E diele, 05.05.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Xhuli: Pasaporta e vetme e qytetërimit, ka emrin e së nesërmes

E merkure, 31.03.2010, 09:58 PM


Pasaporta e vetme e qytetërimit, ka emrin e së nesërmes

 

(shënime dhe mbresa nga festivali i 27-të i kulturës ne emigracion )

 

Nga Luan Xhuli

 

            Një ftesë e ardhur nga komisioni ndërkombëtar i emigracionit K.L.A.E, Luxenbourg, ishte prologu i një kënaqësie të veçantë, për të marrë pjesë në këtë festival.

Ëndërr dhe respekt njëkohësisht. Shumë ditë para se të nisesha, ngjasoja me një fëmijë që pret me padurim të fillojë për here të parë shkollën dhe në të njëjtën kohë stresohet i emocionuar se është ende i vogël përballë saj. Dhe vërtet isha i tillë përpara një manifestimi aq madhështor, me përmasa gjithë multietnike.

I ftuar së bashku me dy krijues të tjerë, që janë botuar dhe banojnë përkatësisht në Francë dhe Zvicër, Ylljet Aliçkën dhe Besa Myftiun, do të ishim protagonistët e tre mbrëmjeve të festivalit, duke dhëne jo vetëm eksperiencën e punës sonë,  si krijues, por edhe duke theksuar cilësi dhe elementë të traditës, në vendet ku kemi emigruar e mbijetojmë. Deri diku, të tre, “kishim detyruar” vendet ku kemi emigruar,  të pranonte vlera dhe vepra të shkruara në gjuhët përkatëse, por që mbanin aromë tradite dhe flisnin të frymëzuara në gjuhën e kombit shqiptar. Në mes 40 shteteve pjesëmarrëse, edhe ne, do të tregonim recetat tona të krijimtarisë, përballë kuzhinës së avancuar të kulturës botërore, duke  biseduar.

Ditët prej 19 deri 21 mars, ishin ditë të tilla premierash, ku ndjeva veten se i takoja të gjithëve dhe kisha kombësinë e të gjithëve, me të veçantën dhe individualitetin tim.

Të gjithë të një ngjyre, të një mendimi dhe të një ideje, atë të ëndrrës, për ta bërë të nesërmen, pasaportën e vetme të  kulturës qytetëruese.

Kështu u nisa dhe unë drejt Luxenburgut, qytetit-shtet, që pa ndrojtje do të thosha se ishte enigmë boshe e dijeve të mija. Përkonte dhe me një festë tjetër ikja ime. Festën e poezisë, për të cilën isha përgatitur shpejt për takimet e mia me lexues grekë në diskutim të librit  të fundit poetik “Ku të kërkoj të falur”. Kështu, edhe vargjet dhe librat e mia udhëtuan drejt festivalit, veshur me rrobat e një tjetër feste emocionuese. Sa e denjë ishte poezia ime, përballë një frymëzimi të tillë manifestues...?

Evropa e panjohur deri atë çast, më uroi mirëseardhjen me stacionin e parë të zbritjes në Bruksel. Miqtë organizatorë me B. Hazizajn në krye, donin të më sygjestiononin me surprizat e tyre, që në ditën e parë. Vizita dhe njohje, sqarime për organizimin e festivalit, dhe në fund, më “paralajmëruan” se do të bombardohesha me pyetje për krijimtarinë time, mbasi njihesha dhe isha lexuar më parë jo vetëm nga specialistë dhe filologë, por dhe nga simpatizantë dhe dashamirës të metaforës poetike. Me Bashkimin kishim 30 vjet pa u parë. Qysh atëherë kur ai vazhdonte liceun artistik për pikturë, dhe unë mes talenteve të reja të rrethit të Beratit me apasionantin Ylli Polovina kryetar të degës së lidhjes. Pastaj të gjithë kishim emigruar dhe koha kishte fshirë adresat e njohjes. Dhe tani, mbas kaq e kaq vjetësh, faqet e internetit dhe të veprave të botuara , na kishin afruar shoqërinë e dikurshme të rinjohjes.

I entuziazmuar dhe i stresuar, Brukseli me ngjasoi me një muze gjigant, ku e vjetra, tradita dhe gjallëria e së sotmes, plotësonin një papirus kulture dhe pamjesh, që kërkonin kohë për tu studiuar. Kisha marrë vetëm fotokopjen e këtij qyteti evropian, sa për shijë të parë, në oreksin e ditëve të më pastajme. Befasia tjetër ishte bashkëshoqëruesi dhe miku im Hazizaj, ku nga adoleshent i dikurshëm, ishte shndërruar në një burrë të pjekur dhe me dije, ku thinjat e freskëta, i jepnin më shumë hijeshi kulturës evropiane “të vjedhur”, me shume përpjekje dhe shkollim...

Deri në Luxenbourg, si ndjemë kilometrat dhe kohën e ikur, mbasi miqtë e mi më plotësonin jo vetëm kureshtjen time, por mbushnin çdo boshllëk që kishte të bënte me të veçantën e festivalit. Specifikja , ishte ajo, se ky festival, për të 27 herë, theksonte me shumë energji faktin se emigrantët, kudo që të ndodhen, janë diametri i një rrethi që përkufizon të ardhmen e kulturës dhe qytetërimit. Janë si të thuash, pjesë e një mozaiku kohor, që pa ata, do t’i mungonte bukuria dhe shkëlqimi. Janë freskia e ajrit të sotëm, atmosfera avancuese e së nesërmes. Kjo gjë, më kishin ngarkuar emocionalisht, që edhe pse me anglishte të çalë, si përgjigjej pothuajse fare kureshtjes Kuptoheshim me dritën e të folurit dhe me ngjyrën e fjalës. Për herë të parë vërtetova një dyshimin tim, se sinqeriteti është kodi me efikas i nënkuptimit...

            Qyteti-shtet, mu fashit si një teatër i madh kukullash, që pret një premierë të re. Karakteri alpin i ndërtesave, rrugët e pastra me parqe që akoma dremisnin në gjumin e dimrit,më vunë para syve peizazhe të tjera ngjyrash në lyerjen e shtëpive, aq shumë të freskëta, sa për një çast më kaloi nëpër mëndje mendimi se ishin lyer enkas për mua! Një qytet tepër autoritar, disi mistik, i ftohtë, me njerëz të paktë në rrugë dhe që përshëndesnin me lëvizje të kokës, si të kishin frikë mos lëndonin ajrin. Për ne mesdhetarët, duket disi e trishtë në fillim, veç, mbasi kupton se si qarkullon dhe organizohet jeta, asgjë s’mbetet e pa shpjegueshme.

Zhan Filip, një nga organizatorët e festivalit, më thotë se këtu njerëzit në të njëjtën kohë respektojnë vetveten dhe ligjin. Kanë komunikimin e më të thjeshtit, dhe e quajnë të tepërt shqetësimin brenda vetes.Janë aq paqësorë dhe tolerantë, sa askush s’bëhet kurioz në ç’gjuhë komunikon e ç’ thua, rëndësi ka që të jesh i unifikuar me hapin e punës, respektit, përkushtimin dhe pozicionin tënd përballë shtetit...

“Njerëzit, miku im, më tha në fund, japin dhe shkëmbejnë me njëri tjetri dritën... kjo mjafton për tu kuptuar....”

            Me zonjën Paka Rimbau komunikonim në greqisht. Më tha, se atë pak që kishte mësuar, ishte detyruar të shuante kureshtjen e saj, se sa ëmbël do të tingëllonin vargjet e poetëvë klasikë grekë, si dhe të kohës së mëvonëshme. Kur e mori vesh se O. Eliti, ishte poeti im i adhuruar, recitoi pa marrë frymë, pambarim vargje të tija. Spanjolle në origjinë, bisduam së bashku, që nga krijimet e Markos Ana e deri tek Gabriel Markes. Fjalën e parë të mirëseardhjes në gjuhën greke ma dha ajo e para, duke më dhënë dhe mësimin e vyer, si të respektosh dhe dashurosh gjuhën e vendit ku ke emigruar...

            Miqtë e tjerë, organizatore të festivalit si F.Bariozi, J.Kambera, A.Helpikuet, C.Skenier e shumë të tjerë, më bënë të ndihem si ata dhe jo mysafir dhe i ftuar. Më futën në rrjedhën e ritmeve të tyre të punës, duke ndjerë veten gjithëkombësh, që  krijon dhe mendon shqiptarisht, i ingranuar në unitetin e fjalës së qytetëruar. Dashur pa dashur, isha bërë edhe unë një copëzë e atij mozaiku shumëkulturor, që ato ditë shkëlqente më shumë, në atë përvjetor të tij të 27-të.

            S’ kishte kaluar ende dita e parë dhe isha njohur me shumë miq, poetë dhe prozatorë nga i gjithë globi. Që nga Sumana Sinha nga Kalkuta që jetonte në Francë, e deri tek Lu Long nga Taivani, nga Kemal Musiç nga Bosnja... e deri tek Sergio Puente nga Peruja...Shkëmbenim librat e njëri tjetrit, e-mail-et, bënim fotografi të përbashkëta dhe pyesnim duke sqaruar metaforikisht temat dhe mendimet që kishim lëvruar në veprat tona..Po atë ditë perkthyesja ime Mirela, që me të qeshur i thosha se ishte “gjysma e ime”, më tha se kishte kërkuar të më njihte shkrimtari italian, Piero Simoneli, që  interesohej për poezinë time. U takuam vonë, dhe respekti i tij, edhe pse kanë kaluar kaq ditë, akoma më përmbyt ndjenjat...Ftesën dhe adresën e tij, i quaj reliket më të çmuara të dashurisë për fjalën dhe qytetarinë e së nesërmes...

            Dita e parë e festivalit ishte mbyllur me një takim tepër interesant me studentët e fakultetit të filologjisë, ku edhe pse nuk isha unë referuesi i mbrëmjes,të rinjtë u grumbulluat duke më “mbytur” me pyetje nga më të ndryshmet, që kishin të bënin me karakterin njerëzor të poezisë dhe detajet ndërtuese të saj. Kisha fituar eksperiencën e parë për tu përgatitur për ditën e nesërme, ku midis specialistëve, lexuesve, gazetarëve dhe televizionit, do të debatonim për kulturën, krijimtarinë, të drejtat e njeriut në emigracion dhe metaforën e poezive të mia, ku i mahnitur nga befasia e njohjes nga ana e një grupi lexuesish, u mbërtheva në planin e një debati shumë poetik dhe emocionues.

Tashmë, në rolin e nxënësit që përthith gjithçka, që më përpara s’ka mundur ti ndjejë, u ngjita në sallën e konferencave me Ylljetin dhe Besën, duke ju shmangur paraqitjes klasike të prezantimi letrar. Nën shikimin e mbi 200 pjesëmarrësve, theksuam arritjet e kulturës dhe të krijimtarisë, duke nxjerrë në pah rolin qytetërues të traditës dhe fjalës shqipe, kudo ku kishim emigruar. Salla skuqte nga flamujt dhe  këngët popullore shqiptare, që ishin për sfond, e bënin mjedisin më shumë kombëtar. Më dukej , sikur isha mes bashkëpatriotëve, edhe pse pjesa dërrmuese, ishin të huaj që ndiqnim me kërshëri dhe simpati përgjigjet tona. Pati raste të tilla, ku e lexoje lehtë kënaqësinë në sytë e pjesëmarrësve, dhe ishin të huajt që nisnin të parët duartrokitjet. Kisha improvizuar një poezi të vogël duke luajtur me emrat tanë Luan-Ylljet-Besa, ku duartrokitjet shkuan deri në ovacion. Debati letrar ishte kaq i çiltër dhe pikant, saqë edhe përkthyesja ime Mirela, nuk arrinte të shënonte të gjitha pyetjet. Isha çliruar nga emocionet  prej syve të shumtë që më ndiqnin, sa, disa herë, miqtë e sapo njohur kosovarë, Fatmiri, Dritoni, Rifati, apo Adelina që kish ardhur nga Franca, enkas për mua, më kishin dhënë fuqinë e emrit... Nuk e teproj të them se disa herë, të ngritur në këmbë duke aprovuar fjalët dhe përgjigjet tona, e ndjeva veten një qelizë të vërtetë të patriotizmit...S’do ta harroj çastin e fundit, kur valltarët e ansamblit Shote Galica, u larguan nga salla duke kënduar dhe kërcyer. Isha entusiazmuar aq shumë, sa s’doja të mbaronte ai takim-debat. Atdheu, fluturonte përpara syve të mi...

            Çdo stendë kishte të veçantën dhe fliste me elementë të rinj, që më parë si kisha hasur asgjëkundi. Libra  të ndryshëm, ekspozime tërheqëse dhe përkufizime traditash. Unë ndiqja poetët dhe ata më ndiqnin mua. Miq të rinj, me emër, kulturë dhe dije, barazuar me dëshirat. Dhe gjithnjë, në krah për të më shpjeguar hollësira,Adelina, Fatmiri, Kastrioti, Jetnori, Alketa, Sonja, Avdullai, që s’mundën ta fshihnin mallin dhe dashurinë e të ikurit, edhe përballë syve të mi.

            Ndër të pa priturat e takimeve të mia, ishte dhe një zonjë që ishte martuar në Luksenurg, Xhuli. Kishte ndjekur paraqitjen e grupit tonë krijues, dhe të nesërmen kishte ardhur përsëri enkas për ne, duke na ftuar në një banket mbrëmjeje.

Atmosferë bashkatdhetarësh, përqafime miqësore dhe lot malli. Tema të reja në poezitë e mija, figura të reja në vargjet e pa shkruara, kujtime që s’tregohen dot me fjalë...I paharruar edhe një çast tjetër, kur Albi i vogël 9-të vjeçar më afrohet  dhe më kërkon autograf në librin për fëmijë “Qiparisi që donte të matej me qiellin”. Edhe pse i shkruar në greqisht, Albin e vogël e kishte tërhequr aq shumë ilustrimi i librit , sa me një shqipe të pastër më tregoi mesazhin e librit që është po aq shqiptar. E përqafova dhe i thashë se vërtet ai nesër do të jetë një qiparis i fortë dhe pse jo më shumë një copë qiell kombëtar, ku do të lartësohen qiparisat...!

            Aromë Atdheu gjithkund. Këngët dhe vallet tona, fustanellat dhe xhubletat, çiftelia, curlja dhe daullja, manifestonin po aq shqip. Salla e shfaqjeve ishte kthyer në një skenë të stërmadhe. Edhe nigeriani, spanjolli, peruani dhe francezi, merrnin ajër Shqipërie nga ritmet dhe në sytë e kënaqësisë u lexoje pa frikë solidaritetin dhe dashamirësinë. Bijtë e Shote Galicës, kishin elektrizuar festivalin, duke krijuar një kor  me thellësi  të pa matshëm zërash dhe ngjyrash..

 “Për atë flamur, për atë besë,

S’ka me u tret në zemra dashnia...”

 

Me shkrimtarët Y.Aliçka dhe B.Myftiu, njiheshim vetëm nëpërmjet faqeve të internetit dhe të komunikimit telefonik. U miqësuam shpejt, duke formuar një trup të gjallë propagandues, që u manifestua në çdo takim tonin. Duke theksuar traditën, fjalën e zgjuar popullore, e duke biseduar për veprat që kishim botuar në shtetet ku emigruam, rrugët e Luksenburgut regjistruan aq shumë biseda, që pa dyshim nesër, do të jenë frymëzime të reja veprash.

            I shpenguar dhe i kënaqur nga një ngopje e tillë, festivali po mbyllte portat, por jo kufijtë e qytetërimit. Celuloidë të tërë, emisione, rubrika dhe mjete të shtypit, ishin mbushur me ajër dhe atmosferë përvoje. Ishin tiposur kujtime dhe ngarkesa emocionale kish filluar të derdhej. Flisnim për shoqëri të reja, për miq të rinj, për lexues të pa njohur deri dje dhe për specialistë me dije dhe përkushtim qytetërues. Ndoshta, edhe metaforat poetike e ndjenë veten të pafuqishme për t’i shprehur ato gjurmë të veçanta! Qyteti i Luxebourgut, shtet i vendasve dhe më shumë i të huajve,  për  aq ditë me radhë, ishte ndjerë i vogël përballë atij entusiazmi.

            Zor të largohesh nga gozhdimi i ndjenjave. Miqtë e mi, organizatorë të festivalit, më kishin dhënë aq shumë, ashtu siç kishim marrë po aq prej meje. Kishim coptuar ndjenjat në copëza të vogla, për të krijuar mozaikun e madh shpirtëror të qytetërimit, të së nesërmes  me më shumë dritë dhe kulturë...

            Tek marr rrugën e kthimit dhe përshëndetem me ta, ndjej dhe një herë ngrohtësinë e një aktiviteti kaq madhor, që nxerr në pah traditën dhe krijimin, kulturën dhe unitetin, duke u bërë ëndrra e të gjithë emigrantëve, e të gjithë njerëzve. Akoma dhe sot, i mbingarkuar prej atyre ditëve, ndjej se s’mund ta shpërblej dot atë respekt dhe vlerësim vetëm me obligimin tim krijues...Faleminderit vëllezër !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora