E hene, 29.04.2024, 03:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Qerim Raqi

E diele, 02.05.2010, 05:15 PM


Ka lindur më 22.mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në halmstad të Suedisë  ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi komparative. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”,  ”Era ” Prishtinë,, 2010. jeton përkohësisht në Varberg të Suedisë. Punon mësimdhënës.

 

 

QERIM RAQI

 

 

SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT

 

Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona

qielli do t´ mërrolet nxihet në t`ziun mot

varret do t `qohen peshë thirravajeve tona

si fantazmë Hamleti         o Zot

 

në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet

gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë

tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet

derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt

 

i akullt këtu dielli buka shumë e kripur

ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason

kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur

ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon:

 

në atdhe të vriteshim në betejë nga një plumb

a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?

 

 

PRAP KOLLI I KEQ

 

në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri

qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë

në lëkurën e ethëshme, në t´thyerën bri

prap një koll i keq me vjeshtën e vonë

 

gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet

se një natë një shekull kishte fjetur

nga ashti pikon loti rrënja mpihet

në herbarium lulëkuqja e etur

 

një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës

don të përbijë globin si një kokërr rrush

e korbi i zi flatron mbi prag të derës

gacë e m`buluar n`mes hirit me prush

 

dicka po na e zë frymën në rrënjë në farë

t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt

t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr

që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.

 

           (janar, 1992)

 

 

SIMFONIA E GJAKUT

 

kur valle e vdekjes

përfshin atdheun Prekazin

jasharajt

me breshëri plumbash

shkruajnë

alfabetin e qëndresës

vdekja bëhet lirikë gjaku

në cifteli këputen telat e durimit

njëri tel akordohet në dhembje

tjetri në krenari

gjaku ngrihet në këmbë

kacakqe jasharqe krisin krismat

isove partiturave atdheut

epika ikën nga librat fjalët

”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”

këndon Hamza

yjet zbresin poshtë

në kullën e jasharajve

këmbëkryq ulet epika vetë Shabani

legjenda nxjerr flakë nga goja

dhe hynë drejt në histori

dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien

shkrumb sofrës së atdheut

pëllumbat e gjakut

në mur epika

merr sharkinë e Hamzës

gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes

njëri tel i akorduar në krenari

tjetri në dhembje këputur

Ademi për një oktavë më lart

shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut

në flakë kënga në flakë vdekja

ndërgjegjës sonë i japin shkollë

shkruajnë me plumba në flakë

alfabetin e qëndresës

dhe këndojnë

jasharajt

kur vdesin në këmbë

vdesin bukur

lindin kur vdesin

duke kënduar

simfoninë e gjakut

 

 

FËMIJËT  E FLAKËS

 

S´dinë asgjë për Prometheun

e janë gjysmëPromethe

 

vrapojnë portave të qytetit tim të djegur

kryeneq varfënjak luajnë lojën e zjarrit

(kohë zjarri është tani)

 

 

ja si u bëka jeta në flakë

lindja si u bëka në flakë vdekja

koha ua vjedh qeshjen

 

dhe s´dinë gjë për Prometheun

 

krejt jeta në flakë në flakë vdekja 

para pragut të shtëpisë ngrin buzëqeshja

fëmijët ikin prej kohës sfidojnë të mëdhenjtë

struken thellë në prehrin e historisë

 

natës së shekullit sogje i bëjnë

 

 

VITET PA TY

 

vitet, padiktueshëm

hanë vetveten, hyjnë

në vrimën e zezë

 

universi im tkurret

në një pikë

vetmia

 

thika të dhembjes

më hyjnë në asht

kthetrat e mungesës sate

 

gati sa nuk vdes

nga malli

pëlcas

 

 

GJEOGRAFIA E MUNGESËS

 

po e fshin vetveten nga harta, e dashur

lumin po ndal, burimit

ia mbyll derdhjen

 

po e gërryen dheun nën këmbë

rrëshqitja jonë shtratin si po e shtron

dalëngadalë fundos Kepin

e Shpresës së Mirë

 

po e fshin

nga harta ime, vetveten

e dashur po më del nga kufinjtë

 

përtej mallit po më rrëshqet

gropëzave të zhgënjimit

po merr thua,

gjak po më merr në krua

 

e dashur

po fshin vetvetën

nga harta gjeografinë tonë

 

 

NË SYTË E TU

 

në sytë e tu

kam lexuar më shumë

se në tërë letërsinë botërore

 

në shpirtin tënd

luftrat e të gjitha luftërave

i kam ndjerë

 

në heshtjen tënde

të gjitha heshtjet e botës

kanë rënë si perandorët

 

në fjalën tënde

të gjitha shpresat…

 

 

ALFABETI I SHPIRTIT

 

po t´i lë të gjitha, e dashur

ja ku i ke

të gjitha

fletët, librin, lapsin,

ditët

gjithcka

që shkruhet dhe më shkruan

merri e lexo në mua

ja gjuha ime,

shkronjat e lodhura

shpirtit tim lexo

hieroglifet, alfabetin tim

më lexo e dashur

merr sytë e së vërtetës

vendosi në zemër lexo hapur

nga e majta në të djathtë

nga e djathëta në të majtë

v

e

r

t

i

k

a

l

i

sh

t

më bëjë fjalë-kryq

më shumëzo në katror fjalën

e shpirtin, gjeometrinë time

jam faqe libri, kapitull i vjedhur

fytyrës sate, syve të tu

ja ku më ke, të tërin

shtypur në shenja, pergamenë

nëse di të lexosh shpirtin tim

dhe më gjyko pastaj pa fjalë

lexo në daq digje gjuhën time

alfabetin tim kapitull i grisur

i prozës sime absurde

dhe më gjyko…

 

 

DITA E GJYKIMIT

 

po ekspandon

a po tkurret

universi?

 

kohëhapësira

në vezën e vet kozmike

 

shkojmë para a prapa

në tkurrje a expansion?

 

me hapa gaforresh

në guacën tonë

a me shpejtësi drite

në shpërbërje?

 

do takohemi të gjithë

në një pikë vlimi

në vrimën e zezë

Ditën e Gjykimit

 

Po ekspandon

a po tkurret

Universi im?

 

 

PUTHJA E JUDËS

 

merreni

ja ku e keni

prejani kryet mashtrimit

këputjani kryet Pilatëve e Mojsiut

 

prejani

me sharrë dhëmbët kafshimit

tradhëtisë ngulni thikat

kopilave të mohimit

jepni helm

 

hudhjani qenëve

kockat e tradhëtisë

kuajve të harlisur të Judës

prejani trojat

 

shurdhoni trokun

kobit e Korbit

të Alan Poe-së

qiellit të përflakur tokës së djegur

hidhni farën jepni gji e gjak

pëllumbave pelikanë

a Feniks bëhuni

të gjakut



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora