E hene, 29.04.2024, 06:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Valter Shtylla: Varret monumentale të Kastriotëve në Europë

E diele, 18.04.2010, 07:57 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Familja e Kastriotëve ka varre monumentale në cepa të ndryshëm të Europës, duke filluar që nga Valencia në Spanjë, e deri tek Napoli. Sipas profesor Valter Shtyllës, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe studiues, varret monumentale e dokumentet flasin për rëndësinë që kishte Skënderbeu në Mesjetë dhe respektin që gëzonte në familjet e mëdha, prej ku kanë dalë prijës shtetesh. Në një intervistë për gazetën ai tregon se dokumente, varre monumentale e pllaka, rrëfejnë se familja e Kastriotëve e larguar nga vendi pas vdekjes së Skënderbeut, është nderuar nga familjet e prijësve të huaj. Sipas studimit të tij, botuar në revistën "Monumentet" që do të promovohet pas disa ditësh, varri i Donika Kastriotit ndodhet në Manastirin San Trinindad, në Valencia të Spanjës, ku janë varrosur edhe anëtarët e familjes së Aragonës. Por, studimi i tij thotë edhe shumë fakte të tjera për varrin në Napoli të Konstantin Kastriotit, djali i Gjonit, nipi i Skënderbeut, apo varri i Marës, motrës së heroit në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, pranë Zhabjakut.

 

Profesor, në revistën "Monumentet 2008", ju keni një shkrim me titullin: "Dokumente nga kultura materiale për familjen e Kastriotëve". Cilat janë dokumentet për të cilët ju flisni dhe si ratë në gjurmët e tyre?

 

Ka qenë diçka që më ka shtyrë të kërkoj gjurmët historike të Kastriotëve jashtë Shqipërisë. Në shkurt të vitit 1996, gjatë një vizite në Këshillin e Europës në Strasburg për të diskutuar rreth problemeve statike në kalanë e Krujës, studiues nga Valencia e Spanjës më informuan se në Manastirin San Trinindad të qytetit të tyre, ndodhen varret e pjesëtarëve të familjes së Kastriotëve. Në qershor të vitit 2001, me ndihmën e Generalitat Valenciana m'u mundësua vizita në këtë qytet historik të Spanjës. Burimet e shumta historike dëshmojnë për një lidhje të fuqishme të familjes së Kastriotëve gjatë shekullit XV me Mbretin napolitan Alfonsi V i Aragonës. Kurora mbretërore e Aragonëve përfshinte dhe Mbretërinë e Valencias. Aragonët me Kastriotët realizuan aleanca të fuqishme ushtarake, dhe dihet që Mbreti Ferrante i Napolit i caktoi feude të mëdha familjes së Skënderbeut në Italinë e Jugut. Donika në Valencia udhëtoi bashkë me familjen e të birit, Gjonit, si dhe me një eskortë prej 20 kalorësish. Gjoni, djali i Donikës dhe i Skënderbeut, ishte martuar me Irenën, vajzën e despotit serb, Lazar Brankoviç dhe të Elena Paleologut, vajzën e despotit të Moresë, Tomas.

 

A ka dokumente që pohojnë qëndrimin atje të familjes së Skënderbeut?

 

Më 23 gusht 1503, Donika është parë në një pritje me mbretëreshat aragonase në Valencia. Më pas, kur në vitin 1506 ato u kthyen në Napoli nuk shoqëroheshin nga Donika, e cila duket se mbeti në Valencia. Në Valencia ndodhet Manastiri Mbretëror Shën Trinidad, i ndërtuar në vitin 1445 nga Mbretëresha Aragonase, Maria de Castiljo, e cila pas vdekjes, në vitin 1458 u varros në portikun e Manastirit. Autorët Sales, në 1761 dhe Goerlich në vitin 1998, publikojnë se në kapelën San Migele, në verilindje të naosit, në fillim të shekullit XVI është varrosur gruaja e Gjon Kastriotit, birit të Mbretit të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur nga turqit si Scanderbeg. Pas vitit 1506 Donika nuk u kthye më në Napoli, e kjo të bën të mendosh se edhe vetë gruaja e Skënderbeut mund të jetë varrosur në Valencia. Dëshmi e qartë materiale nga manastiri është pllaka e varrit e Alfonsit, birit të Gjonit. Varri i tij ka qenë tek vendi i korit të kishës, në qoshen veri-perëndimore të naosit, por që pas djegies së kishës pllaka u zhvendos në kapelën majtas hyrjes së saj.

 

Çfarë shkruhet në pllakë?

 

Mbi këtë pllakë mermeri të zi lexohet: "Këtu prehet Alfonso, biri i të famshmit Georgo Castroto, mbret i Albanisë, i braktisur nga turqit, fortesë e pamposhtur e krishtërimit, i cili u quajt nga turqit Escardabech dhe i cili për prejardhjen e tij, vlerën dhe madhështinë e shpirtit, krahasohej me mbretin Alesandro të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15 vjeç në këtë qytet të Valencias, viti 1503". Duke parë moshën dhe vitin e vdekjes dhe botimet për kishën, është e qartë se bëhet fjalë për birin e Gjonit dhe jo të Skënderbeut. Varret e Xhovanës dhe Alfonsit ndodhen në naosin e kishës, ndërsa ai i mbretëreshës në portik, ku prehet edhe eskorta kalorësiake e Donika Kastriotit. Aq më tepër po të dëshmohet se edhe vetë varri i Donikës ndodhet në këtë manastir. Edhe interpretimi i përmbajtjes së pllakës së Alfonsit, e cila daton nga viti 1503, përfaqëson vlera historike për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai fillon me shprehjen: "i famshmi Georgo Castroto, Mbreti i Shqiptarëve". Epitafi vazhdon: "fortesë e pamposhtur e krishtërimit", një cilësim që e vlerëson shumë figurën e Skënderbeut nga ana e Komunitetit Perëndimor. Kjo është një shprehje shpesh e përsëritur, por kur është e gdhendur në një gur të 1503 në zemrën e një kryevepre religjioze aragonase, shprehja fiton vlera të shumëfishta.

 

Po në vende të tjera, ka gjurmë të familjes së Kastriotëve?

 

Po. Në qendër të Napolit ndodhet kisha monumentale 'Santa Maria la Nova', një nga objektet më të vizitueshme të këtij qyteti historik. Sot kisha është një qendër e rëndësishme e artit dhe e studimeve religjioze italo-mesdhetare, e në portikun e saj ka disa varre monumentalë, ku spikat ai i Konstantin Kastriotit, djali i Gjonit, nipi i Skënderbeut. Varri është një vepër arti në mermer, punuar nga mjeshtri i njohur Jacopo della Pilla. Në pllakën e epitafit të kushtuar nga e gjyshja Donika thuhet: "Konstatin Kastrioti, i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti e perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet, Kryeprift i Izernias, që vdiq para kohe. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin njëmijë e pesëqind". Këtë objekt Donika e ka realizuar kur tashmë ndodhej e larguar në Valencia.

 

A mund të na e përshkruani këtë varr monumental?

 

Në të dy anët e tij, brenda një kornize, është gdhendur një mburojë formë ovale. Brenda saj shquan shqiponja dy krenare me kurorat mbretërore mbi kokat e shqiponjës. Në mesin e dy kokave është gdhendur ylli me tetë cepa. Në krye, jashtë mburojës, lartësohet kurora e kryepeshkopit të Izernias, simboli funksional i Konstantin Kastriotit. Ylli me cepa përfaqëson simbolin e diellit rrezatues dhe numri i cepave nuk duhet të jetë përcaktues.

 

Në revistë ju flisni edhe për një tjetër varr, atë të Mara Kastriotit...

 

Po, bëhet fjalë për motrën e Skënderbeut. Motra e madhe e Skënderbeut, Mara (në disa burime njihet si Maria) u martua me sundimtarin e Malit të Zi, Stefan Cërnojeviçin. Qendra e Cernojeviçëve ka qenë qyteti mesjetar i Zhabjakut në Kënetën e Madhe. Familja e Cërnojeviçëve ndërtoi një manastir të tipit mauzole për varrimin e pjesëtarëve të familjes, në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, pranë Zhabjakut. Në qendër të tij është Kisha e Shën Mërisë (ndërtuar në vitet 1415-1427), e në brendësi janë pllakat e varreve të familjes së Cërnojeviçëve. Ivan Cërnojeviçi, pas vdekjes së babait Stefan, si sundimtar i Malit të Zi, ka zgjedhur mjeshtrit më të mirë për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara. Pllaka me përmasa 60x180 cm, me një bordurë anësore të gdhendur, në qendër të saj, ka tre lule formë rozete. Tatjana Pejoviç në botimin e vitit 1995: "Manastiret në territorin e Malit të Zi" shprehet: Pllaka e varreve të prindërve të Ivanit, Stefanit dhe gruas së tij zonjës Mara Kastrioti, princeshë shqiptare, motra e Skënderbeut, kanë zbukurime të pasura në gur. Në krye të pllakës është gdhendur një monogramë ku me kujdes mund të lexohet: "Kjo është pllaka e zonjës Mara, princesha e Cërna Gora, motra e Georgio Scanderbeg".

 

Po sa i takon vëllait të Skënderbeut, Reposhit?

 

Familja e Gjon Kastriotit përbëhej nga katër djem dhe pesë vajza. Vëllai i madh i Gjergjit (Skënderbeut), Reposhi përfundoi murg në gadishullin e Malit të Shenjtë pranë Selanikut, në manastirin e Hilandarit, ndërtuar në shekullin XI. Në arkivën e këtij manastiri ruhen dy dokumente që lidhen me emrin e Gjon Kastriotit. Në një dokument të vitit 1426 thuhet se: "Gjon Kastrioti me katër djemtë e tij, Stanishin, Reposhin, Konstantinin dhe Gjergjin, i falën Manastirit të Hilandarit katundet e krahinës së Rekës në Dibër, Radostushën dhe Trebishtin. Në dokumentin e dytë të padatuar thuhet se, igumeni i Manastirit të Hilandarit i shet Pirgun e Shën Gjergjit, Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij, Reposhit, Konstantinit dhe Gjergjit për 60 florinj". Ky pirg mban edhe sot emrin "Pirgu i Shqiptarëve". Studiuesi serb, Sreten Petkoviç, në librin e tij "Chilandar" shkruan se, në vitet 1430-'31, Reposhi, vëllai i të famshmit Skënderbeg, nga familja shqiptare e Kastriotëve, u varros në një varr të ndodhur në narteksin e brendshëm të kishës, në murin verior. Shën Gjergji dhe shenjtorët Simeon dhe Sava, bashkë me Virgjëreshën, janë pikturuar në muret sipër për nder të shpirtit të tij. Piktori anonim i afreskut duket i një talenti modest. Sipas studiuesit të njohur kroat, Milan Shuflaj, mbi varrin e Reposhit, i varrosur në brendësi të objektit kryesor të manastirit të Hilandarit, në kishën e Shën Mërisë, është gdhendur identifikimi historik "Duka i Ilirëve". Pra, autorë serbë me emër, citojnë Kullën e Shqiptarëve, blerë nga princi shqiptar Gjon Kastrioti, si dhe faktin e varrosjes së Reposhit, nga familja e famshme shqiptare e Kastriotëve, në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë. Monumentet shprehin historinë, e për këtë duhen studiuar e dokumentuar dhe sigurisht, duhet realizuar edhe mundësia e ekspozimit të tyre në muzetë tona kombëtare.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora