Kulturë
Fejzi Koçi: Vlerësime për librin e ri ''Ëndërrat e 'grisura' të jetës sime''
E merkure, 14.04.2010, 09:25 PM
VLERËSIME PËR LIBRIN E RI “ËNDRRAT ‘
(Me autor Prof.as.Dr. Murat Gecaj)
Nga: DR. FEJZI KOÇI - Tiranë
E lexova me kënaqësi librin e ri të autorit, Prof.as.Dr. Murat Gecaj, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”, i cili është publikuar ditët e fundit. Ai më pëlqeu, mbasi është shkruar bukur dhe me kulturë.
Gjej rastin që ta përgëzoj autorin për këtë punë të madhe e cilësore, që ka bërë për hartimin e këtij libri. Me përmbajtjen dhe paraqitjen e tij, ai merr pamjen e një testament artistik.
Është meritë e autorit, që materialit jetësor i ka bërë një konceptim tërësor, të momenteve kryesore, të lidhjes midis tyre, që nga fëmijëria dhe deri në ditët e sotme, pra të një jete të tërë 70-vjeçare. Pikërisht këto vështirësi, të një hapësire të gjerë kohore, me kulturën e tij dhe penën e një gazetari të afirmuar, Murati ka ditur të hartojë një monografi solide dhe me ngjyrime të larmishme. Ndaj, ai ka të drejtë të krenohet, kur shkruan në parathënien e librit se” këto kujtime janë pasuria jonë shpirtërore për pasardhësit…”.
Veç shkrimeve publicistike si gazetar, prej vitesh Murati ka hyrë në sferën e veprimtarisë studimore-kërkimore. Pikërisht këtu qëndron dhe merita kryesore në punë e tij, meritë që ka ardhur duke u lartësuar, nga viti në vit.
Me sa del edhe në këtë libër, studimet e Muratit kanë qenë përqendruar në historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar dhe veçanërisht nga Kosova. Pikërisht për këtë problem, autori ka shkruar disa libra dhe vlerësimet për to jepen nga njerëz të shkencës, arsimit dhe kulturës, në pjesën e 16-të të këtij libri (faqe325-346).
Më së fundi, duhet thënë se libri i Muratit “Ëndrrat ‘ e grisura’ të jetës sime” është një botim dinjitoz e me përmasa të mëdha, me rreth 400 faqe, i ndarë në 17 pjesë (kapituj).
Libri në fjalë shquhet për një paraqitje teknike-artistike të arrirë, për një punë redaktoriale të kujdesshme dhe për një faqosje të realizuar mire. Po kështu, ka një ndërthurje të drejtë të materilait shkrimor me ilustrimet (fotot), si dhe bie në sy një kopertinë me ngjyra mjaft e bukur dhe e realizuar arsistikisht.
Gjej rastin që, në këto pak radhë, t’i uroj Murat Gecajt arritje të reja në krijimtarinë e tij, për të ardhmen.
Me respekt,
Dr. Fejzi Koçi
Tiranë, 12 prill 2010