| E diele, 21.03.2010, 10:52 AM |
Ditë pazari në anë të Shkumbinit
Nga Fatos Baxhaku
Bie shi në luginën e Shkumbinit. Një erë e ftohtë që vjen nga malet në thellësi të vendit bën që njerëzit të kërrusen të mbështjellë ende me veshjet e tyre të trasha. Pranvera nuk ka gjasa të vijë shpejt. Duket sikur këtë përshtypje e mbajnë të gjithë në kurriz, kalimtarët, kopetë e lagura të deleve, makinat e përbaltura, vetë lumi, që ka marrë një ngjyrë kafe të thellë. Jemi nisur për në Qukës, një fshat i madh i Librazhdit, i vendosur në anë të Shkumbinit. Çdo të enjte këtu zhvillohet pazari, më i madhi në krejt krahinën. Një rast më shumë për t’i njohur më mirë këto anë.
Mullixhiu dhe mushkat e lagura
Në fillim “zhytemi” mes turmës që lëviz nga të gjitha anët. Këtu, si pa e kuptuar, janë krijuar vetë “repartet” e specializuara të shitjes. Në fillim vijnë mallrat shtëpiake, furra, magnetofona, priza, televizorë, gjithçka që i duhet një familjeje në fshat. Më pas vjen pjesa e kinkalerive: biçakë lloj-lloj, tespihesh ngjyra-ngjyra, kuti duhani… Pastaj në të dyja anët e urës, vijnë mallrat ushqimore dhe krejt në fund thuajse në të dalë të sheshit të madh të pazarit, ndodhet një ndërtesë që duket sikur vjen nga kohët e qëmoçme. Ai është një mulli i vjetër e ujë. Vazhdon të punojë me ujërat që derdhen në Shkumbin njësoj si në kohët e motmotit, me mokrat e gurta dhe me mekanizmin prej druri. Jashtë, në shi presin kokulur dy mushka. Të zotët, si kanë lënë thasët e tyre të stërmbushur me misër, janë strukur kush e di se në cilin lokal. Mullixhiu nuk është i bardhë nga mielli, as plak i kërrusur, sikurse jemi mësuar të shohim ndër filma. Është një mesoburrë i fortë, i cili, në fillim nuk e vë re fare praninë tonë. Guri i mullirit bën një zhurmë të mbytur, por të pareshtur, teksa kokrrat e verdha të misrit bien një nga një. Vetëm kur i duhet të ndryshojë diçka na vë re dhe atëherë miqësohemi shpejt, shumë shpejt me mullixhiun e Qukësit. “Kam nisur ta hap vetëm në ditë pazari - na thotë – ose kur më lajmërojnë klientët. Nuk ia vlen më të rrish këtu e të presësh me shpresë së mbase do të kujtohet ndokush që të bluajë misër. Ju po e shihni vetë se si është tani puna”. Mullixhiu ka bërë me kokë nga dy mushkat e lagura që vazhdojnë të presin me durim në oborrin e mullirit. Përshëndoshemi edhe një herë me mullixhiun dhe përzihemi sakaq me turmën e pazarit.
Duhanxhiu dhe tespihet
Krejt në anë të Shkumbinit na bëjnë përshtypje disa togje të vegjël të verdhemtë. Na shkon mendja se këtu jemi në një sektor që ndokush prej nesh e njeh fare mirë. Me siguri atje tej shitet duhan. Dhe kështu, brenda pak çastesh, ndodhemi përpara repartit të duhanpirësve. Duhanxhiu duket se është mërzitur fort, i strukur në tendën e tij prej plastmasi. “Sa mirë bëtë që erdhët – na thotë – edhe po të mos bleni gjë, të paktën e ndërrojmë ndonjë cigare-duhan”. Ai është nga Stravaj, një fshat i largët i ngulur thellë mes maleve. Një copë herë të mirë flasim për fshatin e tij malor. A janë izoluar këtë vit nga dëbora?
Lumja “ambulante”
Ca nga balta, ca nga një erë e ftohtë që na rrethon nga të katër anët, vendosim të pushojmë disa çaste. Në breg të lumit është sajuar një lokal, ose më mirë me thënë një grumbull tavolinash dhe karrigesh plastike ku qëndrojnë ulur ndonja njëzet vetë. Këtu shërben Lumja. Ajo dhe njerëzit e saj merren me këtë punë. Meqë pazaret ndër fshatra të ndryshëm qëllojnë në ditë të ndryshme, ata udhëtojnë sa në një fshat në tjetrin në kërkim të pazareve. Ku ka treg do të ketë me siguri edhe njerëz që u duhet të kuvendojnë, duke pirë ndonjë kafe a ndonjë raki. Një ditë më parë Lumja dhe njerëzit e saj kanë qenë në Hotolisht. Atje pazari zhvillohet të mërkurave.
Karriget plastike kanë nisur të zhyten pak nga pak në tokën e butë, por njerëzia nuk e vret edhe aq mendjen. Bëjmë edhe ne si shumica. Me një gotë raki erëfortë kumbulle përpara rrimë e kundrojmë një copë herë rreth e rrotull. Bisedat më së shumti zhvillohen për shtëpitë e reja, për materialet e ndërtimit, për çmimin dhe cilësinë e çimentos. Në këto anë vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi të reja, nganjëherë edhe më të mëdha se sa janë kërkesat. Duket se, të mësuar jetë e mot me shtëpitë e vogla dhe të ngushta, njerëzit kanë vendosur “të hakmerren” ndaj ngushticës. E kanë ndarë mendjen të ngrenë shtëpi të mëdha e hijerënda, edhe atëherë kur shumë ambiente u mbesin bosh. Dhe pastaj në ditët e pazarit shkëmbehen eksperiencat te lokali i lëvizshëm i Lumes. Një traditë që ka nisur të bëhet më e fortë edhe se sa vetë pazari. “Mos e vrisni mendjen. Ditë më të bukura do të vijnë!”, vazhdon të thërrasë për të disatën herë një djalë i ri, i zeshkët, që ka parakaluar me dhjetëra herë para stendave të mbushura me rroba.
“Çdo gjë firmato”
Në Qukës mund të gjesh markat më të njohura të botës së veshjeve. Cilindo prej shitësve që do të pyesësh do të përgjigjet se xhinset e tij “D&G” janë krejt origjinale, madje mund të bëjë edhe ndonjë be të rëndë për këtë. Në fakt, sektori i veshjeve ndahet në dy reparte të mëdha: sektori “i gabit”, pra veshjet e përdorura dhe sektori “firmato”. Për hir të së vërtetës duhet thënë se më shumë gjallëri vumë re te veshjet e përdorura. Por edhe këtu njerëzit filluan të largohen shpejt. Më fatlumët, kishin qëlluar në kohën që e quajnë “hapja e thesit”. Andej nga mesdita nuk ka mbetur më asgjë e hajrit dhe njerëzit vetëm sa zhysin duart në grumbullin shumëngjyrësh më shumë nga kërshëria se sa nga shpresa që të gjejnë ndonjë gjë që ia vlen. E kuptojmë se këtij sektori i ka ardhur koha të mbyllet, kur një
Krejt ndryshe duket një “kolege” e saj e sektorit firmato. E trishtuar, ajo sillet vërdallë para manekinëve të saj me ato qëndrimet e ngrira, të cilëve vetëm rrallë e tek u afrohet njeri. Edhe kur kjo ndodh klientët shpejtojnë të ikin, duke tundur kokën me mërzi: “Shtrenjtë, shumë shtrenjtë”. Kjo është fjalia që dëgjohet në vend të përshëndetjes së zakonshme.
Në Hotolisht
Hotolishtin e kemi parë gjithnjë nga rruga kryesore. I parë që andej ai nuk është veçse një grumbull lokalesh që mbaron shpejt. Ndaj çuditemi kur pas një kthese të fortë na shfaqet përpara një rrugë e asfaltuar mirë dhe një qendër fshati fort e këndshme. Këtu është edhe shkolla 9-vjeçare dhe qendra administrative e komunës. Në fakt, Hotolishti, sikurse do të mësojmë më vonë, ai i vjetri, i vërteti, është diku më lart, mbi kodrat që rrethojnë qendrën e komunës. Njerëzit e parë që takojmë në Hotolisht janë dy mësues: Arbeni, drejtori i shkollës, dhe Besniku, mësuesi i fizkulturës. Bashkë me ta qëndrojmë për pak çaste në shkollë. Është një godinë e mbajtur mirë, me dritaret që shohin nga lugina e Shkumbinit.
Ca më lart prezantohemi me një tjetër
Filozofia e Dajë Myftarit
Dajë Myftari është 82 vjeç. I mban mend mirë historitë e vjetra. I kujtohen se si italianët e më pas gjermanët ngritën çadrat poshtë në luginë. “Italianët ishin të butë – thotë – po gjermanët i kishim frikë. Kishin një hije të rëndë”. Dajë Myftari, sikurse e thërrasin në fshat më të rinjtë, ka punuar gjithë jetën në bujqësi. Ai ka një shpjegim të vetin për të ardhmen e botës. “A keni dëgjuar ndonjëherë për ditën e Qametit – na pyet e ai – këtë ditë e kujtonin shpesh të parët tanë. Ja, këto që po dëgjojmë përditë, jo përmbytje, jo shi pa fund, tërmete, të gjitha këto e afrojnë ditën e Qametit. Por a e dini se kush është shkaku i fundit të botës?”. Daja Myftari në këtë pikë hesht me dinakëri dhe na i ngul