E hene, 29.04.2024, 05:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Razi Brahimi: Reflektime rreth romanit të Petraq Ristos “Një grua me Urdhrin e Ujkut”

E diele, 02.05.2010, 05:30 PM


KOHA: E UJQVE. E ARDHMJA: E NJERIUT.

 

(Reflektime rreth romanit të Petraq Ristos “Një grua me Urdhrin e Ujkut”)

 

Nga Razi Brahimi

 

Shumë vjet më parë kam provuar të merrem me shkaqet që e kanë shtyrë njerëzimin të shpikë përralla dhe të përpunojë teknikat e mjetit shprehës të të treguarit përrallor. Kam pandehur, nisur prej leximesh, se në shumë përralla, po të rrëmohet me vëmendje, mund të gjenden nënshtresa qeniesh, realitetesh e mendësish nga foshnjëria e njerëzimit ndërthurur me bestytni, paragjykime, besime të rreme e të pashpjegueshme dhe aspiratash ngadhënjimi të njeriut mbi gjithçka që për të është e keqe dhe mbi forca e rrethana që vetëm armët e imagjinatës mund t’i mposhtin. Por, gjithsesi, në këtë tejkalim imagjinar të një realiteti të shndërruar në përrallë, kur kemi të bëjmë me përrallë të vërtetë dhe jo me sajime paradoksale, të rëndomta akuzuesish, me mjetet formale të kësaj trajte të mrekullueshme pasqyrimi të realitetit, përveç shkëndijimesh gjenialiteti krijues, gjendet, si thesar i trashëguar prej kohësh që nuk mbahen mend, besimi i njeriut në fuqinë e vet fizike, mendore e shpirtërore, sikurse dhe mesazhi i mundësisë dhe i përpjekjeve e sakrificave që duhen bërë për ngadhënjimin e të mirës mbi të keqen, kurdoherë duke mbajtur parasysh njeriun, që i meriton lirinë e lumturinë, si dhe luftën për njëmendësimin e tyre në një botë që i ka takuar të jetojë.

M’u kujtuan shënimet për përrallën, të bëra më 1981, pasi lexova romanin e Petraq Ristos “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, i cili në prozën bashkëkohore shqiptare, (ku nuk mungojnë vlerat, por ka edhe shumë rutinë e gjurmashmëri ideologjikë e politike, kërkuar prej tregut të alibive sensacionale), me thjeshtësi të admirueshme ideje, kompozimi, stili e gjuhe, shquhet për mëvetësi, origjinalitet dhe vlera brendie dhe forme, të lindura e të përcaktuara prej realitetit të sotëm shqiptar, aq sa të duket se autori nuk ka dorë në atë që tregohet. Me të mbaruar leximin, (dhe romani në fjalë lexohet me një frymë) mendja më shkoi përsëri te përralla, sepse Petraq Risto më dha rastin  të shtoja diçka të re në shënimin e dikurshëm dhe të arrija në përfundimin se, në qoftë se përralla, sado fantastike të jetë, ka një zanafillë reale dhe njeriu, sado aktive e të begatë ta ketë imagjinatën, kurrë nuk mund t’i kapërcejë kufijtë e qenies së vet e të botës që njeh, kjo do të thotë se edhe vetë jeta, historia e popujve dhe e njerëzimit përmbajnë tharmin e përrallës, që në rrethana të caktuara bëhet më pamësor. Aq i pranishëm, sa realiteti, siç ka ngjarë në Shqipëri në periudhën 1991-2010, i tejkalon përmasat e fantazisë, e bën të rëndomtë atë që dikur dukej makabre dhe të lakmueshme si një ëndërr, atë që ka qenë e përditshme, njerëzore dhe tepër tokësore. Ky ishte shkaku, së paku letrar-artistik, që në letërsinë shqiptare të njëzet viteve të fundit sundon passeizmi në formën e një pseudoekzotike antikomuniste dhe mungojnë pothuajse krejt pasqyrimet e dramave e të tragjedive bashkëkohore, të cilat zor se mund të përfshihen brenda kornizës së një tregimi. Për kapërcimin e kësaj gjendjeje, që padyshim ka për të qenë kalimtare, kur njëri prej shkrimtarëve e ka të pamundur “mbrojtjen” me alibinë e mosnjohjes së realitetit e të tabuve të imponuara, kërkohen: ndërgjegjësim gjer në dhembje për dramën kombëtare e shoqërore që po përjetojmë; guxim qytetar për t’u përballur me realitetin dhe gjetje formash e mjetesh artistike për sendërtim imazhesh sa më realistë.

Petraq Risto është një ndër shkrimtarët e sotëm, që ka dëshmuar, në poezi e në prozë, se i ka këto cilësi dhe prandaj meriton të merret shembull. Me romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut”, nisur nga realiteti, autori ka gjetur më të përshtatshme ndërthurjen e elementëve përrallorë me të vërtetat e ashpra të një kohe anormale, reflektuar në strese, trauma e makthe personazhesh, duke i sugjeruar lexuesit, që, nisur prej këtij përfytyrimi gati përrallor të jetës, të kthehet në jetë, të kuptojë shkaqet dhe domethënien e atyre fakteve që përmenden çdo ditë në ekrane e në gazeta dhe të mendojë nëse duhet pranuar kjo gjendje si fatalitet, apo duhet bërë çmos për t’i dhënë fund.

Autori nuk ka pasur pse trillon për të hedhur themelet lëndore e ideore të romanit, sa të zakonshëm në përmbajtje, aq edhe “të çuditshëm” e origjinal në shtjellim. Gjithçka është marrë nga “realiteti përrallor” shqiptar i fillimit të shekullit 21 dhe nga tharmi “real” i përrallave e gojëdhënave, që, ngjizur me njëri-tjetrin,  tingëllojnë risorë. Kush nuk ka parë e nuk ka dëgjuar për epideminë çmendurake të shkretimit të shumë fshatrave si pasojë e braktisjes prej atyre që i kishin ndërtuar e i kishin mbrojtur ndër shekuj dhe kur ndër lahuta këndohej “legjenda e misrit”, dhe kur kriste pushka e derdhej gjak në luftime kundër agresorësh e pushtuesish? Kush nuk e di se ky shkretim ka qenë rrjedhojë e një kohe kaotike, kur shteti mbeti vetëm ngrehinë për shtetarë e politikanë të mbrapshtë, makutë e të papërgjegjshëm, kur lufta për ekzistencë mori trajta egërsie të përbindshme dhe kur pandehej se vetëm përtej malesh, ku jeta kishte gëluar gjatë mijëravjeçarësh, mund të rrohej e të gjendej sadopak lumturi? Kush nuk është lemeritur prej lajmesh, se kur tërbohet dimri, në këto fshatra me shtëpi të braktisura e me varre të vidhisura, ia beh lukunia e ujqve të shumuar e të uritur? Të gjithë i kanë parë, i kanë dëgjuar dhe i dinë këto lebeti, po ja që përveç kronikanëve të përditshmërisë, vetëm Petraq Risto e mbarti këtë gjëmë dhe na e solli në letërsi.

U mësuam gjatë këtyre 20 vjetëve, që për shumicën e shqiptarëve, për faje të vetë shqiptarëve, mëmëdheu u bë njerkë dhe bijtë e tij – blerim jete e shprese për ardhmërinë – kanë marrë udhët nëpër botë dhe çdo shans shpëtimi prej varfërisë a prej ndonjë vdekjeje të kobshme, rrahin ta gjejnë vetëm larg vendlindjes, përtej malesh, detesh e oqeanesh, gjer dhe atje ku askush nuk ka dëgjuar gjë për atdheun e tyre, apo ku shqiptari identifikohet me barbarin e banditin. Dhe, ç’është më e keqja, plaga ku është vënë gishti në roman, ka prej këtyre mërgimtarëve shpirtzhuritur, që vetëm varret e të parëve i mbajnë të lidhur me vendin e lindjes, dhe me kalimin e kohës, nuk është çudi që kjo të kthehet në dukuri të rëndomtë. Është një dhembje që vetëm një atdhetar me shpirt poetik, mund ta ndiejë e ta pasqyrojë.

Ky njëzetvjeçar i rrëmujshëm e thuajse apokaliptik, (dridhem nga kjo fjalë, por nuk e shmang dot), ka qenë kohë përmbysjeje dhe e nxjerrjes së të vdekurve nga varri, sidomos në kuptimin metaforik të fjalës. Kështu, njeriu, i kthyer rishtas në xhungël, nga zbutës kafshësh, u shndërrua në egërsirë pylli, duke i dhënë të drejtën autorit të romanit që proverbën latine “homo homini lupus est” ta kthejë me sarkazëm në: “ujku për ujkun është njeri”. Rilindi dhe hodhi farë të re në këtë kohë makabritetesh edhe etja egërshane e gjakmarrjes, nxitëse instinktesh atavike rendesh, kur shoqëria nuk kishte pushtet të rregullonte marrëdhëniet në mes individëve dhe sundimtarët i përdornin përçarjet e armiqësitë si mjete sundimi, duke shkarkuar barrën e përgjegjësisë mbi psikologji, mendësi  e zakone popullsish barbare, siç ndodh të veprohet edhe sot, jo vetëm nga të huaj keqdashës e politikanë vendës të papërgjegjshëm, por edhe nga disa intelektualë kozmopolitë të gatshëm të përbaltin bashkëkombësit, duke fshehur me mjeshtëri retorike e romancuese shkaqet historike dhe rrethanat e sotme që kanë pjellë gjakmarrjen dhe e kanë rilindur atë. Pikërisht në këtë klimë politike e shoqërore, ndërsa trumbetohet deheroizimi, nis të reklamohet në emisione televizive e në gazeta kulti i gruas – burrë, jo në kuptimin e burrneshës, që lufton e vdes për atdhe e nder, dhe në mungesë të burrit, i vë shpatullat shtëpisë, por më tepër një mohuese të veçanësive gjinore për të marrë gjak përkundër natyrës e misionit të gruas – përtëritëse e jetës. Është edhe kjo dukuri një prej anëve të realitetit të sotëm shqiptar, që Petraq Risto e ka sjellë pa vonesë nga jeta në letërsi përmes një trajtimi origjinal artistik dhe nën një interpretim që i tejkalon kufijtë e rastit dhe, ka lejuar të depërtojnë në xhungël rreze njerëzie, dashurie e shprese përtëritëse.

Gjithë sa u parashtrua, le të vetëkuptohet se përmbajtja e një romani  si “Një grua me Urdhrin e Ujkut” do të ishte dramatike, pasqyrim rrethanash, gjendjesh e karakteresh dramatikë veprues e të kohës, të cilët janë produkt i një faze të përcaktuar të zhvillimit shoqëror, mbajnë vulën e kohës dhe përpëliten në dilemë: të jenë viktima shfrytëzimi apo, duke rizgjuar ndjenjat njerëzore e ndërgjegjen shoqërore, të kapërcejnë gjendjet traumatike dhe t’i rikthehen jetës. Autori, pa qenë nevoja të vrasë mendjen për të sajuar ndonjë thurje klasike subjekti, për të pasqyruar këtë gjendje dramatike, është mbështetur në një tregimtari të thjeshtë episodesh konkretë nga jeta e disa personazheve, që rastësisht në dukje, por logjikisht motivuar e realisht bindshëm, marrin drejtimin në të njëjtën pikë, ku janë varrosur kujtime, priten përjetime të përmakthshme e dramatike, përtërihen marrëdhënie të ndërprera dhe, përmes ëndërrimesh a shkëndijimesh njerëzie e jete, zbehtë si në një vegim dimëror, rrezaton një shpresë të mekur mbijetese e përtëritjeje, që autori, gjithsesi, sado që i dëshiron, nuk ka gjetur dot shkak për të qenë optimist dhe i sigurt. Fshati malor, i braktisur dhe i izoluar, dimri i egër me reshje dëbore dhe kallkan, varret e të parëve dhe mërgimtarë, të cilin nuk e lidh gjë tjetër me vendlindjen përveç kujtimit e nderimit për të vdekurit, hungërimat e lukunisë së ujqve dhe gruaja – burrë, fshikur prej ujku, ngujuar në mullirin e fshatit, e etur për gjakmarrje, si në kuptim real dhe në kuptim metaforik, duke qenë shenja ogurzeza shkëputjeje, prapakthimi, tjetërsimi dhe çnjerëzie, s’ka si të jenë ugar ku mund të hidhet fara dhe të mbijnë lulet e shpresës.

Për të përballuar këtë brendi të tendosur dramatike, pa e mbingarkuar me elementë makabër, që mund t’i gjente lehtësisht në jetë dhe pa kërkuar t’i lehtësojë punën vetes e të sugjestionojë lexuesit  me pseudofilozofinë ekzistencialiste, autori i romanit, pa iu shqitur për asnjë çast personazheve dhe konkretësisë së subjektit, me të cilin, në thelb, nuk ka asgjë të pazakontë, duke shfrytëzuar dy elementë të realitetit e të brendësisë së veprës: gruan – burrë dhe ujqit, ka mundur, duke huazuar nga përralla, të arrijë në një ndërthurje artistike, me të cilën e jashtëzakonshmja i ngjan përditshmërisë, jeta – përrallës dhe përralla – pasqyrës së kësaj jete. Destan Logu i tregon Helenës që në legjenda të vendlindjes së tij thuhej se: “kur ujku zbriste në fshat dhe me bishtin e tij prekte një a më shumë dele, këto dele të prekura, instinktivisht, si të ishin prekur nga një kod i perëndisë së deleve, merrnin rrugën drejt ujkut dhe, me dashjen e tyre, blatoheshin për ujqit”. Në kuptim më metaforik fjala “ujk” përmendet në këshillën që i jep Fatmir Pelingut një inspektor i tatimeve, kur i thotë: “Dëgjo, vëlla, këta që ishin para teje merren me tregti dhe trafik nafte, madje po thyejnë edhe embargon... Ata janë ujq. Të këshilloj, që të arrish të mbijetosh, duhet të bëhesh sa gjysma e tyre, pra, gjysmë ujk”. Bashkimi i këtyre dy anëve: i elementit përrallor dhe rrethanave që e bëjnë njeriun ujk ose gjysmëujk, i ka dhënë dorë autorit të nënvizojë, pa tendenciozitet të hapur, anormalitetin e kohës në të cilën ka vendosur ngjarjet dhe prirjet çnjerëzuese që nxit e kërkon ky anormalitet epidemik. Përndryshe, njeriut i duhet që, për të mbijetuar në xhungël, t’i bëjë sytë katër si një hetues, të jetë  i pacipë si një prostitutë dhe të vigjilojë si një i arratisur nga burgu, që nuk do të bjerë përsëri në pranga. Përballë këtij çnjerëzimi, manifestuar jo vetëm me vrasje e gjakmarrje, Bozhurja pohon me trishtim se ujqit: “shpesh janë më të mirë se njerëzit”.

Por, pa qenë nevoja t’i kujtohen lexuesit hollësitë e subjektit dhe ndërlidhjet e personazheve, me rëndësi është të vërehet, se autori i romanit, duke iu përmbajtur me mjeshtëri rolit të tregimtarit konstatues, denoncon fuqishëm, pa rënë në skepticizëm, në pesimizëm dhe, aq më pak, në hullitë e atyre, që dukuritë çnjerëzuese “i shpjegojnë” papërgjegjshmërisht me veçori të konstitucionit shpirtëror të shqiptarit e të historisë sonë kombëtare. Përkundrazi, edhe pse me gojën e Fatmir Pelingut është thënë se rruga ka për të qenë “më e gjatë se ajo e një sistemi shoqëror”, Petraq Risto, shkrimtar thellësisht humanist e atdhetar, me romanin “Një grua me Urdhrin e Ujkut” ka dëshmuar se beson te thelbi i njerëzishëm i qenies dhe i ekzistencës së njeriut, sikurse në një perspektivë, sado të largët, kur njeriu për njeriun nuk ka për të qenë më ujk.

Një lexues i vëmendshëm, që nuk e përdor letërsinë artistike si eglendi për të kaluar kohën me të cilën s’ka ç’bën tjetër, ndodhur përballë një personazhi thellësisht dramatik si Bozhurja, e cila shkel mbi vetveten për gjakmarrje (tre vëllezër të vrarë) dhe ngujohet shpellave, ku bashkëjeton me ujqit që t’u shpëtojë gjakësve, s’ka si të mos vërejë në portretin e saj lojën tragjike të dritë – hijeve të qenies njerëzore, vënë në rrethana të çnjerëzishme dhe para dilemës: “t’i dorëzohet përfundimisht Urdhrit të Ujkut, apo të gjejë e të aktivizojë forca për mbizotërimin e atyre cilësive që i japin epërsi njeriut dhe e bëjnë t’i kthehet vetvetes, si një qenie shoqërore e ndërgjegjshme.

“Ka ardhë koha e ujqve”, - thotë me dëshpërim njëri prej personazheve dhe, në shikim të parë, duket se edhe autori i romanit ka të njëjtin mendim. Por nuk është kështu. Edhe në rrethana të skajshme kacafytjesh të egra gjer në çmenduri, shkrimtari, duke bërë dallimin në mes të rrethanave shtazëruese dhe natyrës e vetëdijes shoqërore të njeriut, zbulon dhe tërthorazi bën thirrje të ndalet rrokullima. Pa shikoni: Bozhurja, që sipas konceptesh ekzistencialiste, ka zgjedhur “vetëvrasjen në lëvizje”, nuk është as përbindësh, as heroinë me të cilën mund të reklamohet gjakmarrja. Para së gjithash, ajo është viktimë rrethanash, atavizmash, mendësish dhe konceptesh për drejtësi e ndëshkim të fajtorëve në një botë padrejtësish e pafuqie të shtetit për të garantuar jetën e shtetasve. Ajo është vajza që ka aspiruar dashurinë  dhe ruan si një gjë të çmuar këtë ndjenjë që ia vrau mërgimi. Është nëna e një djali që simbolizon përtëritjen njerëzore dhe që ajo e do me të gjithë forcën e qenies së vet. Është femra që ka rrahur të dhunojë natyrën femërore, por as ka mundur, as do ta mohojë. Është gjakmarrësja e betuar, që nuk i bën zemra të shtijë mbi gjakësin e gjymtuar, që i del në shteg, përkundrazi, tmerrohet ta shikojë pré të ujqve të uritur, që i kanosen. Është njeriu që zbut ujqit. Është nëna që, kur shikon t’i shfaqet Fatmir Pelingu, me të cilin ka fëmijën, hedh prapa krahëve mëri e vrasje dhe zgjon shpresën e kthimit në jetë në emër të së ardhmes. Në rrekjen për të vrarë gjakësin, Agron Vrataj dhe në përballjen me lukuninë që do ta shqyejë këtë, merreni si ta doni kuptimin figurativ, ndjenja njerëzore ngadhënjen mbi instinktet shtazarake, gjysmë njeriu, mbi gjysmë ujkun, i qytetëruari, mbi barbarin.

Ky nuk është një “fund i lumtur” për t’u dhënë sadisfaksion amatorëve të shtuar të telenovelave. Përkundrazi, i lë çështjet e shtruara në diskutim, sepse Destan Logu – djali i mërguar dhe mishërim i shqiptarit punëtor, të virtytyshëm e të qytetëruar – zor se mund të kthehet në fshatin e braktisur. A do të mund ta përtërijnë jetën në shkretim Fatmir Pelingu, Bozhurja, i biri i tyre dhe të tjerë si ata, apo Martin Ujkaj (gjetje e goditur e autorit) do të shtrijë e forcojë pushtetin e vet, duke e ngritur, si shumë të tjerë në kohën tonë, mbi fatkeqësi e gjëma të popullit të mjerë? Duket se alternativa e fundit është më e mundshmja: njeriu-ujk, hëpërhë, nuk do t’i shporrë ujqit, jo që t’i bëjë vend njerëzisë, por për t’u bërë ai vetë ujk e kaluar ujkut. Mbase ka edhe ndonjë alternativë tjetër, por për këtë le të mendojnë vetë lexuesit dhe të presim ç’do të thotë e ardhmja, për të cilën as shkrimtari, as autori i këtyre shënimeve, nuk kanë bazë reale, shkak e niet të japin një “zgjidhje të gatshme”.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora