E merkure, 30.04.2025, 03:57 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Laver Niku: Mikpritje shqiptare - amerikane

E hene, 05.04.2010, 07:03 PM


Z.Peter Brennan (djathtas) duke pershendetur
Z.Peter Brennan (djathtas) duke pershendetur

MIKPRITJE SHQIPTARE-AMERIKANE

 

-Mbresa nga nje veprimtari e bukur e traditës shqiptare-

 

Të presësh të zotët e shtëpisë si miq, të njihesh më mirë me ta dhe akoma më shumë të të njohin ata më mirë ty, te njohin diçka më shumë nga kultura jote, nga historia dhe kuzhina jote - ja ky ishte qëllimi i drekës që organizoi komuniteti shqiptar i Filadelfias me organizatën e njohur dhe me përvojë tashmë 100 vjeçare, “International House of Philadelphia”. Kjo ide kishte gati një vit qe ishte hedhur në tavolinë nga anëtari aktiv i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Ardian Veseli. Nuk ishte hera e parë që ky ndërmerrte nisma, vetë ose me shokë, për të gjallëruar jetën e komunitetit. Dhe ç’është më kryesorja nuk është mjaftuar kurrë me hedhjen e ideve, por ka mbajtur një peshë të madhe në të gjitha veprimtaritë që janë propozuar. Kështu ishte kur u organizua 75 vjetori i ditëlindjes së prof. Anastas Dodit, apo 5 vjetori i vdekjes së veprimtarit të shquar të komunitetit në Filadelfia, Hasan Risilia. Kurse në marsin e vitit të kaluar ai hodhi idenë e organizimit   të kësaj veprimtarie në bashkëpunim me IHP-në. Një përfaqesues i kësaj shoqate zoti Peter Brenan, erdhi së bashku me Ardianin dhe diskutoi për mënyrën e organizimit dhe qëllimin e kësaj veprimtarie. U shkëmbyen mendime dhe u hodhën disa ide se si duhej organizuar   sa më mirë ajo. Kjo kishte më shumë rëndësi për ne se sa për ta që kishin organizuar shumë e shumë veprimtari të tilla. U hodh ideja që dreka të organizohej në ambjentet e shoqatës. Deri vitin tjetër do të kemi përfunduar edhe sallën e bibliotekës së shoqatës dhe do të kemi më shumë hapsira - tha  një anëtar i kryesisë së shoqatës. Kjo u përkrah nga zoti Piter Brenan dhe përfaqësuesit e tjerë të IHP-së. Eshtë më origjinale, tingëllon më e vërtetë. Mikpritje në shtëpinë e shqiptarit,tingëllon më bukur…

            Dhe kështu u bë. U caktua 14 Marsi i këtij viti për të pritur miqtë amerikanë në Qendrën Kulturore të Komunitetit  Shiptar të Filadelfias. Kryesia e Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes”  i kushtoi vëmendje të veçantë organizimit sa më të mirë të kësaj veprimtarie.  Ardian Veseli ishte përfaqesuesi i shoqatës  për lidhjet me IHP-në. Me dhjetra emaile të shkëmbyer vetëm muajin e fundit, tregojnë për punën këmbëngulëse të tij në organizimin sa më të mirë të kësaj veprimtarie. Të gjithë anëtarët e Kryesisë së Shoqatës kishin marrë detyra për  të dalë sa më mirë në këtë nismë, në këtë takim të qytetarëve amerikanë me mikpritjen shqiptare. Në veprimtaritë e shoqatës, si në festën e flamurit apo  8 Marsin etj.,  kishin ardhur qytetarë amerikanë si miq të familjeve shqiptare ose me shokë shqiptare. Por këto ishin, si  të thuash, të rastësishme ose me ftesa nga kryesia e Shoqatës. Takimin që po përgatisnim ishte një ftesë “zyrtare” për tu njohur më mirë e më gjerë me njeri- tjetrin. Amerikanët na kishin hapur dyert e vendit të tyre dhe na kishin pritur me zemër të hapur. Tani ne shqiptarët deshëm t’u tregonim në një farë mënyre një shenjë mirënjohje dhe falenderimi për mundësinë që na dhanë.         

            Ishte me të vërtetë e veçantë përgjegjësia me të cilët anëtarët e kryesisë, antarë të thjeshtë të shoqatës dhe bashkatdhetarët tanë, që morën për përgatitjen e kësaj veprimtarie. Eshtë një listë e gjatë në se do të përpiqeshim t’i përmendnim të  gjithë.. Le t’ia lëmë rrjedhjes së ngjarjes. 

            E dielë, 14 Mars 2010. Pak pasi nxënësit e Shkollës Shqipe  “Gjuha Jonë”,u larguan nga klasat filloi ardhja e miqve amerikanë.  Anëtarët e Kryesisë së Shoqatës u uronin mireseardhjen dhe një tjetër u ofronte një gotë me verë duke i merëseardhur me fjalët  “Bukë e kripë dhe zemër”, apo “Mirëseardhët në Shtepinë e Shqiptarit”. Pas kësaj njohje të çastit vazhdonin bisedat derisa tt vinin të gjithë të ftuarit.            Ndërkohë  në sallën e bibliotekës vazhdonte përgatitja e tavolinave me ushqime tradicionale shqiptare. Mishi i qengjit të pjekur zuri vendin e nderit. Pastaj një gjel deti i pjekur, qofte, rosto vici, patlixhane të mbushura me mish, japrak, byrek me spinaq, me djath, me qumësh e vezë, pispilit dhe kos… Nuk mungonte edhe flija e famëshme e veriut tone si dhe tava e kosit e Elbasanit. Sallatrat zinin një vend të gjerë dhe me shumëllojshmeri, të freskta dhe ato me turshi. Pastaj vinin ëmbëlsirat që nga bakllavaja e kadaifi dhe deri tek kabunia, reshedia,etj. Eshtë shumë e vështirë t’i numërosh. Janë aq shumë. Besniku dhe Beni punuan shumë për t’i paraqitur sa më bukur në tavolinat e shtruara dhe të dekoruara me degeëza pishe. Ishte Dita e Verës. Pranvera kishte trokitur. Le të jetë midis nesh tradita shekullore pagane e popullit tonë e përgëzimit të jetës së re në natyreë.  Ndërkaq një e papritur e këndshme. Pronari i Restorantit  “Bellini” dhe anëtari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Shpëtim Doku,vjen së bashku me një djalë të ri të kuzhinës së tij dhe sjell disa tava me ballakume, ëmbëlsira e famshme e Elbasanit për ditën e verës. Por nuk mbetet vetëm. Bashkim Bërdufi përveç të tjerave sjell ballakume të përgatitura nga një zonjë elbasanase, Donika Cani me teknologjinë “sekrete” të nënave dhe gjysheve të Elbasanit. Edhe Dritan Çakalli i restorant “Bellinit” që i përgatiti ballakumet është një djalë i ri nga Elbasani. Kështu që kemi një lloj konkurimi midis brezave.   

            Ndërkaq, salla është mbushur dhe zoti  Peter Brennan, përfaqësues i IHP-së, duke përshëndetur pjesëmarrësit thotë:            

            “Ju falenderojmë në emër të organizatës tonë që na u dha mundësia të jemi këtu për tu njohur me njerëz të rinjë, me kulturën tuaj dhe ushqimin shqiptar.”

 

Fjalën e mirëseardhjes,  në emër të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” e mbajti kryetari i saj Petrit Zanaj, i cili falenderoj miqtë amerikanë për mirëseardhjen në Shtëpinë e Shqiptarit si dhe zotin Peter Brennan për bashkëpunimin.       

            Pastaj, një e papritur e bukur. Në emër të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Petrit Zanaj u drejtohet pjesëmarrësve:   

            “Më lejoni të dashur miq që  t’iu paraqes një mik të shqiptarëve të Filadelfias, të nderuarin gjykatës, zotin Matthew Carrafiello që për dhjetra vite ka qenë pranë dhe ka ndihmuar  me përkushtim shqiptarët dhe shoqatat shqiptare për problemet që kanë patur.”

             Ai njoftoi pjesëmarrësit se Kryesia e Shoqatës ka vendosur ta shpall zotin Carrafiello “Anëtar Nderi” të Shoqatës. Më tej zoti Zanaj pasi lexoi motivacionin e çertifikatës së nderit, mes duartrokitjeve, ia dorëzon atë zotit Carrafiello.    

            “Nuk mund ta shpreh se sa i nderuar jam të marr këtë çertifikatë për anëtar nderi    shoqatën tuaj – tha i mbushur tërë emocione zoti Carrafiello. Për 35 vjet kam qenë mik dhe kam punuar me shqiptarët.Ju konsideroj miqtë më të mirë dhe më të dashur. Shpresoj që të vazhdojmë kështu bashkë edhe në të ardhmen. Ju përfaqësoni ata amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë që kanë vitalitetin më të fuqishëm. Ju po na mësoni ne… Në mendje dhe në zemër ju kam si njerëzit më kurajoz dhe më të mrekullueshëm…. Ne të gjithë e dimë nga ju vjen fisnikëria. Ne e dijmë nga vini ju. Ne kemi parë vitalitetin, vlerat e familjes dhe të kulturës së vendit tuaj, që po e sillni edhe këtu në Amerikë. Ju falenderoj për gjithçka ! - ishin fjalët e fundit të përshëndetjes së tij.          

            Salla i dëgjoi me emocion dhe respekt fjalët e gjykatësit të nderuar të Bashkisë së qytetit të Filadelfias. Kjo ishte edhe një paraqitje e bukur e njerëzve tanë, e komunitetit tonë në sytë e miqve të rinj amerikanë.    

            U erdhi radha të thonë fjalën e tyre ushqimet  e përgatitura nga zonjat shqiptare dhe nga mjeshtrat e kuzhinës shqiptare si  Bledar Istrefi etj.. Që në çastet e para, në sytë e miqve shihej vlerësimi i mirë  i paraqitjes së ushqimeve në tavolina. Kësaj i shtohej edhe ajo aromë e ushqime që mbaheshin të ngrohta apo edhe aroma e qengjit të pjekur për merak nga nëna e respektuar e Ardian Veselit. Miqtë zgjidhnin ushqimet më të preferuara dhe ngjiteshin sipër në sallën e madhe  për t’i shijuar. Ndërkaq një dolumentar me pamje nga Shqipëria dhe mbi zhvillimet e viteve të fundit në vendin tonë transmetohej nga televizori i madh i sallës. Ishte kujdesi i Viktor Furxhiut sigurimi i këtij dokumentari. Ky dokumentar u ndoq pastaj nga një filmim i valleve të ish Ansamblit Shtetror të Këngëve dhe Valleve Popullore, që e solli ish pjesëtari i këtij ansambli,  valltari Fuat Hyseneshi. U krijua kështu një ambjent i këndshëm. E kush nuk u mahnit nga vallet dhe kostumet tona popullore?! Bisedat zhvilloheshin grupe- grupe krejtë natyrshëm dhe me pathos disa herë. Në qendër të sallës ndihej zëri i një burri që me zë të lartë deklaronte se ishte nga Vlora. Ishte Eerli. Ai kishte punuar dy vjet në Shqipëri e kryesisht në Vlorë, ndaj dhe në folmen e tij ndihej paksa  theksi vlonjat dhe  ”grushti në gjoks”: “Unë jam na Vlora”. Pak më vonë u njohëm me një amerikan nga Fieri. Quhej Micah Schmidt. Ai ishte martuar me një vajzë fierake dhe me shaka e quante veten fierak. Kur i ofruam verë ai tha se i pëlqente më shumë rakia që dilte nga vera.  Ishte një shaka për t’i bërë qejfin bashkëshortes. Por ai vërtetë ishte nga fshati i gruas, si i themi ne, se të dielën që pasoi erdhi dhe u regjistrua si nxënës në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”.   

            Dreka sikur kishte përfunduar dhe miqtë mbanin nga një godë të papërfunduar me verë ose me lëngje frutash. Zoti Ivzi Cipuri, anëtar i kryesisë së shoqatës u kërkon lejë pjesëmarrësve për t’i njohur sadopak  me kulturën shqiptare. Z. Ivzi referoi para miqve për gjeografinë, historinë, kulturën, demografinë,gjuhën shqipe, kuzhinën, besimet fetare, si dhe njerëzit e shquar në fushat e ndryshme të jetës Njerëzit tanimë të qetë dhe të kënaqur pas një dreke të shijshme e pritën me kënaqësi  paraqitjen që u bëri Ivziu. Shumë bukur i përmblodhi këto mbresa zoti Mattheë Carafiello para se të largohej:          

            “Mësuam  shumë për historinë, kulturën dhe ushqimin shqiptar. Ishte shumë e vlefshme që u takuam dhe kaluam një ditë kaq të bukur me ju. Ju faleminderit !”   

            Edhe shumë të tjerë si zoti Heberich shprehën fjalët më të mira për organizimin e bukur të kësaj dite dhe mikpritjen shqiptare. Ajo ç’ka u bëri më shumë përshtypje miqve ishte ndjesia e krijuar nga mikpritësit sikur njiheshin prej kohësh me njeri-tjetrin. Përfaqësuesit e IHP-së u larguan të kënaqur nga ky bashkëpunim me komunitetin shqiptar. Ardian Veseli ndihej i çlodhur dhe i kënaqur që gjithçka shkoi mirë e bukur edhe në saj të punës së tij të gjatë, këmbëngulëse dhe me shpirt atdhedashurie.

 

LAVER NIKU

Filadelfia, Mars 2010

Z.Petrit Zanaj duke ne fjalen e rastit
Z.Petrit Zanaj duke ne fjalen e rastit

Z.Karrafiello duke falenderuar per nderin qe iu be
Z.Karrafiello duke falenderuar per nderin qe iu be
Ushqimet e ekspozuara duhen provuar
Ushqimet e ekspozuara duhen provuar
Duke shijuar gatimet shqiptare
Duke shijuar gatimet shqiptare
Ivzi Cipuri ne ekspozene per Shqiperine
Ivzi Cipuri ne ekspozene per Shqiperine
Z.Karrafiello midis disa anetareve te kryesise se shoqates
Z.Karrafiello midis disa anetareve te kryesise se shoqates


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx