E diele, 28.04.2024, 06:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Luan Çipi

E diele, 25.04.2010, 09:04 AM


Luan Çipi

 

 

L E O N E L A*

 

Ëndrra më shpuri sot

Tetëmbëdhjetë vjet më parë.

Ndaj, po përjetoj me lot

Atë dimër të acar:

 

Tirana dërgon mandatë,

Një  urgjencë në telefon:

“Pas tre muajve lëngatë

Leonela më nuk rron.”

%

Ç’ka deti, që po ushton?

Qielli, që flakë lëshon?

Hëna, që shuhet e del?

Qajnë për ty, Leonel!

 

Ike, ike nga kjo botë

Sikur të përpiu deti.

Ç do përpjekje qe e kotë,

Bija jonë, si bijë mbreti.

 

Ishe tëpkë si  një princeshë,

Gojë mjaltë - fol e qesh,

Bukuri që morri dhenë,

Leonela, si Helenë.

 

Në tokë nuk kish vend për ty,

Se errësoje një diell.

Në stere veç robi rri,

Engjëjt gjallërojnë në qiell.

Vlorë, 11.11.2002

 

*Mësuese pasionante, qëvdiq nga leucemia në moshën 27 vjecare

 

 

MANDOLINA

 

Dëshpëruar a malluar

Shkoj veri, te mandolina

Dhe, si ujët e  kulluar

Më rrjedh jeta në dy shina.

 

Mandolinë “Gibson” markë,

Një relikë me shumë vlerë,

Kur bota lidhej me varkë,

Para njëqind vjetësh blerë.

 

O, sa kujtime e mbresa

Trimbolat nxjerrin në shesh

Tinguj muzike,  si vesa

Fëshfërijnë rishtaz në vesh.

 

Kujtojnë dashurinë e parë

Grishje, këngë e serenatë

Ku mandolin e kitarë

Tringëllojnë gjer në mesnatë.

 

Kujtoj takime e ndarje,

Njohje, puthje e mëri

Trathëti, grindje e sharrje

Miqësi e shoqëri.

 

Vështirsi, pengje, provime,

Përleshje, ndeshje në sport,

Dekorime e qortime,

Dhe udhtimet nëpër botë.

 

Kur këndoj me mandolinë,

Përshkoj jetën vetëtimë

Me hidhrime e gëzime,

Në sukses e  në dështim.

 

Jetë e bukur, shpejt u trete

Mandolina, krejt e re,

Si një shkop i artë stafete,

Lëndime- gaz e hare...

 

22 prii 2010

 

 

VIZA  AMERIKANE*

 

Në Ambasadën Amerikane, sërish, shkoj e kërkoj vizë,

Një djalosh, soj irlandezi, po më thërret në intervistë.

-Këtë radhë, i dashur konsull, me presin në Seint Luiz

Djali, nusja (dy doktorë), kanë mbjellur dhe një filiz.

 

-Kush je ti, o burrë i moçëm, ku punon e ç’rrogë merr?

-Kam punuar, sa jam lodhur, po tash forcat mu kanë shter.

Pensionist, djalosh i bukur, shtatëdhjeteca vjeç, plak.

Këto pyetje s’ka pse bëhen: ç‘do pasojë e ka një shkak.

 

-Jo, në Amerikë s’do shkosh! Kërkesa të kundërshtohet!

Me atë të paktë pension as udhëtimi s’përballohet.

S’ bindemi se do të kthehesh. Do të rrish në Amerikë.

Me kaq mbaron intervista. Am sory. Tani ik!

 

-Të iki. Po pse të iki, pa i marrë dhe ca shpjegime?

-Ik, se tjetrin ke në radhë, nuk ka më kohë për sqarime!

-Pagova 100 dollarë, ti kohën e bën thërrime.

Katër herë që po vij, ju, gjithnjë me prapësime.

 

Kam dokumente dhe fakte, përse po më bën me faj?

Dua ta shoh Amerikën, ku ka derdhur djersë babai;

Të shoh tim bir edhe nusen, dhe nipat amerikanë.

Të lutem, të më dëgjosh ç’po  të them, e jo ç’të thanë.

 

Kam investuar edhe unë, lum e kam derdhur paranë

Mësoja djalin e vetëm, për ta pasur gjithnjë pranë.

Ai, morri arratnë, desh demokracinë e kulluar.

Ti, na refuzon takimin duke na diskriminuar.

 

Vete e më përflet pensionin, nuk sheh asetet që kam,

Ç’e do plaku Amerikën, veriun që ngrin e than…

Kur behar  kam gjithë vitin, ku kam motrën edhe vëllain

Ku kam vajzë, mbesa e nipër, miq e shokë, shpirt e xhan?

 

Po  shkova ne Amerike dhe te vdes, serish me ktheni

Se balta e vendit tim është ballsam, produkt melhemi.

Këtu gjendet nënë e atë edhe gjithë të parët tanë.

Asnjë shqiptar i moshuar, kurrë nuk e braktis vatanë.

 

Shënim:

Po bëhet një punë e mirë për liberalizimin e vizave me Evropën dhe

mirë bëhet, po mos harroni, se kaq e vështirë është gjendja dhe me vizat amerikane.

 

 

KITARA

 

Kitara, varrur në mur

Ka shumë vjet që rri e shkretë

Unë, i ndrrydhur zemër gur,

Pluhurin ja shkund me pecetë.

 

Diplomant në mjekësi,

Sa larg, o bir, mu largove:

N’Amerikë, në pafundësi

Emigrant jetën e shkove.

 

*

 

Dhe lejleku shkon e vjen

Kthehet te shtroja me bar

Dallëndyshja gjen folenë

Si gjithë zogjtë shtegtarë.

 

*

 

Ne, të plakur, na djeg malli,

Telat ndrryshken në kitarë…

Ktheu, bir, të t’puth te balli,

Të këndojmë bashk, si më parë.

 

Shqipëria, nëna jonë,

Kjo folezë perëndie,

Po ju thërret e po ju pret

Ti vijë mënçuri e dije.

 

Çka ju arritët ndër vite

Ta jetojmë, duke shpresuar

Se, do ia mbërrijmë asaj dite

 Gjind e prind për të gëzuar.

 

Tirane, më 03.01.06



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora