E premte, 02.05.2025, 12:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Atdheu është sall dashuri

E hene, 19.04.2010, 09:58 PM


Sabit Rrustemi

 

ATDHEU ËSHTË SALL DASHURI

 

(Në shenjë kujtimi për heroin Sali Çeku dhe dy netët e kaluara bashkë në hotel KRUJA në Tiranë, më 30 prill e 1 Maj 1998)

 

Nuk di në ishte me shi a diell

Ai fund prilli në Tiranë

Heroi im i rilindur

 

Sapo kishe braktisur të kaltërtin qiell

E unë të zezën Kosovë

Pa e ditur pikëtakimin

 

Adresat tona ishin ngatërruar

Dhe udhët kohët

Pamjet

 

Po ne kurrë më parë s’ishim parë

Kurrë më mirë s’ishim njohur

 

 

II.

Hotel Kruja u drodh

U zu befas

Nga duart tona që shtrëngoheshin

 

Nga dhëmbët që kërcëllonin

 

Ku je he burrë

Mos më thuaj

 

Na i vranë djemtë në pritë

Lulediejtë e lirisë

Shtigjet e pabesisë

 

Të digjej tepja e kresë

Pa flakë

 

Sall zjarrmi

Kishe në sy

Në gji

 

E vendi vend s’na zinte

 

Thinjeshin flokët tua të ngritura

Ato bjeshkë të nemura

Lotonin në heshtje

 

Hajdeni ma

Kend po e presim

 

Qyqja po qyqon nëpër rremba të thatë

 

Ajo motër e ngratë

Sh’pia me uratë

 

Durimi yt po shterrej

 

Mllefi i shekujve mbulonte shkëmbijtë

E zbriste luginave

Shtrihej mbi Dugagjin

Anëmbanë Kosovës

 

 

III.

Nuk di në na thante plagët ai diell

Në na i lante varrët ai shi

Në atë fund prilli në Tiranë

 

Nata nuk i soste fjalët

Mësa bota barrët

Mbi supe tona

 

E ti

I rrahje udhët

Qosh më qosh Tiranës

Shkundshe telat e zinj

Këndej e andej kufijve

 

Liria s’vjen pa krismë

As paqja nuk pikon

Vetëm pse e kërkon

 

Ç’presim më

 

Gjaku i atyre djem’ve

Lulediejve tanë

Na m’loi

 

E ne llomotisim

Ditën me makiato davarisim

Reagime t' ashpra

nëpër të shkretat letra

Çarravisim

 

 

Djemtë tanë vriten nëpër tradhtina

E çka prêt më Prishtina

 

 

IV.

Si mund ta nxëmë një sy gjumë

Në Tiranë

Në kohët me gjamë

 

Kosova një det me halle

Prêt tonën dorë

Prehërin e t’lumes nanë

 

Dhe dajtë e m’dhej

Se fjalë kanë dhanë

 

Se si drodhe kokën

Zëshëm qeshe

Sa krejt retë prej bjeshkëve të namura

I trembe

 

Hajt t’i ngrejmë këto gota

Ta sosim këtë raki të bërë vetë

Si shpirtin tontë të sertë

Pa e trazuar më

Me ujë të gazuar

 

Se për këtë zot

Ëndrrën tonë

Do ta nxëmë këtë mot

 

V.

Nuk di as tash

Ç’mot bën në Tiranë

Në nxenë

Në bie

 

Ka erë

A deti e trembë me gjëmë

 

Di vetëm se ata sy

Si rrufe bjeshkët tejpërtej çanë

 

Në Koshare te ajo Rrasë e Zogut

roje lirie u bënë

Kosovës anembanë

 

 

VI..

Në cilën do ditë

Që të zbres në Tiranë

Nëpër dheun e të lumes nanë

Tek hotel Kruja

Pres të të takoj

 

Se fjalë kemi dhënë

 

Nga një dolli

Ta ngrisim

Për liri

 

Eu burrë

Po atdheu është sall dashuri

Aty ku prekë e prehesh Ti

 



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx