E shtune, 03.05.2025, 08:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Shaban Sinani: ''Purpures Divina''

E enjte, 29.04.2010, 08:52 PM


“PURPUREUS DIVINA”

 

Nga Shaban Sinani

 

Që shkrimtari, eseisti dhe studiuesi Luan Rama, në librin e tij të më të ri merret me të purpurtën, historinë se si kjo “ngjyrë hyjnore” u shfaq dhe formoi epokë, një epokë që ndoshta tejkalon lavdinë e shumë e shumë sprovave të dy shekujve të fundmë në artin e imazhit, nuk ka asgjë të papritur. Së pari sepse prej vitesh Luan Rama shkruan libra që kanë të bëjnë me të fshehtat e botës shqiptare që gjenden në biblioteka dhe arkiva të Perëndimit. Këtë ai e ka arritur përmes disa veprave, prej “Krushqi të largëta” deri tek “Santa Quaranta”, për të përmendur vetëm dy prej tyre. Por me të purpurtën autorin e këtij libri e lidh edhe një ndihmesë e drejtpërdrejtë: përgatitja dhe regjistrimi i dy kodikëve të purpurt që ruhen në Shqipëri në programin “Mémoire du Monde” të Unesco-s, një ngjarje që ka për të mbetur në kalendarin historik të kulturës shqiptare, sepse për herë të parë, me pranimin e këtyre dy kodikëve, Shqipëria e shenjoi veten midis vendeve dhe kombeve që jo vetëm kanë pranuar, por edhe kanë dhënë, sepse kanë pasur për të dhënë, në thesarin e kryevlerave të njerëzimit. Në vitet 2004-2005, kur disa nënkomisione e komisione të specializuara të organizatës më të madhe botërore të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore: oponentë, recensues, relatorë, deri tek asambleja e përgjithshme e saj, u morën e u rimorën me vlerësimin formal e përmbajtësor të dy kodikëve të purpurt - pasuri e arkivave të Shqipërisë, Luan Rama qe jo vetëm një diplomat që mori të gjitha përgjegjësitë, por dhe një lehtësues (facilitateur) e këshillues me formim të shëndetshëm intelektual.

“Purpureus”, që është titulli i këtij libri, është gjithashtu një kryefjalë e historisë së krishterimit, e historisë së shkrimeve të shenjta, e fillimeve të letërsisë ungjillore dhe e kohës së kodifikimit të tyre. Historia e së purpurtës është histori e një prej lukseve përjashtimorë të aristokracisë së antikitetit, të periudhës në kapërcyell prej lashtësisë në krishterimin e fshehtë, të forcimit dhe konfirmimit të ungjijve të Krishtit. Si e përshkruan autori i librit, ngjyra metropolitane që sundoi për disa shekuj me radhë botën e shkrimeve, laike e fetare: “purpureus” (lat.), porphyra (gr.), “purpul” (anglishte e vjetër), e ka të lidhur historinë e saj edhe me trojet e popullsisë protoshqiptare, të paktën për katër shekuj me radhë, prej se u shkrua “Codex Purpureus Beratinus F 043” deri në shekullin e 9-të, kur përfundoi së shkruari “Codex Aureus Antimi”.

Autori i njohur latin i “carmine imperiale” Optaziano Porfirio, që herë-herë cilësohet si “i fundmi i së purpurtës perandorake dhe i pari i së purpurtës hyjnore” - në poezitë e tij gjendet kripti i “monogramit të Krishtit”, jo rastësisht e kishte këtë mbiemër. Shqipja jonë duket se e ka ruajtur këtë fjalë edhe prej një burimi gjuhësor satem, sikurse dëshmohet në fjalën e bukur “farfuri”, sende të çmuara, të kristalta, të shkëlqimta, që farfurijnë dhe ndriçojnë mjediset njerëzore.

Pjesa lindore e Mesdheut, që ia përcolli ndriçimin e vetëtimtë valë-valë vetvetes: nga një kulturë në tjetrën, nga një gjuhë në tjetrën, nga një shkrim në tjetrin dhe nga një popull në tjetrin - prej grekëve të vjetër tek romakët, prej hebrenjve tek grekët, prej egjiptianëve tek hebrenjtë, prej persëve e shumerëve te popujt paleoballkanas, pati privilegjin epokal të krijimit të bazave të eurokulturës, që, sikurse përshkruhet në “Traité de Lisbonne” (2007), mbështetet fort në vlerat themelore të judeokrishterimit. Qytetërimi i sotëm europian e nis konvergjencën e vet prej kësaj kohe të lashtë e prej këtij rajoni të qëmoçëm, ku dëshmohen jo vetëm historikisht, por dhe me një rol parësor kulturor, edhe ilirët, të cilët pikërisht në këtë kohë të incizimit të identitetit kulturor europian kanë rol prej protagonisti.

Luan Rama me këtë libër rrethon si argument një prej sekreteve më të sekretuara të shkrimeve të këtyre periudhave: të purpurtën. E prodhuar vetëm me ngjyrues natyrorë, kërmij deti të tretur në vaj ulliri (pjesa tjetër e sekretit mbetet po aq e fshehtë edhe në kohët moderne, kur teknologjia ka arritur të deshifrojë edhe formulat më të ndërlikuara të përbërësve kimikë të botës së gjallë e të vdekur), e purpurta shfaqet e ruajtur me të njëjtën madhështi e shkëlqim edhe pas afro dy mijëvjeçarëve në dorëshkrimet kishtare. Edhe kodiku ynë më i hershëm, “Codex Purpureus Beratinus”, deri në vitin 1885, sipas P. Batiffol-it, të paktën prej fletës së 7-të e në vijim, ishte gjithashtu i ruajtur fort mirë.

I nisur prej së përgjithshmes, së purpurtës, duket qartë se autori qëllim kryesor ka pasur të arrijë tek ajo që e bën botën iliro-shqiptare të hyjë në histori. Përshkruan dy kodikët e Beratit dhe rrugën si ato u shenjuan në “Kujtesën e Botës”; zbulon udhëtimin e P. Batiffol-it në mitropolinë e Beratit dhe ndërlikimet që e pritën derisa iu dhanë - në çastin e fundmë dhe për fare pak kohë - ungjijtë më të vjetër, midis të cilëve dhe një të shekullit të katërt, i hershëm sa “Codex Vaticana B”, që sot fatkeqësisht nuk ruhet më; pahëson si shqetësim shkencor mungesën e të dhënave për ekzistencën e një “manastiri të Theologut” në Berat ku thuhet se janë ruajtur në krye të herës “dy ungjijtë e shenjtë” (faltore që tashmë mund të identifikohet me një manastir të vogël që gjendej në këtë qytet në kufijtë e dy mijëvjeçarëve dhe që i ishte kushtuar emrit të Shën Gjon Ungjilltarit); u rikthehet diskutimeve për mundësinë që shkrimi i dorës i njërit prej “katërë dottorëve” të kishës së shenjtë Shën Gjon Gojartit (St. John Chrysostome) të ketë qenë kaligrafi origjinale e njërit prej ungjijve më të vjetër të Shqipërisë; rendit e sistemon argumente historike dhe kishtare për të provuar se udhëtimi i Shën Palit ndoqi via Egnatia-n dhe e përshkoi - jo e preku - Illyricum-in e lashtë; përforcon argumentet që toponomastika historike e shkrimeve ungjillore nënkupton qytetet e faqes perëndimore të Ballkaneve dhe jo të njëjtën që përsëritet në faqen lindore në brigjet e Detit të Zi (Apolonia, Nikopolis); hyn në historinë e përkthimeve ungjillore kanonike (hermeneutica sacra) prej hebraishtes në greqisht dhe prej greqishtes në latinisht (nga “Penteteuche” tek “Septuaginta” dhe prej këndej tek “La Vulgata”) duke pasur si qëllim themelor ndriçimin e personalitetit të Shën Jeronimit të Stridonit ilir - i mbiquajtur “shenjt mbrojtës i përkthimit”; kthen vëmendjen tek njëri prej etërve të historisë së krishterimit Flavius Joseph, në një prej veprave të të cilit (“Jewish war”) përmendet edhe mbrojtja dhe strehimi i hebrenjve robër të perandorisë romake në viset bregdetare të Illyricum-it; kërkon në kronikat kishtare dhe njëson të dhënat për praninë e ipeshkvinjve ilirë në koncilet më të hershme, në koncilet që morën vendime të tilla që edhe sot kanë virtyt veprimi; duke provuar me shumë dëshmi se parashqiptarët nuk qenë thjesht dëshmitarë të privilegjuar të lindjes së kohës së re, të epokës së krishterimit, por gjithashtu ndër faktorët parësorë të periudhës apostolike, një privilegj kulturor që fare pak popuj e kanë prekur. Të gjitha këto marrin një rëndësi jo vetëm kulturore, por edhe historike, sepse, sikurse dihet, në mënyrën si është shkruar tradicionalisht historia e Shqipërisë, pjesa e historisë fetare është vlerësuar ose e tepërt, ose reaksionare; dhe pikërisht kjo sjellje ka bërë që e quajtura “heshtje historike e ilirëve” të rezultojë shumë më frikësuese se sa është në të vërtetë. Shtimi i botimeve për ilirët në krishterimin e hershëm dhe për historinë kishtare të bijve të tyre prej shekullit të 6-të e në vijim po mundëson ndërtimin e një kalendari me referenca që i bëjnë ata të pranishëm në histori. Jo thjesht për qëllime pragmatiste kombëtare, por për të respektuar karakterin e vetë periudhës historike, kur kufijtë e perandorive dhe të mbretërive i zunë kufijtë e provincave kishtare (edhe vetë perandoria romake u nda dhe i perëndoi shkëlqimi), është me vend që historia e popullit shqiptar të jetë më bujare ndaj fakteve të kronikës kishtare.

Të gjitha këto autori i librit i vendos në atë kontekst historik dhe kulturor që përcaktoi dhe kushtëzoi tipologjinë e qytetërimit europian, duke shtjelluar tezën se iliro-shqiptarët qenë aktorë të këtij kapërcyelli vendimtar për fatet e botës gjatë dy mijëvjeçarëve me radhë. Pjesë e këtij konteksti janë kërkimet e autorit për historinë dhe përmbajtjen e dorëshkrimeve të Kumranit, që kanë hapur rrugë debati për një interpretim të ri të pjesës kronikale të historisë së krishterimit; për ungjijtë apokrifë dhe për ungjijtë gnostikë; për rrugën e vështirë të kanonizimit të shkrimeve ungjillore dhe për skizmat e njëpasnjëshme që penguan mëkëmbjen e kishës së Krishtit; për historinë si u shkrua dhe pse nuk njihen kishëtarisht ungjilli i Maria Madalenës dhe ungjilli i Judës (katër parimet e pranimit të një teksti si kanonik janë: origjina apostolike, pranimi i përgjithshëm - “universal acceptance” - përdorimi liturgjik dhe kumti i qendrueshëm - “consistent message”); për mundësinë e trashëgimit të Krishtit mbret në vijë horizontale (“Josephius Christi fratelius”); për scriptoria-t dhe scrib-ët që e shndërruan lajmin e mirë nga ligjërimi gojor në ligjërim të shkruar dhe u dhanë mundësi pasardhësve të bënin kodifikimin e tyre, duke ndjekur thuajse të njëjtat parime filologjike si ato të shkollës aleksandrine, së cilës njerëzimi i njeh nderimin që shpëtoi nga humbja letërsinë antike greke; për misterin e kumtit të gjymtuar të shënimit të papirusit që shenjonte raportet e Krishtit me Maria Madalenën dhe shkaqet e zhdukjes së fjalëve të grisura (“E shoqja …. Maria Magdala …. më shumë …. dishepuj …. e puthi atë …. në ….”; shprehje që specialistët e tekstologjisë kritike e çkriptojnë pak a shumë në formën: “E shoqja, që ishte Maria Madalena, dallohej më shumë ndër dishepujt e tjerë; Jesui e puthi atë si përherë në buzë”); për fatin e paqartë të Juda Iscariot-it, që kronikat kishtare e dëshmojnë si misionar të krishterimit në Dardani, tradhtar dhe shenjt njëherësh; për lindjen e Vulgatës së Shën Jeronimit (Shën Gjerit, sikurse njihet në ligjërimin popullor shqip) dhe këshillimin e tij me rabinët hebrenj për përkthimin e shkrimeve të shenjta; për filozofinë dhe teozofinë e një tjetri prej “të katër dottorëve” (P. Bogdani) të kishës së Zotit Shën Agostinit, prej të cilit historia e letërsisë ka trashëguar gjithashtu një teori estetike të sistemuar; për vendin e shkrimeve të iluminuara në historinë e letërsisë ungjillore dhe për shumë çështje të tjera, që kanë të bëjnë jo vetëm me iliro-shqiptarët dhe lidhjet e tyre me krishterimin, por edhe me një pamje të përgjithshme enciklopedike mbi rrjedhën zotëruese të botës në dymijë vjet.

Librit ia shtojnë vlerën ilustrimet me karakter informues dhe dëshmues, të bukura dhe domethënëse, të zgjedhura nga autori me një shije shumë të përkorë.

Lexuesi shqiptar do ta mirëpresë këtë libër jo vetëm sepse do të gjejë në të një faqe të shkruar dhe shumë pak të lexuar të së shkuarës së vet të kryehershme, por edhe sepse do të ndihet pjesë dhe faktor themelues i një qytetërimi që sot konsiderohet i hapur, mbijetues dhe me një të ardhme të qendrueshme. Parashqiptarët dhe pasuesit e tyre, për fatin e këtij lexuesi, qenë veprues në kohën kur identiteti i këtij qytetërimi u kodifikua.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx