E shtune, 27.04.2024, 06:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: S'kemi faj që janë krejt talenta!

E hene, 03.05.2010, 09:57 PM


Sami ISLAMI

 

S’KEMI FAJ QË JANË KREJT TALENTA!

 

(Tregim)

 

Një vjet mbas demonstratave të vjetit 1981 pushteti serb, kudo në Kosovë, kishte ba reformat, reforma këto që ishin  ndër ma të mëdhatë deri atëherë. Ky pushtet, tue e vazhdu të ashtuqujturin „diferencim ideo-politik“, në të gjitha fushat ma të ndijshme, kishte instalu njerëzit ma të besushëm në to; që nga politika e deri te instancat ma të ulta shoqërore.

Fushat, që ishin ma shumë të vëzhguara ishin sigurisht kultura, informimi dhe arsimi. Dhe kjo nuk ishte e rastësishme, sepse pushteti e dinte mirë se nga këto, ma shumë se nga çdo sferë tjetër, do t’i dilnin probleme. Dëshmi e fortë për këtë ishin demonstratat e fundit, kur  edhe iu prish terezia këtij pushteti. 

 

Në këtë kohë Miri punonte në televizion, aty ku edhe vija e partisë zbatohej me përpikëri, sa  pothuj çdo gja shikohej nën thjerrëz! Ishin ba ndryshime të kuadrave udhëheqëse kudo në televizion, si në programin informativ, në programin dokumentar, por edhe  në programin e kulturës, ku punonte Miri. Për këtë arsye ishte ndërru edhe redaktori përgjegjës i deriatëhershëm. Deri aty  mbas demonstratave në këtë post  kishte qenë  Dema. Edhe pse ky, Dema, kishte qenë nji servil i përbetumë i pushtetit dhe antishqiptar shumë i madh, prapëseprapë drejtorit të përgjithëm, ose Gjeneralit siç e thirrnin  bashëpunëtorët rreth tij, nuk i kishte pëlqy ky Dema dhe  me një lloj komploti kundër tij e kishte largu nga ky post. Në vend të tij e kishte sjellë një njeri tjetër shumë të besueshëm të tij dhe të pushtetit, i cili quhej Vani. Ky Vani kaherë e kishte dhanë provimin për servilitet te Generali, sa ky ishte i bindun që Vani do të ishte njeriu i duhur për me mbrojtë politikën programore, tue e mbrojtë edhe pozitën e vet!

Gjenerali dhe klika e tij e kishte ndërru edhe kryeredaktorin. Deri atëherë kishte qenë njifarë Dini kryeredaktor dhe shpejt  në vend të tij (edhe këtë e bani me nji lloj komploti, se për këto gjanash Gjenerali ishte ekspert) emëroi  Monin. Se Moni e kishte dhanë provimin si serbofili ma i madh, e kishte fitu besimin te Generali sidomos gjatë fushatës së ‚diferencimit ideo-politik’. Përveç kësaj Gjenerali e kishte njoftë Monin qysh kur kishin qenë në studime dhe kishte besim në të siç kishte besim në Vanin.

Atëherë, në redaksinë tonë, tregonte Miri, ishim gjithsej nja 12  punëtorë,  përfshi këtu bashkëpunëtorë dhe punëtorë të administatës.

 

Me ardhjen e udhëheqësisë se re redaksia jonë filloi të zgjanohej dita–ditës.. Mbrenda pak kohe redaksisë sonë iu shtunë edhe 8-9 punëtorë të tjerë! Se si ‚punësoheshin“ njerëzit nuk dinim gja. Ajo që dukej ishte se  thuja për çdo javë vinte  nga një i ri. Një ditë në mëngjes e pamë se na kishte ardhë një koleg i ri, i cili na u prezentu me emnin Hasë. Në dukje Hasa  të jepte përshtypjen e një njeriu pedant, i veshun mirë, mbante syze dhe gjithnjë mbante një bllok me vete. Ec e merre vesh nga erdhi ky! Me gjasë edhe këtë e kishte sjellë ‚Gjenerali.   Një ditë tjetër erdhi një zojë. Kjo lente përshtypjen se ishte e ‚shtresës së naltë’.  Zojë funksionari dukej! Dhe, vërtet, intuita nuk më mashtroi, tregonte Miri, sepse  ashtu doli. Sapo fillumë të bisedojmë, në ditët në vazhdim,  ajo tregoi vetë. Ishte gruja e një funksionari që kishte post të naltë në Kosovë. Tregoi se  quhej  Drenushë dhe se burri i saj ishte mik me Gjeneralin (kjo fjalë m’u duk se i ‚shpëtoi’ ashtu si padashtas!).  Mbas disa kohësh erdhi Nifa. Kjo nuk  dukej se ishte e ‚shtresës së naltë’, por edhe kjo kishte hy në punë ‚me të njofshëm’. Ishte  bija e një mjeshtri , i cili  punonte si mjeshtër dhe sigurisht u kishte kry punë atyne të “mëdhajve”. Kështu një mbas një, tregon Miri, një ditë në redaksinë tonë erdhi edhe një zojë. Me te tash u bamë 21! Se çka do të punonin gjithë këta askush nuk e dinte? Përgjegjen ndoshta do të mund te jepte Generali, Moni ose Vani. Me randësi ishte se ata tashma ishin në punë dhe merrnin nga një rrogë si Miri dhe të tjerët. Zoja që u ‚pranu’ e fundit quhej  Ganimete, por që shkurt e qujshin Mete. Se Metja kishte ardhë me lidhje këtë e dinim, po ma vonë morëm vesh se ishte nuse e vëllait të  poetit Adem Kodra. Familja Kodra ishte familje intelektualësh, që kishte nxjerrë nga gjiri i saj poetë,  gazetarë, artistë etj, por ma e randësishmja ishte se kjo familje kishte lidhje të forta me Gjeneralin e ndoshta edhe me Monin. Kush ta dijë?

 

Një ditë, tregon Miri, u thirr mbledhja e partisë. Të gjithë shkumë në mbledhje. Fundja kjo ishte e domosdoshme! Aty ishte Gjenerali, ishte kryeredaktori Moni, ishte Vani... Sekretari i partisë e hapi mbledhjen. Rendi i ditës: 1.Politika programore  dhe 2. Të ndryshme. Në sallën e madhe për një çast ra qetësi. Sekretari i partisë filloi ta lexonte një pamflet politik. Derisa po lexonte, tregon Miri, ky njeri të lente përshtypjen e një derri! Ishte trashalluk, pa flokë. Nga trashësia dukej sikur nuk  kishe qafë fare! Mbante  syze të rrumbullakëta, të cilat  i kishte vu në maje të hundës. Mbasi që përfundoi se lexumi pyti të panishmit se a kishin diçka me thanë? Por meqenëse askush nuk kishte çka me thanë për pikën e parë, sekretari doli nën pikën “të ndryshme’ dhe iu drejtu të pranishmëve  dhe me za autoritativ, tha:

- A ka ndokush ndonjë pytje apo sugjerim?

- Kam unë! – tha Kemali. Desha me e pyetë si asht puna e listës prioritare të banesave? Asht mirë të bahet një listë dhe të marrë banesë ai që e meriton! Dhe, derisa e bani pytjen Kemali, tregonte Miri, e pashë se si  Gjenerali dhe kryeredaktori kthyen kokat dhe e  shikunë Kemalin  nga maja e kresë e deri te kambët, sikur donin m‘ia matë gjatësinë e tij. Folën diçka në vesh me njani-tjetrin po nuk thanë gja.

- Dikush tjetër a ka ndonjë pytje? - pyeti prapë sekretari.

- Kam edhe unë diçka! - u çu në kambë Xhevati. Unë desha me ba nji pytje,  se a ka mundësi që emisionet të bahen ma të mira. Po mendoj tue fut metoda të reja  që emisionet  të bahen ma interesante! Gjenerali e kryeredaktori e banë të njëjtën gja edhe me te. Kthyen kokat. E matën nga nalt poshtë dhe mbasi u sigurunë se kush ishte, u drejtunë prapë në karriget e tyne... Mbledhja  përfundoi, por e vërejta, tregonte Miri, se diçka e madhe do të plaste nesër! Dhe vërtet të nesërmen në mëngjes ashtu ndodhi.  Pamë se si Vani erdhi  me vrap nga drejtoria në redaksi dhe tha: „Mos hupni  se kemi një mbledhje me kryeredaktorin!“ (Se Vani e kishte zakon me thanë ‚mos hupni’ në kuptimin ‚mos u largoni’!). Në ndërkohë e bisedova me kolegët në redaksi se na duhet të jemi të një mendimi për me mbrojtë atë çfarë kishin thanë në mbledhjen e partisë  Kemali  dhe  Xhevati (që në fakt s’kishin thanë asgja të randë apo të pavërtetë ), por s’dihej se çfarë kahje mund t’i jepnin ata të „mëdhejtë“ kësaj çashtjeje. Na kishim një orë afat derisa të vinte Moni për me u marrë vesh se si do të vepronim kur të vinte ai. Në fillim të gjithë kolegët thanë se do t’i mbronim propozimet dhe sugjerimet e kolegëve! Por… sa kalonin minutat, situata filloi të ndërronte. Njani prej kolegëve u tërhoq sepse “s’donte “ të futej në telashe me partinë, tjetri  frigohej se mos po e humbte punën, i treti, se kjo nuk ishte çashtje e tij, e kështu me radhë... Dhe për çudi nga 20 punëtorë sa ishim (tue mos e llogarit Vanin, se ai edhe ashtu ishte me ‚të mëdhajtë’), tregonte Miri, mbetëm vetëm tre që ishim të vendosun ta çonim punën deri në fund: Isha unë, Nuzi dhe Zizi. E çuditshme ishte se as ata të dy, Kemajli dhe  Xhevati, të cilët sot do të ishin në shënjestër të Monit, nuk deshën m‘iu bashku ’rezistencës’. Sa për të tjerët u mor vesh puna!  Kur e pamë, se s’kishim me kë të luftonim, tha Miri, hoqëm dorë edhe ne të tre. Le të na shajë edhe neve Moni!

Fiks në orën 10 erdhi Moni. Posa hyni në zyrë, e hodhi çantën mbi tavolinë dhe me një shikim si  prej një të çarturi, u ul tue na shiku të gjithëve, sikur të ishim armiq a kriminelë, a  zoti e di se si iu dukeshim na atij? Dukej se ishte i shqetësuar dhe  tue iu dridhë buza na nervat ia nisi me folë me za të naltë: “Kush asht ai që po kërkon listë të banesave? Dhe e shikonte herë pas here Kemalin, ndërsa  ky i shkreti ishte stepë si mumje dhe s’i lëvizte as qerpikët. A e dini se këtu ka rregull dhe të gjitha banesat jepen simbas meritave dhe kritereve të qarta ! Ata që  dyshojnë në një gja të tillë janë kundër partisë! Kemajli e ulte kokën poshtë e ma poshtë, sa ta merrte mendja se, së shpejti do të hynte nën tavolinë fare! Unë po e vështroja Monin kah po fliste, i cili, nga nervoza (se kur nervozohej humbte fare) apo nga shprehia qe kishte, për çudi  një dhamb (të përparmë) që e kishte të nxjerrun nga vendi, si me marifet,  me gjuhë e hiqte nga aty, e mbante në maje të gjuhës për disa sekonda dhe prapë me gjuhë, pa e huqë, e vendoste mu në vendin e vet! Lunte me atë dhamb sikur të ishte jo dhamb por sheqerkë!

Mbasi puna e banesës u kry (fundja s’kishte pse ta zgjaste ma  se askush nuk e kundërshtoi), Moni tani iu drejtu atij që kishte propozu diçka të reja në emisione, por tue ua ba me dije të gjithëve se kush ishte ai tha:

- Po ti, iu drejtu Xhevatit, në mënyrë komuniste,  çfarë ideologjie po këron ti me futë në  emisione? Ideologji tjetër, jashtë  ideologjisë së partisë  a?

- Jo shoku kryeredaktor- tha Xhevati (ky bile u përpoq ta argumentonte sugjerimin e tij) unë kam mendu me me futë gjana që i freskojnë e emisionet, jo ideologji tjetër!

- E dimë na çfarë ke dashtë me thanë ti me këtë! Partia i  di të gjitha!  Ke kujdes se ke fëmijë dhe mundesh me  i lanë edhe ata  pa bukë ë! 

- Ju të tjerët , a keni ndonji gja me thanë? - vazhdoi Moni. Por askush s’foli. Edhe kjo pikë mbaroi dhe,  sa  thamë se perfundoi mbledhja, Monit sikur diçka i ra ndër mend dhe vazhdoi:

- ‘A, po tash m’u kujtu! Kam dëgju disa  që po trumbetojnë  se,  pse qenka  pranu në punë Ganimete Kurtaj? Kush janë ata që po thonë ketë? Heshtje . Moni nuk e njifte saktësisht Meten dhe iu drejtu Vanit:

- A asht ajo nusja e vëllai të shkrimtarit Adem  Kodra?

- Po!- tha Vani tue  ba me kokë në shej pohimi.

- E pra, dijeni të gjithë! Të gjithë do  t’i marrim në punë nga  familja e shkrimtarit Kodra! Pse jo? S’kemi faj që janë krejt talenta! 

Më erdhi për me qeshë dhe  u mata të them se,  lene që krejt familja Kodra nuk mund të jenë talentë, siç thoshte ai, por edhe sikur kjo të ishte e vërtetë,   Metja nuk ishte   e familjes  Kodra. Ajo ishte vetëm nuse në atë familje! Por nuk ia thashë, vazhdoi tregimin Miri. Fundja as unë nuk do të dilja ma i ‚mençur’ aty ku nuk funksiononte arsyja por diktatura! Kështu  Moni erdhi, na përbalti, na shau, na kërcënoi, siç kërcënohej në regjimet komuniste dhe u kthy në zyrën e vet. Në vargun e të gjitha këtyne paradokseve, vetëm nje gja mund ta nxjerrim si pozitive dhe kjo qe se mbledhja zgjati vetëm 30 minuta! Merre me mend sa torturë edhe ma e madhe do të ishte sikur kjo mbledhje të kishte zgjatë ma shumë!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora