E shtune, 03.05.2025, 08:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: “Pesë yje mbi mjerim”

E enjte, 29.04.2010, 09:58 PM


“Pesë yje mbi mjerim”

 

Shkrimtari Kujtim Dashi në një vëllim të ri me tregime e novela                                

 

Nga Kujtim Mateli

 

            Vëllimi me tregime dhe novela “Pesë yje mbi mjerim”, dalë në qarkullim kohët e fundit, shënon një arritje të re dhe e vendos autorin, prozatorin e njohur Kujtim Dashi, midis atyre autorëve që i kanë sjellë vlera dhe risi letërsisë bashkëkohore shqiptare. Shkrimtari ka pasqyruar me realizëm jetën shoqërore duke e sjellë të djeshmen, por edhe realitetin e sotëm pa zbukurime artificiale, duke i dhënë me personazhet e veta frymëmarrje dhe një përmasë të re letërsisë sonë. Njëherazi proza e tij gjykoj se është edhe një pikë referimi për krijuesit e rinj  që lëvrojnë gjininë e tregimit, për ta bërë letërsinë dhe artin shprehës të botës shpirtërore të  asaj pjese të shoqërisë së cilës i përket.               

             Arti bëhet i pavdekshëm, kur paraqet me realizëm periudhën së cilës i drejtohesh. 
             Kujtim Dashi u ka dhuruar lexuesve deri tani këto vëllime me tregime e novela:
 “Edhe një gotë Filipit”, “Viktima hyjni”, “Aktor i pafat”,“Jetë e tymosur”,“Ritual” 
  “Në muajin e nëntë” tregime dhe novela të zgjedhura. Dhe tani së fundi vëllimi i spikatur “Pesë yje mbi mjerim”.
Po të një vlere dhe të një rëndësie të veçantë paraqesin për lexuesin edhe vëllimet humoristike: “Histori gazmore nga Lezha” në tre vëllime.

Ka botuar pesë antologji poetike, monografi, fjalor enciklopedik për rrethin e Lezhës etj. 
          Vëllimi me tregime e novela “Pesë yje mbi mjerim“, në aperturë të të cilit është vënë maksima e njohur “Hall me rrnue e gjyq me (v)dekë”, është i ndarë në dy cikle, praktikë që e ndeshim tek ky autor edhe në vëllimin tjetër të tij “Në muajin e nëntë…” (Ombra GVG, 2006). Pjesa e parë është titulluar: ”Kohë bishtdhelepër” ndërsa pjesa e dytë: “Dita e Mirënjohjes dhe e Mosmirënjohjes” 
          Që në kopertinën e librit ne lexojmë mesazhin që autori kërkon të përcjellë në 19 tregimet e novelat e librit. Në një fshat të Tiranës, në një barakë, i zoti i saj ka vendosur pesë yje. Mjerimit në të cilin jeton i ka bërë një marketing bashkëkohor, si yjet ose mballomat propagandistike të pushtetarëve të sotëm, të cilët s’e ulin qoftë edhe njëherë të vetme vendin tonë nga vendi i parë në…planet sa i përket treguesve të zhvillimit. Është pikërisht kjo kohë e mbarsur me absurditete dhe një pjesë e mjediseve të tilla “pesëyjshe”, ku autori na kumton se do të veprojnë personazhet e tij.
Po ata janë të shtrirë më gjerë në kohë dhe hapësirë. Autori na jep absurditetin në të cilën do të ndodhen personazhet e këtij vëllimi, duke përdorur mjeshtërisht humorin e hollë dhe ironinë.

Në ciklin ”Kohë bishtdhelpër”, te tregimi “Dy herë dyzet e pesë vjeç”, autori na jep portretin e një drejtuesi të regjimit komunist, që për të ruajtur vendin e tij të punës si drejtues i rëndësishëm i një rrethi, me dyfytyrësinë e tij bëhet qesharak në sytë e cilitdo, duke e lënë veten të tregohen anekdota për të, mjaft që ministri me rrethin e tij shoqëror të kënaqen duke dëgjuar gjëra nga më absurdet. Andon Dardha, personazhi i këtij tregimi, degradohet më tej dhe personaliteti i tij vjen duke u rrënuar, kur, duke qenë një nomenklaturë e dyfishtë, për t`u plotësuar hatërmbetjet e eprorëve të vet, në rrethin ku punonte, detyrohet të organizojë bollëkshëm një ditëlindje të dytë, domethënë të përsëritë pas një jave atë që kishte bërë me ministrin e tarafin e tij prej nga varej. Ky tregim dëshmon artistikisht se si njerëzit pa personalitet dhe grotesk arrinin të mbijetonin në shoqërinë e kohës komuniste në sajë të servilizmit të tyre. Andon Dardha me një jetë si luledielli që sjell kokën gjithnjë nga shefi më i madh është skalitur me mjeshtëri nga autori . Është tipi i njeriut që prodhoi dhe klonoi shoqëria e kohës. Apeli i autorit është ende aktual. Që një shoqëri të ecë e të përparojë, duhet të prodhojë sa më pak Andon Dardha. Andon Dardhat e atrofizojnë  shoqërinë. 
            Tek tregimi tjetër “Rënia e firmave piramidale financiare në Romë” jepet gjendja e shoqërisë shqiptare pas vitit `97. Edhe pse kemi të bëjmë me një grup turistësh shqiptarë “me bukë me vete”, që shkojnë në Romë për një vizitë turistike, ata bartin dhe janë të mbërthyer nga një problematikë e mprehtë shqetësimesh në të cilën është e përfshirë e gjithë shoqëria shqiptare. Duke qenë një gjetje origjinale nga ana kompozicionale, autori e fryn dhe e fryn “kacekun” e këtyre travajeve sociale, që “udhëtojnë” rrugëve plot shkëlqim te kryeqytetit italian, për ta shfryrë në fund të tregimit, duke hequr një paralele me fatnjëjtët e tyre që kanë lënë në atdhe. Ja një bisedë që bëhet midis grupit të turistëve duke na treguar kotësinë e viteve të kaluara dhe dramacitetin që u përjetua kjo periudhë që u solli shqiptarëve mjaft fatkeqsi. Me një ndienjë të hollë humori përcillet skena që e kishte përjetuar vetë njëri prej turistëve, pikërisht Kismet Mihali: “Pas falimentimit të firmave piramidale, njëra prej tyre u tha depozituesve të vet, se nuk kishte lekë që t`ju jepte, por do t`i kompesonte duke u dhënë gjëra të tjera, a si i thonë sot, asete. Të gjitha kërkesat e para ishin për shtëpi... Shkon një burrë tullac dhe, ndryshe nga të tjerët, çuditërisht, kërkon që t`i mbjellin flokët në kokë. “Shënoji shtëpi edhe këtij,-i thotë shefi sekretares. “
Po unë nuk dua shtëpi, kërkova lesh….,ia kthen burri, si me i thanë, ta zëmë Kismet Mihali ynë. “Po pse këta të tjerët, ç`kujton se do marrin? Zonja e zotërinj, ju vetviktima të firmave piramidale financiare, a e dini se çfarë do të merrni? Lesh do të merrni,Leeesh!” (fq 53)
           Tregimi ”Borgjez, bile mikroborgjez”, i cili, sipas mendimit tim, është ndër më të arrirët e librit. Këtu na jepet puna fiktive që bënin disa drejtues të zonave të thella të vendit, të cilët punonin vetëm për të bërë një paraqitje sa më të mirë para shefave të tyre. Këta njerëz, duke e quajtur veten si të parët e vendit, remnishentë me kanunin në një shoqëri të re, nuk e kishin për hiçgjë të konfliktoheshin me njerëzit e thjeshtë, veçse ky konflikt medemek shkaktohej për qëllime e interesa të mëdha të zhvillimit e emancipimit të njerëzve. K. Dashi njohës i mirë i këtyre mjediseve e njerëzve, nga njëra anë zbulon falsitetin dhe paditurinë, hiletë e kamufluara me slogane të kohës të këtyre drejtuesve dhe, nga ana tjetër, me realizëm, pa teprime jep syçeltësinë dhe shpirtin e kundërshtimit e të protestës te njeriu i thjeshtë e punëtor. Me këtë sikur do të t’i japë një mësim ca politikanëve e ndonjë analisti të parablerë në ankandin politiko-mediatik, se populli ynë nuk ka qenë raja, siç dhe duan ta paraqesin ca. Edhe ky tip njeriu është skalitur me mjeshtëri nga autori. Sharja e beftë “Borgjez, bile mikroborgjez”, që drejtuesi i bën punëtorit, është mjaft sinjifikativ për të treguar injorancën dhe prepotencën e tij.
           Me realizëm dhe emocion përcillet dhe tregimi “Shakara zyrtarësh” ku stigmatizohet me tone ironike e shpesh herë sarkastike shefi në dikasterin N. që shikon se si të mbushë me pare xhepat e tij në dëm të shtetit dhe të gjithë shoqërisë. Një nga këta zyrtarë  i pas viteve nëntëdhjetë, është edhe Loredan Leskoviku, tipi i njeriut që kërkon që vartësit e tij të jenë indiferent për ato çfarë bën ai në këtë dikaster. Deviza e tij është “bjer shi vetëm në bahçen time”. Në antitezë me të është dhënë bashkëstudenti, i cili jo vetëm nuk e shet shpirtin dhe karakterin e tij, duke mbetur një njeri i ndershëm, por dhe përtall pamëshirshëm ish-shokun e tij.
          Me të njëjtat tone ironike e sarkastike, autori te tregimi “Të lindësh 31 vjeç” na paraqet një dukuri negative të pas viteve 90-të, siç ishte rasti i atyre personave që kishin bashkëpunuar në diktaturë me sigurimin e shtetit për dënimin e njerëzve të pafajshëm, po që nuk u ndëshkuan as në këtë periudhë. I tillë ishte edhe Arshi Stani, i cili iu kacavir pushtetit dhe nuk ndiente asnjë lloj përgjegjësie për atë që kishte bërë dikur. Ishte rehatuar në një institucion të rëndësishëm të shtetit dhe jepte kontributin e tij në zgjatjen e pambarimtë të serialit të hapje-mbylljeve të dosjeve. I përkundërt me të është Avenir Gurabardhi, intelektual i njohur dhe me reputacion, i cili gëzohej për suksesin që arrinin të tjerët sikur të ishte një arritje e tij. Ai asnjëherë nuk u mburr për veten e vet.
Po këto veti të mira të tij u nëpërkëmbën dhe një ditë e gjeti veten në radhët e të papunëve. Po asnjëherë nuk iu drejtua dikujt që ta ndihmonte për nderin që mund t`i kishte bërë; s’kërkonte haraçe. Tani ishte bërë “kulaku i demokracisë”. Pushtetit i ishin kacavjerë  njerëz që gjithnjë në jetë nuk kishin bërë gjë tjetër veç kacavjerrjes. Kësisoj dhe të kaluarën e tyre e duan të qëruar, tabula rasa.
          Novela ”Ejani, mblidhuni, pseudonimet e mia” padyshim është më të arrirat e këtij vëllimi dhe një kontribut në novelistikën tonë. Me një gjetje krejt origjinale, me një stil të gjallë e dinamik autori, një gazetar i paraviteve ’90, përfshihet në një dialog të sinqertë e filozofik me pseudonimet, që i është dashur të përdorte në sistemin monist. Me shkrepjen e demokracisë kishte pandehur se do të ndahesh prej tyre, do t’i muzeonte, po nuk ndodh ashtu. Deformimet që pësoi dhe vazhdon të pësojë demokracia, e shtrëngojnë që t’i rikthejë disa nga këto pseudonime, madje të krijojë edhe të reja. Novela është një sintezë historiko-artistike e dy periudhave duke u fokusuar kryesisht në kapërcyell të tyre. Autori dënon dhunën e egër së cilës nuk i shpëtuan  as ata që kishin ngritur një mal me veprën e tyre. Nuk i shpëtoi as Tomorri i Poezisë. Ja një copëz nga jeta reale e pas viteve `97,që  tregon se si u dhunua
Mali i Poezisë Shqiptare, për arsyen e vetme se nuk dinte të mposhtej: “Kështu e kanë shpëtuar edhe Tomorrin e Poezisë, siç kam dëshirë t`i them atij Poeti, kur desh e vranë mu në mes të kryeqytetit, ca banditë të porositur. “Ej, njerëz, po vrasin poetin, po vrasin!....- qe shtrënguar t`u drejtohej kalimtarëve të rastit me një thirrje rrënqethëse lorkiane, të cilët më pas e kishin njohur menjëherë Tomorin e Poezisë që atëbotë i ishte kundërvënë hapur Njeriut të shpresës së bjerrun dhe, si i fundmi ilegal i këtij vendi në fundmijëvjeçarin e dytë, pasi ua kishin hequr prej duarsh banditëve, e kishin shoqëruar portë më portë, derisa kishte mbërritur në shtëpi të vet…. Hematomat në trupin e tij ende më shfaqen para syve, si klithma syçeltësie, që të mos i ngrijë në buzë popullit tim buzëqeshja” (fq.81). Njeriu i shpresës së bjerrun, një personazh që ndeshet jo vetëm në këtë novelë, në vështrim të parë të duket episodik, madje herë-herë mungojnë edhe elementët individualë të tipizimit, po ai është i pranishëm kudo, dominant. Ai përfaqëson udhëheqsinë shqiptare të tranzicionit të pasegmentarizuar shqiptar, po lexuesi nuk e ka të vështirë të nënkuptojë se për cilin bëhet fjalë. Në librat e mëparshëm të këtij prozatori të talentuar që trajton me kurajo temën bashkëkohore, këtë tip e kishim ndeshur me paradigmën Njeriu i shpresës, ndërsa tanimë Njeriu i shpresës së bjerrun
             Edhe tregimet “49 M²Liri” dhe “R(r)asa e re: Hiç solidaritet” na tregojnë se si autori ka depërtuar në botën e çdo personazhi dhe duke vënë në spikamë dramat dhe plagët që shkakton realiteti i kohës, e drejton njeriun drejt dinjitetit njerëzor, duke u ngritur mbi absurdin dhe duke i hapur udhën progresit.

             Në këto tregime dhe novela, prozatori  Kujtim Dashi,  kërkon ta paraqesë realitetin ashtu sikundër është, jashtë zbukurimeve të panevojshme, fenomenet që e shqetësojnë shoqërinë i shikon në një këndvështrim të ri dhe kërkon që jeta të jetohet në mënyrë dinjitoze jashtë çdo artificialiteti.
            Në ciklin e dytë të këtij vëllimi “Dita e Mirënjohjes dhe e Mosmirënjohjes”
me mjeshtëri të veçantë janë ndërthuruar episode të ndryshme në funksion të asaj që kërkon të kumtojë autori për lexuesit e vet. Çdo  tregim është i mbushur me përshkrime artistike të ndërthurura bukur,  mesazhet që përcjell e bëjnë njeriun që ta dojë jetën duke e drejtuar në shtigje shprese dhe besimi.  Syri i tij vrojton thellë deri në në çdo qelizë të shpirtit njerëzor, e shikon atë që vetëm një shkrimtar i talentuar mund ta vëzhgojë.
           Tregimi  “Rrotulla e litarit” na paraqet personazhe me botë të pasur shpirtërore, që mund të vënë në rrezik edhe veten, vetëm për t`i dalë në mbrojtje dikujt. Kjo shpirtbardhësi mishërohet në figurën e Omer Shkrelit. Ai, një shitës me dinjitet e ndershmëri të lartë e mbron grabitësin e vet duke gjykuar se ajo ishte një grabitje e rastësishme dhe njeriu nuk duhet t`i verë shkelmin tjetrit në momente të vështira. Këtë e kishin vënë re edhe të tjerë. Bile edhe sekretari i partisë së punës i cili kishte shpallur zbulimin e tij se “Vërtet ne i zhdukëm kishat e xhamiat, po Omer Shkreli e ka xhaminë ja, mu këtu në zemër, ndaj lufta jonë do të jetë e gjatë dhe e përditëshme”. (fq. 117)
           Siç është nënvizuar edhe tregimet e këtij libri ngjajnë si kapitujt e një romani me theks të dukshëm social e me kumte të drejtëpërdrejta. Te “Tufa me telegrame” kemi dy personazhe të përkundërt brenda së njëjtës familje. I tillë është Martin Oboti. Njeriu që kërkon të sakrifikohet për të tjerët se aty gjen kuptimin e jetës. Jeta nuk do të kishte kuptim sikur gjithsekush të mblidhej brenda guaskës së interesave të veta. Pse kemi shtrirë krahët te njëri-tjetri me përkushtimin për t`i bërë mirë aq sa mundemi, shoqëria njerëzore bëhet më e bukur dhe më e mirë. Egoizmi dhe gjithçka tjetër që lidhet me të, bën që njeriu të rrokulliset në të tatëpjetën e fatit dhe të mos ketë kë kush t`i drejtojë dorën për t`u ringritur përsëri. Martin Oboti, si roje e shkollës, është mishërimi i njeriut human. Ai kujdesej deri në detaje për nxënësit e tij dhe ata nuk e harruan asnjëherë. I përkundët me të është i biri, që autori e quan djali-shef, djali-shef i Martin Obotit, që kërkon të përfitojë e të mjelë nga dashuria e respekti që kanë mbarë qyteti për Martin Obotin, madje djali-shef tenton ta nxjerrë edhe vdekjen e babait në tregun meskin të kredibilitetit të tij.                                                                                                                  Tipar karakteritik i prozës së K. Dashit janë thekset aktuale edhe në temat e së shkuarës, çka buron nga tharmet universale që qëmton nga jeta e përditshmëria. Kësisoj
“Lenini-udhëheqës i madh i proletariatit botëror” na shpie në vitet e diktaturës ku personaliteti i njeriut nëpërkëmbej, nëse dikush kishte dëshirën dhe mundësinë për ta bërë këtë. Kështu u
burgos Fritz P. pse luajti letra bixhozi për një javë rresht. Për këtë shkoi atje në Universitet, jo pak, por për katër vjet. Tregimi na jep disa skena të burgut ku vuante dënimin Fritz. P. me humor të hollë duke damkosur hipokrizinë e regjimit komunist që nuk i dhimbsej aspak njeriu. Pas burgut, edhe pse i pafajshëm, i ra hije e zezë e ndëshkimit sa që nuk mund të shkonte dot të takonte dhe të afërmit e vet.
           Edhe tregimet e tjera të këtij vëllimi do të jenë për lexuesin oazi i qetësisë së tij shpirtërore.
           Duke lexuar tregimet e novelat e këtij vëllimi (ne vetëm sa përvijuam disa) shikon se me sa mjeshtëri shkrimtari Kujtim Dashi e krijon personazhin e vet. Ata karakterizohen nga humori i hollë që e bën të dallueshëm nga krijuesit e tjerë. Ata janë të papërsëritshëm, edhe kur veprojnë në të njëjtat situata. Situatat absurde të një realiteti absurd nuk i mposhtën heronjtë e K. Dashit. Ata janë ngulitur në kujtesën e secilit lexues dhe e ndien se edhe vetë ka qenë njëfarësoj pjesë e situatave të tilla dhe kujton se si ka rënë në vorbullën e tyre apo u ke shpëtuar falë ndonjë mrekullie që i ka ardhur jashtë qënies së vet. Lexuesi e ndien se një herë në jetën e tij i ka kaluar kësaj gremine ku mund të rrëzohej. Drithërohet kur kujton se mundi të shpëtojë apo rrënqethet kur kujton se u rrëzua bri tyre dhe nuk mundi të ngrihej. Proza e Kujtim Dashit është vetë jeta njerëzore.

 

 

Opinione për prozën e autorit         

 

 

Ndoc Gjetja: “Tregimet e novelat e Kujtim Dashit janë dëshmi autentike artistike të realitetit shqiptar në këto dekadat e fundit, me tërë shumëanshmërinë, me tragjizmin e absurdin e tij.”                                                                               

Perikli Jorgoni: “Gjëja e parë që të bën përshtypje, pasi ke lexuar me endje librin me tregime të shkrimtarit Kujtim Dashi, është aftësia e rrallë për të krijuar personazhin.”

Visar Zhiti: “Tregimtari Kujtim Dashi i beson shumë realitetit. Fantazia e jetës është më e madhja dhe për të…Ironia është dukuri e letërsisë bashkëkohore, si e tillë ajo fërgëllon dhe në këtë libër.”

Ndue Dedaj: “Tregimet e këtij libri ngjajnë si kapitujt e një romani me theks të dukshëm social, me kumte të drejtpërdrejta.”

Dr. Selami Tabaku: “Ndër tiparet dalluese të shkrimtarit Kujtim Dashi janë gjetjet interesante dhe origjinale, ku spikat shumëllojshmëria e detajeve funksionale dhe, shpesh, metaforat e simbolet.”

Muharrem Xhaxho: “Tregimet e Kujtim Dashit priren nga optika e një realiteti ndryshe. Në këtë realitet jetësor ai gjen bërthamën shpirtërore të përveçësuar, por edhe si shumësi.”

Halil Jaçellari: “Libri “Në muajin e nëntë…” është shkruar me një forcë përfytyrimi të tillë, sa do t’ia kishte zili çdo shkrimtar.”

Mark Simoni: “Jo rrallë tek vepra e Kujtim Dashit vihet re një ngut. Ai insiston sa më shpejt që të ngrijë ngjarje reale e njerëzore sa akoma ato nuk janë harruar e fundosur njëherë e përgjithmonë në moskujtesë.”

Sherif Bali: “Mjaft nga tregimet e Kujtim Dashit do t’i rendisja ndër prozat më të arrira të letërsisë sonë në këto dekadat e fundit; ato janë tregime antologjike…”

Pano Taçi: “Kujtim Dashi është një zë i veçantë dhe interesant në prozën tonë, ndaj gjykoj që kritika dhe studiuesit e letërsisë, me siguri, do t’i kushtojnë vëmendjen e duhur. Sikur të ekzistonte mundësia, mjaft nga prozat e tij do t’i ekranizoheshin a inskenoheshin, si “Drektari i morteve”, “Ejani, mblidhuni, pseudonimet e mia!”, “Aktori i pafat”, “Erdhi, erdhi telekronisti” etj.

Ilinden Spasse: “Proza e Kujtim Dashit është gjithë limfë jete, moderne, me gjetje origjinale, me tipa e karaktere që të mbeten të pashlyeshëm në kujtesë dhe me një humor të këndshëm e funksional”.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx