije të rëndë”. Dajë Myftari, sikurse e thërrasin në fshat më të rinjtë, ka punuar gjithë jetën në bujqësi. Ai ka një shpjegim të vetin për të ardhmen e botës. “A keni dëgjuar ndonjëherë për ditën e Qametit – na pyet e ai – këtë ditë e kujtonin shpesh të parët tanë. Ja, këto që po dëgjojmë përditë, jo përmbytje, jo shi pa fund, tërmete, të gjitha këto e afrojnë ditën e Qametit. Por a e dini se kush është shkaku i fundit të botës?”. Daja Myftari në këtë pikë hesht me dinakëri dhe na i ngul fort sytë që përposhtë syzeve të tij të trasha. Si merr si përgjigje vetëm disa ngritje supesh atëherë plaku nis të shpjegojë me krenari: “Ja pse ndodhin këto punë. Bota është prishur qëkurse kanë nisur të dalin femra të zhveshura në televizore. Këtu ka filluar i gjithë tersllëku dhe po vazhdoi kështu Qametin e kemi në derë të shtëpisë”. Dikush prej nesh guxon të bëjë shaka: “Po le të dalin more dajë Myftar edhe pak të xhveshura. Kënaq ndonjëri sytë. Madje shyqyr që dalin ashtu nganjëherë”. Por plaku ia pret shkurt: “Ja këto mendime na kanë marrë në qafë. Dëgjoni plakun ju. Se unë kam parë e dëgjuar më shumë se ju të gjithë të marrë bashkë”. Në oborr ka dalë edhe plaka, Zyraja. Është një plakë e imët dhe e qeshur që duket se nuk e vret më aq shumë mendjen për filozofitë mbi fundin e botës. Me plakën bisedojmë për halle të tjera, për çmimin energjisë, për tokat që diku janë bërë lëmsh, për shtëpi të reja që janë ndërtuar edhe mbi toka buke, për zhurmën që vjen përditë nga kryeqyteti. Daja Myftari vazhdon të këmbëngulë në të tijën: “Ah, e di unë e di, e kanë fajin ato lakuriqet…”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elmira Muja: 7-8 Marsi, dy data simbol të civilizimit Arsim Halili: Mbahet përurimi i librit ''Mbresa vrojtuese'', autor Bilall Maliqi Pal Sokoli: Mugullime të reja letrare në mërgatën shqiptare në Gjermani Dibran Demaku: Kur feston atdheu - Çel lulja nga dheu Burhanedin Xhemaili: Takimet Poetike të Karadakut 11 Mars 2010 Milazim Kadriu: Reportazh nga Bjeshkët e Llapit Arsim Halili: U mbajtën ''Takimet poetike të Karadakut'' në Kumanovë Sokol Demaku: 15 vjet me Shkollën Shipe ”Naim Frasheri” në Oslo të Norvegjisë Xhevat Muqaku: Shtytje në mësim U kremtua dy vjetori i Pavarësisë së Kosovës në Heilbronn të Gjermanisë Jahë Sadrija: Një ditë në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë Këze (Kozeta) Zylo: Një koncert madhështor me moton “Gratë për Paqe” në Kombet e Bashkuara Asllan Dibrani: U shënua përvjetori i dytë i pavarësisë se Kosovës me një koncert të madh në Shtutgard - Gjermani Vjollca Islami Koliqi: Në Bisingen - Bitighaim, u festua dyvjetori i pavarësis së Kosovës Athina, qyteti ku flitet shqip Muharrem Sfarqa: Dega e LDK-së për Beneluks mbajti Kuvendin zgjedhor Rozi Theohari: Amerika zemërbujare i fali një copë qiell edhe flamurit kosovar Xhevat Muqaku: Portret i mësueses dhe shkollës shqipe në Diasporë Besa Sheqiri: Në Karlshamn - Kremte me rastin 2 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës Asllan Dibrani: Tubim i Lidhjes Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora