E premte, 02.05.2025, 09:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Si më zhgënjeu idhulli im, Azem Shkreli

E merkure, 21.04.2010, 09:43 PM


Çerkin Ismaili, shkrimtar

 

Kujtesë

 

SI MË  ZHGËNJEU IDOLI IM, AZEM SHKRELI

 

Qysh si nxënës, përmes ”Karavanit të bardhë” e kam njohur Azem Shkrelin, shkrimtar. Atëbotë, ëndërroja ta njihja edhe Azem Shkrelin njeri. Dhe, pas ca viteve, në vitin 1968, e njoha edhe Azemi Shkrelin  njeri. E njoha tek e përcillte bashkëshorten e tij , Beharen në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik. M’u duk tamam si e kisha përfytyruar me atë kurmin e krenarisë që e shquan malsorin rugovas. Njëherë, në të hyrë të oborrit të Fakultetit,kur Azemi ishte  i shoqëruar nga Beharja, i dola përpara. E luta të ma shkruante një autograf në romanin ”Karvani i bardhë”. Buzëqeshi ëmbël dhe pa kurrëfarë hezitimi e hodhi nënshkrimin, më lëmoi flokët... Në mbrëmjet letrare që organizonim ne studentët, pothuaj, rregullisht i shoqëruar nga poeti Ali Podrimja merrte pjesë. Sa shumë u kam duartrokitur poezive që lexonte Azem Shkreli! Ndoshta nën ndikimin e poezive të Azemit kam nisur edhe unë të shkruaj!?

Pas mbarimit të studimeve, në Vushtrri më zgjodhën kryetar të klubit letrar ”Migjeni”.

Në një mbrëmje letrare në vitin 1973 që u mbajt në ambientet e Shtëpisë së Kulturës , Azem Shkreli u gëzua shumë kur mori vesh se djaloshi që viote më parë i kishte hedhur autogramin në romanin ”Karvani i bardhë”dhe i kishte lëmuar flokët ishte kryetar i një klubi letrar të provincës. Nga zemra më uroi dhe ma lavdëroi një vjershë të botuar në faqen e kulturës të gazetës ”Rilindja”. Lavdata e tij ishte inkurajim i fuqishëm për mua. Për idolin tim Azem Shkreli isha në gjendje ta lëja kokën!

Dhe, kështu idoli im Azem Shkreli rritej në mendjen dhe zemrën time deri në natën e 14 majit të vitit 1981, kur në zemrën time vdiq idoli im Azem Shkreli, njeri.

Ajo natë ogurzezë ishte nata më kobçare për mua. Atë natë idoli im Azem Shkreli ishte argat i Komitetit Krahinor në procesin e diferencimit tim ideo-politik.Një makth paranojak, një ndjenjë e papërshkruar më kaploi të tërin kur dëgjova nga goja e tij kërkesën që ma bënte edhe UDB_a për autokritikë. Nuk iu besoja as syve e as veshve të mi! Por, fatkeqësisht as sytë e as veshët e mi nuk më kishin gënjyer. Sa shumë do të dëshiroja që në mbrëmjen e 14 majit të vitit 1981 të isha i verbër dhe i shurdhër e mos ta shihja e mos tadëgjoja idolin tim duke folur.!!!

Ishte nata e tretë që nuk kisha futur gjumë në sy. Dy net më parë më kishin marrë në pyetje punëtorët e UDB-së duke më ngarkuar përgjegjësinë e pjesëmarrjes dhe organizimit të demostratave të 3 prillit në Mitrovicë dhe indoktrinimit të nxënsve të Shkollës së Mesme Ekonomike  me letërsi nacionaliste.Edhe pas mundimeve më makabër nuk kisha pranuar veprat me të cilat ngarkohesha. Në fund, nga unë kërkohej të bëja një autokritikë para Bashkësisë sime Punuese në natën e 14 majit, kur në mbledhejen e natës që filloi në orën 2O:OO, tok me Sava Komadiniqin sekretar i Komitetit Komunal në Mitrovicë,Nezir Prokshin zëvendëssekretar, Mr. Rrusem Hasanajn, drejtor i Shkollës , Dragan Cvetniqin , drejtor i përgjithshëm ia behën edhe Mysherefe Mustafa- Raifi, Prof. Dr. Abedin Feroviqi dhe Azem  Shkreli si përfaqsuyes të Komitetit Krahinor të LKJ-së. E dija se e tërë ajo ”llaqumi” komitetlinjsh  ishin argatë të UDB-së për leçitjen time politike.Kur e  pash idolin tim Azem Shkreli në mesin e asaj bande u habita, por edhe u gëzova.Mendova në vete , mbase ndoshta idoli im do të më dalë krahë ta mbrojë pafajsinë time. Përveç meje në atë mbrëmje” pogaçja” e diferencimit ishte gatuar edhe për Prof. Skënder Hamzën ( tash profesor i kimisë në Shkollën e Mesme të Mjkekësisë në Mitrovicë) dhe për Mr. Idriz Tahirin(tash punëtor  administrativ në Kuvendin e Kosovës)

Mbledhjen e nisi me një retorikë të ashpër staliniste Nezir Prokshi, duke hedhur gurë e ferra mbi personalitetin tim të Skënderit dhe të Idrizit. Për mua kishte vetëm një argument: Në dollapin tim të vitrinës së arsimtarëve , UDB-a kishte gjetur një numër të revistës letrare ”FJALA” me tregimin e Sabit Rrustemit ”Musafirët e pa ftuar”. Komitetliu i zi, argat i UDB-së çirrej  si bishë për ”argumentin e fuqishëm” që mbante në dorë kundër meje.Të gjithë ”musafirët” në diskutimet e tyre i mbajtën ison Nezir Gashit. Kohë të liga ishin! Atë natë zbulova nga goja e Sava Komadiniqit për herë të parë se isha bir ballisti. Reagova. Zëri im humbi në llakërdinë e zhurmës së komitetxhinjve. Pastaj nisën ”kanonadat” e sulmeve të spiunes së rryer Mysherefe. Disi më diskret në fjalimin e tij ishte boshnjaku Abedin Feroviq. Gjatë gjithë kohës idoli im Azem Shkreli mbante kokën ulur. I shtrëngonte tamthat... Mbase, mund t’i ketë dhimbur koka, idolit tim të fëmijënisë dhe rinisë... Mezi prisja ta merrte fjalën  idoli im. Kur e mori fjalën u shtir sikur nuk më njifte...! Nuk m’u drejtua mua, por Savë Komadiniqit, antishqiptarit më të regjur komunist të Mitrovicës: ”Ju jeni fajtor shoku sekretar! Ju! Ju keni faj që e përgëdhelni këtë fundrrinë nacionalizmi! Futeni atje ku e ka vendin dhe do këndojë e jo vetëm të bëjë autokritikë!” Foli  edhe shumë gjatë idoli im Azem Shkreli, por më nuk munda ta dëgjoja ç’thoshte! Tashmë të dy veshët më ishin mbyllur duke më krijuar një kakofoni çmendurake.

Kur mbaroi mbledhja akrepat e orës shkelnin  orën një të pasmesnatës. Iu afrova idolit tim t’i jepja dorën e ndoshta edhe ta falja për fjalimin patetik kundër ”nacionalizmit dhe irredentizmit tim”, i thash se jam djaloshi i autogramit, por idoli im i hidhëruar në mua pse i kisha prishur hesapet me Bashkim – Vëllazërimin e Titos nuk ma shtriu dorën. Krejt në fund i thash:”Ngushllime Azem Skreli për shpirtin tënd që sonte vdiq!” U mërdhez, por u përmbajt së foluri, ndërsa ngutej të dilte nga salla e arsimtarëve të Shkollës së Mesme Ekonomike.

Të nesërmen, heret në mëngjes, më nxorën nga ora ime e fundit mësimore  dhe më dërguan atje ku i kishte porositur idoli im, tanimë i urryer.

Pas kësaj nate ogurzezë vetëm edhe njëherë, në vitin 1992, jam takuar me Azem Shkrelin, idolin tim tani të urryer në një kafiteri në Mitrovicën e Veriut , jo fort larg kafenesë ”Dolçe Vita”ku e kanë strofullën ”Rojet e Urës”. Dëgjova se në atë kafiteri po promovohej  një vëllim  me poezi e një poeteje të re. Më thanë se ishte i ftuar edhe Azem shkreli me Ali Podrimjen. Shkuam së bashku me mikun tim, poetin Jakup Ceraja. Në fillim i kryqëzuam shikimet...Pastaj Azemi uli pak kokën  dhe vazhdoi të më shikojë në vetulla... Asnjë fjalë nuk e folëm as unë as Azemi...Prisja që burrëria e malsorit rugovas të shkojë në vend! Por, ngeli! Azem Shkreli as pas njëmbëdhjetë vjetësh nuk ishte penduar për fjalim patetik të 14 majit të vitit 1981. Nuk i kërkoi falje viktimës së tij. Unë desha t’i kërkoja falje, por nuk më lejoi miku im, poeti i ndjerë Jakup Ceraja.”Është ironike t’i kërkosh falje fajtorit!” më pati thënë poeti Jakup Ceraja.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx