Kulturë
Mihai Antonescu: Poemat e natës
E marte, 04.05.2010, 09:58 PM
POEMAT E NATËS
Vëllimi Tingujt e humbur është një homazh kushtuar pagjumësisë së shqetsimeve dhe qenjes së një shpirti më të madh se hija e yllit të tij, siç është ky poet kosovar, misionar i forcës së fjalës me mesazhe të sensibilitetit dhe dashurisë.
Nga Mihai Antonescu
Derisa dalim nga nata, nata na dhuron lule, ngase gruaja është lulja e lumturisë, një yll me engjëj nën sqetull dhe dy diej në krahëror. Poeti e shpreh këtë mendim të kristaltë me kuptime të fshehta, siç e prefron diskursi poetik, ngase diku, drita ka konturet e mendimeve tona, njësoj siç hija e saj është dritë e mendimit në pëshpëritjet e poemit, deri në atë shkallë, saqë vetëm qetësina e tjetrit ta dëgjojë. Remzi Limani qëndis mbi madhështinë e errësirës vjershat e zemrës së tij, një përjetësi që shungullon nën shqetsimet e shenjta, siç janë dashuria ndaj gruas, ndaj atdheut apo pavdekësisë: “ Sikur t`isha i mbuzur pranë Teje/ Edhe një të vetmen herë në sytë e mi/ Të shoh në dritë hëne të plotë/ Me faqe të skuqura shebojë/ Të veshur me syrin e pranverës/ Sikur e ngrirë në dimi kumashi/ Me buzëqeshjen e ndezur plot shkëlqim/ Dhe belin e thyer në duart e mia/ Frymësosur me sëmbime të kujtoj/ Ëndrrat Tua me syrin tim i veshi/ Si gjethet e vjeshtës para shiut/ Nën qepallat e fjetura i merendoj” (Nën qepallat e fjetura).
Konfesiv, dhe nganjëherë i përngutshëm në shprehje, poeti shpërndan hijeshi dhe disponim për pajtimin e botës, për pajtimin e tij me fytyrë kah universi i gjithë atyre shprehjeve ende të pashprehura, porsi përkujtimi që fanitet pas yllit të mëngjesit:“Qëkur ike si fleta në erë/ I tulatur mblidhem me kujtime/ Rreth teje i shpërmendur hiqem gjunjas/ S`lë vend të pa puthur në Ty// Kujtimet shtojnë etjen e lumit/ Rrudhimet në ballë m`i thellojnë/ Qielli i purpurt më thërret me zërin tënd/ Nusëria jote e veshur me bojëra qielli” (Kujtime). Shprehjet e Remzi Limanit janë kalime/përçapje të zbathura përmbi plagët e humnerës, mesazh dashurie në kuptimin e madh e të thellë të mirëkuptimit, deri në shpupurisjen/shpërndarjen/shkrirjen e vetvetes: Desha të vijë pas Teje/ Me tufa lulebore ta mbuloj nusërinë tënde/ Por ç`të bëj me sytë e Ty plot vajë/ Që më lusin t`i rriti dy lule balsami/ Tre lisa nën sqetull t`i mbaj (Tre lisa nën sqetull).
Autori i parathënies, Marius Qelaru, shpreh bindjen e tij që e preferoj edhe unë, se vargjet më të bukura të Remzi Limanit gërshetohen në poemat kushtuar dashurisë. Poeti çdo gjendje din ta përfshijë me ndjenjën dhe shprehjen, duke e shpaluar dashurinë që nga poezia e parë dhe deri te ajo e fundit: “Sikur t`isha i shtrirë pranë teje/ T`i ngroh netët e vetmuara/ Gjakun e ngrirë ta shkrij mbi trupin tënd// Me dridhma shtrihem mbi hijen time/ I mbuluar me heshtjen i robëruar/ Një mal natë bie mbi mua” (Një mal natë). Ka aq natë në poemat e Remzi Limanit, aq ngjyrë mbi horizontin e shpirtit të lotit që zbulon obervacione fine në pritën e qetësisë të cilën ende nuk e kam hasur te dikush tjetër: “Ti ende frymon në sytë e mi/ Dhe pa dashje më verbon të tërin/ Kur terri derdhet mbi lule/ Asgjë s`ndihet e gjallë/ Përveç një rigë loti/ Dhe një hije e një të çmenduri/ Ti ende frymon me lotin tim” (Terri derdhet mbi lule).
Është një çmendi e energjisë dhe dritës hyjnore, një mall që i ofrohet çdokujt, kjo gjysmë e kohës së matur, por jo çdokush ka syrin e përfshirjes së tij në formën divine (hyjnore), jo çdokush posedon gjuhën e shprehjes së pashprehmërisë me të cilën i vesh të zgjedhurit: “Matanë tek krojet e narta/ Në sy e ndjej etjen time/ Ecjen tënde tunduese me pashi/ Dhe aromën e luleborës mbi vello//Me verbërinë time të përqafoj/ Nën vellon e dëborës sate ngrij/ Që të shkrihem në sytë e Ty” (Etje).
Vëllimi Tingujt e humbur (i përkthyer nga Baki Ymeri dhe botuar në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë), është një homazh kushtuar pagjumësisë së shqetsimeve dhe qenjes së një shpirti më të lartë e më të bukur, madje më të madh se hija e yllit të tij, siç është ky poet kosovar, misionar i forcës së fjalës me mesazhe të sensibilitetit dhe dashurisë. Dashuria e tij ndaj Kosovës gërshetohet me kundërmimin e barit të Dardanisë së lashtë, atje ku dikush e shkëput nga qielli fluturimin e një malli sa përjetësia: “Mbi Dardani këndon një kumri/ Një këngë për Kullën / Dhe gjakun tim e shtrydhë në gji// Kori i lulegjakeve rreshtohet në horizont/ Me ritmin e grunajave valëzore/ Himnizon këngën e gjakut dhe lotit/ Nga malli për këngën nusja hapi sytë e qepur/ Hodhi duvakun mbuloi krushqit dhe malin// Nga gjaku ynë që rrodhi nëpër shekuj/ Tek peizazhet e mbuluara me luledielli/ Së bashku me ngjyra dheu në pikturë/ Një këngë mbi tokën e djegur lindi sot// Mbi Dardani këndon një kumri/ Një këngë për Kullën/ Dhe gjakun tim e shtrydhë në gji” (Këngë e re).