Udhëpërshkrim
Fehmi Ramadani :Transformimi i shoqërisë kosovare
E enjte, 01.04.2010, 09:26 PM
Kosova pas njëmbëdhjetë vjet çlirimi nga okupimi serb dhe dy vite pas shpalljes së pavarësisë së saj ka ndryshuar shumë, si në aspektin shoqërore ekonomik dhe politik. Ky transformim ka dy anët e saj, pozitive dhe negative. Mrekullia më e madhe e saj është çlirimi nga okupimi shekullor, liria dhe pavarësimi i saj. Padyshim, se kjo është arritur me mbështetjen ndërkombëtare, si në rindërtimin e shtëpive të shkatërruara, por edhe të zhvillimit të saj demokratik dhe ekonomik. Tani në Kosovë, në vend sistemit socialist e vetëqeverisës dhe patriotizmit jugosllav kemi një sistem demokratik, liberal dhe perëndimor.
Liria kolektive dhe individuale në të gjitha aspektet e jetës është postulati më domethënës i kësaj demokracie. Në aspektin kolektiv liria nënkupton jetën e këtij populli pa frikë. Ndërsa, në aspektin individual liria është e patjetërsueshme dhe garantohet me ligj, por edhe me të gjitha konventat ndërkombëtare. Individi është në qendër të zhvillimit të kësaj shoqërie. Ai ka liri të patjetërsueshme, si për fjalën e lirë, shkollimin, shëndetësinë, religjionin, etj. Pra, të gjitha ato postulate që ishin mohuar në masë të madhe në kohën e socializmit dhe diktaturës jugosllave.
Ndihma e Bashkësisë ndërkombëtare për ringjalljen e këtij vendi është e madhe. Sot ky vend ruhet nga NATO-ja ushtria më e madhe dhe më e fora në botë. Kosova është një vend i mbikëqyrur nga Bashkësia ndërkombëtare, por me intencë të pavarësimit të plotë dhe marrjes së përgjegjësive për sovranitetin e saj. Pra, ky vend për një dekadë të çlirimit të saj ka zhvillim të hovshëm në gjitha fushat e saj.
Ndërsa, ana negative saj është se përkundër këtyre zhvillimeve , sipas FMN-së dhe UNHCR-së ky vend ende është duke u përballur me krizë të madhe, si ekonomike, arsimore, shëndetësore, teknologjike, informative, etj. Në raportet e këtyre organizmave ndërkombëtare ky vend trajtohet si vendi më i pazhvilluar në rajonin e Ballkanit.
Në Kosovë tani kemi dy klasa (shtresa) të popullatës: klasa e të pasurve, të cilët janë diku rreth 10 për qind e tyre, dhe klasa e të varfërve, që janë diku rreth 90 për qind. Sipas UNDP-së, në Kosovë diku rreth 15 për qind e popullatës jetojnë vetëm me nga 1 euro në ditë dhe janë në varfëri të skajshme. Ndërsa, klasa e mesme nuk ekziston fare, prandaj kjo shoqëri tani për tani mbahet nga dy klasat e saj, të pasurve dhe të varfërve.
Shtrohet pyetja, ku është klasa e mesme, e cila në shoqëritë e zhvilluara është më domethënëse dhe konsiderohet si shtyllë kurrizore e zhvillimit të një shoqërie, por edhe të demokracisë? Si do të funksionojë ky shtet me dy klasa shumë ekstreme dhe me dallime shumë të mëdha në të gjitha aspektet e jetës? A ka ky vend kritik publike, e cila do të ndikonte sadokudo në proceset demokratike të kësaj shoqërie? Me një fjalë, a ka balancë në mes dy klasave shoqërore, në mënyrë që të kemi një shtet, apo edhe shoqëri më funksionale?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve qëndrojnë në mosgatishmërinë dhe paaftësinë e institucioneve të Kosovës të hartojnë plane afatgjata të zhvillimit të saj si shoqëri (shtet) e zhvilluar. Fajin kryesor të një ndarje të tillë, në shumë të pasur(10 %) dhe shumë të varfër (90%) e ka politika e UNMIK-ut dhe faktorëve tjerë ndërkombëtare, të cilët pas luftës lejuan një dallim kaq të madh. Për shembull një nëpunës në UNMIK merrte pagë deri 2000 euro, ndërsa i njëjti punëtorë në administratën vendore merr 200 euro pagë. Kjo politikë ishte fillimi i keq për shtresimin shoqëror në Kosovë. Në gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë kishte standarde më të mirë për punëtorët e saj, ndërsa në ato vendoret kishte kushte më të këqija. Kur, kësaj i shtohet korrupsioni, nepotizmi, krimi, droga prostitucioni dhe dukuritë tjera negative, atëherë si rrjedhojë kemi një shoqëri jo të barabartë dhe me shumë probleme.
Kosova mbi 60 për qind të popullatës së saj e ka të re dhe të aftë për punë, ndërsa tani kemi shifrën rreth 50 për qind të papunë. Ky problem është shumë i madh dhe derisa nuk zvogëlohet papunësia do të vazhdojë kriza e këtij vendi. Shëndetësia dhe arsimi dy segmente mjaft të rëndësishme të zhvillimit të saj, edhe pse ka mjaft përparime, por jo në mënyrë të duhur dhe të pritshme. Në këtë fazë tranzicioni kanë dal shumë antivlera të cilat po e dëmtojnë zhvillimin e kësaj shoqërie. Këtu, një pjesë e njerëzve brenda natës janë pasuruar duke e shfrytëzuar gjendjen kaotike dhe të paligjshme në vend. Bizneset e tyre ishin të llojllojshme, duke filluar nga korrupsioni,
Për fat të keq një pjesë e këtyre lloj kuazipatriotëve tani janë bërë edhe pjesë e politikës, dhe janë futur nën ombrellën partive politike. Shumë prej tyre po punojnë nëpër institucionet e Kosovës dhe po japin “kontributin” e tyre për shtetit e ri.
Filozofi i madh grek Aristoteli ka thënë: Shtresa e mesme është ajo që duhet ta mbajë shtetin, sepse, po ua lë shtetin të pasurve, atëherë ata do ta përdorin për pasurimin edhe të mëtutjeshëm të tyre dhe kështu do ta shkatërronin atë. Por, as të varfëritë nuk duhet të udhëheqin me shtetin, sepse ata shtetin do ta përdorin për pasurimin e tyre dhe kështu vjen deri te shkatërrimi i tij”. Sipas tij shtetin duhet të udhëheqin filozofët(të mençurit), sepse vetëm ata do të kujdesën më së miri për funksionimin e tij.
Prandaj, është obligim i të gjithëve që me dëshmi personale dhe me punë të ndershme e të mirë në të gjitha sferat e jetës të tregojmë se Kosova do të zhvillohet edhe më shumë si një shoqëri demokratike, me synim të një zhvillimi edhe më të madh ekonomik, e strukturuar mirë në klasa shoqërore, por edhe me një mirëqenie të mirë shoqërore. Ndryshe, po nuk u zhvillua ekonomia e saj, zvogëluar papunësia, por edhe segmentet tjera të jetës, atëherë transformimi i saj do të zgjas shumë dhe hyrja në rrjedhat evropiane do të jetë shumë e vështirë. Shteti i Kosovës duhet bëjnë plane të mirëfillta që sa më shpejt të kalohet nga kjo gjendje e vështirë ekonomike, që ky transformim shoqëror të mos zgjasë shumë, sepse kostoja e ngecjes së saj është shumë e lartë.
Fehmi Ramadani