Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Pesha e hidhërimit dhe lotët e pedagogut...!
E merkure, 28.04.2010, 09:58 PM
E S E
Sejdi BERISHA:
PESHA E HIDHËRIMIT DHE LOTËT E PEDAGOGUT...!
...Lotët e pedagogut më sollën në atë labirintin e rebelimit tim shpirtëror, dhe sikur me qëllim dëshiroja të rrija aty, brenda labirintit për një kohë të gjatë, për t’i pedatur lotët e një intelektualit, ashtu, në mënyrën time! Dhe,... cili është tani mesazhi?!...
________________
Nganjëherë më provokon dëshira dhe meraku për të “shkarravitur” diçka për afrinë, për mendimin e njëjtë, për unitetin,... për të gjitha bashkë. Por, për të bërë një shkrim të tillë, nevojitet durim e guxim, sepse, gjatë rrugëtimit të fjalëve dhe të mendjes, në zemër e në shpirt trokasin shumë gjëra e zëra, që ta shkapërderdhin edhe mendimin, edhe dhembjen, edhe lumturinë, edhe historinë. Dhe, sikur tërë këtë ta bëjnë pikë e pesë. Atëherë, ec e mblidhi të gjitha për t’i harmonizuar ashtu siç duhet, të mos lëndohen dhe as kurrsesi të ripërtërihen.
Zor për këtë, a?!...
1.
Dua të besoj se Rruga e Kombit do të bëhet rilindja, e cila do të jetë madhështi dhe do të bëjë mrekulli, e cila do të konsolidojë mendjen për afrimin e binarëve për ta lidhur njëri-tjetrin tërësisht, shpirtërisht, mendërisht dhe praktikisht. Por, nganjëherë, sërish therë ai dyshimi dhe mosbesimi për ta dashur e respektuar vetveten, ne! Andaj, vetvetiu të përvidhet pyetja: po, si do t’i lidhë njerëzit more, kjo rrugë, kur,... sikur me shekuj e kemi larguar njëri-tjetrin?!
Por, sërish më kthehet mendja, por në formë komenti dhe si kujdes qortimi: sa mirë kjo nisjativë, kjo vepër jona, kjo histori e rrallë, që, bile fizikisht të na lidhë fortë e fortë, e të na bëjë ding e të pashkëputur. Mirëpo, edhe për këtë vepër madhore, sa peripeci mendjeje, sa peripeci gëzimi e dyshimi, por, edhe sa pjella hidhërimi, denigrimi e rrënimi do ta kalërojnë njeriun. Në këtë rast, dua të intrigoj mendjen time duke thënë se, sikur të kishte gojë e sy kjo rrugë, tash, në fillim, çfarë do të rrëfente me fuqinë e hidhërimit të mbarëvajtjes së punëve tona,... E, çfarë do të rrëfejë kur do të bëhet nuse e kësaj toke?!
Për këtë, me siguri se nuk do të mjaftonin libra e fletore, në të cilat do të kapërtheheshin rrjedhat aq interesante të njeriut dhe të veprimeve të tij. Merrje me mend. Edhe këtu, ndoshta do të përftojnë mjegullat e smirës, të sfidave dhe të dyshimeve! Ani,... Me fat Ty dhe njeriut. Kaq, për Ty, moj Rruga e Kombit...!
2.
Kënga dhe harresa, pothuaj se janë dy rivalë mbase edhe armiq tradicional. Në këtë drejtim, sikur nevojitet shfletuar e lexuar projekte të tërë me ngritje, rënie e thyerje gjeometrike. Përmes këngës janë lartësuar dhe mbajtur gjallë periudha të ndritshme historike, persona e personalitete, të cilët edhe në këtë formë kanë qëndruar vertikalisht, por edhe kanë ndritur rrjedhat në të gjitha fushat, si trashëgimi shpirtërore dhe si themel për të quar shëndosh jetën përpara, për ta bërë gjithnjë e më shumë atë me vlera të mirëfillta. Por, në këtë aspekt, nganjëherë, krenaria dhe papërgjegjësia krijojnë atë jazin, i cili, në trajtë harrese i bartë dhe i tretë gjërat më të çmueshme. Pra, edhe këngën,... edhe këngëtarin!
E tërë kjo u bë “histori”, kur një mik imi kërkoi “ndihmë” nga unë për ta luftuar harresën përmes shkrimeve dhe përmes organizimit të manifestimeve kulturore, në të cilat do të përkujtoheshin fytyrat e ndritshme të cilat u kanë dhënë shpirt dhe kuptim rrjedhave të jetës përmes zërit të tyre, përmes këngës së tyre. Në këtë rast, mu soll mendja vërdallë e cila ma imponoi kthimin prapa, për ta kujtuar njërin prej këngëtarëve, zëri i të cilit dikur e kishte pushtuar mendjen dhe zemrën e popullit. Zëri i të cilit kishte depërtuar dhe shpërthyer edhe të gjitha barrierat politike të armikut. Ishte ky këngëtari H. V. nga Peja, i cili me shokët e vet i kishte shkrirë zemrat vetëm e vetëm që shpirti i popullit të fisnikërohet edhe përmes këngës.
Ky njeri, këngët e të cilit edhe sot e kësaj dite nuk harrohen, por gjithnjë sikur rrinë strukur diku në sirtarët e dashamirëve dhe të familjarëve të tij, dhe presin për tu kujtuar dhe për t’iu hequr pluhuri i harresës dhe i së kaluarës. Gjithashtu, këngët dhe zëri i tij pret për tu rifreskuar e kaluara e ndritshme edhe e shumë këngëtarëve të tjerë, të cilët në atë botë e themeluan edhe Shoqërinë Kulturo-Artistike “Përparimi”, që kishte një emër të qëlluar dhe simbolik, prej të cilës, pastaj u themeluan dhe u linden edhe shumë shoqëri me shumë vlera artistike.
Si rrjedhojë e kësaj “ndihme” time, pasoi vendimi që të hedhim një vështrim për kontributin dhe për vlerat e këtij këngëtari me zë të rrallë, duke synuar një manifestim ku do të tuboheshin këngëtarë e artistë të fushave të tjera kulturore, për t’i rifreskuar vlerat tona duke përjashtuar harresën, e cila ishte dhe akoma mbetët si kancer tek puna dhe mendja e njeriut të nënqiellit tonë. Kujtoj, se me këtë formë, fuqia e mallit, e dhembjes, por edhe e vullnetit dhe e përgjegjësisë, por, gjithnjë edhe e hidhërimit për ta luftuar pluhurin e harresës nëpër periudha historike, gjithnjë duke shikuar përpara, që vlerat dhe begatitë e mëdha shpirtërore të bëhen beden për të ecur mbarë. Për të ecur komplet!
Edhe për këtë njeriu mund të hidhërohet apo të pezmatohet, dhe çfarë tjetër?! Punë e madhe,... dert i thellë...!
3.
Kishte muaj të tërë që nuk isha takuar me mikun tim, me pedagogun dhe krijuesin, i cili, edhe pse në moshë në prag të pensionit, nuk pushon së vepruari. Ai, peshën por edhe problemet, të arriturat dhe historikun e arsimit lufton ta shndërrojë në dokument të përjetshëm, në libër dhe në mesazh për brezat që vijnë, që gjeneratat e reja ta kuptojnë dhe përjetojnë peshën e rrugëtimit të diturisë nëpër etapa e periudha aq karakteristike, aq të ndritshme, por, gjithashtu po aq edhe të dhembshme dhe rrëqethëse.
Të them të drejtën, u gëzova kur u takova me pedagogun D. M., i cili edhe ai u gëzua dhe shprehu dëshirën të pimë kafe bashkë. Veç tjerash, bisedojmë për ditët që kishim kaluar në shkollën e mesme, komentojmë e komentojmë edhe për demonstratat e vitit 1968, dhe çfarë nuk përkujtomë, bile me shumë mall.
Mirëpo, unë sikur bëhesha i padurueshëm, mu si në kohën kur isha shkollar, dhe e pyes për librin e tij “Zilja e thyer”, të cilin libër ia kishte kushtuar shkollimit të nxënësve të Kosovës gjatë periudhës së luftës, të cilët së bashku me tërë popullatën ishin dëbuar nga vendlindja dhe atdheu i tyre.
Me qëllim e pyeta. Sepse, edhe unë krenohesha me punën që kishte bërë për organizimin e shkollave për fëmijët kosovar në Ulqin e në shumë vende të tjera të vendit fqinj. Pra, krenohesha edhe për librin e tij, i cili është një dokument me peshë për atë periudhë të vuajtjeve, të ndrydhjeve por edhe të shpresës e të qëndresës.
Rrëfimi i tij është histori në vete. Ky pedagog, i cili ka edhe shpirti poeti dhe piktori, rrëfen kujdesshëm, derisa nuk e pyeta për një gjë të cilën nuk e priste. Ishte pyetje e çuditshme, dhe ndoshta edhe e pavend. Megjithatë, më duhej kjo pyetje ime dhe përgjigjja e tij.
-A, krenohesh për atë që ke bërë, apo, ndoshta je pishman për këtë punë?!
Sikur ngeli pa frymë. Iu dridhen buzët, kurse lotët e pedagogut ranë në filxhanin e kafesë, të cilët ia njelmësuan kafenë. Më rrëfen gjerë e gjatë për shkollat shqipe në Ulqin dhe vende të tjera të Malit Zi. Më rrëfen për peripecitë e asaj kohe, dhe, çfarë s’i kujtohet pedagogut në atë rrëmujë mendimesh. Më rrëfen për dhembjen dhe shpresën e fëmijëve. Dhe, sërish e frenon mendimin derisa ta “stabilizojë” dhembjen dhe derisa t’i frenojë lotët...
-Askush nuk ma di për këtë punë që kam bërë! –thotë i përmalluar dhe i zemëruar pedagogu.
Më rrëfen për shumëçka pedagogu, kurse mua më doli para Rruga e Kombit, përqafimi, uniteti, dashuria, të cilat,... hajt, të themi se të gjitha i kemi e,... do t’i kemi! Lotët e pedagogut më sollën në atë labirintin e rebelimit tim shpirtëror, dhe sikur me qëllim dëshiroja të rrija aty, brenda labirintit për një kohë të gjatë, për t’i pedatur lotët e një intelektualit, ashtu, në mënyrën time! Dhe, cili është tani mesazhi?! Tërë jeta me mesazhe...
Tani, hidhërimi shndërrohet edhe në barrë të pakuptueshme, që “transformohet” në pikturë me mesazh historik e me çmim përjetësie...!
4.
Interesant. Edhe ligjërimet imagjinatave nganjëherë të japin kurajë si përkrahës të fortë për të shkruar diç që ka vlerë, diç që lë gjurmë. Andaj, në një mbrëmje vikendi, në vend që të planifikoja për të ikur diku në pushim, dëshirova, shumë dëshirova ta gjej një hartë e cila bashkon,...që na bashkon. Kjo ishte krejt diçka pa lidhje, e pa kuptimtë dhe thuaj se çmenduri. Andaj, assesi t’ia gjej fijen lëmshit, por ngela gjithnjë zvarrë me këtë mendim. Ndoshta, dikur do t’i bie në gjurmë edhe këtij pështjellimi imagjinues...!
Ngjit me këtë, mu kujtua një humaniste nga Zvicra, të cilën e quanin, Analisa. Ajo, duke shpjeguar për jetën e vet, kishte rrëfyer se si nga një sëmurje të panjohur, shumë kohë kishte ngelur e lidhur për shtrat me vetëm dyzetë kilogram të trupit të saj. Dhe, me një rast, duke medituar në shtrat, kishte thënë:
-O, Zot! Nëse më heq ndonjëherë prej këtij shtrati dhe me ngrit në këmbë, tërë jetën do të jam në shërbim të njeriut nevojtar”!
Për fat të mirë, ajo kishte ikur nga shtrati, e që tash është humaniste me vullnetin dhe besimin e çeliktë.
Dhe, po ashtu, ngjitas edhe me këtë, mu kujtua edhe diçka. Një ditë takohem me përgjegjësen e kulturës të qytetit tim. Me shenjë sjelljeje krenarie për pozitën që ka, më përshëndeti duke më thënë:
-Më vjen mirë që të takova. Ka disa ngjarje kulturore për të cilat të kam ftuar, por nuk të kam parë në to. Unë kam respekt të veçantë për ty! –më tha kështu dhe iku për gjatë korridorit për punë të veta. Ndërsa, unë ngela duke e ndrydhur vetveten për mangësitë dhe boshllëkun kulturor, për varfërinë shpirtërore aq të pakuptimtë, për mos koordinimin e rrjedhave kulturore në qytetin tim,... në vendin tim!
Edhe për gjëra të tilla mund të hidhërohesh pa lidhje, dhe çfarë tjetër?! Punë e madhe,... dert i thellë. Në tërë këtë rrëmujë mendimesh, tani kërkoja titullin e këtij shkrimi të papërfunduar...!
5.
Isha betuar se për hir të peshës dhe rëndësisë që ka zejtaria, ta botoj për të dytën herë librin-monografi “Zejtarët e Pejës”. Ngase, veç peshës që kishte kjo vepër, ajo, lexuesve do tu ofrojë edhe të dhëna të reja gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kështu, ky libër, sikurse edhe i pari, mbetët edhe si dokument me vlera historiografike, por edhe si material provokues për studime edhe më të thella edhe në fusha të tjera. Dhe, këtë projekt, pa përkrahjen e askujt e realizova.
Monografia “Zejtarët e Pejës”, u bë libër me katërqind faqe, me treqind fotografi dhe me afro tridhjetë faksimile, me të dhëna e dëshmi të tjera të shumta. Ishte sihariq i mirë, për çfarë u gëzuan por edhe më përgëzuan shumë qytetarë, shumë intelektualë anë e kënd Kosovës. Sepse, kjo “pasqyrëz” e historisë së zejtarisë pejane dhe e vet Pejës, e ka peshën dhe dëshminë e rrjedhave të historisë, por edhe të vlerave shpirtërore dhe kulturore. Kishte edhe të atillë që e fshihnin smirën e tyre. Mirëpo, kjo nuk më bën përshtypje, por më bëhet se sikur një numër jo edhe i vogël njerëzish, kurrë nuk e ushqejnë vullnetin e vet për t’i dhënë respektin dhe aderimin dhe për të përkrahur diçka që ka frymë të shëndosh krijuese dhe afirmative për gjërat që dëshmojnë për qenien dhe madhështinë e njeriut të nënqiellit tonë. Dikush, ndoshta do të thoshte se këta njerëz nuk e kanë të akorduar mirë “çipin” e mendimit pozitiv! Ndoshta është kështu,... ndoshta është ndryshe. Ku ta di!
Të them të drejtën, fuqia e hidhërimit për punë profesionale më duket si krismë e madhe dhe trokitje për të shkruar edhe disa fjalë. Por, dua të them diçka tjetër, që është gjë e thjeshtë, shumë e thjeshtë dhe krejt e parëndësishme, sa që çuditem edhe vet pse e theksova këtë! Sepse, hidhërohesh, dhe çfarë tjetër?! Punë e madhe,... dert i thellë...!
Por, lëri more të gjitha këto. Ideja më prekëse që më bëri përshtypje, ishte ajo e një qytetari, i cili kishte vendosur që në qiellin e kaltër t’i lëshojë pesë pëllumba të bardhë për ta shëtitur botën me mesazhin për ta njohur plotësisht e sinqerisht shtetin më të ri të paqes, të demokracisë të sinqeritetit dhe të lirisë. Ide e mirë, kjo. Mesazhi i pëllumbave...
Hidhërohesh, pret,... dhe çfarë tjetër?! Punë e madhe,... dert i thellë...!