Kulturë
Baki Ymeri: Mërgata shqiptare dhe atdhetarizmi i saj
E premte, 23.04.2010, 09:59 PM
Vitrina e librit
MËRGATA SHQIPTARE DHE ATDHETARIZMI I SAJ
(Sokol Demaku, Kujtime nga diaspora, Bukuresht, 2010)
Nga Baki Ymeri
Këto ditë e pa dritën e botimit një libër i ri i Sokol Demakut: Kujtime nga diaspora, botim i redaksisë së revistës Shqiptari, në bashkëveprim me redaksinë e revistës Dituria në Borås të Suedisë. Është libri i parë me intervista i një veprimtari aktiv të diasporës shqiptare në trojet e Skandinavisë. Autori studjon Pedagogjinë në Universitetin e Gethenborgut. Intervistat, përndryshe, janë prirje për dialog dhe ushtrime të normalitetit. Në kuadrin e tyre gjen dëshirën për të verifikuar vetveten, ide interesante, mesazhe konstruktive dhe diplomacinë e fjalës. Përmes formës interogative dhe retorike, intervistat këtij libri (disa të botuara kohë më parë në massmedian elektronike shqiptare, sidomos te Dituria dhe Zemra Shqiptare), dëshmojnë se autori posedon aftësi krijuese, vullnet për punë dhe prirje për dialog.
Përmes pyetjeve që parashtron dhe përgjigjeve që merr, Sokoli nxjerr në pah aspekte të reja të mërgatës shqiptare dhe atdhetarizmit të saj. Nuk është as autori i parë dhe as i fundit që boton një album me intervista, por është shqiptari i parë skandinavik që dëshmon se din ta afirmojë komunitetin e atjeshëm shqiptar, duke hyrë në dialog madje, edhe me krijues dhe veprimtarë tjerë nga Greqia, Zvicra, Islanda, Gjermania e gjetiu. Sokol Demaku din të parashtrojë pyetje të matura dhe të marrë përgjigje të pjekura, jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe nga dashamirët e Shqipërisë dhe shpirtit shqiptar në botë. Mençuria dhe pulsi i jetës shqiptare, mërgimi dhe malli ndaj vendlindjes, respekti ndaj gjuhës dhe kulturës, janë disa nga subjektet interesante dhe atraktive, prezente në faqet e këtij libri me vlera specifike për diasporën shqiptare dhe historinë e saj.
Pothuajse çdo interviste i paraprin nga një mendim filozofik. Libri hapet me një argument mbi rolin e intervistës, pas të cilit prezantohet biseda e parë me Hamit Gurgurin, shkrimtar dhe përkthyes në mërgim. Në veprat e tij, për temë e ka fatin, qëndresën dhe katrahurat e popullit shqiptar, si dhe kontaktet e tij me popuj tjerë nëpër periudha dhe rrjedhat e të historisë. Sipas tij, roli i përkthyesit është i pazëvendësueshëm, ngase puna që e bën përkthyesi i ngjan një ure ndërmjet dy gjuhëve, dy vendeve dhe dy popujve. Më së shumti, autorin e preokupon hershmëria jonë e krishterë. Si çdo kend, e frymëzon femra, qofshin vajza, nuse, gra, nëna apo gjyshe, ato me dashuri, me atë përkushtim të pa shoq, duke sakrifikuar shëndet, pasuri, dituri, aftësi, mund, djersë, jetën, bile edhe dinjitetin e tyre, ngase femrat shqiptare qëndruan lart në detyrën e tyre fisnike. Mërgata shqiptare sipas tij, ka një potencial të madh intelektual, por mjerisht duket se është i pa shfrytëzuar.
“Kur jemi te përkthimet, më lejoni edhe një vërejtje timen. Unë i kam lexuar këtu veprat e Kadaresë. Librat e tij janë përkthyer nga frengjishtja në suedisht, por, sipas mendimit tim ato e kanë humbur ngrohtësinë, mpreftësinë dhe atë ngjyrën e tyre bukur shumë. Po të ishin përkthyer drejtpërdrejt nga shqipja, më duket edhe nota e vlerësimi i Akademisë së Shkencave do të ishte tjetër farë. Ndoshta Kadareja i ynë do të ishte tashmë i radhitur ndër Nobelistët tjerë.” Hamit Gurguri ka përkthyer një libër të një autori suedez. Temë e tij është helmimi i nxenësve dhe e rinisë në Kosovë më 1990. Ka shkruar një roman mbi heroin shqiptar që e vrau sulltan Muratin, një vepër tjetër mbi tragjedinë e shqiptarëve të Toplicës, e çmon punën, ngrohtësinë njerëzore, mirëkuptimi, sinqeritetin dhe solidaritetin ndërmmjet njerëzve. Çka e mundon më së shumti? Gënjeshtra, që është e metë, sëmurje dhe vetia më e zezë e njeriut. “Ajo është trungu i të gjitha të këqijave. Pas saj vijnë sjellja arrogante, egoizmi dhe pakujdesia.
Pason një intervistë me filoshqiptarin Ullmar Qvick, mik i shqiptarëve dhe njohës i mirë të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare. E ka vizituar disa herë Kosovën, e ka impresionuar bukuritë e natyrës dhe mikpritja shqiptare. “Me shqiptarët, përveç simpatisë sime për këtë popull zemërgjerë, më lidh fakti se e kam gruan shqiptare dhe të afërmit shqiptarë të cilët kanë rëndësi të madhe dhe pozitive për mua.” Sipas tij, “kryesorja është ekonomia dhe përparimi ekonomik që kërkojnë bashkim dhe një drejtim të mirë. Shqipëria si duket është përparuar mjaft në dekadën e fundit, ndërsa Kosova për shumë arsye nuk zhvillohet si duhet. Faktorët pengese janë traditat negative në jetën shoqërore, pengesat që krijojnë ndërkombëtarët dhe serbët, udhëheqja e dobët me korrupcion dhe paaftësi etj.” Ç’mund të na thoni për Kosovën dhe Shqipërinë? “Të punoni me baza, qoftë edhe në organizata jo-qeveritare, për mbarëvajtjen e demokracisë, me projekte të dobishme, pastaj me njohuritë e fituara të ndërroni përbërjen e klasës në udhëheqje, përmes votimeve dhe me pjesëmarrjen tuaj në jetën politike për të drejtuar politikën shqiptare kah sistemi demokratik pa korrupcion, pa abuzime, me frymë të shëndoshe e humane.”
Këtë vepër të re të Sokolit e dinamizon një bisedë me Shuquri Sejdijaj, poet dhe përkthyes, veteran i gazetarisë shqiptare në Suedi, ishredaktor i Radio Kosovës, aktualisht, gazetar dhe redaktor i programeve shqipe në Radio Suedia. “Është dëshpruese që një pjesë e madhe e gazetarisë shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri vuan nga komentimet e stërngarkuara. Të gjithë gazetarët duan të bëhen komentatorë. Kujtoj që mediat shqiptare duhet ti afrohen më shumë publikut të tyre, të jenë të qarta, të kuptueshme. Ata që punojnë në radio ose televizion duhet të mësohen njëherë e përgjithmonë si të përdoret mikrofoni, kjo është abc-ja e radiomanit. Dëgjuesi s´do t´ia di fare, si i ke hallet ti ose unë, a kemi fjetur apo kemi qenë të lodhur, i kemi rrogat e vogla apo s´na i kan dhënë me kohë: ai do program të mirë dhe pikë. Gazetarët në Kosovë duhet të zhvillojnë gazetari autoktone të prirë nga parimet e gazetarisë për objektivitet, saktësi, relevansë, balans dhe parime tjera. Proceset e globalizmit janë duke e shndërruar botën në një fshat edhe më të vogël se Runikun tim.
Zgjuarësia është një dritë hyjnore që ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre
Nga një bisedë me zt. David Hellsten, misionar suedez në Durrës, kuptojmë se “Liria është gjë e mirë, por kush bie në grackën e lakmisë, e cila mbizotëron në botëkuptimin perëndimor, prapë nuk është i lirë. Mos iu dorëzoni korrupsionit dhe lakmisë për para dhe pasuri! Është vetëm Jezusi, i cili vdiq për të na çliruar nga lakmia dhe pasojat e tjera të mëkatshmërisë sonë, që mund të na japë liri të plotë. Desha të shtoja që të dielën e Pashkës (12 prill) u zhvillua një marshim i krishterë në Tiranë, ku morën pjesë me mijëra shqiptarë dhe misionarë ungjillorë. Edhe ne ishim atje si familje. Ishte një ngarje shumë e bukur, ta festonim ringjalljen e Jezusit në atë mënyrë. Jam mësues në një shkollë teologjike që përgatit drejtues (pastorë) për bashkësitë ungjillore në Shqipëri. Shqipëria është më e pasur se ç'ka qenë. Shumicës së kohës ndihem shumë mirë atje, jam i kënaqur me shërbesën time dhe kemi një jetë mjaft të mirë (vetëm se na ikin dritat herë-herë. Kam qenë dhe në Lushnjë, ku kemi punuar me një grup misionarësh të rinj për themelimin e një bashkësie ungjillore atje. Kemi bërë shërbesa kishtare si dhe studime biblike nëpër shtëpi, takime publike etj. Në Durrës kam dhënë mësim në një shkollë teologjike (Instituti Biblik Shqiptar, IBSh) për përgatitjen e drejtuesve të kishave ungjillore. Gjatë viteve të fundit kam shkruar gjithashtu tre libra në gjuhën shqipe, i treti po botohet tani. Libri i dytë, Historia e krishtërimit në Shqipëri, mund të jetë më interesanti për lexuesit tuaj!
Pason Murat Koci nga komuna e Skënderajt, mësues dhe aktivist i dalluar në jetën kulturore të shqiptarëve ne Skandinavi. Flet për rolin e mësuesit si dhe ndikimin e tij në brezat e ardhshëm si pedagog dhe edukator, për rëndësinë e përvetësimit të gjuhës amtare në diasporë, një mision jetik për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar të gjeneratave të reja, për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare tek pjestarët e atij komuniteti, gjuha duke qenë atributi kryesor dallues i një identiteti. “Pas dhunës çnjërëzore të ushtruar nga pushteti barbar i Serbisë antishqiptare, mësimi i gjuhës amtare në Diasporë e më theks këtu në Suedi mund të them që deri diku plotëson nevojat, dëshirat por edhe kriteret arsimore e pedagogjike. Shkolla, puna edukuese, pedagogjike më fëmijë në Suedi ka një traditë të gjatë e thëllsishtë kombëtare që është ruajt, zhvillu e reformu në shumë shekuj me një fanatizëm të paparë. Falë këtij përkushtimi të devotshëm të shoqërisë suedeze mbi arsimin sot shkolla suedeze gëzon reputacion botëror e roli i mësuesit në këtë institucion është dhe ka qenë i pazëvendsueshëm. Mësuesi i shkollës suedeze bën punën e pedagogut dhe edukatorit me përgjegjësi të madhe dhe me një përkushtim të pashoq. Puna e mësuesit përpos që kërkon angazhim, durim, devotëshmëri e kreativitet është edhe stimuluese, argëtuese si dhe ndihmon zhvillimin e identitetit individual në punën me femijët e të rinjtë. Fëmjët e të rinjtë janë e ardhmja e cdo shoqërie e marrja pjesë në brumosjen, edukimin dhe armatosjen e gjeneratave të reja me dije dhe mjetet e nevojshme për jetë si gjenerator të shoqërisë është detyrë me rëndësi të vecantë dhe gati, gati si mision i shenjtë.”
Nevoja e pjekurisë diplomatike shqiptare për të lobuar për Kosovën në botë
Në vazhdim autori komunikon me znj. Hafije Zogaj, doktoreshë familjare që jeton në Islandë dhe ndjen nevojën për lidhje kontinuitive me Kosovën. Hafija vjen nga Terpeza e Malishevës, ka kryer Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë, jeton në Islandë me dy fëmijët e saj, Edonën dhe Gentin. “Egzistenca më ishte e pamundur ngase posa e mbarova fakultetin në Kosovë, në pamundësi për të gjetur punë, meqë familja e ime nuk qëndronte mirë ekonomikisht, u detyrova ti marr rrugët e botës. Pse në Islandë, pyet autori: Në Islandë jetoj për 18 vite. Kur unë u shpërgula në Islandë ishim gjithsejt 5 familje shqiptare. Ishim të rinj që ishim të pamartuar në atë kohë, por kishte edhe të tjerë. Të huaj nuk ishin shumë në Islandë, kështu që jetonim në rrethana të njëjta si populli islandez dhe automatikisht i gëzoje të gjitha të drejtat perveç se nuk pranohej diploma dhe kualifikimi për ata që ishin të shkolluar jashtë vendit. Rretthanat filluan të ndryshohen dhe në vitin 1999. Kur krisi lufta në Kosovë, Islanda mori iniciativë dhe i mori në strehim disa familje shqiptare, kështu që tani janë diku rreth 400-500 shqiptarë që jetojnë në këtë vend, ku rreth 10 vjet me rradhë funksionon mësimi në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë. një herë në javë. Islanda është vendi që jep kontribut të sinqertë për t’i ndihmuar të huajtë në integrim dhe mësimin e gjuhës. Tani jam shmë e kënaqur me jeten dhe punen time ketu, meqë e dua profesionin tim ma lehtëson barrën e gurbetit dhe malit per atdhe, edhe pse do të dëshiroja që të punoja nëvendlindje në Kosovë dhe tu sherbeja pacientëve shqiptare, por sidoqoft pacienti është pacient kështu që bej gjithcka që është e mundur që të jap sa më shumë nga vetvetja për ata që e kerkojnë ndihmën time. Po të kisha mundësi te zgjidhja do të jetoja ne Kosovë e askund tjetër!
Interesante është biseda edhe me Asllan Dibranin, piktor, akivist, humanist dhe pronar i një firme private shqiptare në Shtutgard të Gjermanisë. “Njeriu nuk duhet të jetë i kënaqur me atë çka ka por pa dyshim duhet me qenë shembull për te tjerët në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës dhe traditës shqiptare. Më brengos padrejtësia, korrupcioni dhe moskultura ose zbrazëtitë ekzistuese në frymë kombëtare. Momentalisht gjendja aktuale politike e Kosovës po edhe e çështja gjithëkombëtare e cila është akoma shumë e pavolitshme dhe interesi im është të jemi ma kompakt në mes vete. Asllani ka studiuar Albanologjinë në Universitetin e Kosovës, ka marrë pjesë në lëvizjen studentore të vitit 1081, është burgosur nga UDB-ja jugosllave dhedënuar me 10 vjet burg të rëndë, për momentin udhëheq një firmë transporti ("Dibrani-Transport”) në Shtutgard të Gjermanisë ku edhe jeton. Bashkëvepron me Zemrën Shqiptare, merret me shkrime art karikature çështje kulture etj. Të gjitha i arrin me një vullnet të jashtëzakonshëm për të qenë aktual në te gjitha, sipas mundësive, duke dhënë kontribut në prezantimin aktual të gjendjes politike dhe kulturore. Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore. E brengos padija dhe padrejtësia, korrupsioni dhe neglizhenca prezente në frymën kombëtare. “Momentalisht gjendja aktuale politike e Kosovës po edhe e çështja gjithëkombëtare e cila është akoma shumë e pavolitshme dhe interesi im është që të jemi më kompaktë në mes veti.” Zotin Dibrani e shqetson papjekuria profesionale e disa “aktivistëve” të Ministrive të Kulturës dhe Ekonomisë, që janë nën ndikimin e matrapazëve politikë, që nuk kanë shije as për kulturë, as për ekonomi dhe as për politikë. “Ma merr se ata jo vetëm që nuk dinë se ç'është ekonomia, por janë duke e shkatërruar, madje edhe Ministria e Jashtme (me karakter politik), nuk është duke e bërë atë që duhet ta bëjë. Është mjerim të pajtohet njeriu me aq politikë të dobët që kanë, edhepse kemi kemi argumente historike që ta bindim botën se e meritojmë Pavarësinë. Mendoj se tani është koha ta tregojmë veten edh para popujve tjerë se vetëm me kulturë, punë dhe unitet do të jemi më të pranishëm tek familjet e mëdha te popujve te Evropës.”
Shpesh ne harrojmë të shijojmë momentet e vogla të lumturisë, sepse presim vetëm gjëra të mëdha
Pason një bisedë me Zonjën Suela Jorgaqi, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun në Pestalozzi Bibliothek Hardau në Zyrih, dhe mësimdhënëse në shqip për zviceranët që janë të lidhur me shqiptarë. Dëshira e saj është që rinia shqiptare të lexojë dhe emancipohet përmes zgjerimit të njohurive ndaj atdheut dhe botës. “Unë jetoj prej tashmë 9 vjetësh në Zvicër. Burri im është zviceran, mikeshat dhe miqtë e mi janë shqiptarë, zviceranë, portugezë, italianë. Kush jam unë? Identiteti i shqiptarëve është shumë i komplikuar, meqë jetojmë në të katër anët e botës. Unë do e përshkruaja veten time si qytetare të botës, por me rrënjë të qëndrueshme shqiptare. Risija e kësaj biblioteke është se kemi libra në 11 gjuhë të huaja, natyrisht dhe në shqip. Kemi gjithashtu libra edhe në gjuhët gjermane, boshnjake, angleze, franceze, kroate, portugeze, serbe, spanjolle, tamile dhe turke. Unë jam përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun, kontaktet e ndryshme me institucionet në Zyrih si edhe për aktivitetet e ndryshme kulturore që do të kenë vend këtu. Njëkohësisht jap edhe mësim shqip për zviceranët që janë të lidhur me shqiptarë, një eksperincë kjo shumë e pasur dhe interesante, për faktin se mbetem në kontakt me shqipen dhe më gëzon fakti që dikush përpiqet të mësojë gjuhën time. Një nga këta është dhe burri im, që është dashuruar shpirtërisht me Shqipërinë dhe sa herë që jemi aty kthehet me një bagazh të ri me fjalë të reja...Ky është një favor që ofron Evropa. Shqipëria si një vend modern, ekzotik, i veçantë në stilin e tij. Tirana, që është kthyer në një aglomeracion gjigand dhe jeta e natës me baret, restorantet e pubet pafund që zhurmojnë me një intensitet dhe entuziazëm të paparë. Në Shqipëri festohet, por Shqipëria ka dhe anët e saj të errëta: papunësia, korrupsioni, jeta dhe problemet e pazgjidhura sociale që komplikohen nga dita në ditë janë të ndjeshme në çdo bisedë. Zyrihu më pëlqen në veçanti për faktin se është multikulturor. Vetëm këtu fliten 200 gjuhë të ndryshme! Kjo më magjeps! Por mund ta imagjinoj dot të jetoj këtu në një fshat të vogël, e shkëputur nga bota.
Në faqet e librit të Sokol Demaku defilon edhe Agron Bajrami, koregoraf në Shkollën Shqiptare të Vallëzimit „SHOTA“ në Zvicër, ishvalltar profesionist në Ansamblin ”Shota” në Prishtinë edhe koreograf në Sh.K.A. “Bajram Curri“ të Prishtinës. Veprimtarinë artistike e ka filluar që nga bankat e shkollës fillore. ”Ideja për të filluar me një grup të vallëzimit ishte në vitin ´93 që ti kthehem profesionit tim, jo për të fituar, por duke parë se SH.K. „Luftëtarët e Lirisë“ ishte në kuadër të një Organizate politike, shumë bashkëatdhetarë kishin frikë të afroheshin ose fëmijët e tyre nuk i dërgonin në „ Luftëtarët e Lirisë“, natyrisht që edhe dëshira ime ishte që veprimtarija kulturore mos të kufizohet në një rreth: Atëherë vendosa që ta formoj një grup vallëzimi, natyrisht edhe me ndihmën e bashkëshortës sime Lirijes. Pse „Shota“, lind pyetja! Sepse më mungonte Ansambli Shota, dhe në atë botë diku në vitin ´90/´91, ku regjimi sërbomadh e mbylli këtë Ansambël, i dëboi të gjithë shqiptarët nga puna. I diferencoi dhe e shndënroi në një Ansambël sërb, duke ia modifikuar edhe emrin. Ajo më shtyri që „Shotën“ ta ripërtërij edhe në Perëndim. Misioni ynë ishte që të bëhet shkollë e vërtetë nëpër të cilën edukohen të rinjët tanë mërgimtarë, mësimi i hapave të parë të valleve burimore shqiptare, edukimi i shëndoshë me dijet, veprimet dhe materien e folklorit burimor kombëtar si dhe kostumografinë tonë tradicionale e artistike, mosharrimi i traditave të folklorit burimor kombëtar, interpretimi i drejtë dhe në mënyrë artistike i folklorit dhe i kostumografisë sonë kombëtare, që të rinjtë tanë të jenë të aftë të vazhdojnë drejt caqeve më të larta artistike në fushën e valleve dhe kostumografisë burimore e artistike shqiptare. Qëllimi është që me paraqitjet dhe koncertet tona t’u afrojmë kënaqësi bashkatdhetarëve tanë dhe artdashësve të shumtë vendas, që kulturat të veprojnë shlirshëm në hapësirat që janë këtu në Zvicër dhe më gjerë.”
Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre. Në këtë kontekst filozofik, vend me rëndësi zë edhe biseda me korçaren Julia Janku, koordonatore e inaugurimit të ekspozitës “Java e Artit Shqiptar” në Boras të Suedisë. Prej shumë vitesh familja e saj emigroi në Athinë. Vitet e fundit, Julia ka emigruar sërish dhe momentalisht ajo jeton në Berlinin e bukur për të ndjekur ëndrrën e saj. Prej shumë vitesh merret me kordinimin dhe manaxhimin e arteve pamore ku edhe suksesi në këtë lami nuk i ka munguar, pra është një vajzë ambicioze në punën e saj. Julia, jeni ju e kënaqur me ekspozitën tuaj në Borås të Suedisë? Padyshim qe po, por sigurisht prisja më tepër nga Bashkatdhetarët tanë, përderisa kjo ekspozitë është pasqyrimi i kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Interesimi i njërëzve ishte në nivel por edhe organizimi nga ana e QKSH ”Migjeni” të qytetit Borås në të cilën qenë mbledhur bashkatdhetarët tanë ishte në nivel. Jam e lidhur me artin në përgjithësi, por piktura është pjesë e qelizave që pershkojnë gjithësine time. Jam shumë e pasionuar pas pikturës dhe ajo më fle në shpirt, aty ndjej pushimin dhe çlodhjen. Bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë është në rrugë të mbarë jo vetëm në Ballkan por ka filluar të shtrijë rrënjët edhe më larg. Unë mendoj dhe besoj në ate se ne të bashkuar mund të bejmë mrekullira sepse jemi shumë të frytshëm dhe kemi kapacitet.”
Pason Arjana Loçe, gazetare dhe poete. U lind më 1986 në qytetin e Kuçovës, në një familje me tradita shkollimi dhe edukimi. U rrit në vitet e para të demokracisë me të gjitha vështirësitë dhe përparësitë që solli ajo, si një vajzë e shkathët, me dëshirë të papërmbajtshme për të mësuar gjithçka e për të imituar gazetarët e parë që dilnin në ekran, menjëherë pasi ata ta kishin mbyllur edicionin e lajmeve. Në moshën 12 vjeçare shkroi poezinë e saj të parë kushtuar tragjedisë së madhe të Otrantos, për të cilën, në konkursin letraro-artistik të shkollës u vlerësua me çmimin e parë. Në mbyllje të shkollës së mesme botoi vëllimin “ Poezia e zemrës”. Ka mbaruar studimet e larta, dega Gazetari, në Tiranë. Tashmë punon si gazetare e drejtuese e dy programeve radiofonike në “Super Star Radio”(Tiranë) si dhe vazhdon të merret me krijimtari të lirë. “Ajo që më ka mësuar gazetaria, më vlen shumë edhe në fushën e krijimtarisë. Gjithmonë me vete laps dhe letër, gjithçka duhet shënuar pasi ndodh që diçka të kalon vetëm njëherë nëpër mendje dhe s`kthehet më. Gazetaria dhe letërsia janë dy pasionet e mia të mëdha, të tjerat unë mund t`i quaj thjesht dëshira, pasi mund ti plotësoj ose jo, ndërsa me pasionin është ndryshe, pa të s`bën dot, ai të udhëheq. Dëshira për të lexuar, për të frekuentuar teatrin, kinemanë, bibliotekën, aktivitetet kulturore, për të mësuar pak nga të gjitha, për t`i ndihmuar të tjerët sadopak. Përgjithësisht kam dëshirë t`i bëj mirë vetes dhe të tjerëve.
Dhe së fundi, në vend të përfundimit pason një intervistë interesante e Arsim Halilit me autorin e librit, Sokol Demakun (Kryeredaktor i revistës Dituria në Boras të Suedisë), të cilin e frymëzon një maksimë filozofike shqiptare: Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin. “Në Suedi jetojnë diku rreth 50 000 shqiptar në të gjithë teritorin e shtetit suedez nga jugu deri ne veri. Një numër më të vogël shqiptarësh gjen pothuajse në çdo vend evropian, por tani më nuk ka cep të Botës që nuk gjejmë shqiptarë. Po pra shqiptaret vete janë nje histori dhe dëshmi kohe edhe këtu ne Suedi. Unë jetoj në qytetin e Boråsit të Suedisë nja
Përndryshe, Sokol Demaku është poet dhe prozator; pedagog, publicist dhe redaktor. U lind në Arbri të Drenicës (1954). Ka kryer Normalen dhe ka studjuar Gjuhën dhe letërsinë shqipe në Prishtinë. Aktualisht ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme "Dituria" në Boras të Suedisë, si dhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Njëherit punon edhe si gazetar i lirë në Radio Suedia (programi në gjuhën shqipe "Jehona"). Që nga mosha e brishtë e rinisë shkollare merret me poezi. Shkruan vargje zhanresh të ndryshme dhe prozë, ndërsa kohëve të fundit ka botuar një monografi për shqiptarët e Boråsit, një antologji poetike (Baladë e përflakur, Bukuresht, 2009), vëllimin poetik Mbrëmja në mërgim (Bukuresht 2010), duke qenë i përfshirë para dy vitesh në antologjinë e përbashkëtÇelësi i shpirtit (Bukuresht, 2008).