Kulturë
Artistët, fushatë në ndihmë të familjes së Petro Markos
E hene, 26.04.2010, 09:52 PM
Nga Alma Mile
Nga vajza e jugut, tanimë ka mbetur vetëm hija. Paska qenë i hidhur fati i Markove. Një sistem bie, ngrihet një tjetër, por vuajtja nuk dashkërka të ndalet. Në një apartament, që i ngjan më shumë një galerie arti, mes librash, dorëshkrimesh dhe pikturash, varur në mure me igrasi, gdhijnë dhe ngrysin ditët familja Marko, gruaja, djali dhe vajza e shkrimtarit Petro Marko. Askush nuk do ta besonte se familja e njeriut që mban titullin “Nderi i Kombit”, sot po kalon momente tejet të vështira. Po përballen me fatkeqësi shëndetësore, të cilat bëhen edhe më të hidhura prej vështirësive ekonomike. Safoja, gruaja e shkrimtarit, tashmë 85 vjeç, ka mbërthyer shtratin, e pazonja të kryejë vetë asnjë shërbim, ndërkohë që edhe i biri, Jamarbëri, nuk gëzon një shëndet të mirë. Për ta kujdeset e bija, Arianita, një grua e dhembshur dhe e fortë. Fatkeqësisht e gjithë familja duhet të mbahet vetëm me pensionin e Safos. Për shkak të një aksidenti, Jamarbri ka vite pa punë e po kështu edhe Aranita. Një gjendje absurde, nëse do të vendosësh në kandar, gjithë çka dhënë Petro Marko për letërsinë shqiptare e po ashtu edhe Safo në pikturë. E megjithatë, Arianita është një grua krenare dhe nuk do t’i kishte shtrirë kurrë dorën kujt për ndihmë. Ndaj janë miqtë e saj, që po ndërmarrin një “fushatë” sensibilizimi, për t’iu gjendur pranë. Qendra Kulturore “Lindart” ka shpërndarë një e-mail në të gjithë të njohurit, për të kontribuar sa do pak financiarisht për ta. “U drejtohemi me këtë mesazh për t’ju ftuar të na përkrahni në nismën tonë, për të ndihmuar financiarisht familjen e shkrimtarit Petro Marko, gruaja dhe djali i të cilit janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata kanë nevojë për ndihmë dhe asistencë të specializuar mjekësore, por të ardhurat financiare nuk ua lejojnë. Duke ju bërë thirrje në emër të ndjenjës më të thjeshtë të dashurisë e për hir të dinjitetit njerëzor, ju lutemi ju dhe miqve tuaj, të dërgoni një shumë lekësh, sipas dëshirës e mundësisë”, shkruhet në këtë letër, firmosur nga artistet Eleni Laperi dhe Suzana Varvarica Kuka, të cilat janë edhe personat e kontaktit për dorëzimin e shumës në të holla. Sipas Suzana Varvarica Kukës, bëhet fjalë për një nismë humane, e cila lindi thjesht dhe vetëm për të ndihmuar këtë familje artistësh në një moment të vështirë dhe nuk është fjala aspak për të bërë bujë mediatike. Ajo thotë se gjendja e tyre financiare është vërtetë shumë e vështirë dhe kjo ndihet edhe më shumë prej nevojës për asistencë mjekësore. Për t’i shërbyer të sëmurëve do të duhej një infermiere, por pagesa e saj është e pamundur në një kohë kur e gjithë familja mbahet vetëm me një pension. “Kësaj thirrjeje i janë përgjigjur menjëherë disa njerëz, të cilët kanë kontribuar me sa kishin mundësi dhe këto të holla do të shkojmë t’ia japim, së bijës, Arianitës, për të mbuluar ndonjë shërbim me to”, thotë Kuka. Por sado para të mblidhen prej miqve (që më së shumti janë artistë e dihet që artistët nuk janë të pasur), sërish do të jetë pak për të mbuluar shpenzimet që kërkojnë dy të sëmurë. Kuka thotë se interes për ta ka treguar edhe znj. Liri Berisha, e cila ka ndihmuar përmes shoqatës që drejton me ndihma të ndryshme, por tashmë është e nevojshme një ndihmë në të holla, që të mund të përballohet një shërbim i përhershëm. Ndërsa për Aranitën, e cila i është dedikuar së ëmës dhe të vëllait, do të duhej një punë. Dhe kjo nuk do të ishte e pamundur nga ana e shtetit.
Familja e artistëve
Sot ajo është 85 vjeç. Vitet dhe sëmundja e kanë mundur. Dikur ka qenë një grua e bukur, që pikturonte po aq bukur. I pëlqente të pikturonte në së shumti femrën, atë të jugut, atë të brishtën dhe të fortën njëkohësisht, ndonëse për vite me radhë punoi si ilustratore revistash për fëmijë. Është ilustratorja e parë që ka realizuar kopertinën e Abetares së parë Shqipe. Është ajo që i ka dhënë një imazh personazhit aq të dashur për fëmijët, Çufos, apo ilustruesja e një nga revistave më të njohura “Fatosi”. Si piktore- ilustratore numëron mbi 1000 kopertina. Sot në shtëpinë e saj gjenden të varura në mure vizatime të ndryshme, portrete, grafika e kopertina librash. Nëse do të shiteshin disa syresh, ndoshta gjendja e tyre ekonomike mund të përmirësohej paksa, por Safoja e ka pasur të vështirë të ndahet prej tyre dhe ka dashur gjithnjë t’i ketë pranë vetes. Plot dy vjet më parë, në Galerinë private “Zenit” u hap një ekspozitë me punët e saj, titulluar “Safo”, mundësuar nga regjisorja Vera Grabocka, e cila aso kohe realizonte programin “Më shumë dashuri”. Ishin rreth 40 punë të përzgjedhura nga koleksioni i piktores, e cila nuk ekspozonte më prej dekadash. Në atë kohë, ndonëse e sëmurë, Safo mundi të ishte e pranishme në ceremoninë e ekspozitës së saj. Veç pikturave e vizatimeve të Safos, në shtëpinë e Markove, të shumta janë librat e dorëshkrimet e Petros, një prej shkrimtarëve më të mirë shqiptarë, autor i romaneve “Hasta La Vista”, “Nata e ustikës”, “Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë”, “Stina e armëve”, etj. Gjatë viteve të diktaturës, iu desh të përballej me përndjekjen e regjimit dhe pas dënimit, figura e tij mbeti në heshtje. Vetëm në vitet e demokracisë, Marko nisi të njihej në dimensionin e tij të plotë si shkrimtar. Në shtëpinë e tij ende ka dorëshkrime e kujtime, që ruhen me fanatizëm nga e bija. Por nuk mungojnë edhe poezitë e Jamarbërit. Duke trashëguar antikonformizmin e të atit, iu desh të vuante 7 vjet në burgjet komuniste, për shkak se kishte folur kundër ish-udhëheqësit, Enver Hoxha. Pas viteve ’90, do të botohen dy vëllime poetike të tij, “Rastësisht me dashje” dhe “Pro nobis”.