E hene, 29.04.2024, 08:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Remzi Limani në gjuhën rumune

E shtune, 17.04.2010, 09:58 PM


Remzi Limani në gjuhën rumune

 

SHTEGTAR ME TURMËN E BRENGAVE

 

Nga Marius Chelaru

 

Remzi Limani, piktor dhe poet kosovar, i përkthyer në gjuhën rumune nga Baki Ymeri, inkorporohet në spektrin e krijuesve të talentuar që dinë ta rivizatojnë botën me të gjitha mitet dhe “ngjyrat” e saj.  Subjekti elementar ndërlidhet me të dashurën e tij të degdisur dhe ëndërruar, me ngjarjet dhe ëndërrat që kalojnë nëpër atelienë e një „filtrimi” të brendshëm. Imagjinata krijuese shëmbëllen me një ritërheqje nga bota për t’u bërë pjesë e saj. Më kujtohen, në një farë mase, fjalët e René Char, ai që në Partage formel, të Fureur et mystère, do të shkruajë: „Imagjinata qëndron në aftësinë për të dëbuar nga realiteti më shumë persona jokomplete, për të ndikuar që përmes vënies në lëvizje të fuqive magjike dhe subverzive të dëshirës, rikthimin e tyre nën formën e një prezence plotësisht të kënaqshme. Mu atëherë kjo përfiton realen e pashuar dhe të pakrijuar”.

Remzi Limani fton mirësinë duke e dëbuar ligësinë nga „realitati”, duke i rivizatuar në paleta të ndryshme, që nga metafora direkte në ato me peshë surealiste, apo, madje, me tusha onirike, për të mos u kuptuar se po e përzjen me këto rryma, ashtu siç i kundron vendet, njerëzit dhe evenimentet në rajonin ku jeton. Kosova në vizionin e tij është „një tokë/ e luleve të gjakut/ me bërthama të bardha/ e me mençuri në Kokë”. Duke u raportuar përsëri në fushën tjetër të artit që e përshkon autori, në pikturë, atje ku natyra mund të jetë dhunti Parajse” apo „natyrë e vdekur”, natyra shqiptare kaplon përmasat e admirimit duke përfituar dhuntinë e shpirtëzimit përmes gjithfarë „zgjedhjesh të përshtatshme”, të metamorfozuara në analogji të ndryshme, duke u transformuar në atë që Benedetto Croce e quante hallakatje mendimesh magjike apo „inkoherenca koherente”.

Kështusoj, autori duket se krijon një gërshetim të dyfishtë mbi të cilin përpërlitet një tjetër jetë e botës/ poemit, atë që e sheh autori. Nuk dua të ndikoj që të përfitohet përshtypja se poezia e Remzi Limanit është më shumë apo më pak komplekse se sa është, por vetëm, përmes një shkallëzimi progresiv të analogjive/ krahasimeve/ paraleleve, apo ta inkuadroj disi në tabllonë në të cilën e kundroj. Herë tjera duket se Remziu tenton të shkulet nga mbretëria e disa atavizmave epike, edhepse këto janë të ndërlidhura vetvetiu me një përshkrim gjendjejesh sentimentale, siç është rasti në poezitë si Shiu i luleve, Erë e panjohur, Nën qepallat e përgjumura etj. Këto kanë një tentë rrëfimi (dhe biografizmi të dukshëm) që diferencohet disi nga vjershat e tjera të korpusit të këtij vëllimi, përndryshe mjaft i pjekur si tematikë, stilistikë dhe diskurs poetik.

Po ndalemi mbi disa reflektime në pasqyrën e lekturimit të parë të kësaj përmbledhjeje. Thoja për një tematikë tejet të ndryshme – vetmia (për shkak të së cilës, shtegtar i vonuar duke qenë, në kërkim të vdekjes apo të një rruge të mugët, mund të biesh në “turmën e brengave” apo “të flakish kujtimet në vetmi”), dashuria (shpesh përmes përshkrimit të idealizuar të qenjes së dashur), e shkuara më shumë apo më pak larg atdheut (shembuj: Kosova, Kohë e ngrirë), madje “tablloja pas natyrës”/ pastel (shembull: Hëna e lazdëruar, Nata) – por dukshmërisht e përngjitur me nevojën e konturimit të një peizazhi ku zotëron koha (presioni, shtypja, rrjedhja, lodhja e saj, e ngrirë, e plakur etj.). Nuk mund të mungojë shëmbëlltyra dhe përfytyrimi i një fenomeni që karakterizon tërë rajonin e Evropës Jug-Lindore, një zonë e prekur nga motive të ndryshme, si mërgimi (shembull: Plaga e mërgimit), të cilin autori e sheh më shumë si një mundim dhe shtypje, se sa një shpëtim. Të mërguarit/Mërgimtarët, në vizionin e tij, shkojnë “me kujtimet nën sqetull”, “me dhembjet e shpirtit nën dhëmbë”. Në finale, u thot të mërguarve: “rruga e pafund do të ju humbë/ ndërsa fantazma e lakmisë do të ju tradhëtojë”.

Por, ajo që të josh që në lekturim të parë, konstaton se tema qëndrore e poemave të këtij vëllimi është dashuria (qënja e dashur/ e dëshiruar/ e ëndërruar/ e degdisur), e kundruar në prizmin e „dritave” të ndryshme , sidomos nën presionin e kohës apo në ngjyrën sepia të kujtimeve. E dashura dhe dashuria e degdisur dhe ëndërruar vishet në tesha metaforike origjinale – „balerinë e mbështjellë me këmishën e natës”, „e veshur me puhinë e valëve të detit”, porsi „lulja e shpëlarë me vesën e mëngjesit”, „me faqe të kuqërremta” si lulëkuqet e Kosovës, „e stolisur në syrin e pranverës” etj. Vargjet më të bukura të këtij vëllimi janë perlat poetike kushtuar dashurisë. Poetit i këndon shpirti duke i lotuar zemra për degdisjen e qenjes së dashur, dhe po qe se doni të shkojmë përsëri në deshifrimin e disa fjalëve të René Char-it që shkruante më 26 janar 1966 për Georges de la Tour, një piktor i shek. XVII-të i cili mund të përshtatet për mugëtirën që definon degdisjen e së dashurës: „L'unique condition pour ne pas battre en interminable retraite était d'entrer dans le cercle de la bougie, de s'y tenir, en ne cédant pas à la tentation de remplacer les ténèbres par le jour et leur éclair nourri par un terme inconstant.”

Remzi Limani, porsi poetët e tjerë, jo vetëm nga Kosova, inkorporohet në spektrin e vlerave reale që e pikturojnë botën me një dhunti personale për të „pikturuar” përfytyrimet edhe në poezi: „Vetëm një rreze hëne duket/ E zbehtë si një llampë vajguri/ Derdhet nga sfondi i zi”. Apo „Pulëbardhat zbresin nga sytë e malit si pikat/ në qiellin e mbështjellë me bardhësinë e virgjerë”. Janë pjesë nga reflektimet që i kam deshifruar në pasqyrën e lekturimit të këtij vëllimi të një poeti, të cilit nuk i mungon thellësia e mendimit, i cili mund të shtegtojë rrugës së kërkimit të vetvetes (edhe përmes vargut), por që posedon prirje artistike dhe një dhunti të veçantë për ta „vizatuar” këtë vëllim, jo vetëm për shqiptarët, por si një lekturim të këndshëm edhe për lexuesin e huaj. 

 

BIBLIOGRAFI

 

Remzi Limani (1955) u lind në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi shkollën e artit në Pejë dhe më pastaj u diplomua në Fakultetin e Arteve,  Dega e Dizajnit në Prishtinë. Në krijimet artistike, kryefjalë dhe kallëzues i ka artet e bukura me intensitet të ndryshëm. Përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artin,  përkatësisht kritikës  për artet pamore dhe muzikës profesionale. Në të gjitha këto krijime ai ruan baraspeshën e arsyes dhe të ndjenjës, në atë mënyrë që arti të shtrihet gjerë e gjatë në rrafshin e vlerave kombëtare në fushën e kulturës.Për punën e tij krijuese në fushën e arteve figurative dhe aplikative, zënë vend njëmbëdhjetë shpërblime e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 1999 nga Senati i Akademisë Internacionale “Qyteti i Romës” u nominua kryetar artistik për Kosovë. Deri më tash, nga fusha e arteve pamore ka të realizuara dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi. Nga fusha e letërsisë ka të botuara gjashtë vepra. Libri me poezi “ Tinguj të humbur “ është libri i tij i shtatë. Aktualisht, punon në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Prishtinë,  në cilësinë e udhëheqësit të kulturës.

 

 

Remzi Limani

 

TINGUJ TË HUMBUR

SUNETE PIERDUTE

 

 

KOSOVA

 

Është një Tokë

Me lule gjaku

Farë e bardhë

E urtë në Kokë

 

Është një Tokë

Me sy në Kokë

Kryq nën dhe

Hënë mbi Tokë

 

Është një Tokë                                           

Me zot mbi Kokë                                       

Faqebardhë                                               

E shtrirë mbi ar

 

Është një Tokë

Bukë nën Kokë

Kullë e lashtë

Grurë mbi mur

 

Është një Tokë

Me thinja në Kokë

Mbi këtë Tokë

Ranë shumë Kokë…

 

 

SHIU I LULEVE

 

Sonte më vjen syve një përhitje

Pranë meje ndalon e mbuzur

Nëpër gurë mendimesh rrokullisem

I verbër për Ty vdes i etur

 

Një suvalë çmendie bie mbi mua

Me hijen tënde merrem ngrykas

Murmurimë gjethesh gjëmojnë në mua

 

Dhembja lot i shteruar

Ndaloi në brigjet e qepallave

Me përqethje veshi trupin tim

 

Me dehuri shpalosi kujtimet

Bardhësitë tua verbuese

Shprushi këngën e vrarë

Shiu i luleve mbi zjarrin tim pikon

 

 

ERË E NJOHUR

 

Një erë e njohur ngre perde në sytë e mi

Nga peshtafi i veshur me kujtime

Nxjerr dhembjen dhe klithmat për Ty

 

Një breshëri kujtimesh më prishin mendsh

Buzëqeshja e ngrirë në pasqyrë

Ma kujton puthjen e parë dhuratë

 

Somnabul zgjohem ngrihem

Me frymë të ngritur i përhënur

Zëshëm lëshoj thirrma drejt qiellit

 

Tashmë me plagën e malcuar

Nëpër kohë digjem nga malli

Si gjethe e çarë numëroj plagët

 

 

VETMI

 

E mbështjellë me puhinë e detit

Me pashi ndritë vetminë time

Si lule e larë me vesën e mëngjesit

Flokun e lagur shtrydhë në mua

Me lakuriqësi më mbulon

 

Së bashku me zërat e gjetheve në vjeshtë

Kujtimet për ty ndezin zjarrmi në mua

Me zë të ngjirur i tulatur mbledh forcën

Nëpër dhëmbë tashmë të krimbur

Belbëzoj këngën e vrarë

 

I verbër në heshtim i humbur tretem

Si hije thahem mbi kulmet e fjetura

Zërat e gjetheve më rrëmbejnë këndshëm

Me mall t`i puthi sytë e fjetur

 

 

NËN QEPALLAT E FJETURA

 

Sikur t`isha i mbuzur pranë Teje

Edhe një të vetmen herë në sytë e mi

Të shoh në dritë hëne të plotë

Me faqe të skuqura shebojë

Të veshur me syrin e pranverës

Sikur e ngrirë në dimi kumashi

Me buzëqeshjen e ndezur plot shkëlqim

Dhe belin e thyer në duart e mia

 

Frymësosur me sëmbime të kujtoj

Ëndrrat Tua me syrin tim i veshi

Si gjethet e vjeshtës para shiut

Nën qepallat e fjetura i merendoj

 

Të kujtoj flokun e derdhur mbi supe

Sytë e shkruar bojëvere të çelur

Dhe krahët e fluturës në ikje para ngricave

Që të rikthehet sërish

Me ngjyrat e ylberit mbi lumin e shkrirë

 

 

KUJTIME

 

Qëkur ike si fleta në erë

I tulatur mblidhem me kujtime

Rreth teje i shpërmendur hiqem gjunjas

S`lë vend të pa puthur në Ty

 

Kujtimet shtojnë etjen e lumit

Rrudhimet në ballë m`i thellojnë

Qielli i purpurt më thërret me zërin tënd

Nusëria jote e veshur me bojëra qielli

E shkrirë pikon mbi zjarrin tim

 

Nga frymëmarrja ime e thellë

Errësira ofshamë e dhembje derdhë

Rreth teje i shpërmendur hiqem gjunjas

S`lë vend të pa puthur në Ty



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora