E premte, 02.05.2025, 07:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Toponimia e Dushkajës (VI)

E hene, 03.05.2010, 08:23 PM


TOPONIMIA E DUSHKAJËS

 

Nga Prof. SKËNDER R. HOXHA

 

 

8. TOPONIMIA E KATUNDIT JABLLANICË

 

       1. Relievi dhe përkufizimi

                   

     Katundi Jabllanicë gjendet në krahun verior të Dushkajës. Territori i saj ka kofiguracin relievor kodrinor e malor, por edhe me fusha të gjera, të rrafshta e pjellore që shtrihen në anën e djathtë të Lumbardhës (Bistricës së Deçanit) si dhe në të dy anët e Përronit i cili, në drejtim perëndim-lindje, gjarpëron nëpër luginën e Jabllanicës.

    Jabllanica kryesisht është e rrethuar me male. Në lindje, verilindje dhe veri, Lumbardha e Deçanit e ndan nga krahina etnogjeografike Lugu i Baranit; në veriperëndim përkufizohet me Llugaxhinë, në perëndim me Zhabelin, në jug me Gërgocin dhe në juglindje me territorin e katundit Kralan të Dushkajës.

     Gjatë administrimeve Jabllanica ishte herë me komune të Baranit (Rrethi i Pejës), herë me komune të Cërmjanit, të Becit, Gërgocit (të Gjakovës) etj., deri me një ndarje të mëvonshme ku si kufi natyror në mes të komunës së Pejës dhe asaj të Gjakovës (në atë krah) merret Lumbardha (Bistrica) e Deçanit, ku Jabllanica definitivisht sistemohet në komunën e Gjakovës, komune së cilës i takon edhe sot.

    Sipas regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit, Jabllanica kishte 666 banorë, të gjithë shqiptarë.                           

                              

2. Lashtësia e fshatit në dritën e disa mikrotoponimeve                                                                                                

 

    Pleqtë më të moshuar të këtij fshati thonë se Jabllanica është katund i moçëm. Mirëpo, nuk dinë të jetë ruajtur në traditë të tyre ndonjë legjendë apo e dhënë tjetër rreth emrit të katundit që do të hedhte dritë në këtë drejtim.1)

    Se Jabllanica është vendbanim i lashtë kujtojmë se dëshmojnë edhe mikrotoponimet Vorret e Malit t’Ahmatit (Mali i Ahmatit quhet një lëndinë në verilindje të katundit) dhe Vorret n’Mal t’Vntveshtve (Mali Vneshtve mban emrin një mal në veri të Jabllanicës). Në të dy këto lokalitete varrezat shtrihen në sipërfaqe relativisht të mëdha. Nuk mund të numërohen, sepse gati janë bërë rrafsh me tokë, janë para zhdukjes së tërësishme. Me sa dihet, deri më tash, këto dy parë varre të moçme  nuk janë gjurmuar as studiuar nga arkeologët.

     Për këto varre askush në Jabllanicë, po as në rrethinë, nuk di të tregojë se të cilës kohë janë, madje edhe në vitet shtatëdhjetë, kur kemi pas biseduar me pleq të atëhershëm të këtij katundi, për këto varre nuk kanë ditur të thonë asgjë tjetër përveç asaj se “janë vorre të moçme”.1-a)

     Rreth lashtësisë së Jabllanicës, në dritën toponomastike, do shqyrtuar edhe mikrotoponimet: Sarasellat, Seishtat e Vërtishtat, të cilat janë ara e livadhe të mira, në lindje e në veri të katundit të sotëm. Për Sarasellat, zotëruesit e tashëm të kësaj fushe, thonë se “deri vonë, kur punojshim në to, gjejshim lloje të ndryshme të materialit ndërtimor”. Emërtimi Sarasellë është sllavizëm, që ka kuptimin “fshat i moçëm”. Seishtat kujtojmë se janë trajtë e fj. sllave seliste për “fshat, strumbull  i një fshati të humbur” ; ndërsa Vërtishtat (që gjenden pranë Seishtave) paraqesin shumësin e fj. sll. vrt, vrta, për “kopsht, kopshte”. Kemi bindjen se emërtimet toponimike që i morëm në shqyrtim, janë kalke sllave, përkthime të drejtpërdrejta nga trajtat e tyre të kryehershme të gjuhës shqipe. Këto tri mikrotoponime, që gjenden në pjesën e rrafshtë fushore të Jabllanicës, janë gjurmë të pakontestueshme të një vendbanimi të moçëm e të zhdukur, mbase të kohës mesjetare.

                    

                              3. Emri i Jabllanicës

      në dokumente mesjetare

 

    Si emërtim vendbanimi Jabllanica gjendet edhe në disa burime të vjetra shkrimore, gjegjësisht në defterë sllavë e osmanë të kohës së mesjetës. Kështu, në “Decanske Hrisovulje” (Krisobulat e Deçanit), të vitit 1330, trajtën Jabllanica 2) e gjejmë të shënuar në disa vende, në funksion  - emër katundi. Ndërsa në Defterin e Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485, janë të regjistruara katundet: Jabllaniça, Jabllanica e Madhe (Byjyk), në dy vende, Jabllanica e Vogël (Kyçyk) etj. Ne kujtojmë se aty ku është shënuar fshati Jabllaniça 3), që varej nga Peja, timar i Hasanit e Hysejnit; i biri i Kasëmit, është fjala për Jabllanicën e sotme të Dushkajës. Mirëpo, mendimi ynë mund të bëhet i lëkundshëm kur kihen parasysh faktet se: në këtë defter turk emërvendi Jabllanicë është i shënuar në disa vende dhe se transkriptuesi e transliteruesi nuk ka dhënë ndonjë shënim sqarues, për çka zbehet qartësia.

      Sipas këtij defteri të vjetër, prej më shumë se 500 vjetësh, Jabllanbica kishte 10 shtëpi, 2 beqarë e 2 të veja. Përveç taksave nga prodhimet bujqësore e blegtorale, fshati paguante detyrimet prej 312  ispenxhe. Emrat e kryefamiljarëve të Jabllanicës së atëhershme, kryesisht ishin sllavë, apo të përzier. Mirëpo, do theksuar se emrat vetjakë sllavë që mbanin shqiptarët e mesjetës, në të gjitha viset që përfshin ky defter, nuk përcaktojnë përkatësinë kombëtare të tyre, pop tregojnë qartas se sa thellë kishte depërtuar procesi i sllavizimit të popullsisë shqiptare, i cili kishte filluar mjaft herët, në kohën e sundimit mesjetar serb.

     Nga kjo lashtësi, na duket me interes të përmendim këtu se një banor i atëhershëm i Jabllanicës (sipas defterit në fjalë), quhej Miomani i biri i Vardishtës (Vardishta), ku na thotë mendja se fjala Vardishta e mesjetës (e përdorur në funksion antroponimik) mund të lidhet me toponimin Vardishtë (Vardishta e Kralanit), që edhe sot e kësaj dite gjallon në jug të Jabllanicës.4)

      Sipas shënimeve statistikore Jabllanica: në vitin 1879 kishte 20 shtëpi shqiptare; në vitin 1919 – 28 familje me 460 banorë shqiptarë; sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1921 – 2o shtëpi me 145 banorë; në vitin 1948 – 46 shtëpi me 326 banorë; në vitin 1953 – 53 shtëpi me 392 banorë; në vitin 1961 – 51 shtëpi me 447 banorë (444 shqiptarë, 3 të tjerë); në vitin 1971 – 62 shtëpi me 555 banorë shqiptarë; në vitin 1981 66  shtëpi me 666 banorë shqiptarë.

    Nga vala kolonizuese e kohës ndërmjet dy luftërave botërore Jabllanica nuk kishte mbetur e papërfshirë. Kështu, në afërsi të Mëhallës së Lugjve dhe në vendin e quajtur Kodra e Canit, ishin vendosur disa kolonë sebë e malazez. Zbatuesit e kolonizimit të trojeve shqiptare, sipas Dr. M. Obradoviqit, në Jabllanicë (atëherë komuna e Becit, rrethi i Gjakovës), kishin sjellë këto familje kolone:  

 

Selo Jablanica

 

SRS (Nga RS e Serbisë):

 

Doj?inovi? Bogosav

Radovanovi? Živojin

Filipovi? Milivoje

Cvetkovi? Dušan

 

SRCG (Nga RS e M të Zi):

 

?ekovi? Novo

?urovi? Vukajlo

?urovi? Petar

?uriši? Mato

Ze?evi? Božina

Ivan?evi? Krsto

Ljubi? ?etko

Rako?evi? ?oko

?a?enovi? Risto

?u?kovi? Ilija

Uk Ili? Marko 5)

      

                             

 

 

                             4. Pak fjalë për toponiminë e këtij  katundi

        

     Studimi i toponimisë është punë e rëndësishme shkencore dhe kërkon qasje të thellë e komplekse. Në këtë shkrim nuk do të lëshohemi në analizë historike as etimologjike të toponimeve të këtij katundi por, në mënyrë të përgjithshme, me pak fjalë, do të paraqesim rrethanat mbi bazë të të cilave janë sajuar ato.

     Toponimet e territorit të Jabllanicës kryesisht janë të sajuara: sipas konfiguracionit të vendit; sipas ndonjë bime drunore a barishtore; sipas përbërjes e llojit të tokës; sipas antroponimit (emrit) të pronarit të dikurshëm a të mëvonshëm të asaj prone, si: KODRA QARRIT, KODRA MADHE, LOGI, LUGJET E VOGLA, LUGI DERRNIKIT, SHPATI PUPZAVE; LUGI PLEPAV, LUGI THANAVE, LUGI SHAVARIT, ARAT E VERRIT; GURINAT, RONISHTAT (Ranishtat); LUGI HYS NIK’S, LIVADHI FAZLI SYL’S, LIVADHI  BAJRAM AZLLANIT, ARA HYSE(n) LAT’S, si dhe nga sfera të tjera, ku pjesa dërmuese e tyre janë me rrjedhojë nga gurra shqipe. Në të kaluaren, disa sipërfaqe kodrinore të Jabllanicës kishin qenë vreshta (sot janë male e lëndina me shkurre e kaçuba), rrethanë që ka lënë gjurmë në toponiminë e këtushme. Të sajuara mbi këtë bazë, edhe sot gjallojnë toponimet e mikrotoponimet: KODRA VNESHTVE, LUGI VNESHTVE, MALI VNESHTVE, VNESHTA MADHE, VNESHTA VOGËL etj. Ndërsa mikrotoponimi QERHANE (sot livadhe në perëndim të katundit), ka mbetur si gjurmë e një mjeshtërie (zejeje) të dikurshme, për çka pleqtë thonë se “aty dikur kishin pas maru qerpiçë e qeremine”.

     Përroni, Bistrica (Lumbardha e Deçanit) dhe Jazi, përbëjnë toponiminë e ujërave (Hidroniminë) të Jabllanicës.

    Nga materiali toponimik i mbledhur në terren, një pjesë të vogël të të cilit, shkarazi, e përmendëm më lart, vërehet se në toponiminë e këtij katundi dominojnë emërtimet e natyrës rurale të gurrës shqipe: Kodra, Lugi ( u ), Mali, Shpati e ndonjë tjetër, të cilat, kuptimisht, janë në funksion të vendit që e emërtojnë.

     Kur vola materialin toponimik të katundit Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës (viti 1996), për informatorë pata njerëzit më të moshuar të këtij fshati: Sejdi (Adem) Kasumaj (1921), Tafë (Isuf) Zeneli (1920), të dy të Mahallës së Poshtme, Ukshin (Ramë) Hamza (1921), i gungajve të Mahallës së Mulaj dhe Rexhë (Binak) Zeneli (1928), i Mahallës së Lugjve, më datë 24.VII.1996; Ramë (Tahir) Mehmeti (1940), i Mahallës së Mulaj, më datë 8.VIII.1996 dhe Halil (Mehmet) Ademaj (1923), i Mahallës së Përkolve, më datë 9.VIII.1996.

     Pikë orientuese gjatë vjeljes (shënimit) të toponimeve e të mikrotoponimeve patëm marrë një vend të sheshtë, në fund të Ulicës së Lugjve, ku është trafoja (trafostacioni i rrymës elektrike të fshatit), e që vendësit i thonë Te Trafostacioni, që përafërsisht, është në qendër të këtij fshati.

 

              

     b) Lënda toponimike e vjelë në terren

        1. Toponimia e  arave:

 

- ARA EPËR (v.). /I mbeti ky emër ngase gjendet në anën e sipërme të rrugës kryesore që bie nëpër fusha të fshatit./,

- ARA HYSE(n) LAT’S (j.). /Sipas një Hysen Latës së dikurshëm që e punonte këtë arë, apo të ketë qenë pronë e tij./,

- ARA IMERIT ( l.). /E quajnë kështu sipas emrit të këtij personi të dikurshëm./,

- ARA LIVADHIT ( l.). /Ngase gjendet afër do livadheve, e quajnë kështu./,

- ARA MARAVÇ ( l.). /Emri i ka mbetur sipas një lloj misri – “Maravç” që është mbjellë në këtë arë./,

- ARAT NËR SHPIA ( p.). /Ngase janë në anën e poshtme të shtëpive të Mahallës së Lugjve./,

- ARA PAVADË (v.). /Ngase nuk ujitet (nuk vaditet), i mbeti ky emër./,

- ARA PODIT (l.). /Sipas një “podi”, si urë, që ishte aty./,

- ARA SALI MEHMETIT (vl.). /Sipas emrit të pronarit të dikurshëm./,

- ARA VERRIT (vl.). /Sipas verrave (lloj druri) që kishte aty, i mbeti emri./,

- ARA ZABELIT (j.). /Quhet kështu ngase gjendet afër toponimit Zabeli i Gojanit./,

- BOKSHIQE (v.). /Informatorët nuk dinë asnjë të dhënë për këtë emërtim. Mbase duhet të jetë

            sipas  familjes Bokshi nga Gjakova, që mund të kenë qenë zotërues të saj dikur?/,

- BALIÇJA (vl.). /Informatori nuk di pse i mbeti ky emër, por konsiderojmë se ky toponim të ketë  prejardhje antroponimike, nga B a l ~ B a l i ç = B a l i ç j a, që do të ketë qenë pronë e tij dikur./,

- ERRNICA (vl.). /Informatorët nuk dinë pse iu ka mbetur ky emër… Na thotë mendja se etimologjinë e këtij toponimi duhet kërkuar nga fjala  a r r ë – bimë drunore frutore, që do të ketë pasur dikur aty: arrë – arrnicë, apo sipas llojit të tokës: dëgjohet në Dushkajë: tokë arrnicë (errnicë), për tokë të ligë?/,

- KAMENICA (v.). /Tokë gurishtë. Na duket emërtim me prejardhje sllave?/,

- KOLDOSHI ( p.). /Me këtë emër quhet edhe mali aty. Na duket se në këtë emërtim

toponimik të jetë strukur antroponimi Kolë (?)./,

 

         - LIVADHI ATAV’S ( v.). /Kështu e quajnë këtë arë ngase dikur ka qenë livadh dhe është

shquar për atavë cilësore. (Atavë – e quajnë barin që del pas sane.)/,

         - LIVADHI KRONIT ( p.). /Ka qenë dikur livadh dhe një krua aty, prej nga rrodhi edhe emërtimi./,

- LIVADHI MEKIT ( l.). /Informatorët thonë se kjo arë dikur ka qenë livadh dhe sipas njëfarë Mekit, i ka mbetur edhe emri./,

- LIVADHI TU SHPIA ( l.). /Nga rrethanat se dikur kishte qenë livadh e tash arë dhe se ndodhet afër shtëpive të Mahallës së Poshtme, i mbeti ky emër./,

- LOGI ( p.). /Informatori thotë se dikur aty janë mbajtur kuvende burrash, ndaj i mbeti ky emër./,

- LUGI KEQ ( jp.). /Kjo arë quhet kështu ngase është në toponimin Lugi Keq./,

- LLUGA REXH’S ( l.)./Thuhet se ka qenë tokë e ligë dikur – l l u g ë, pastaj e kanë çelur e bërë arë, pronë e një Rexhës së dikurshëm./,

- MASARAT ( J.). /Meqë gjenden pas do fushave, iu kishte mbetur ky emër./,

- NËRJAZET ( vl.). /Një emërtim i tipit kompozitor, nga: n ë r + j a z = N ë r j a z~e t. Emri iu mbeti kështu ngase shtrihen në krahun e poshtëm të Jazit të Katunit./,

          - POLLOÇEKI ( l.). /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër. /,

          - RONISHTA RAM’ FAZLISË ( l.). /Sipas emrit të pronarit të dikurshëm./,

          - RONISHTA SHABA(n) HASANIT ( l.). /Sipas përbërjes së tokës – r a n i s h t ë dhe emrit të pronarit të dikurshëm. (vërehet këtu se nuk shqiptohet n në fund të fjalës, në emërtime të tilla)./,

          - RONISHTAT (vl.). /Quhen kështu shumë ara të Jabllanicës që shtrihen në anën e djathtë të Lumbardhës së Deçanit (Bistricës), të cilat janë tokë me  r ë r ë – r a n ë  - R a n i s h t a (këtu dëgjohet i’iu thonë: Ronishta, Renishta e Ranishta)./,

          - RRAHI ( v.). /Nga rrah-u = vend i çelur për tokë pune./,

          - RRAHI ( j.). /Dikur ka qenë mal, pastaj e kanë çelur dhe bërë tokë pune, prej nga edhe emri./,

          - RROTULLAKE (vl.). /Emërtim i sajuar sipas formës: ka formën e rrumbullakët, si rrotull, ndaj i mbeti ky emër./,

          - SARASELLAT ( l.). /Informatorët nuk dinin të jetë ruajtur në traditë për emrin e këtyre arave (?)./,

          - SEISHTAT ( l.). /Mbase trajtë e fj. sll. s e l i s t e , për “Strumbull i një fshati të humbur” (kupto: vendi i një fshati të zhdukur./,

          - SHPATI BEK’S ( j.). /Ka formën e shpatit dhe dikur kidhte për pronar një Bekën./,

          - VËRTISHTAT ( v.). /Informatorët nuk dinë ndonjë të dhënë rreth këtij emërtimi. Mbase nga sll. vrt – kopsht, - kopshte? /.

          

          

   2. Toponimia e kodrave:

 

- KALANICA ( p.). /Informatorët nuk dinë pse i mbeti emri kështu kësaj kodre. (?)./,

- KODRA CANIT ( p.). /Sipas emrit të pronarit të dikurshëm – Cani./,

- KODRA MADHE ( v.). /Është kodër me sipërfaqe të madhe, ndaj i mbeti ky emër./,

         - KODRA MOLLAV’ ( jp.). /Sipas mollave – lloj peme, që kishte aty./,

         - KODRA QARRIT ( j.). /Emri i mbeti sipas qarrave – lloj druri, që kishte pasur në këtë kodër./,

         - KODRAT E SMAJLHAXHVE ( vp.). /Sipas pronarit – familja e Smajlhaxhve dhe se dikur kjo familje i kishin pasur trojet në këtë kodër./,

         - KODRA VNESHT’VE ( l.). /Dikur kishin qenë vreshta, ndaj iu kishte mbetur ky emër./,

        

 

 3. Toponima e krojeve:

 

         - KROJET E LIVADHIT KRONIT ( p.). /Janë disa burime në Livadh të Kronit, uji i të cilave përdoret për pije dhe për ujitje të tokës. Kanë ujë të mirë./, 

         - KRONI DERRNIKIT ( l.). /Gjendet në toponimin Derrnikë, ndaj quhet kështu./,

         - KRONI HYSE(n) LAT’S ( vl.). /Gjendet në arat e quajtura Arat e Hyse(n) Lat’s, ndaj i mbeti ky emër./,

         - KRONI LUGIT KRONIT ( j.). /E mori emrin kështu ngase gjendet në toponimin Lugi Kronit./,

         - KRONI MULLINIT ( l.). /Krua afër mullinit të Mahallës së Poshtme, ndaj e quajnë kështu. Është ky një burim nga toka, me ujë shumë dhe të ftohtë./,

         - KRONI SAHITVE ( p.). /Emrin e mori ngase gjendet afër shtëpive të familjes së Sahitve, të Ukzenelve të Mahallës së Lugjve./,

         - KRONI LUGIT SHAVARIT ( p.). /Sipas toponimit Lugi Shavarit, në të cilin gjendet ky krua, e mori edhe emrin./,

         - KRONI TAFILIT ( j.). /Sipas emrit të këtij personi që do ta ketë çelur apo do të ketë qenë pronë e tij./,

         - KRONI LUGIT VNESHT’VE ( l.). /Është krua në Lug të Vnesht’ve, rrethanë pas së cilës i mbeti edhe emri./,

        

 

4. Toponimia e lagjeve:

 

         - MAHALLA LUGJVE ( JP.). /Quhet kështu kjo lagje, mbase sipas fjalës  l u g ~u, sh. L u g j e, apo sipas ndonjë antroponimi a patronimi të mëhershëm. Informatorët nuk dinin ndonjë të dhënë për këtë./,

        - MAHALLA MULAJ ( l.). /Kjo lagje e mori këtë emër sipas familjes shumë të hershmë këtu, që mbajnë patronimin M u l aj. Dëgjohet që kjo lagje ndonjëherë të jetë quajtur edhe MAHALLA GUNG’S, sipas një familjeje tjetër të kësaj lagjeje që i quajnë G u n g ë./,

       - MAHALLA PËRKOLVE ( vl.). /Emrin e mori sipas familjes së Përkolve që janë në këtë lagje, të cilën edhe e kanë formuar. Përkola, nga – Pren Kola i dikurshëm./,

       - MAHALLA POSHTME ( l.). /I thonë Mahalla Poshtër, jo me kuptim pejorativ, por pse ndodhet në krahun e poshtëm të katundit, ana lindore e tij./,

       - MAHALLA SHAVARIT ( p.). /Kjo lagje e mori emrin  ngase është në afërsi të toponimit Lugu i Shavarit. Shavari (shevari) bimë barishtore që dominon në këtë lug dhe sipas kësaj bime i kishte mbetur emri edhe toponimit./,

        - POLANAT ( l.). /Sipas informatorëve, vendi në të cilin është formuar kjo lagje, më herët, ishte quajtur Lama Spahive. Në këtë vend, në kohë të Turqisë, spahinjtë kishin mbledhur dhe tubuar “të dhetat” (kupto: detyrime të administratës turke) e fshatit. Në fillim, në këto lëndina, ishin vendosur disa gabelë e maxhupë (siç i quajnë këtu), të cilët kishin ardhur për të shërbyer si “rrogtarë” nëpër familje të mëdha të fshatit, e më vonë kjo lagje zgjerohet edhe me banorë të tjerë./,

     

  

5. Toponima elëndinave:    

 

        - DERRNIKI ( l.). /Informatorët nuk kanë ndonjë të dhënë për këtë emërtim, vetëm thonë se është “vend me gurë, me shkëmbinj”./,

        - KUNGULLARE ( jp.). /Na thotë mendja se është ky një emërtim i sajuar sipas formës, konfiguracionit të vendit: si gungë, si kungull = Kungullare./,

        - LAMA SPAHIVE ( l.). /Informatorët thonë se “Në kohën e Turqisë, këtu spahitë i bashkonin të dhetat e katundit”, ndaj i mbeti ky emër. Është afër top. Polanat./,

- LEDINA LUGIT THANAV’ ( j.). /Gjendet në top. Lugi Thanav’, ndaj quhet kështu./,

- LEDINA MLLAK’S ( jp.). /Kjo lëndinë është afer top. Që quhet Të Mllaka, aty ku ndahet territori i Jabllanicës me atë të Zhabelit, në këtë krah. M l l a k~u = lloj druri i përhapur në male të këtushme./,

- LEDINA NALLOG’S ( v.). /Këtë lëndinë e kishin pasë blerë jabllanicasit prej pronarëve të Llugaxhisë, për të nxjerrë basa të dheut me bar, për të zënë digën (nallogën), në Lumbardhë të Deçanit (Bistricë), prej nga, nëpërmjet të jazit, ujitet fusha e Jabllanicës, punonin mullinjtë etj./,

   

        - LEDINAT E FUSH’S GATË ( jp.). /Janë lëndina afër Fushës së Gatë, ndaj i quajnë kështu./,

        - LEDINA UR’S DHIVE (jp.). /Kjo lëndinë është afër mikrotop. Ura Dhive, ndaj i mbeti ky emër./,

        - LEDINA ZABELIT ( l.). /Lëndinë afër Zabelit, ndaj e quajnë kështu./,

        - LIVADHI BOLLODIC’S (Lëndina që, mbase, dikur kanë qenë livadhe. Janë afër Lugit Bollodic’s, ndaj i quajnë kështu. Lugu i Bollodicës vjen nga territory i katundit Kralan e vazhdon edhe nëpër territory të Jabllanicës./,

        - LIVADHI SHKRELIT ( l.). /Është lëndinë e gjatë përbri Përroit, në mes të lagjeve Mahalla Mulaj dhe Mahalla e Poshtme. Emri, mbase, do t’i ketë mbetur sipas antrop. apo patron. Sh k r e l ~i, që do të ketë punuar diçka apo të ketë jetuar, dikur, për një kohë aty (?)./,

- LIVADHI VOGËL ( j.). /Kjo lëndinë dikur kishte qenë livadh dhe ishte quajtur kështu./,

              - MALI AHMATIT ( vl.). /Një lëndinë në të cilën gjenden një numër i madh varrezash,     

     për të cilat jabllanicasit nuk dinë se kush është varrosur në to as të cilës kohë janë. Gjenden në fazën e zhdukjes së tërësishme, por që kërkojhen gjurmime arkeologjike rreth tyre./,

  - MRIZET E DYTA ( l.). /Janë mrizet e dyta me radhë, ndaj i quajnë kështu. Janë të dytat në raport me rendin e mrizeve të tjera që ka në këtë krah. Ndonjëherë po i quajkan edhe E  n ë r m j e m j a. Pra, vend hijesinë për t’u freskuar bagëtia gjatë verës = m r i z~i./, 

        - MRIZET E PARA ( l.). /Vend hijesinë për bagëti, afër Lumbardhës së Deçanit (Bistricës), në krahun e djathtë të rrjedhës së poshtme të saj. I quajnë të Para, sipas radhës, sepse aty ka edhe mrize të tjera, siç sqaruam edhe më parë./,

        - MRIZET E POSHTRA ( l.). / Meqë janë më të poshtmet e këtij lloji, atje, i quajnë kështu./,

        - MRIZET E TRETA ( l.). /Janë të tretat me radhë, në drejtim të rrjedhës së poshtme të Lumbardhës, ndaj i quajnë kështu. Ndryshe, këto mrize, i quajnë edhe Lluga Madhe./,

- POLANAT ( l.). /Informatorët nuk dunë pse i mbeti ky emër./,

- ROGA DUSHKIT ( l.). /Lëndinë ku kanë tubuar dushk për bagëti./,  

- ROGAT E LUGIT THANAV’ ( j.). /Janë lëndina në top. Lugi Thanav’, lug të cilit i kishte mbetur emri sipas thanave që ka aty. Th a n:ë~a = bimë drunore që jep fruta./,

        - RRAHI HYS’S ( p.). /E kishte çelur dikur njëfarë Hysa, ndaj i mbeti ky emër./,

        - ULICA ( v.). /Lëndinë në mes të Mahallës së Përkolve./,

        - ULICA LUGJVE ( p.). /Lëndinë e gjatë përbri të dy anëve të rrugës kryesore që bie nëpër Mahallë të Lugjve, sipas së cilës rrethanë i mbeti ky emër./,

        - URUPET ( j.). /Informatorët nuk kanë ruajtur ndonjë ide se pse iu mbeti ky emër këtyre lëndinave./,

        - VNESHTA MADHE ( v.). /Janë lëndina në Mal të Kodrave që dikur kishin qenë vreshta, ndaj quhen kështu./,

        - VNESHTA VOGËL ( v.). /Dikur kishte qenë vreshtë, ndaj quhet kështu. Quhet edhe Ara Muj’s, ngase njëfarë Mujë maxhupi, siç thotë informatory, e kishte çelur dhe nga vreshta e kishte bërë arë. Është pronë e familjes Hoxha./,

       

 

6. Toponimia e livadheve:

 

- ABLLANI ( p.). /Informatorët nuk dinë të jetë ruajtur diçka në traditë rreth prejardhjes së këtij toponimi kompleks në krahun perëndimor të katundit. I thonë edhe Livadhi Abllanit./,

- BISHTI MAZNIKIT ( p.). /Ka formën e bishtit dhe është në drejtim të fshatit Maznik të Dushkajës. Rruga aty çon për në këtë fshat, ndaj i kishte mbetur ky emër./,

- ÇOGZA ( p.). /Informatorët nuk dinë pse i ka mbetur ky emër. Ky emërtim duhet kërkuar nga fjala çukë. Është një livadh e bahçe, në krahun e majtë të Përroit, afër Mahallës së Shavarit. Emërtimin Ç o g ë z a  e gjejmë edhe në territory të Llugaxhisë, në kufi me Jabllanicën, por atje terreni është kodrinor./,

- GRYKA SELIM AVDYLIT ( p.). /Sipas emrit të kryefamiljarit të dikurshëm, Selim Avdyli, të familjes Ahmeti, prone ë të cilit ishte./,

 

       - KAMENICAT ( v.). /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër. Kështu quhen një kompleks fushash që shtrihen, për së gjati, në mes të rrugës kryesore dhe maleve, në këtë krah./,

       - LIVADHET E GATA ( jp.). /Emërtim sipas formës së vendit. Janë livadhe të gjata, ndaj e morën këtë emër./,

       - LIVADHI ALI IMERIT ( p.). /Sipas emrit të këtij personi të dikurshëm./,

       - LIVADHI BAJRAM AZLLANIT ( l.). /Sipas pronarit të dikurshëm, Bajram Azllani./,

       - LIVADHI EPËR ( p.). /Është në anën e sipërme, në raport me fusha të tjera, ndaj e kishin emërtuar kështu./,

 

       - LIVADHI FAZLI SYL’S ( p.). /Quhet kështu sipas emrit të pronarit të dikurshëm. Informatorët thonë se “Fazli Syla kishte qenë i fisit Morinë. E kishte ble tokën prej zotnisë. E kishte pasur kullën trekatëshe këtu. Kishte vdekur prej sëmundjes së tifuzit (tifosë), në kohë të Austrisë. Ky kishte lënë gruan dhe tri çika. Gruaja e tij quhej Havë, e sipas saj, më vonë ky livadh  e kishte marrë emrin e gruas. Por, këtu është një livadh i vogël, buzë Përronit, që edhe sot quhet Livadhi Hav’s./,

       - LIVADHI HAV’S ( p.). /Një livadh i vogël, buzë Përronit, që mori emrin sipas një Havës, e vejë e Fazli Sylës së dikurshëm, që për një kohë kjo familje kishte jetuar në Jabllanicë./,

       - LIVADHI HUN’S BIRAVE ( l.). /Sipas mikrotoponimit Huna Birave, ngase gjendet aty./,

       - LIVADHI HYSE(n) LAT’S (l.). /Sipas emrit të Hysen Latës, pronar i dikurshëm./,

       - LIVADHI HYSE(n) NIK’S ( l.). /Sipas një Hysen Nikës së dikurshëm./,

       - LIVADHI KRONIT ( p.). /Sipas kroit që është aty./,

       - LIVADHI NËR SHPI ( l.). /Livadh që shtrihet në krahun e poshtëm të shtëpive të Mahallës së Përkolve, ndaj e quajnë kështu. Është pronë e tyre./,

      - LIVADHI NËR SHPI ( p.). /Livadh që gjendet në krahun e poshtëm të shtëpive të Mahallës së Shavarit, buzë Përronit./,

      - LIVADHI QELIT ( l.). /Emri i ka mbetur sipas emrit të pronarit të dikurshëm./,

      - LIVADHI SHABA(n) HASANIT (v.). /Sipas emrit të pronarit të dikurshëm të Mahallës së Përkolve. Është afër shtëpive të fHasani dhe pronë e tyre./,

      - LIVADHI TAHIRIT ( l.). /Sipas emrit të pronarit të dikurshëm të Mahallës së Poshtme./,

      - LOGI ( p.). /Aty dikur janë mbajtur kuvende burrash, log burrash, ndaj i kishte mbetur ky emër (?)./,

      - LUGI ( jp.). /Është livadh në lug, prej nga edhe emri./,

      - LUGI SMAJLHAXHVE ( vp.). /Livadh në lug dhe pronë e familjes së Smajlhaxhve të Mahallës së Përkolve./,

      - QERHANE ( p. ). /Thutet se dikur aty kishin pasë prerë (mbaruar) qeramidhe dhe qerpiçë, ndaj edhe quhen kështu, thanë informatorët./,   

      - RRAFSHI LIVADHIT ( p.). /Ka konfiguracion të rrafshtë, ndaj e quajnë kështu. Është afër livadheve të Abllabit./,

      - RRAHI ( v.). /Dikur ka qenë llugë. Është çelur dhe bërë livadhe e ar. Vend i çelur./,

- SEISHTAT ( l.). /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër. Gjenden afër top. Vërtishtat dhe , përafërsisht, në mes të territorit të katundit të sotëm. Mbase këtu do të ketë qenë lokaliteti i katundit të dikurshëm. Nga  S e l i s t e…?/,

- SKLLADA ( jp.). /Informatorët nuk dinë pse iu mbeti ky emër./,

- SKUTA ( l.). /Livadh në top. kompleks Skutë. Vendësit i thonë edhe Skuta Ademhasanve, ngase është pronë e tyre. Ademhasant janë Kasumaj të Mahallës së Poshtme të Jabllanicës. Është këtu një pjesë e Përronit, gryka e poshtme e tij, ku derdhet në Lumbardhë të Deçanit (Bistricë). Emri do t’i ketë mbetur nga rrethana se Përroni këtu ka do kthesa, kurse fushat përskaj tij sikur duken të fshahta. Këtu fj. S k u t ë  ka kuptimin për vend të fshehtë./,

- SKUTA ALIAHMETVE ( P.). /Livadh afër Përronit, të cilit emri i mbeti sipas familjes që ishte pronare./,

      

       - VËRTISHTAT ( v.). /Kompleks: ara, livadhe … Informatorët nuk dinë ndonjë të dhënë rreth këtij emërtimi toponimik./, 

      

 

 7. Toponimia e lugjeve:       

      

       - LUGI BIRAV’ ( P.)./Sipas disa birave që ka nëpër terren të këtij lugu, i kishte mbetur emri./, 

Derrnik, vetëm se “është vend me gurë, vend shkëmbor./,

       - LUGI BOLLODIC’S ( l.). /Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër. Është ky lug një fragment i lugut me po këtë emër që zdirgjet nga territory i katundit Kralan./,

       - LUGI DERRNIKIT ( l.). /Informatorët nuk dinë të jetë ruajtur diçka në traditë të këtushme rreth fjalës Derrnik, vetëm e thonë se “Është vend me gurë, vend shkëmbor”./,

       - LUGI HYSE(n) NIK’S ( l.). /Sipas pronarit të dikurshëmk, Hysen Nika./,

- LUGI KEQ ( j.). /Lug e mal me therra e shkurre, terren të papërshtatshëm, ndaj e kishin quajtur kështu./,

- LUGI KRONIT ( j.). /Sipas një kroi aty, por ka edhe burime të vogla nëpër këtë lug, prej nga i mbeti emri./,

- LUGI PLEPAV ( p.). /Ngase në këtë lug, dikur, ka pasur shumë plepa. Plep~i  - lloj druri./,

- LUGI SAHITIT ( v.). /Mbase sipas një Sahit-it të dikurshëm./,

- LUGI SHAVARIT ( p.). /Sipas bimës barishtore  s h a v a r~i (shevar~i), që del aty, i mbeti edhe emri i lugut.,/

- LUGI SHTRAZ’S ( jp.). /Fragment i toponimit Shtraza, që shpesh dëgjohet të quhet edhe Shtraza e Gërgocit (sepse pjesa më e madhe e këtij top. i përket territorit të Gërgocit), por ëe shpie ky lug edhe në territory të Jabllanbicës./

- LUGI THANAVE ( j.). /Sipas pemës së egër – th a n:ë~a, që mbizotëron në malin e këtij lugu, e mori edhe emrin./,

- LUGI UK’ NEZIRIT ( vp.). /Sipas emrit të këtij pronari të dikurshëm./,

       - LUGI VNESHTVE ( l.). /Emri i mbeti ngase dikur kishte pasur vreshta aty. Është pronë e Mahallës së Poshtme./,

       - LUGI VORRIT MAXHUPES ( l.). /Thuhej se kishte qenë një varr i një maxhupje aty, ndaj e quajnë kështu./,      

       - LUGI SHOTAV’ ( j.). /Sipas emrit të shpesëve – s h o t: ë ~ a. Dikur kishte shumë shota të egta aty, ndaj i kishte mbetur emri edhe lugut./,

    

 8. Toponimia e maleve:

 

- BOLLODICA ( jl.). /Pjesë e një toponimi që shtrihet edhe në territor të katundit Kralan. Informatorët nuk dinë pse i ka mbetur ky emër./,

- DAVLETI ( l.). /Informatorët nuk dinë pse i ka mbetur ky emër. Fjalë turke dhe sigurisht emërtim i formuar nga administrata turke./,

- LUGI BINISH’S ( jp.). /Mbase do të kenë qenë pronarë, dikur, zotnitë e Gjakovës, familja Binishi (?)./,

       - LUGI PLEPAV’ ( l.). /Sipas bimës drunore – Plep~i që kishte në atë lug./,

       - LUGJET E VOGLA ( j.). /Male që shtrihen nëpër terren me do lugina (lugje), ndaj e mori këtë emër./,

       - MALI ABLLANIT ( p.). /Sipas toponimit Abllan~i edhe mali mori këtë emër, meqë gjendet aty afër./,

- MALI BALT’S THIVE ( j.). /Emri i mbeti sipas rrethanës se në këtë mal kishte baltë dhe derra të egër (thi të egër)./,

- MALI ÇOGZAV’ ( v.). /Shtrihet në toponimin e quajtur Çogëzat…/,

       - MALI DJEGUN ( j.). /Ishte djegur dikur ky mal, ndaj i kishte mbetur ky emër./,   

       - MALI KABASHIT ( L.). /Duhet të lidhet ky emërtim me patronimin Kabashi, por nuk dihet ndonjë legjende për të./,

- MALI KALANIC’S ( p.). /Shtrihet në vendin e quajtur Kalanicë, ndaj i mbeti ky emër./,

       - MALI KAMENICAV’ ( v.). /Është përbri fushave që quhen Kamenica, ndaj edhe mali e mori këtë emër./, 

       - MALI KODRAV ( v.). /Mal që shtrihet në top. Kodrat, në afërsi të lagjes Mahalla Përkolve, ndaj quhet kështu./, 

       - MALI KODRËS CANIT ( p.). /Është mal në top. Kodra Canit. Gjendet në kufi me territoret e Zhabelit Plak, në atë krah./,

       - MALI LUGIT BIRAV’ ( p.). /Shtrihet në Lug të Birave, ndaj edhe mali quhet kështu./,

       - MALI LUGIT PLEPAV’ ( p.). /Sipas emrit të lugut – Lugi Plepav. Ky mal është në këtë lug./,

       - MALI LUGIT SAHITIT ( v.). /Emrin e mori sipas lugut në të cilin shtrihet./,

       - MALI LUGIT SHOTAV’ ( j.). /Sipas lugut me po këtë emër./,

       - MALI LUGIT SHAVARIT ( p.). /Sipas lugut me po këtë emër: Lugu i Shavarit./,

       - MALI LUGIT THANAV’ ( j.). /Sipas lugut në të cilin shtrihet, e kishte marrë emrin edhe mali./,

       - MALI LUGIT UKNEZIRIT ( vp.). /Emërtim i sajuar sipas emrit të pronarit te dikurshëm – Ukë nezirit të Përkolve./,

       - MALI VNESHTVE ( v.). /Sipas vreshtave që kishte pasur dikur aty./,                                            

       - N’LLUGË TË PLAKIT ( v). /Emri i kishte mbetur ngase është mal i dendur – ll u g ë  dhe mbase pronë e ndonjë  p l a k u të dikurshëm, por nuk është ruajtur ndonjë legjendë rreth këtij emërtimi./,

- PODINA ( j. ). /Mbase sipas konfiguracionit të terrenit. Shtrihen në një rrafshinë mbi disa brigje e kodra./,

- ROGA DUSHKIT ( l.). /sipas – d u s h k~u  dhe një lëndine me këtë emër, edhe mali quhet kështu./,

- RRAHINA ( j.). /Ishte mal i prerë, i çelur – r r a h, ndaj e mori këtë emër./,

- SHPATI LUGIT SHTRAZ’S ( jp.). /Faqe mali (shpat) e top. Lugi Shtraz’s, ndaj quhet kështu./,

       - SHPATI PUPZAVE ( l.). /Ky mal është në një shpat, ku edhe rrinin pupëzat – shpesë e egtër, e nga këto rrethana i kishte mbetur edhe emri./,

       - SHPATI SHKËMZËS ( l.). /Sipas konfiguracionit – s h p a t  dhe s h k ë m ë z~a, - lloj druri në këtë mal, është sajuar ky toponim./,

       - SHTRAZA ( jp.). /Mendojmë të jetë toponim i sajuar nga fjala  s h t r e z:ë ~a./,

       - VZHINAT ( l.). /Emrin e këtij mali informatorët e Mahallës së Poshtme ma shqiptuan kështu, kurse në Dushkajë është më e përdorshme fj. Z h v i n a t. Kështu i quajnë malet e dendura me shkurre e bungishte…/,

       - ZABELI CEN SELMANIT ( l.). /Është emërtim i krijuar relativisht vonë. Ishte pronë e Cen (Selman) Kasumajt, të Mahallës së Poshtme, i cili ishte shpërngulul me familje nga Jabllanica dhe ishte vendosur të jetojë në Gjakovë, ndaj e quajnë kështu./,

        - ZABELI GOJANIT ( JP.). /Është zabel shumë i moçëm, me lisa të trashë e të gjatë, me kurora degësh të gjera. Thuhet se emri i kishte mbetur sipas patronimit Gojani nga Gjakova. Gjendet në afërsi të lagjes Mahalla Lugjve./,

- ZABELI PREMË ( jp.). /Ishte zabel dikur, por meqë i kishin prerë drurët, i kishte mbetur ky emër./,

- ZABELI SHABAN AG’S ( p.). /Informatorët thonë se njëfarë Shaban Aga, dikur, kishte qenë zotërues i këtij mali dhe i Abllanit, ndaj sipas tij i mbeti emri. Për Shaban Agën, informatorët thonë,se ishte zotni i Gjakovës./,

- ZHVINA ( j.). / Variant tjetër i emërtimit (në të njëjtin fshat), me kuptim të njëjtë për – mal i dendur me shkurre e bungishte./,

 

 

9. Toponimia e rrugëve:

 

      - RRUGA ARAVE ( v.). /Kështu quhej më herët një pjesë e rrugës kryesore që bie nëpër fusha të Jabllanicës dhe, më të kaluar Lumbardhën e Deçanit (Bistricën), lidh Jabllanicën ( po edhe Dushkajën) me Gllogjanin e Lugut të Baranit e më tej me Pejën etj./,

     - RRUGA KODRËS MOLLAV ( j.). /Bie nëpër Kodër të Mollave, ndaj quhet kështu./,

     - RRUGA KRALANIT ( l.). /E quajnë kështu këtë rrugë ngase çon në katundin Kralan të Dushkajës./,

     - RRUGA KURRIZIT ( jp.). /Sipas formës së terrenit kah bie kjo rrugë – kurriz./,

     - RRUGA LUGIT KRONIT ( j.). /E mori emrin kështu ngase bie pëpër top. Lugi Kronit./,

     - RRUGA LUGIT THANAV ( jp.). /Sipas top. Lugi Thanave, meqë bie nëpër të./,

     - RRUGA MASARAV ( j.). /Quhet kështu ngase bie pas arave, në këtë krah./,

     - RRUGA PËR NEPOLE ( l.). /Rrugë që bie nëpër fusha të Jabllanicës, në krahun lkindor, dhe çon në fshatin Nepole të Lugut të Baranit, natyrisht, duke kaluar Lumbardhën e Deçanit (Bistricën)./,

     - RRUGA ZABELIT ( p.). /E mori emrin kështu ngase kjo rrugë bie nëpër Zabel të Gojanit dhe lidh Jabllanicën  me Zhabelin e fshatra të tjera të Dushkajës, në këtë krah, me Gjakovën etj./,

     - RRUGA ZHVIN’S ( jp.). /Bie nëpër toponimin Zhvinat, ndaj e mori këtë emër./,

     - UDHA QESKOV’S ( l.). /Kjo rrugë e moçme lidh Jabllanicën me Nepolen e Lugut të Baranit e me fshatra të tjera. Informatorët thonë se dikur moti banorët e Çeskovës (fshati komunës së Klinës – sqarim yni), nëpër këtë rrugë shkonin në Gjakovë, ndaj i kishte mbetur ky emër./,

     - UDHA DAVLETIT ( l.). /Kjo rrugë bie nëpër Mal të Davletit dhe çon në Kralan./,

     - UDHA GJAKOV’S ( j.). /Dikur, nëpër këtë rrugë malore, jabllanicasit shkonin në Gjakovë, ndaj i ka mbetur kz emër./,

     - UDHA KAMENICAV ( v.). /Quhet kështu ngase bie nëpër toponimin Kamenicat./,

     - UDHA KODRAV ( v.). /Bie nëpër Kodër të Madhe dhe çon kah malet dhe fshatrat e Lugut të Baranit, në atë anë./,

     - UDHA KODRËS CANIT ( p.). /Kjo rrugë lidh fshatin me malet në atë krah, e më tej çon në fshatin Llugaxhi, Maznik, Buqan etj./,

     - UDHA KUQE ( j.). /Është tokë e kuqe, ndaj edhe erruga e mori këtë emër./,

     - UDHA KURRIZIT ( l.). /Është nëpër terren që ka formën e kurrizit, ndaj e quajnë kështu./,

     - UDHA LUGIT PLEPAV’ ( l.). /Rrugë e moçme që bie nëpër top. Lugi Plepave dhe çon (kah lindja) në Va të Gashit. Vau i Gashit quhet një vend ku Lumbardha e Deçanit (Bistrica) ka shtrat më të gjerë, ujë më të cekët, ku më lehtë mund të kalohet lumi. Vau i Gashit është në mes të territorit të Jabllanicës dhe atij të Nepoles së Lugut të Baranit./,

     - UDHA LUGJEV T’VOGLA ( j.). /Bie nëpër top. Lugjet e Vogla, prej nga edhe emri i kësaj rruge./,

     - UDHA LLUGAXHISË ( vp.). /Kjo rrugë çon në Llugaxhi të Dushkajës, ndaj quhet kështu./,

     - UDHA LLUG’S TË PLAKIT ( v.). /Në top. Mali Llug’s të Plakit bashkohen: një arterie e Udhës së Kodrave dhe Udha Kamenic’s, në një, dhe kjo pjesë e rrugës që kalon nëpër malin e Llug’s të Plakit quhet me këtë emër, Kjo rrugë shpie te Nalloga e Bistric’s dhe lidh me territorin e fshatit Llugaxhi të Dushkajës./,

     - UDHA MALIT KABASHIT ( l.). /Kjo rrugë bie nëpër top. Mali Kabashit, ndaj quhet kështu. Edhe kjo rrugë çon në Kralan./,

- UDHA PËR ZHEBEL PLAK ( p.). /Rruge moçme, dhiare, që çon në katundin Zhebeli Plak./,

       - UDHA SHPATIT SHKËMZËS ( l.). /Bie nëpër top. Shpati Shkëmzës, ndaj i mbeti ky emër./,

      

 

10. Toponimia e ujërave (hidronimia):

  

       - BISTRICA ( vp – v - l.). /Është një fragment i rrjedhës së poshtme të Lumbardhës së Deçanit (Bistricës së Deçanit). Ky lumë, njëherit është edhe si kufi natyror që ndan territorin e Jabllanicës (dhe Dushkajës) nga krahina e Lugut të Baranit, në krahun veriperëndim – veri – lindje. Vendkalimet në këtë lumë quhej Va, si: Vau i Gllogjanit (dilet ne territor të Gllogjanit); Vau i Nepoles (dilet në Nepole) dhe Vau i Gashit, ku po ashtu Jabllanica lidhet me Nepolen, Këpuzin etj./,

       Jabllanicasit, herët e vonë, Lumbardhën e shfrytëzojnë për ujitje të tokave (krahu i djathtë i rrjedhës së saj), duke e kthyer ujin nëpërmjet të digave (nalloga – i quajnë këtu). Pastaj, për t’u freskuar në të, për bagëti, peshkim dhe për nevoja të tjera./,

   

      - JAZI ( v. – l.). /Ndryshe e quajnë edhe Jazi Katunit.Uji ndahet në veri të territorit të Jabllanicës, me anë të digës (nallogës), në Lumbardhë të Deçanit. Nëpërmjet të këtij jazi ujiten një pjesë e madhe e fushave të Jabllanicës, por me ujin e tij punon edhe Mullini i Mahall’s Poshtme të Jabllanicës (Mullini Katunit)./,

      - JAZI MULLINIT ( v.). /Quhet kështu pjesa e këtij jazi prej Nallogës së Bistricës (digës në Lumbardhë) deri në derdhjen e tij në Mulli të Arifmiftarve, që ishte aty afër. Në dalje nga mullirit, menjëherë, derdhet në Jazin e Katunit./,

      - PRRONI ( p. – l.). /Është lumë i vogël që niset nga burime në male të Dashinocit të Dushkajës (komuna e Deçanit), e bie luginës nëpër fshatrat Bardhaniq e Zhabel të Dushkajës (komuna e Gjakovës), për të gjarpëruar kësaj lugine midisit të Jabllanicës dhe për t’u derdhur në Lumbardhën e Deçanit (Bistricën e Deçanit) në krahun lindor të territorit të Jabllanicës, pikërisht aty afër vendit që quhet Skuta e Ademhasanve (të Mahallës së Poshtme). Këtij Përroi, në krahun e majtë të rrjedhës së tij, aty ku niset lugina e monopatet që çojnë në Zhabelin Plak, i bashkohet edhe një lumth – Prroni i Zhabelit Plak. Bashkimi i këtyre dy përrojve bëhet afër mikrotop. e top.: Qerhanet, Logi etj. që janë afër Koldoshit, Abllanit e Kodrës së Canit, në këtë krah.

       Përroni shfrytëzohet për ujitje, për bagëti, për nevoja të amvisërisë, për peshkim etj./,

     - PRROCKA LUGIT ( j.). /Prroskë që formohet nga burime të vogla dhe nga të reshurat. Verës thahet. Derdhet në Përrua, afër lagjes Mahalla Përkolve./,

     - PRROCKA LUGIT SHAVARIT ( p.). /Prroskë që formohet nga burime të vogla në Lug të Shavarit. Niveli i saj ngritet nga të reshurat. Derdhet në Përrua duke rrjedhur përmjedis të Mahallës së Shavarit./,

     - PRROCKA RRAHIT ( p.). /Prroskë që formohet nga burime malore dhe të reshurat. Verës thahet. Derdhjen e ka në Përrua, në krahun perëndimor të katundit./.

 

 

11. Toponimia e varreve:   

 

- VORRET E AHMEZENELVE ( l.). /Emrin e kanë marrë sipas familjes së madhe të Ahmezenelve të Mahallës së Poshtme. Informatorët thonë se nuk janë varre të vjetra sepse, më herët, kjo lagje të vdekurit i varrosnin në varret e Zabelit të Gojanit.

Këto varre dëgjohet t’i quajnë edhe Vorret e Mahall’s Poshtme./, 

       - VORRET E NEZIRHYSENVE ( l.). /Informatorët thonë se janë nja 4-5 varre në të cilat thuhet se janë varrosur pjesëtarë të familjes së Nezirhysenve të dikurshëm, prej nga iu mbeti edhe emri.

         Këto varre janë në vendin e quajtur Ledina Zabelit, në krahun lindor të fshatit, afër lagjes Mahalla Poshtme./,

        - VORRET E REJA ( p.). /Janë varre relativisht të reja, në Zabel të Gojanit, afër rrugës kryesore. Në këto varre varrosen pjesëtarë të familjeve: Brahimaj, Hajdari dhe Ahmeti (të Mahallës së Lugjve dhe të Mahallës së Shavarit./,

       - VORRET E SHEHITVE ( v.). /Janë varre të masakrës së katundit Jabllanicë të vitit 1921. Gjenden në një lëndinë në krye të Kodrës së Madhe, rrëzë malit, (aty ku ishin masakruar nga bandat çetnike serbo-malazeze të Savë Batares./,

       - VORRET E UKZENELVE ( p.). /Janë varre të vjetra. Informatori thotë se “më së pari këtu ishin varrosur pjesëtarë të familjes së Ukzenelve (të Mahallës së Lugjve), kur ishin vdekur prej sëmundjes së tifuzit”./,

       - VORRET E ZABELIT ( jp.). /Janë varre të vjetra. Në to i varrosin pjesëtarët e lagjeve: Mahalla Lugjve, Mahalla Mulaj dhe Mahalla e Shavarit. Janë në Zabel të Gojanit./,

       - VORRET N’KODËR T’MADHE ( v.). /Këto varre janë në Kodër të Madhe, ndaj iu mbeti ky emër. Janë në të njëjtën lëndinë ku janë edhe Vorret e Shehitve, por të ndara nga ato. Janë varre të Mahallës së Përkolve./,

       - VORRET N’MAL T’AHMATIT ( v.). /Janë varre të moçme në lëndinën Mali Ahmatit, afër shtëpive të Mahallës së Përkolve.

        As pleqtë më të moshuar të fshatit nuk dinë të jetë ruajtur ndonjë legjendë për këto varre. Nuk dihet se kush është varrosur në to?. Varret në fjalë janë para zhdukjes së tërësishme, sa mezi dihet se ka pasur varre aty. Këto varre duhet gjurmuar dhe studiuar!/, 

       - VORRET N’MAL T’VNESHTVE ( v.). /Janë varreza në Mal të Vneshtve, afër mikrotop. Vneshta Vogël (Ara  Muj’s). Shtrihen në një sipërfaqe bukur të madhe, nëpër mal, pronë e familjes Hoxha të Mahallës së Përkolve.

        Nga vetë rrethana se asgjë nuk dihet për këto varre dhe janë krejtësisht të braktisura dhe të deformuara (dallohen, aty-këtu, vetëm rrasat e gurëve të tyre), tregon se këto varre janë të moçme dhe se duhet të studiohen nga arkeologët./,

 

 

12. Toponime të veçanta:

     

      - AMBULANCA ( p.). /Ambulancë shëndetësore e ndërtuar tash së voni. Gjendet në top. Zabeli Gojanit./,

      - BABALLAKI ( p.). /Sipas informatorëve, për këtë varr (e quajnë edhe Vorri i Mirë) ruhet një legjendë e cila thotë: “Një njeri, dikur moti, ishte plagosur në Luftën e Moraçës. Duke udhëtuar ish kanë ndalur të pushojë në Grabanicë (komuna e Klinës – sqarim yni), ku kishte derdhur gjak nga plagët, e sot ai vend është Tyrbe. Pushon edhe në Jabllanicë, ku prapë derdh gjak nga plagët dhe ai vend bëhet Tyrbe (Baballaki). Prej Jabllanice kishte vazhduar rrugën në drejtim të Gjakovës dhe pushon edhe në Kodrali të Rashkocit, ku edhe ai vend bëhet si Tyrbe. E, prej aty, thuhet se shkon e vdes në Pashtrik të Hasit.”

       Mikrotoponimi Baballaki, në Jabllanicë, gjendet afër shtëpive të familjes së Bardhecve dhe të Ukzenelve, krye toponimit Ulica Lugjve, buzë rrugës kryesore të fshatit. Vendi, që konsiderohet se është “Vorri i njerit të mirë”, është i rrethuar më dërrasa, si shtëpizë (Baballaki), ku njerëzit lënë “nezra”, ndezin qirinj etj., veçanërisht me rastin e festave fetare, kur ju sëmuret dikush në familje etj./,

       - GURI XHENAZES ( p.). /Një gur i madh, katërkëndësh, ku e lëshojnë kufomën para se ta çojnë te varrezat dhe hoxha me xhematë “ja falin xhenazen.. Gjendet në fund të Ulicës së Lugjve./,

       - GURI XHENAZES ( V.). /Për qëllim të njëjtë, ky gur gjendet në mikrotop. Ulica, në Mahallën e Përkolve./,

       - JAZI KAMENICAV ( v.). /Ky jaz ndahet, menjëherë mbi mulli, nga Jazi i Mullinit të Arifmiftarve, dhe vazhdon nëpër toponimin Kamenicat, ku shërben për t’i ujitur ato fusha. Sipas destinimit, e mori edhe emrin./,

       - JAZI MOÇËM ( v. – p.). /Janë vetëm gjurmë fragmentesh të një jazi të dikurshëm e të zhdukur, mjaft i gjatë,  prej top. Kamenicat, në veri, dhe vazhdonte rrëzë Malit të Kodrave, krye Vërtishtave, kah pjesa e poshtme e Kodrës së Madhe, Livadhi i Fazli Sylës e afër Lugut të Shavarit e për të shkuar deri në fund të top. Abllani. Mbase për shkak të konfiguracionit të terrenit nuk ka mundur të mbahet ky jaz, ndaj edhe është zhdukur./,

     - LISAT E BABALLAKIT (p.) /I quajnë kështu do lisa të moçëm, të trashë e mëdhenj, me degë të trasha e të zgjatura, që janë në lokalitetin përreth Baballakut, buzë rrugës kryesore të katundit, në Mahallë të Lugjve./

     - LISAT E ZABELIT (jp.) /Iu thonë kështu lisave, që janë shumë të moçëm, në Zabel të Gojanit. Këtu ruhet kulti për ta dhe nuk marrin asnjë dru për djegie, por i përdorin për arkivole, eventualisht edhe për ndonjë vig a urë që është me interes të përgjithshëm./  

     - LISI RAM’ KAMERIT ( p.). /Ishte një lis i moçëm në Mal të Lugut të Shavarit. Mbase, pronë e një Ramë Kamerit të dikurshë. Edhe pse, nga vjetërsia, lisi është zhdukur, vendi ende mban këtë emër./,  

      - MULLINI ARIFMIFTARVE ( v.). /Mulli i moçëm, me ujë. E kishin ndërtuar familja e Arifmiftarve, në prona të tyre, në Kamenica. Mulliri punonte me ujin e jazit të ndarë në Lumbardhë të Deçanit, jaz i cili më tej shërben për të ujitur fusha të Jabllanicës.

         Shënim: Një kohë, këtë mulli, e kishte shfrytëzuar një kolon i quajtur Avram Cvetkoviq, i ardhur nga Vojvodina e i vendosur në male të Llugaxhisë. Thuhet se, të përmendurit, mullirin dhe tokën aty përreth ia kishte dhënë “agrari”. Nga kjo rrethanë, për një kohë, ky mulli dëgjohej të jetë quajtur edhe si Mullini Avramit. Ky kolon shumë herët kishte ikur nga këndej./,

         - MULLINI JABLLANIC’S ( l.). /Quhej kështu mullini i këtij katundi, pronarë të të cilit janë familja Smajli të Mahallës së Poshtme. Është mulli me ujë dhe në të, përveç jabllanicasve, bluanin drithërat edhe banorët e shumë fshatrave përreth./,

         - MULLINI VJETËR ( l.)./Është fragment i një mulliri më të moçëm, në lindje të fshatit, në të njëjtin lokalitet ku është mullini i sipërpërmendur dhe ku dikur kishte qenë edhe dugaja. Po ashtu, pronë e familjes së Tahirsmajlve të Mahallës së Poshtme./,

         - NALLOGA EPËR ( jp.). /Nallogë (digë) në Përrua për të ndarë ujin për ujitjen e tokave, në atë krah,

 me anë të një vije. Është në pjesën e sipërme të fushave të fshatit, ndaj e quajnë kështu./,

         - NALLOGA POSHTËR (p.). /Është digë (nallogë) në Përrua, që gjendet aty ku bashkohen Përroni me Përronin e Zhabelit Plak, për të nbdarë ujin për ujitje të tokave të fshatit, në këtë krah. Është më poshtë se Nalloga Epër, ndaj e kanë emërtuar kështu./,

          - PLEPAT E RRAHIT ( V.). /Ishin plepa  (lloj druri) të gjatë e të trashë, në top. Rrahi, buzë Lumbardhës,  pronë e familjes së Përkolve. Ka kohë që këta plepa janë zhdukur. Disa, nga vjetërsia janë kalbur, e disa të tjerë i kanë prerë për ndërtimtari./,

         - PUSI HAV’S ( p.). /Një pus (vend më i thellë) në Përrua quhet kështu, ngase është afër mikrotop. Livadhi Hav’s. Hava kishte qenë pronare e livadhit, e veja e njëfarë Fazli Sylës së dikurshëm./,

         - SKUTA ( p.). /Këtë emër e mban edhe një pjesë e Përronit edhe do toka në krahun e djathtë të rrjedhës së Përronit, afër shtëpive të Ramfazlive të Mahallës së Lugjve. Meqë Përroi ka formë të lakuar, toka përreth tij duket si më e fshehtë, ndaj e quajnë kështu./,

         - SHKOLLA ( l.). /Objekti shkollor në Jabllanicë u ndërtua në vitin 1969, kur filloi punën si shkollë fillore katërklasëshe, me paralele të kombinuara dhe si paralele e ndarë fizike e shkollës fillore “Ferhat Binishi” të Zhabelit. Në vitin 1993 bëhet shkollë e plotë fillore dhe pavarësohet nga ish-shkolla amë. Ndërkaq, në vitin 1995 shkolla fillore e Jabllanicës pagëzohet me emrin “Dëshmorët e Kombit”, emërtim ky që ju bën nder 64 viktimave të masakrës së Jabllanicës të vitit 1921./. Është në një lëndinë buzë mali, afër Mahallës së Poshtme, në lindje të fshatit./,      

         - TE BLINI ( p.). /Në Ulicë të Lugjve, para dyerve të familjes së Ramfazlive, gjendet një bli (lloj druri që jep lule me erë të mirë – çaj bliri...) i moçëm, nën hijen e të cilit pushojnë e freskohen, kryesisht, banorë të Mahallës së Lugjve./,

         - TE DARDHA HAXHI NEZIRIT ( l.). /Një vend i sheshtë, në formë të trekëndëshit, midis nyjes së tri rrugëve të fshatit që çojnë në fusha të Jabllanicës dhe më tej në fshatra të tjera përreth. Gjendet në mes të toponimeve: Seishtat, Nërjazet, Polloçeku etj., afër Jazit të Katunit. Në këtë lëndinë të vogël tuboheshin burrat për të biseduar për probleme të ndryshme, e veçmas këtu tubohen fshatarët me “Komisionin e Ujit” për të ndarë rendin e dhënies së ujit bujqve për të ujitur fushën.

         Aty afër, në Seishtë, në pronë të Haxhi Nezirit të dikurshëm, ishte një dardhë e moçme, ku sipas kësaj dardhe e kishte marrë emrin ky mikrotoponim./,

          - TE KREKCA ( p.). /Është një krekcë (lloj druri) e moçme, buzë rrugës kryesore, në lëndina të Zabelit të Gojanit. Nën hijen e saj pushonin njerëzit dhe mbeti si vend i shënuar në toponiminë e Jabllanicës./,

         - TE TRAFOSTACIONI ( Në qendër të katundit.). /E quajnë kështu vendin ku është e vendosur Trafoja e rrymës elektrike, në qendër të fshatit. Gjendet në fund të Ulicës së Lugjve, buzë rrugës kryesor e cila bie nëpër Mahallë të Përkolve dhe bie nëpër fusha të katundit, kah veriu. Po aty (te trafoja), një arterie e rrugës kryesore shkon kah Mahalla e Mulajve, në Mahallë të Poshtme dhe të Shkolla, në krahun lindor të fshatit./,

         - TE URA MADHE ( v.). /Ishte dikur një urë e drunjtë mbi Përroin e fshatit, afër lagjeve: Mahalla Përkolve dhe Mahalla Lugjve, përafërsisht, në mes të katundit.

           Vendi përreth urës quhej Te Ura Madhe, sepse kjo ishte ura më e madhe në këtë Përrua, atëherë./,

         - URA BLINIT ( l.)./Sipas një bliri (lloj druri) që ishte aty, e mori emrin edhe ura./,

         - URA DHIVE ( j.p.). /Ishte dikur një urë mbi Prrockën e Rrahit për të kaluar dhitë tek shkonin dhe ktheheshin nga kullotat, ndaj e kishte marrë këtë emër./,

         - VAU I GASHIT ( l.). /Va në Lumbardhë të Deçanit, prej nga dilet në territor të katundit Nepole të Lugut të Baranit (komuna e Pejës)./,

         - VAU I GLLOGJANIT ( v.). /Va në Lumbardhë, prej nga dilet në territor të katundit Gllogjan të Lugut të Baranit./,

         - VAU I NEPOLES ( l.). /Kështu e quajnë këtë Va në Lumbardhë, prej nga dilet në territor të katundit Nepole të Lugut të Baranit./,

         - VORRET E ÇERKEZVE ( p.). /Janë disa varre në lëndinën e quajtur Rrahi Hys’s, për të cilat thonë se janë të çerkezëve, nga koha e Turqisë – kujtojnë informatorët./,

         - VORRI GUSISË ( j.p.). /Është një varr në fund të top. Lugi Thanave, mbase i varrosur në të një njeri nga Gusia, prej nga i mbeti edhe emri./,

         - VORRI MALSORIT ( p.). /Është varr i moçëm në Zabel të Gojanit, i murosur me gurë përreth. Në traditë ruhet kujtimi se “aty është i varrosur një malësor”, por informatorët nuk dinë se kush kishte qenë ai njeri, prej nga ishte, as rrethanat pse u varros aty ?./.

        - XHAMIA ( jp.). /Në Jabllanicë xhamia fillon të ndërtohet në vitin 1986, në lokalitetin e quajtur Zabeli i Gojanit, ne krahun jugperëndimor të fshatit dhe përfundon së ndërtuari në vitin 1988.Mjeshtër kryesor ishte Rexhep Kuqi nga Deçani. Për ndërtimin e kësaj xhamie u shfrytëzuan mjetet financiare që janë dhënë si kompenzim për xhaminë e përmbytur në Radoniq (Hidrosistemi “Radoniqi”), vetëkontributi i fshatrave që janë nën imamat të saj: Zhabel, Bardhaniq, Maznik, Jabllanicë (më së shumti), pastaj ndonjë ndihmë simbolike edhe nga fshatra të tjera, si dhe një ndihmë në të holla që kishte ardhur nga një grup shqiptarësh nga Amerika./.

 _____________           

 Referencat:

 1)  Nga bisedat e bëra në vitin 1976 me pleqtë më të moshuar (atëherë) të fshatit Jabllanicë: Sadri (Adem) Kasumaj,

Mehmet (Ramadan) Ademi, etj., nuk kemi gjetur të jetë ruajtur në traditë të këtushme diçka rrethemrit të mëhershëm të këtij katundi.

  1-a) Në vitet 1975, 1976, kur kam pasë filluar vjeljen e toponimisë së Dushkajës, jo një herë, isha kurioz  të di diçka për këto varre, por, pleqtë e katundit, të përmendur në fusnotën 1, nuk dinin ndonjë të dhënë. 

  2) P. I v i ?, M. G r k o v i ?, De?anske hrisovulje, Novi Sad, 1976, f. (I 191;  II 26, 54. 67; III 1142 – 1143. 

  3) S. P u l a h a, Defteri…, f. 324, 407, 247. Meqë në këtë defter përmendet edhe Jabllanica e Madhe dhe Jabllanica e Vogël, atëherë këtë po e marrim, përafërsisht, më të sigurt.

  4) Livadhe, male, lëndina etj., që quhen Vardishtë (dëgjohet edhe: Vardishta e Kralanit), janë në krahun jugor të Jabllanicës. Thonë se dikur kishte qenë vend i banuar. Më vonë, administrata sebo-malazeze aty kishte vendosur disa kolonë serbë e malazez, që ishin banuesit e fundit të herës, ndërsa që shumë kohë është lokalitet i braktisur . Natyrisht: male, livadhe, kullota…  

5) Dr.  M.  O b r a d o v i ?, vep. cit., …, f. 323.



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx