Kulturë
Avni Alija: Vështrim i shkurtër interpretues me rastin e promovimit të librit me poezi të Alma Papamihalit "Shtegtim pulëbardhe"
E diele, 02.05.2010, 09:59 PM
Alma PAPAMIHALI
Avni Alija
SHTEGTIM PULËBARDHE
Poezi
Botimet Toena, 2009
Vështrim i shkurtër interpretues me rastin e promovimit të librit me poezi të Alma Papamihalit "Shtegtim pulëbardhe"
Nga Avni Alija
1.Mistika e Poezisë dhe magjia mrekulluese e Fjalës
Përballja e vazhdueshme me temën e kahmotshme të procedeut krijues se çfarë në të vërtetë është poezia, do të na tërheq përherë në rrafshin e meditmit dhe refleksioneve filozofike se çfarë në të vërtetë është Fjala si e tillë.Cili është misteri i fjalës?Magjia mrekulluese e fjalës? Kjo pyetje, për momentin, nuk shtrohet në kuptimin e një sprove për të definuar natyrën e njëmendtë të poezisë dhe të fjalës.Se, mandej do të pyesnim se çfarë është në të vërtetë enigma e quajtur Jetë. Por,kjo pyetje shtrohet si një tendencë fillestare për t'iu qasur librit me poezi “Shtegtim Pulëbardhe” të poetës sonë nga kryeqyteti gjithëshqiptar ,nga Tirana e bukur, Alma Papamihali.
Për t'iu afruar me lehtësi librit me poezi që sot përurojmë, si në vend të një retrospektive, ne thërrasim nga kujtesa librin pararendës,përmbledhjen poetike të Alma Papamihalit "Nën tingujt e natës" dhe poezinë "Një fjalë...": Ndonjëherë\ një fjalë e vetme\ të lë pa gjumë.\Gjumin të cilin,\ e kujtojmë të gjatë,\ rrëmbehet lehtë, \nga një fjalë e vetme,\ dhe e kthen atë,\ në viktimë të pafat.(...)
Kjo është një nga nuancat e mistikës së fjalës, mistikë kjo për të cilën filozofi bashkëkohor i Europës, rumuni Andrei Plesu thot se fjala nuk është një fenomen anësor i jetës dhe inteligjencës. Përkundrazi,ajo është burimi i të dyjave, ritmi i tyre,shkurt frymëmarrja vet.Në rrafshin e jetës njerëzore, vazhdon ai, nuk mund të ketë "jetë pa fjalë " dhe "fjalë pa jetë".
Libri pararendës "Nën tingujt e natës" me tematikën e mbraështruar i ngjan një koleksioni personal mbi fenomenologjinë e jetës. Aty Poetja sikur ka ngrirë brenda fjalëve çaste meditimi mbi ngjarje, situata në kalim, copëza jete nga Atdheu dhe momente nga Mërgimi, ka shkruar për stinët, ditët e netët, për dramacitetin e dashurisë etj.
2.Poezia si nje skulpturë nga ajri
Avni Alija dhe Alma Papamihali
Vlerësimet mbi një tekst poetik, pa dyshim, gjithëherën përmbajnë një notë të fortë të subjektivitetit individual të lexuesit dhe studiuesit.Këto vlerësime janë pikëpamje të formuluara nën vellon e një perspektive krejt subjektive.
Megjithëatë, mbasi të kemi lexuar librin "Shtegtim pulëbardhe" ne mund të flasim hapur jo vetëm në kuptimin e vlerësimit të poezive, por në kuptimin e vlerësimit të krijimtarisë letrare të Alma Papamihalit.
Libri ka një hyrje përkushtuese qe sugjestionon, nxitë refleksione, është një gjetje dhe përzgjedhje e përkujdesshme estetike që ka nëpërkaluar nga libri pararendës për t'u shëndrruar në një shenjë dalluese të krijimtarisë letrare të Poetës. Shenjë dalluese kjo në dimensionin e prekjes së drejtëpërdrejtë të thelbit të një mendimi dhe transponimin artistik të atij mendimi përmes vargut poetik.
"S'doja të të kënaqja ty / me këto poezi / por të rilindja veten/ kur t'i lexoje ti"
E këtillë është edhe poezia e parë "Poetët", një poezi kjo e sendërtuar përmes një gjuhe ekspresive në njërën anë e njëkohësisht një qasje krejt lirike, një inaugurim impresiv i bartjes artistike të një mesazhi emocional: „ Poetët…ah…poetët/ ç’njerëz qenkan/ vallë…/Lindin/ të dashuruar/dhe vdesin beqarë.“ Kjo poezi përkujton me lehtësi vargjet e poetit Xhevahir Spahiu, një nga poetët më të parapëlqyer të autores, po me këtë temë kur shkruan qysh me 1994 në librin "Ferrparajsa" : “Poetët /ruajnë pronat e tyre:/dhembjen e shenjtë/ dhe dorën i shtrijnë vetëvetes.”
Libri "Shtegtim Pulëbardhe" shtron perspektiva diskutimi mbi poezinë dhe poetikën. Ky është njël libër ku fjalët janë shëndrruar në simbole të kristalizuara të ndjesive dhe refleksioneve meditative të autores.Një libër me poezi lirike ku i gjejmë të mpleksura me një natyrshmëri dhe harmoni të baraspeshuar përmbajtjen dhe formën, romantikën dhe idealën,vrojtimin shqisor, simbolikën dhe konkretën.
Në "Ligjëratë mbi Estetikën" filozofi gjerman Hegel nënvizonte se Poezia është ajo që përbashkon dhe shkrin në një principet e krijimit në Pikturë dhe Muzikë.
3.Legjitimiteti i sprovës interpretuese
Interpretimi i një teksti poetik ndrynë brenda natyrës së vet një lloj utopie tunduese. A mund të përligjet prova për të interpretuar artin? Kritiku i letërsisë gjermane Walter Müller- Seidler ka shkruar se " Arti është i pashterrshëm.Nuk mund të ketë interpretim më të përkryer se sa ky lloj interpretimi kaq i kujdesshëm." Interpretimi i një teksti artistik ngjan me një lloj huazimi të përndritjeve nga perlat. Ne sikur duam që me atë përndritje të mbushim një hapësirë të sajuar nën diktatin e një koreografie tjetër.Ky është ai momenti kur lexuesi dhe studiuesi kanë për synim aktin sublim të pjesëmarrjes së tërthortë në rilindjen e vargut, rilindjen e poezisë, rilindjen e librit që sapo ka lexuar.
Në përpjekje për të rilind një akt të këtillë sublim unë po risjell këtu vargjet e poezisë së Alma Papmihalit me titull "Humbur":
Humbur
Nuk është rastësi kjo ditë shëndrruar në gri,
Një diell mëngjesi që s'u duk aspak,
Ëndërrës së sotme s'u pa fëmijëri,
Veç gjethe të rëna që shtruan në park.
Një vjeshtë që erdhi më herët se ti,
Një det që përtoi të lëvizë dhe valët,
Vetmuar u ndjeva në verën e ikur,
Në shiun që nisi, më humbën dhe fjalët...
Diskursi ideoartistik i poezisë "Humbur" dëfton qartë konstelacionin meditativ, refleksionet artistike dhe procedeun e kristalizimit të shenjave të shpirtit.
Jemi pra këtu në sferën e filozofisë së kompozicionit.
Alma Papamihali ia ka dalë që të konsolidojë konceptin e vet krijues. Këtë konstatim e mbështet mbarështrimi i preokupimit dhe provokimit krijues dhe qasja e saj si autore.
"Preokupimi dhe provokimi", shkruan poeti,eseisti dhe dramaturgu nga Prishtina, Ag Apolloni,një emër i ri dhe shumë domethënës në letrat e sotme shqipe, " ndërliksen me njëri tjetrin dhe pashmangshëm çojnë kah shkrimi, që është një proces i formësimit literar të ideve preokupuese dhe provokuese".
Momenti mbasi të kemi mbaruar së lexuari librin e Alma Papamihalit "Shtegtim pulëbardhe" na dëfton se botëkuptimi i secilit prej nesh mbi botën dhe jetën nuk është dhe nuk mund të jetë i plotë. Pikëvështrimi i secilit prej nesh ia del të mbuloj vetëm një detal të jetës.
Duke lexuar me vëmendje dhe përkushtim vargjet e Alma Papamihalit ne kemi ndërtuar një relacion të ri me artin poetik, me vlerën dhe peshën e krijimtarisë artistike dhe me vetë vlerën fascinuese të ekzistencës sonë njerëzore.
Poetës sonë i urojmë shumë suksese në përpjekjet e saja krijuese.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe përkushtimin tuaj!